Kreu Politikë Në Serbi, studentët dalin nga sheshi dhe hyjnë në Parlament

Në Serbi, studentët dalin nga sheshi dhe hyjnë në Parlament

0
1

Shkruan Zef Ndreka

– Serbia e transformoi protestën në votë.
Ajo që ndodhi dje në Serbi është shumë më tepër se humbja elektorale e Aleksandër Vuçiçit. Është një mësim politik për gjithë Ballkanin dhe ndoshta, një pasqyrë ku duhet të shohim edhe Shqipërinë.
Pas gati dy vitesh protestash studentore, të nisura pas tragjedisë së Novi Sadit dhe të shndërruara gradualisht në një lëvizje kundër korrupsionit, klientelizmit dhe mënyrës së qeverisjes, studentët serbë bënë atë që çdo lëvizje proteste duhet ta bëjë në një shtet që pretendon demokraci, e çuan revoltën nga rruga tek vota.
Dhe fituan.
Sipas projeksioneve të para, Lista Studentore merr shumicën absolute në Parlamentinin me 250 vende, duke siguruar 139 deputetë, ndërsa Aleksandër Vuçiç e ka pranuar humbjen duke marrë vetem 104 deputetë.
Në krye të listës nuk u vendos një politikan i konsumuar nga tranzicioni serb, as një ish-ministër që ndërroi parti, as një lider historik që kërkonte rikthimin.
U vendos Ilija Srdanović, kardiolog dhe profesor universiteti në Novi Sad.
Nga këtu fillojmë të bëjmë edhe krahasimin me Shqipërinë.
Edhe tek ne prej muajsh kemi një protestë që nisi me pretendimin e studentëve dhe qytetarëve për ndryshim. Edhe këtu dëgjuam zemërim ndaj korrupsionit, ndaj qeverisjes dhe ndaj politikës së vjetër. Madje në rrugët e Tiranës u dëgjua edhe thirrja domethënëse:
“Rama në burg – Berisha në burg!”
Pra, në origjinë, ekzistonte një ngjashmëri, që është refuzimi i establishmentit politik.
Por rrugët më pas duket se u ndanë.
Në Serbi, protesta studentore arriti të krijojë një alternativë elektorale dhe të përballet me pushtetin në kutinë e votimit. Ndërsa në Shqipëri, protesta ende nuk ka prodhuar një alternativë të tillë të qartë politike. Përkundrazi, sa më shumë kaloi koha, aq më e fortë u bë përpjekja e politikës tradicionale, veçanërisht e opozitës, për ta marrë nën kontroll ose për ta përdorur energjinë e protestës.
Ky është ndryshimi themelor.
Serbia e transformoi protestën në votë. Shqipëria rrezikon ta transformojë protestën në përplasje.
Në Serbi studentët nuk u mjaftuan duke kërkuar largimin e Vuçiçit. Ata ndërtuan një listë, gjetën figura publike jashtë establishmentit tradicional dhe iu drejtuan qytetarëve. Na votoni dhe na gjykoni më pas për mënyrën si do të qeverisim.
Kjo është shumë më e vështirë sesa të djegësh kosha, të thyesh xhama apo të hedhësh molotovë.
Dihet se demokracia nuk fitohet duke pushtuar sheshe, por fitohet duke bindur shumicën.
Dhe pikërisht këtu qëndron mësimi më i madh për studentët dhe qytetarët shqiptarë që kërkojnë ndryshim.
Nëse vërtet ekziston një brez politik i vitit 2026 që nuk dëshiron as vazhdimësinë e Edi Ramës dhe as rikthimin tek Sali Berisha, ai duhet të dalë nga anonimati.
Duhet të ketë emra, të ketë program, të ketë njerëz me profesion, integritet dhe përgjegjësi publike.
Duhet të tregojë çfarë Shqipërie kërkon pas Ramës dhe pas Berishës, mbi të gjitha duhet të ketë guximin të numërohet në zgjedhje.
Sepse në momentin kur një protestë qytetare lejon që pas saj të fshihen partitë e vjetra, ajo humbet identitetin e vet. Ndërsa kur prodhon përfaqësimin e vet politik, atëherë establishmenti fillon të ketë frikë prej saj.
Në këtë kuptim, Serbia dha dje një leksion të fortë, ku ndryshimi i sistemit nuk bëhet duke djegur sistemin, por duke e mundur atë me votë.
Ka edhe një element tjetër me rëndësi për ne shqiptarët. Koalicioni i përbashkët i shqiptarëve të Luginës së Preshevës projektohet të marrë dy mandate, për Shaip Kamberin dhe Visar Mehmetin. Tetë forca shqiptare garuan së bashku, duke kapërcyer dallimet ndërmjet tyre.
Edhe ky është një mësim më vete, qe tregon se kur interesi politik dhe kombëtar konsiderohet më i rëndësishëm se egoja e kryetarëve, bashkimi prodhon përfaqësim.
Natyrisht, duhet të presim rezultatet përfundimtare dhe mbi të gjitha, duhet të shohim se si do të qeverisë kjo shumicë e re. Është shumë më e lehtë të bashkohesh kundër një pushteti sesa të qeverisësh pasi e ke mundur atë.
Por një gjë tashmë ka ndodhur.
Një pushtet që dukej shumë i fortë u mund në zgjedhje, jo nga molotovët, jo nga djegia e Beogradit, jo nga pushtimi i institucioneve, por nga një lëvizje që protestën e ktheu në alternativë, alternativën në listë dhe listën në votë.
Tani pyetja është e thjeshtë:
A do të arrijnë studentët dhe qytetarët shqiptarë të krijojnë “Listën e tyre”, apo do të lejojnë që revolta e tyre të përfundojë përsëri në duart e politikës së vjetër?
Sepse Serbia tregoi se një brez i ri mund ta sfidojë një sistem të vjetër.
Por vetëm atëherë kur nga sheshi di të shkojë tek kutia e votimit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu