Kreu Editorial Protesta që po lëkund nga themelet shtetin që kërkon të bëjë pazar...

Protesta që po lëkund nga themelet shtetin që kërkon të bëjë pazar me Shqipërinë

0
3

Shkruan Halil Teodori

Ajo që deri dje dukej e pamundur, sot po merr formë para syve tanë. Në një realitet ku pushteti i kryeministrit Edi Rama dukej se kishte arritur një shkallë të tillë konsolidimi sa asgjë nuk mund ta vinte në diskutim, ndodhi e papritura. Qytetarët, dhe veçanërisht të rinjtë, dolën në shesh për t’i kujtuar pushtetit se ekziston ende një forcë më e madhe se arroganca e shumicës parlamentare, ndërgjegjja qytetare.

Prej vitesh, forcimi i pozitave të pakonkurrueshme në qeverisje i ka krijuar iluzionin se mund të vendosë për gjithçka, për tokën dhe detin, për pasuritë publike dhe trashëgiminë natyrore, për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Sikur Shqipëria të ishte një aset i disponueshëm për t’u negociuar, një mall që mund të vihet në ankand sipas interesave politike apo ekonomike të momentit.

Por protestat e ditëve të fundit kanë dëshmuar se ekziston ende një kufi. Një vijë e kuqe që nuk mund të kalohet pa hasur kundërshtim.

Qindra e mijëra të rinj, të organizuar në mënyrë qytetare, paqësore dhe dinjitoze, kanë zgjedhur të mos heshtin. Prania e tyre në sheshe nuk është thjesht një reagim ndaj një projekti të caktuar. Ajo është shprehje e një vetëdijeje kolektive që po zgjohet. Është kujtesa që pushteti nuk duhet të besojë vetëm te mekanizmat e forcës, por te detyrimi për të dëgjuar zërin e shoqërisë.

Sepse ajo që për qeverinë mund të paraqitet si një marrëveshje me leverdi politike apo financiare, për shqiptarët është shumë më tepër sesa një investim. Është një çështje që prek identitetin e vendit, integritetin e natyrës, biodiversitetin, të drejtën e brezave të ardhshëm për të trashëguar një Shqipëri që nuk është rrethuar me tela me gjemba, nuk është privatizuar pas gardheve të luksit dhe nuk është dorëzuar në emër të fitimit afatshkurtër.

Durimi qytetar ka arritur kufijtë e vet.

 Dhe pikërisht ata që historikisht kanë qenë energjia më vitale e ndryshimit, të rinjtë, po dëshmojnë se shteti nuk mund të funksionojë si instrument i interesave të ngushta, por duhet të mbetet garant i interesit publik.

Në pamje të parë, debati i javëve të fundit mund të duket si një përplasje mjedisore. Në njërën anë qëndrojnë organizatat ekologjike që paralajmërojnë për dëmet ndaj lagunës së Nartës, habitateve të flamingove dhe pelikanëve, ndërsa në anën tjetër një qeveri që premton modernizim, zhvillim dhe miliarda euro investime në turizmin e luksit.

Por kushdo që e redukton konfliktin në këtë nivel, ose nuk e kupton realitetin shqiptar, ose zgjedh të mos e shohë atë.

Kjo protestë nuk ka të bëjë vetëm me biologjinë e një lagune apo me fatin e disa specieve të mbrojtura. Ajo është shndërruar në një krizë ekzistenciale të dinjitetit kombëtar. Në një klithmë të një brezi që refuzon të trajtohet si figurant në vendin e vet, si spektator i shitjes së asaj që duhej t’i përkiste të gjithëve.

Ajo që po ndodh sot në bregdetin shqiptar nuk është rastësi. Nuk është një gabim administrativ dhe as një episod i izoluar. Është një model që po zbatohet me këmbëngulje dhe metodë nga Veriu në Jug.

Në Rrjoll, , zona me rëndësi ndërkombëtare dhe e mbrojtur nga konventa të shumta, toka publike dhe ajo e banorëve po përfshihet nga logjika e kantierit dhe e përvetësimit.

Në Nartë e Zvërnec, peizazhe të rralla, që përbëjnë një nga pasuritë më të çmuara natyrore të vendit, po ndahen në tavolina zyrash dhe projekte të hartuara larg syrit të publikut, për t’u vënë në dispozicion të të ashtuquajturëve investitorë strategjikë.

Ndërsa paradoksi më i madh është Sazani.

Për dekada me radhë, izolimi ushtarak e ruajti ishullin nga ndërhyrja shkatërruese njerëzore. Sot, kur Shqipëria është e hapur ndaj botës, ai rrezikon të humbasë pikërisht nga mënyra e gabuar e kësaj hapjeje. Sazani po dëshmon se lakmia e kapitalit klientelist mund të jetë më e pamëshirshme sesa telat me gjemba të Luftës së Ftohtë.

Ligjet për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore nuk po ndryshohen për t’i shërbyer zhvillimit. Ato po përshtaten për të legalizuar tjetërsimin e pasurisë së përbashkët.

Në këtë proces, shteti ka pushuar së qeni arbitër dhe mbrojtës i interesit publik. Në rastin më të mirë ai është bërë spektator. Në rastin më të keq, bashkëpunëtor.

Por ndoshta aspekti më shqetësues është miti ekonomik që shitet përmes broshurave luksoze, sloganeve të marketingut dhe vizualizimeve spektakolare.

Premtohen mijëra vende pune.

Premtohet zhvillim.

Premtohet mirëqenie.

Megjithatë pyetja thelbësore mbetet: çfarë lloj zhvillimi?

Turizmi i luksit që nuk mbështetet mbi prodhimin vendas, inovacionin, teknologjinë dhe arsimin cilësor krijon shërbëtorë, jo profesionistë. Krijon punësim sezonal, jo karrierë. Krijon varësi ekonomike nga kapitali i huaj, jo pavarësi dhe qëndrueshmëri kombëtare.

Kur një sistem u mohon të rinjve arsim cilësor, konkurrencë të ndershme dhe mundësi reale për sukses, e më pas u ofron si horizont të vetëm shërbimin në resortet e ndërtuara mbi tokat që dikur ishin publike, kjo nuk është politikë zhvillimi.

Kjo është një fyerje e institucionalizuar.

Pasojat ndihen edhe më thellë.

Kapitali i huaj që derdhet në tregun e pasurive të paluajtshme mund të zbukurojë statistikat ekonomike dhe të fryjë artificialisht treguesit e rritjes, por në jetën reale prodhon një efekt tjetër, rritjen dramatike të çmimeve të banesave dhe të tokës.

Shqiptari me një pagë shqiptare detyrohet të konkurrojë me miliarderë dhe fonde investimi globale.

Rezultati është i njohur, shtresa e mesme varfërohet, të rinjtë humbasin mundësinë për të blerë një shtëpi, ndërsa qytetet e tyre bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme për vetë banorët.

Ata që sot mbajnë fëmijët mbi supe në protesta janë bijtë e një tranzicioni 35-vjeçar që nuk arriti t’u japë drejtësi.

Janë ata që panë prindërit e tyre të humbnin sigurinë ekonomike përballë rregullave që ndryshonin sipas interesit të pushtetit.

Janë ata që panë shokët dhe motrat e vëllezërit e tyre të largoheshin drejt Europës, duke boshatisur qytete, fshatra dhe familje.

Dhe pikërisht ky brez po thotë sot “Jo”.

Jo me gurë.

Jo me dhunë.

Jo me urrejtje.

Por me forcën e qetë dhe të patundur të dinjitetit qytetar.

Prandaj reagimi nervoz i pushtetit nuk është tregues force. Është tregues frike. Sepse çdo pushtet e kupton se momenti më i rrezikshëm për të nuk është kur përballet me kundërshtarë politikë, por kur përballet me qytetarë që nuk kanë më frikë.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke varfëruar shumicën për të pasuruar një pakicë. Nuk mund të quhet zhvillim një proces që përjashton qytetarin nga pasuritë e vendit të vet.

Çështja e Zvërnecit, e Nartës, e Sazanit dhe e zonave të mbrojtura ka tejkaluar prej kohësh kufijtë e debatit ekologjik.

Sot pyetja është shumë më themelore:

A ekziston ende hapësira publike në Shqipëri?

 A ka ende vende që u përkasin qytetarëve?

Apo çdo pyll, çdo lagunë, çdo ishull dhe çdo metër bregdet do t’i përkasë nesër vetëm atij që ka pushtetin ose kapitalin për ta marrë?

Nëse ne mjaftohemi duke lexuar lajmin, duke kaluar te postimi i radhës në telefon, ndërkohë që pyjet rrethohen me tela, lagunat betonohen dhe protestuesit përballen me forcën, atëherë heshtja jonë bëhet pjesë e problemit.

Sepse Zvërneci nuk është vetëm Zvërnec.

Ai është simboli i një Shqipërie që ende po përpiqet të mbetet e shqiptarëve.

Dhe nëse nuk e mbrojmë sot, nesër mund të na mbetet vetëm kujtimi i një vendi që e humbëm pak nga pak, jo sepse nuk e donim, por sepse nuk folëm kur ende kishte kohë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu