Shkruan Zef Ndreka
Do të përpiqem për lexuesit të bëj një analizë politike dhe shoqërore për gjithë ditët e protestës deri më sot, por që përmban edhe disa pohime që janë vështirë të verifikohen faktikisht, si mbështetja nga shtete të caktuara, infiltrime nga aktorë të huaj apo skenarë të kordinuar politikë.
Mbase mbetemi në planin kur nuk dallohen qartë faktet nga perceptimet dhe hipotezat.
Gjithsesi, që prej fillimit të protestave, është krijuar tabloja se kemi të bëjmë me një fenomen që tejkalon kufijtë e opozitës tradicionale politike. Pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite ndaj korrupsionit, mungesës së llogaridhënies, problemeve sociale dhe ekonomike, duket se kanë gjetur shprehje në një lëvizje qytetare që nuk identifikohet plotësisht me asnjë forcë politike ekzistuese.
Në këtë kuptim, një nga elementët më interesantë të protestës është fakti se ajo po zhvillohet paralelisht me një krizë të besimit ndaj klasës politike në tërësi dhe opozitës në veçanti. Jo vetëm qeveria është vënë nën presion, por edhe opozita tradicionale po shihet nga një pjesë e protestuesve si e paaftë për të përfaqësuar dhe kanalizuar kërkesat e qytetarëve. Kjo shpjegon pse shumë pjesëmarrës këmbëngulin që protesta të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos shndërrohet në instrument të partive politike.
Nga ana tjetër, sa më e madhe dhe më e suksesshme të bëhet një lëvizje e tillë, aq më shumë tërheq interesin e aktorëve të ndryshëm politikë. Është normale që grupe, individë apo forca politike të përpiqen të ndikojnë drejtimin e saj, të fitojnë kapital politik ose të identifikohen me energjinë që ajo krijon. Kjo nuk është një veçori vetëm shqiptare. Ka ndodhur pothuajse në çdo protestë të madhe qytetare në demokracitë moderne.
Një faktor që po ndikon në sjelljen publike të qytetarëve, është edhe veprimtaria e SPAK-ut. Për shumë qytetarë, hetimet dhe proçedimet ndaj figurave të rëndësishme politike kanë krijuar bindjen se ekziston një bazë reale për shumë nga akuzat që artikulohen në protestë. Kjo ka sjellë një lloj ndërveprimi të tërthortë mes revoltës qytetare dhe pritshmërisë për drejtësi, edhe pse SPAK-u, në parim, duhet të mbetet i pavarur nga çdo presion politik apo protestë.
Megjithatë, historia e lëvizjeve qytetare tregon se sfida më e madhe nuk është mobilizimi fillestar, por qëndrueshmëria. Entuziazmi i ditëve të para shpesh zbehet kur përballesh me kohën, lodhjen, mungesën e rezultateve të menjëhershme dhe përçarjet e brendshme. Pikërisht këtu do të matet forca reale e kësaj proteste, pra në aftësinë për të ruajtur disiplinën qytetare, për të artikuluar kërkesa konkrete dhe për të shmangur kapjen nga interesa të ngushta politike.
Ndaj, është ende herët për të gjykuar se ku do të përfundojë kjo lëvizje. Ajo mund të shndërrohet në një moment të rëndësishëm presioni demokratik ndaj institucioneve, mund të prodhojë aktorë të rinj politikë, ose mund të humbasë vrullin e saj nën peshën e rivaliteteve dhe interesave të ndryshme brënda saj.
Ajo që duket e qartë deri tani është se protestat kanë hapur një debat të ri mbi përfaqësimin politik, besimin tek institucionet dhe rolin e qytetarit në jetën publike shqiptare. Ditët në vazhdim do të tregojë nëse ky moment do të mbetet vetëm një shpërthim pakënaqësie apo do të kthehet në një faktor të qëndrueshëm ndryshimi politik e shoqëror.






