Kreu Aktualitet Reforma territoriale u miratua me 85 vota, ndërsa opozita zgjodhi zhurmën në...

Reforma territoriale u miratua me 85 vota, ndërsa opozita zgjodhi zhurmën në vend të alternativave

0
1
Shkruan Zef Ndreka
Miratimi i reformës territoriale në Kuvend me 85 vota është një zhvillim i rëndësishëm politik dhe institucional, por njëkohësisht edhe një tjetër dëshmi e krizës së përfaqësimit dhe të strategjisë që po kalon opozita shqiptare.
Një reformë me ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin e pushtetit vendor, në shërbimet ndaj qytetarëve dhe në të ardhmen e qeverisjes lokale kërkonte debat serioz, argumente, propozime konkrete dhe mbi të gjitha, përgjegjësi politike.
Ajo që pamë, për fat të keq, ishte një kontrast i thellë mes rëndësisë së çështjes dhe mënyrës se si një pjesë e opozitës zgjodhi të sillej ndaj saj.
Reforma territoriale nuk është çështje e një partie, por e funksionimit të shtetit dhe e interesit të qytetarëve. Për këtë arsye, opozita kishte jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin politik të angazhohej seriozisht në këtë proces. Ajo mund të kërkonte ndryshime në numrin e njësive vendore, në kufijtë administrativë, në financimin e bashkive, në decentralizimin e kompetencave dhe në mënyrën se si garantohen shërbimet për banorët e zonave rurale e urbane. Mund të paraqiste një model alternativ dhe ta mbronte atë përpara publikut. Mund të kërkonte transparencë, konsultime të gjera dhe garanci që reforma të mos përdorej për interesa elektorale.
Por për të bërë të gjitha këto duhen punë, ekspertizë, vullnet politik dhe një opozitë që e kupton rolin e saj kushtetues. Nuk mjafton të kundërshtosh gjithçka që propozon mazhoranca, as të presësh momentin e fundit për të krijuar një konflikt në sallën e Kuvendit.
Opozita ka pasur kohë të mjaftueshme për tu përfshirë në diskutime, për të paraqitur qëndrimet e saj dhe për të propozuar alternativa, por mungesa e një angazhimi real nuk mund të justifikohet vetëm me argumentin se mazhoranca nuk ka kërkuar konsensus. Konsensusi është përgjegjësi e të dyja palëve. Mazhoranca faktikisht i krijojë hapësirë për dialog, ndërsa opozita duhet të ishte e gatshme ta shfrytëzonte atë hapësirë për të prodhuar zgjidhje, jo thjesht për të shfaqur kundërshtimin e saj.
Sigurisht, fakti që reforma u miratua me 85 vota nuk do të thotë se çdo element i saj është i drejtë, i përsosur apo se garanton rezultatet e pritshme. Kjo duhet të vlerësohet mbi bazën e përmbajtjes, kritereve të përdorura dhe efekteve që do të ketë në qeverisjen vendore. Por një gjë është e qartë, se kur një reformë e rëndësishme diskutohet në Kuvend, beteja politike duhet të zhvillohet mbi përmbajtjen e saj, jo mbi spektaklin e konfliktit.
Kur mungojnë argumentet, protagonizmi zë vendin e politikës, këtë zgjodhi opozita.
Veçanërisht e pakuptimtë ishte sjellja e dy deputetëve të opozitës, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, të cilët, sipas përshkrimit të ngjarjes, qëlluan me shishe uji në drejtim të kryeministrit, ministrave dhe deputetëve të tjerë.
Një sjellje e tillë nuk është argument politik, nuk është akt parlamentar dhe nuk i shërben as interesit të opozitës, as të qytetarëve. Kuvendi është institucioni ku përfaqësuesit e popullit duhet të përballen me argumente, të kërkojnë llogari dhe të mbrojnë bindjet e tyre përmes fjalës e votës. Por debati u zëvendësua me hedhjen e sendeve dhe provokime fizike, kështu që politika u largua nga thelbi i saj dhe u shndërrua në një shfaqje të shëmtuar.
Është e vështirë të kuptohet se çfarë përfiton opozita nga një sjellje e tillë.
A mendon se qytetarët do ta vlerësojnë më shumë një deputet sepse ndërpret seancën?
A do të bindet elektorati nga një shishe uji e hedhur drejt kundërshtarit politik?
Apo një veprim i tillë do të zëvendësojë mungesën e një programi të besueshëm dhe të një alternative konkrete për qeverisjen e vendit?
Përjashtimi nga seancat për 60 ditë me vendimin e marrë sipas procedurave parlamentare, është një pasojë institucionale që duhej të ishte llogaritur përpara se të ndërmerreshin veprime të tilla.
Për më tepër se deputetët e dinin se sjellja e tyre mund të sillte këtë masë, atëherë lind natyrshëm pyetja nëse kemi të bëjmë me një reagim të pakontrolluar apo me një përpjekje për të fituar protagonizëm politik dhe mediatik.
Megjithatë, motivet e tyre nuk mund të përcaktohen me siguri vetëm nga pamjet apo pasojat e incidentit. Ajo që mund të gjykohet është sjellja publike dhe efekti i saj, ku në vend që të diskutohej përmbajtja e reformës dhe interesat e bashkive e të qytetarëve, vëmendja u zhvendos tek shishet e ujit, tek përplasjet dhe përjashtimet.
Ky është pikërisht problemi i një opozite që rrezikon të ngatërrojë zhurmën me forcën politike. Zhurma mund të të japë disa minuta vëmendje televizive, por nuk të jep besueshmëri, nuk të jep mbështetje qytetare apo aftësi për të qeverisur.
Gjithadhtu, protesta nuk mund të përdoret si pronë e një partie.
Në të njëjtën kohë, thirrja e PD-së për protestë qytetare, ndërsa në Kuvend zhvilloheshin skena të tilla, ngre një tjetër problem politik, pikërisht marrëdhënien mes opozitës dhe qytetarëve që ajo pretendon se përfaqëson.
Protesta është një e drejtë demokratike dhe një instrument i ligjshëm për të kundërshtuar vendimet e qeverisë. Ajo mund të jetë e domosdoshme kur institucionet nuk dëgjojnë qytetarët, kur ka vendime të padrejta ose kur kërkohet llogaridhënie. Por protesta fiton kuptim dhe forcë vetëm kur ka një kauzë të qartë, kërkesa konkrete dhe një qëllim të kuptueshëm për publikun.
Qytetarët nuk mund të thirren në rrugë vetëm për të mbushur një skenar politik, ndërsa përfaqësuesit e tyre nuk kanë bërë përpjekjet e nevojshme në institucionet ku u është dhënë mandati për të vepruar. Nëse PD-ja pretendon se reforma territoriale është e gabuar, duhet tu shpjegojë qytetarëve se ku qëndron gabimi, çfarë propozon ajo në vend të saj dhe si do të përmirësohej jeta e banorëve në çdo bashki.
Nuk mjafton të thuash se je kundër. Duhet të tregosh se çfarë do të bëje ndryshe.
Përndryshe, ekziston rreziku që protesta të perceptohet jo si një lëvizje qytetare në mbrojtje të interesit publik, por si një instrument për të mbajtur gjallë vëmendjen ndaj një partie që ka vështirësi të prodhojë alternativë politike, sepse qytetarët kanë hallet e tyre të përditshme dhe nuk mund të trajtohen si dekor i përplasjeve partiake.
P#-ja, nëse do të ishte serioze, nuk duhet të kishte frikë nga pjesëmarrja e qytetarëve, nga debati i hapur dhe nga shqyrtimi i propozimeve të saj. Përkundrazi, ajo duhet ti bindë qytetarët se ka një plan dhe se është e aftë ta kthejë pakënaqësinë në ndryshim konkret.
85 vota, është fitore parlamentare, por jo fund i debatit. Miratimi i reformës me 85 vota është, pa dyshim, një rezultat i rëndësishëm parlamentar për mazhorancën dhe për forcat që e mbështetën atë. Por një numër i lartë votash nuk duhet të përdoret si argument për të mbyllur çdo diskutim mbi përmbajtjen e reformës.
Reforma territoriale duhet të matet me rezultate:
A do të përmirësojë shërbimet publike?
A do të forcojë kapacitetet financiare dhe administrative të bashkive?
A do të garantojë përfaqësim më të mirë të komuniteteve?
A do të zvogëlojë pabarazitë mes qendrave urbane dhe zonave të largëta?
A do të krijojë institucione vendore më efikase, më transparente dhe më pranë qytetarëve?
Këto janë pyetjet që kanë rëndësi dhe do presim përgjigjet. Jo kush bërtiti më fort në Kuvend dhe as kush arriti të sigurojë më shumë minuta në ekran.
Nga ana tjetër, edhe mazhoranca ka përgjegjësinë të provojë se reforma nuk është thjesht një ushtrim i shumicës parlamentare. Ajo duhet të dëshmojë se vendimmarrja mbështetet në kritere objektive, në analiza të besueshme dhe në interesin publik. Nqs reforma është e drejtë dhe e dobishme, atëherë argumentet dhe rezultatet do ta tregojnë këtë. Nëse ka mangësi, ato duhet të evidentohen dhe të korrigjohen përmes mekanizmave demokratikë.
Demokracia nuk kërkon që mazhoranca dhe opozita të bien dakord për gjithçka. Kërkon që të dyja palët të respektojnë institucionet, të debatojnë me përgjegjësi dhe të pranojnë se interesi i qytetarëve është më i rëndësishëm se interesi i tyre partiak.
Kush humbi nga kjo sjellje?
Në pamje të parë, mazhoranca e miratoi reformën, opozita nuk arriti ta ndalonte dhe Kuvendi e përfundoi procesin me 85 vota pro. Por analiza politike nuk duhet të ndalet tek rezultati i votimit.
Humbësi kryesor mund të jetë vetë opozita, nëse vazhdon të tregojë se nuk është në gjendje ta shndërrojë kundërshtimin në alternativë. PD-ja që e reduktoi veprimin e saj në incidente parlamentare, në deklarata të forta dhe ne protestë pa objektiva të qarta ka humbur jo vetëm ndikimin institucional, por edhe besimin e qytetarëve që presin prej saj një rrugëdalje.
Humbës janë edhe qytetarët, nëse një çështje me rëndësi për organizimin e territorit dhe funksionimin e pushtetit vendor mbulohet nga spektakli politik, në vend që të shoqërohet me një debat të gjerë publik.
Ndërsa mazhoranca, pavarësisht suksesit të votimit, nuk duhet të vetëkënaqet. Ajo do të gjykohet nga mënyra se si reforma do të zbatohet dhe nga rezultatet që do të prodhojë për qytetarët. Fitorja parlamentare është vetëm fillimi i përgjegjësisë për ta bërë reformën të funksionojë.
Në politikë, nuk mjafton të jesh kundër, por duhet të dish edhe çfarë ofron në vend të asaj që kundërshton. Nuk mjafton të bësh zhurmë,por duhet të bindësh, nuk mjafton të thërrasësh qytetarët në protestë, por duhet të tregosh se po lufton për një interes konkret të tyre.
Nëse opozita nuk e kupton këtë dallim, çdo reformë do të rrezikojë të kthehet në një tjetër episod të së njëjtës histori ku mazhoranca vendos, ndërsa opozita proteston, Kuvendi përplaset dhe qytetarët mbeten spektatorë.
Reforma territoriale u miratua me 85 vota, por sfida e vërtetë e politikës shqiptare mbetet shumë më e madhe se një votim parlamentar. Duhet të ndërtohet kulturë politike ku argumenti të jetë më i fortë se britmat, duhet që alternativa të jetë më e rëndësishme se protagonizmi dhe interesi publik më i rëndësishëm se llogaritë partiake.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu