Punoi: Qamil Gjyrezi
Një nga aspektet më pak të diskutuara të jetës intelektuale të Gustav Mahlerit është miqësia e tij e ngushtë me Arnold Berliner-in (1862–1942), një fizikant gjerman me të cilin u njoh në Hamburg në fillim të viteve 1890. Marrëdhënia e tyre zgjati deri në vdekjen e Mahlerit më 1911 dhe ishte shumë më tepër sesa një njohje e rastësishme mes një muzikanti dhe një shkencëtari. Ata shkëmbenin letra, libra dhe ide, takoheshin për shëtitje të gjata dhe biseda të zgjatura, ndiqnin së bashku shfaqje artistike dhe ruanin një dialog intelektual pavarësisht personaliteteve të tyre krejtësisht të ndryshme. Berliner ishte një shkencëtar serioz. Ai kishte studiuar fizikë, kishte punuar në fushën e kërkimit dhe zhvillimit pranë kompanisë AEG dhe më vonë u bë redaktori themelues i Die Naturwissenschaften, një revistë e rëndësishme shkencore gjermane e themeluar në vitin 1913. Rrethi i tij shkencor përfshinte figura si Max Born, Paul Ehrlich dhe Richard Willstätter, ndërsa Albert Einstein e vlerësonte shumë. Ambicia e madhe intelektuale e Berlinerit ishte t’i bënte problemet, metodat dhe rezultatet e degëve të ndryshme të shkencës të kuptueshme përtej kufijve të specializimit të ngushtë.
Kjo e bën miqësinë e tij me Mahlerin veçanërisht domethënëse. Fillimisht, Berliner i mësoi Mahlerit anglisht, veçanërisht fjalorin e nevojshëm për teatrin, por marrëdhënia e tyre shpejt u shndërrua në diçka shumë më të thellë. Berliner mbështeti interesat shkencore të Mahlerit, i siguroi libra e literaturë dhe e përfshiu në diskutime serioze. Mahleri mund ta konsideronte Berliner-in pedant dhe të prirur për të debatuar, por gjithsesi e vlerësonte pikërisht sepse ai e sfidonte atë në rrafshin intelektual. Thuhet se vetë Mahleri mendonte se Berliner ishte në gjendje ta çonte atë “në kufijtë e fundit të durimit” si pak të tjerë dhe, çka është e rëndësishme, ai i kishte thënë motrës së tij se njerëzit e tjerë e kuptonin edhe më pak. Ndoshta nuk ka shembull më të mirë për të ilustruar këtë marrëdhënie sesa Simfonia e Tretë e Mahlerit.
Gjatë kompozimit të veprës, Mahleri i dërgonte Berliner-it titujt që po merrnin formë dhe e pyeste se çfarë përshtypjeje linin ata te dëgjuesi: në thelb, nëse ata pasqyronin me sukses rrugëtimin intelektual dhe atë të përjetimit që Mahleri dëshironte të ndiqte dëgjuesi. Një nga skemat e ruajtura, dërguar Berliner-it në gusht të vitit 1895, mbante titullin “Die fröhliche Wissenschaft” (“Shkenca e Gëzueshme”) – një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Niçes dhe paraqiste një progresion të gjerë: nga vera dhe lulet, përmes kafshëve, natës dhe njerëzimit, drejt engjëjve, dashurisë dhe Das himmlische Leben (Jetës Qiellore). Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Mahleri nuk po e zbukuronte thjesht një strukturë muzikore abstrakte me ide filozofike. Ai po përpiqej të ndërtonte një “kozmologji në tinguj”.
Natyra, kafshët, njerëzimi, engjëjt, dashuria dhe transcendenca konceptoheshin si nivele të njëpasnjëshme të ekzistencës. Prandaj, simfonia mund të kuptohet si një përpjekje për të përfshirë një hierarki të tërë të qenies brenda një organizmi të vetëm muzikor. Mentaliteti shkencor i klasifikimit dhe kërkimi filozofik për një rend themelor nuk “përkthehen” fjalë për fjalë në muzikë, por ato përbëjnë pjesë të atmosferës intelektuale në të cilën mendonte Mahleri. Kjo na ndihmon të kuptojmë konceptin e famshëm të Mahlerit për simfoninë si diçka që i afrohet “një bote me të gjitha mjetet teknike në dispozicion”. Simfonitë e tij gjithnjë e më shumë refuzonin të mbeteshin objekte muzikore autonome. Kënga popullore, filozofia, poezia, teologjia, psikologjia, natyra, gjesti teatral, zëri njerëzor dhe abstraksioni instrumental mund të bashkëekzistonin të gjitha brenda tyre. Kufijtë midis zhanreve dhe disiplinave intelektuale bëheshin qëllimisht të depërtueshëm.
Dhe ky është ndoshta aspekti më magjepsës i marrëdhënies së Mahlerit me Berliner-in: Mahleri nuk kishte nevojë të bëhej fizikant që fizika të bëhej pjesë e universit të tij intelektual. Ambicia e tij ishte më e gjerë. Ai jetoi në një periudhë kur tabloja tradicionale e shekullit të nëntëmbëdhjetë për universin po tronditej thellësisht nga zhvillimet e reja në shkencë, filozofi dhe psikologji. Në vend që t’i trajtonte këto disiplina si të ndara nga arti, Mahleri dukej se zotëronte një instinkt të jashtëzakonshëm për të përthithur tensionet intelektuale të epokës së tij dhe për t’i shndërruar ato në përvojë muzikore. Kjo është arsyeja pse pyetja e madhe mahleriane shpesh nuk është thjesht “Çfarë do të thotë kjo muzikë?”, por më tepër:
“Çfarë lloj bote po përpiqet të përmbajë kjo muzikë?”
Përgjigjja mund të jetë habitshërisht e gjerë. Në universin muzikor të Mahlerit, natyra mund të flasë; kafshët mund të kenë zë; njerëzimi mund të përballet me natën; engjëjt mund të ndërhyjnë; dashuria mund të bëhet një parim metafizik; vdekja mund të shndërrohet në një kalim e jo në një fund; dhe individi mund ta gjejë papritur veten përballë pafundësisë së ekzistencës. Miqësia me Arnold Berliner ofron një dokument njerëzor magjepsës pas kësaj ambicie intelektuale. Na kujton se kurioziteti i Mahlerit shtrihej përtej kufijve konvencionalë të kulturës muzikore. Ai kërkoi në mënyrë aktive kontakt me mendimin shkencor, diskutoi shkencën me një fizikant profesionist, lexoi literaturë shkencore dhe vlerësoi një bashkëbisedues që mund të sfidonte idetë e tij. Vetë Berliner ia kushtoi karrierën e tij të mëvonshme kapërcimit të ndarjes intelektuale: ai donte që shkencëtarët në fusha të ndryshme të kuptonin se çfarë po ndodhte përtej specializimit të tyre. Mahler duket se ka ndjekur një qëllim jashtëzakonisht analog përmes muzikës:ta bënte simfoninë mjaftueshëm të madhe sa të përmbante dimensione të ndryshme të njohurive dhe përvojës njerëzore. Ndoshta kjo është një arsye pse Mahler ende ndihet kaq jashtëzakonisht modern. Ai nuk po përpiqej thjesht të kompozonte muzikë të bukur. Ai po përpiqej ta mendonte universin përmes muzikës.







