Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka komentuar protestat që prej ditësh po zhvillohen në Shqipëri, duke vlerësuar kryeministrin Edi Rama, por edhe duke paralajmëruar se ai mund të përballet me vështirësi serioze politike nëse detyrohet të shkojë në zgjedhje.
Gjatë emisionit “Prva tema”, të transmetuar mbrëmjen e 21 tetorit në televizionin serb Prva, Vuçiç u ndal te mënyra se si Rama ka menaxhuar protestat, duke pretenduar se kryeministri shqiptar ka gabuar në përllogaritjet e tij për përballimin e situatës.
“Rama bëri një gabim. Edi besoi më gjatë se unë se mund t’i zbuste disi. Dhe gaboi. Humbi kohë. Nëse e detyrojnë të shpallë zgjedhje, do ta ketë shumë të vështirë t’i fitojë”, deklaroi presidenti serb.
Pavarësisht këtij paralajmërimi, Vuçiç nuk i kurseu vlerësimet për kreun e qeverisë shqiptare, duke e cilësuar atë si një aset të rëndësishëm për Shqipërinë.
“E gjithë kjo më duket irracionale, sepse ai është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë, sido që ta shikosh”, u shpreh ai.
Deklaratat për Ramën u bënë gjatë një diskutimi më të gjerë mbi protestat në Shqipëri dhe Francë, si dhe zhvillimet politike që kanë shoqëruar lëvizjet studentore në rajon.
Presidenti serb foli edhe për protestat në vendin e tij dhe reagimin e autoriteteve ndaj demonstruesve, duke pretenduar se policia serbe nuk kishte përdorur autobotë uji kundër protestuesve.
Komentet e Vuçiç vijnë në ditën e dhjetë të protestave në Shqipëri, ku studentë dhe qytetarë vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa Rama ka vazhduar thirrjet për dialog, protestuesit kanë këmbëngulur në kërkesën për largimin e tij nga pushteti. Në këtë situatë, vlerësimi publik i Vuçiç për kryeministrin shqiptar shoqërohet edhe me paralajmërimin se një përballje e mundshme zgjedhore mund të jetë e vështirë për të.







