Shkruan Zef Ndreka
Takimi i sotëm mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, pa arritur një marrëveshje, e zgjat edhe më tej krizën institucionale në Kosovë. Nqs edhe përpjekjet me partitë e tjera do të dështojnë, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme. Kjo është një dëshmi apo skenar që do të ishte dëshmia më e qartë se klasa politike nuk ka arritur prej vitësh të vendosë interesin e shtetit mbi interesin partiak.
Përgjegjësia kryesore bie mbi partinë që ka dalë e para në zgjedhje dhe mbi liderin e saj, Albin Kurti, i cili ka detyrimin kushtetues dhe politik të krijojë shumicën qeverisëse.
Të fitosh zgjedhjet nuk mjafton për të qeverisur. Sepse në demokracitë parlamentare nevojitet gjithnjë edhe aftësia për të ndërtuar ura bashkëpunimi me forcat e tjera politike. Por kjo aftësi në Kosovë ka munguar nga Albin Kurti dhe vendi ka hyrë në bllokim të qartë institucional.
Por. ga ana tjetër edhe partitë opozitare mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë. LDK-ja dhe PDK-ja kanë të drejtë të refuzojnë një koalicion nëse e konsiderojnë të papranueshëm programin ose mënyrën e qeverisjes së VV-së. Megjithatë, ato duhet të peshojnë edhe koston që ka për shtetin një krizë e zgjatur politike, sidomos në kohën kur Kosova përballet me sfida të mëdha në dialogun me Serbinë, në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, në zhvillimin ekonomik dhe në proceset e integrimit euroatlantik.
Nqs Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje, nuk ka asnjë garanci se rezultati do të jetë ndryshe. Përkundrazi, ekziston mundësia që raporti i forcave të mbetet pothuajse i njëjtë, duke e rikthyer Kosovën në të njëjtën pikë bllokimi. Kështu, zgjedhjet nuk janë zgjidhje kur mungon kultura e kompromisit, por ato vetëm e shtyjnë problemin për më vonë.
Për Vetëvendosjen, zgjedhjet e reja përmbajnë edhe rrezik politik. Një pjesë e elektoratit mund të vazhdojë ta mbështesë, duke ia atribuar fajin opozitës, por një pjesë tjetër mund ta ndëshkojë, duke vlerësuar se nuk arriti të ndërtojë konsensusin e nevojshëm për qeverisje. Edhe LDK-ja dhe PDK-ja do të përballen me gjykimin e qytetarëve, të cilët mund të kërkojnë të dinë nëse refuzimi i kompromisit ishte në interes të Kosovës apo vetëm në interes të kalkulimeve politike.
Kështu humbësi më i madh rrezikon të jetë vetë Kosova me institucione të bllokuara, duke humbur kohën e çmuar, duke vonuar reformat, duke dëmtuar klimën ekonomike, duke krijuar pasiguri për investitorët dhe dobëson pozitën e vetë shtetit në arenën ndërkombëtare.
Aleatët strategjikë të Kosovës presin stabilitet, presin përgjegjësi dhe institucione funksionale.
Prandaj, Kosova është në sfidë dhe sfida në këtë rast nuk është se kush do të formojë qeverinë, por nqs politika kosovare është e gatshme të kalojë nga logjika e fitores absolute tek kultura e kompromisit demokratik.
Historia na ka treguar se demokracitë forcohen jo kur njëra palë merr gjithçka, por kur rivalët politikë arrijnë marrëveshje në funksion të interesit kombëtar. Nqs do të mungojne marrëveshjet, atëherë zgjedhjet e reja mund të prodhojnë vetëm një mandat të ri për të njëjtën krizë, ndërsa qytetarët kosovarë do të vazhdojnë të paguajnë çmimin e një klase politike që nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët për të qeverisur vendin, duke krijuar ciklin e pafund të zgjedhjeve.







