Procesi i reformës zgjedhore do të vijojë edhe në muajt e ardhshëm, pasi Konferenca e Kryetarëve ka miratuar shtyrjen e afatit të punës deri në nëntor.
Vendimi u miratua vetëm me votat e Partisë Socialiste, ndërsa përfaqësuesit e opozitës nuk e mbështetën propozimin. Çështja tashmë pritet të kalojë për shqyrtim dhe votim në seancën plenare të Kuvendit.
Shtyrja e afatit i jep më shumë kohë Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore që të vijojë diskutimet dhe të përgatisë propozimet për ndryshime në legjislacionin zgjedhor.
Puna e komisionit mbetet një nga proceset më të diskutuara politike, ndërsa palët ende nuk kanë arritur një dakordësi të plotë për të gjitha çështjet që lidhen me reformimin e sistemit zgjedhor.







