Sot shënohet dita e 90-të e protestës qytetare. Qytetarët do të organizohen sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik në vend.
Protesta pritet të nisë organizimin në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit më pas do të marshojnë përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë. Pas mbërritjes përpara godinës së ekzekutivit mbahen fjalimet, ku qytetarët shprehin shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të qeverisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra. Në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujore, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme. Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa nismave ligjore që, sipas tyre, dëmtojnë interesat e qytetarëve shqiptarë.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim dhe se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ndërsa ditën e sotme kryeministri Edi Rama do të zhvillojë mbledhje në selinë rozë me ministrat dhe drejtuesit politike në orën 17:30. Gjithashtu protestuesit kanë bërë thirrje qytetarët që të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar pranë selisë së Partisë Socialiste.
Protesta pritet të zhvillohet në të njëjtën kohë me mbledhjen e ministrave dhe drejtuesve politikë të PS-së, e planifikuar në orën 17:30.
“Qeveria e krimit në orën 17:30 ka mbledhje te selia e PS-së. Ftojmë të gjithë qytetarët që kanë mundësi të marrin pjesë”, u shpreh një prej aktivistëve një ditë më parë teksa u mbajt protesta e 89 kundër qeverisë.
Aktivistët paralajmëruan gjithashtu një protestë simbolike me vezë dhe u shprehën se ndryshimet në përbërjen e qeverisë nuk janë të mjaftueshme për të ndalur protestën.







