Shjruan Albert Vataj
Isha fare pranë skenës, pranë atyre gishtërinjve që kalëronin stuhishëm mbi tastierën e Steinway & Sons, pranë atyre tingujve, atij akti të etershëm, që i magjepste harmonia e një kaosi galaktik të telave që dridhen, drurëve që zgjohen buçimshëm, shpirtrave që derdhin qiej në duar, që… që duke u shndërruar në tinguj, shpërthejnë duke zgjuar brenda teje një thërrmijë drite që ka udhëtuar miliona vite në hapësirë dhe zgjohet në atë moment. Përtej kësaj magjie, kreshtës së këtyre përjetimeve dhe një finese, klasi dhe galance të ardhur nga kohjet që e hyjnuan muzikën, duke e bërë atë, e frymshja dhe gjaku i saj, ishte ai, shkodrani, Amir Xhakoviq, pianisti që e kthen virtuozitetin në art dhe muzikën ballkanike në një gjuhë pa kufij.
Po, ishte “Concerto Trinitas”, vepra e kompozitorit Vasil S. Tole, që nis rrugëtimin me premierën e saj botërore, në skenën e TKOBAP-së, ditën e tretë të fillimnëntorit. E interpretuar nga pianisti Amir Xhakoviq dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, vepra u prezantua për rti të rti përpara publikut, duke I shtuar repertorit muzikor shqiptar një krijim të ri rtistic, i cili u prit me kureshtje dhe shumë entuziazëm nga artdashësit.
Amir Xhakoviq ai që e bën instrumentin të flasë
Rrëmo në histori dhe kujtesë, nën pluhurin e pentagrameve dhe nëpër muret e lartësuara në tempuj, dhe gjej udhën prejnga piano erdhi, kah muzika i shndërroi njerëzit në yje, ke për të artistë që e kanë zotëruar si një besim instrumentin, siç virtuoziteti i disa prej tyre e ka shpërblyer botën e muzikës me ata i’a kanë dale ta bëjnë këtë magjibërës tingujsh të flasë. Të parët dëshmojnë mjeshtëri, të dytët krijojnë një përvojë. Sepse pianoja, ky univers i përmbledhur prej tastierës, telave, çekiçëve dhe rezonancave, nuk është thjesht një instrument që pret të luhet. Ajo është një hapësirë ku mendimi merr tingull, ku emocioni fiton trajtë dhe ku talenti, nëse shoqërohet me disiplinën e rreptë, mund të shndërrohet në një formë të rrallë të komunikimit njerëzor. Hyjnore? Po, eterne!
Në këtë hapësirë të privilegjuar të artit muzikor, emri i Amir Xhakoviqit përfaqëson një prej zërave më interesantë të pianistikës shqiptare bashkëkohore. I lindur në Shkodër, në vitin 1985, i formuar në traditën e shkollës muzikore shqiptare dhe i përsosur në kontakt me disa prej pedagogëve të njohur të Evropës, ai ka ndërtuar një identitet interpretues ku virtuoziteti nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të depërtuar në thelbin e veprës muzikore.
Amir Xhakoviq, Liszti shqiptar i tastierës
Ta quash Amirin “Liszti shqiptar” është një metaforë që kërkon të lexohet përtej joshjes së një epiteti, të jesh i mbushur me oqeanin e atyre tingujve, dhe përpara një vale që gjen bregun, të takohesh me brendinë tënde, me një ngut përngjasimi. Franz Liszt nuk ishte vetëm një prej pianistëve më të mëdhenj virtuozë të historisë. Ai e ndryshoi marrëdhënien e publikut me pianistin, e shndërroi recitalin në një ngjarje artistike dhe e ngriti interpretimin në nivelin e një spektakli të përshkuar nga temperament, inteligjencë dhe përkushtim krijues. Në këtë kuptim, krahasimi me Lisztin synon të evidentojë te Xhakoviqi atë përmasë të pianistit që nuk mjaftohet të riprodhojë notat, por kërkon t’i bëjë ato të jetojnë, të marrin frymë, të tronditin dhe të mbeten në kujtesën e dëgjuesit.
Sepse virtuoziteti i vërtetë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gishtave, me kapërcimet e vështira apo me zotërimin e teknikës. Ai fillon pikërisht aty ku teknika pushon së qeni demonstrim dhe bëhet shprehje. Aty ku pianisti nuk e imponon veten mbi kompozitorin, por hyn në botën e tij, e kupton arkitekturën e veprës dhe i jep asaj një jetë të re përmes interpretimit.
Shkodra, vendi ku nis një udhëtim muzikor
Amir Xhakoviqi u lind në Shkodër më 1985, në qytetin që ka një lidhje të veçantë me muzikën, lidhje në kuptimin e themeltë ekzistencial, me traditën e këngës dhe me një kulturë artistike që ka ditur të krijojë e të përcjellë breza muzikantësh. Aty nisi edhe udhëtimi i tij drejt pianos, në Shkollën e Muzikës “Prenkë Jakova”, ku kreu arsimin fillor dhe të mesëm muzikor.
Në këtë etapë të formimit të tij, një rol të rëndësishëm dhe vendimtar pati pedagogia Anita Tartari. Takimi me një mësuese që di të dallojë prirjen, ta kultivojë talentin dhe ta drejtojë atë drejt kërkesës profesionale, shpesh është një prej atyre ngjarjeve që përcaktojnë të ardhmen e një artisti. Në rastin e Xhakoviqit, kjo marrëdhënie pedagogjike përbën një nga themelet e formimit të tij pianistiko-interpretues.
Talenti, sidoqoftë, nuk është një dhuratë që e përjashton njeriun nga puna. Përkundrazi, ai është një përgjegjësi që kërkon përkushtim të përditësuar, i cili pikë e nga një pikë e ushqen vërshimin tënd. Pianoja nuk e fal mungesën e disciplines, ajo kërkon orë të tëra ushtrimi, një marrëdhënie pothuajse asketike me instrumentin dhe një gatishmëri të vazhdueshme për ta vënë veten në provë. Pas çdo interpretimi që publiku përjeton si magji, qëndron një punë e gjatë, e padukshme, shpesh e vetmuar dhe e vëllimshme.
Xhakoviqi e vijoi formimin e tij në Mal të Zi, në Akademinë e Muzikës në Cetinë, në klasën e profesorit Vladimir Bochkarjov. Më pas, studimet master i përfundoi në Lemmensinstituut, në Leuven të Belgjikës, nën drejtimin e pianistit amerikan Alan Weiss. Udhëtimin akademik e kurorëzoi me doktoraturën në Universitetin e Arteve në Beograd, në klasën e profesorit Aleksandar Serdar, të cilën e përfundoi në vitin 2018.
Këto etapa nuk përfaqësojnë thjesht një itinerar diplomash dhe institucionesh. Ato dëshmojnë për një formim të ndërtuar në takimin e shkollave, traditave dhe përvojave të ndryshme pianistike. Nga trashëgimia e shkollës ruse të pianos, te përvoja muzikore e Evropës Perëndimore dhe më tej te tradita pianistike e Beogradit, Xhakoviqi ka pasur mundësinë të njohë mënyra të ndryshme të të menduarit dhe të interpretuarit të muzikës.
Në këtë pikë, formimi i tij merr një rëndësi të veçantë, ai nuk është mbyllur në një model të vetëm interpretimi, por ka përvetësuar përvoja të ndryshme, duke i shndërruar ato në pjesë të një identiteti artistik individual.
Virtuoziteti si mendim, pasion dhe disiplinë
Estetika interpretuese e Amir Xhakoviqit ndërtohet mbi një ndërthurje elementesh që nuk e përjashtojnë, por e plotësojnë njëri-tjetrin: energjia, pasioni, përqendrimi intelektual, ndjeshmëria dhe virtuoziteti teknik. Në interpretimin e një vepre pianistike, këto cilësi nuk mund të qëndrojnë të ndara. Ato duhet të bashkohen në një organizëm të vetëm, ku çdo tingull të ketë funksionin, peshën dhe domethënien e vet.
Pianisti i mirë e njeh partiturën, pianisti i madh kërkon të zbulojë atë që fshihet pas saj. Ai nuk ndalet te ajo që kompozitori ka shkruar, por përpiqet të kuptojë edhe atë që muzika sugjeron, atë që nuk mund të shprehet me fjalë, por që bëhet e perceptueshme përmes nuancës, ritmit, artikulimit dhe ngjyrës së tingullit.
Pikërisht këtu qëndron një prej sfidave më të mëdha të interpretimit pianist. Pianoja është një instrument me mundësi të jashtëzakonshme shprehëse, por edhe me një kërkesë të rreptë për kontroll. Një tingull mund të jetë i fuqishëm pa qenë i rëndë, i butë pa qenë i dobët, i shpejtë pa humbur qartësinë dhe dramatik pa rënë në teprim. Kjo është mjeshtëria që e ndan virtuozin nga interpretuesi që thjesht demonstron aftësitë e tij.
Xhakoviqi i përket një brezi muzikantësh për të cilët tradita nuk është një strehë ku mund të mbështetesh pa rrezikuar, por një pikënisje nga e cila duhet të kërkosh vazhdimisht. Në repertorin e tij, përvoja e klasikëve ndërthuret me interesin për muzikën e shekullit XX dhe krijimtarinë bashkëkohore. Ky horizont e çon interpretuesin përtej sigurisë së repertorit të njohur dhe e vendos përballë sfidës së veprave që kërkojnë jo vetëm zotërim teknik, por edhe një përgatitje të veçantë intelektuale e stilistike.
“The Balkan Piano”, kur një pianist bëhet zë i një rajoni
Nëse veprimtaria koncertore dëshmon për aftësinë e një pianisti për të komunikuar me publikun përmes interpretimit, projekti “The Balkan Piano” zbulon një tjetër përmasë të Amir Xhakoviqit: atë të studiuesit, kërkuesit dhe kuratorit të një trashëgimie muzikore që ka mbetur për një kohë të gjatë në hije të vëmendjes ndërkombëtare.
Albumi i tij i parë, “The Balkan Piano – Volume One”, i publikuar në shtator të vitit 2024 nga Toccata Next, pjesë e katalogut të Toccata Classics në Londër, nuk është thjesht një regjistrim muzikor. Ai është një projekt me një vizion të qartë kulturor, të sjellë në vëmendjen e publikut ndërkombëtar një pjesë të krijimtarisë pianistike të vendeve të Ballkanit, të kompozitorëve që, për arsye të ndryshme historike, politike, gjuhësore dhe institucionale, nuk kanë pasur gjithmonë mundësinë të njihen përtej kufijve të tyre.
Në këtë album, pianoja bëhet një hartë tingujsh. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Sllovenia nuk paraqiten si njësi të izoluara gjeografike, por si pjesë të një hapësire kulturore ku historitë, ndikimet dhe përvojat muzikore kanë ndërvepruar për shekuj.
Repertori përfshin krijime të Sanja Drakulić, Panço Vladigerovit, Tomislav Zografskit, Rafet Rudit, Vojin Komadinës, Dušan Bavdekut, Aleksandër Peçit, Aleksandar Perunovićit, Milan Mihajlovićit dhe John Psathas. Një pjesë e konsiderueshme e veprave vjen për herë të parë në regjistrim, duke i dhënë albumit edhe vlerën e një ndërmarrjeje dokumentuese e njohëse.
Këtu qëndron rëndësia e veçantë e këtij projekti. Xhakoviqi nuk ka zgjedhur thjesht të interpretojë një repertor të gatshëm, por ka ndërmarrë një kërkim për të zbuluar, përzgjedhur dhe përfaqësuar vepra që meritojnë të hyjnë në qarkullimin e muzikës klasike ndërkombëtare. Ai ka kontribuar në përzgjedhjen e programit dhe në përgatitjen e shënimeve shoqëruese të albumit, duke i dhënë këtij projekti një dimension që shkon përtej interpretimit të zakonshëm koncertor.
Ky është një akt i rëndësishëm kulturor. Sepse muzika nuk ka nevojë vetëm për kompozitorë që krijojnë dhe interpretues që luajnë. Ajo ka nevojë edhe për njerëz që kërkojnë, zbulojnë, dokumentojnë dhe i japin jetë veprave që rrezikojnë të mbeten të panjohura. Në këtë kuptim, Xhakoviqi shfaqet jo vetëm si pianist, por edhe si një ndërmjetës mes kujtesës muzikore të Ballkanit dhe dëgjuesit të sotëm.
Albumi nuk e paraqet Ballkanin si një hapësirë të njëtrajtshme tingujsh. Përkundrazi, ai zbulon larminë e tij, ritmet dhe gjurmët folklorike, ndikimet perëndimore, trashëgiminë klasike, eksperimentimin modern dhe gjuhët e ndryshme kompozicionale. Në këtë mozaik, muzika shqiptare nuk është një prani dekorative, por pjesë e një dialogu më të gjerë kulturor.
Një prej veprave të përfshira është “Barokjare” e kompozitorit Aleksandër Peçi, ku fryma e improvizimit të jareve shkodrane ndërthuret me ndikime baroke. Është një takim domethënës mes dy botëve që, në pamje të parë, mund të duken të largëta, por që në gjuhën e muzikës zbulojnë mundësi të reja komunikimi. Përmes këtij interpretimi, një element i traditës muzikore të Shkodrës bëhet pjesë e një panorame më të gjerë ballkanike dhe ndërkombëtare.
Një kritikë që flet përtej komplimentit
Vlera e këtij projekti është vlerësuar edhe nga kritika muzikore ndërkombëtare. Në revistën britanike “MusicWeb International”, muzikologu Steve Arloff, në recensionin e botuar më 21 tetor 2024, ndalet jo vetëm te pasuria e repertorit dhe rëndësia e zbulimit të muzikës ballkanike, por edhe te figura e pianistit që e sjell këtë material para publikut.
Arloff shkruan: “Jam jashtëzakonisht i befasuar nga pasuria e talenteve të shfaqura në program dhe nga shumëllojshmëria që del nga kjo zonë magjepsëse e Evropës, e cila përjetoi trauma shkatërruese në 25 vitet e fundit. Nëse muzika mund të jetë një shërim dhe një forcë bashkuese, dhe unë absolutisht besoj se mundet, atëherë ky demonstrim i talentit kolektiv duhet të ndihmojë në lënien mënjanë të ngjarjeve të tmerrshme që konsumuan kaq shumë pjesë të gadishullit Ballkanik. Ky disk është Vëllimi i Parë. Mezi pres të prezantoj më shumë talente kompozicionale nga ky rajon”.
Dhe më tej, duke iu referuar drejtpërdrejt interpretuesit, kritiku anglez shprehet: “Këto vepra përrallore kanë një kampion jashtëzakonisht të denjë për t’i paraqitur ato në dritën e tyre më të mirë të mundshme. Pianisti shqiptar Amir Xhakoviq është një talent vërtet i jashtëzakonshëm dhe për disa pjesë në disk nuk do të kishte bërë asgjë më pak”.
Kjo është një dëshmi me peshë, sepse nuk vlerëson vetëm aftësinë e pianistit për të interpretuar një program të vështirë. Ajo njeh edhe rëndësinë e misionit që ai ka marrë përsipër. Në vështrimin e Arloff-it, Xhakoviqi është interpretuesi i denjë i një repertori që kërkon të dalë nga periferia e njohjes muzikore dhe të fitojë vendin që meriton në skenën ndërkombëtare.
Në këtë recension gjendet edhe një ide që e tejkalon kufirin e estetikës: muzika si forcë pajtimi dhe bashkimi. Ballkani ka njohur ndarje, luftëra, trauma dhe kundërvënie të dhimbshme. Por ka edhe një histori të pasur shkëmbimesh kulturore, ndikimesh dhe afërsish që nuk mund të fshihen nga hartat politike. Një projekt muzikor që mbledh krijues nga vende të ndryshme të rajonit, pa i sheshuar dallimet e tyre, bëhet një mënyrë për të kujtuar se kultura mund të ndërtojë ura atje ku historia ka lënë plagë.
Pedagogu dhe përgjegjësia për të përcjellë dijen
Përtej skenës dhe regjistrimeve diskografike, Amir Xhakoviqi ushtron edhe veprimtarinë pedagogjike në Universitetin e Arteve në Tiranë, ku mban titullin akademik profesor i asociuar, doktor. Kjo përmasë e veprimtarisë së tij është po aq e rëndësishme sa ajo koncertore, sepse arti nuk jeton vetëm në momentin kur interpretohet. Ai vazhdon të jetojë përmes transmetimit të dijes, përvojës dhe kërkesës për përsosmëri te brezat që vijnë.
Pedagogu i pianos nuk mëson vetëm se si duhen vendosur gishtat mbi tastierë, si duhet lexuar partitura apo si kapërcehen vështirësitë teknike. Ai përpiqet të formojë një marrëdhënie të përgjegjshme me muzikën, një mënyrë të të dëgjuarit dhe të të menduarit. Sepse interpretimi nuk është një akt mekanik, por një proces njohjeje, ku instrumentisti duhet të kuptojë jo vetëm çfarë luan, por edhe pse e luan në atë mënyrë.
Në këtë kuptim, përvoja ndërkombëtare e Xhakoviqit, njohja e shkollave të ndryshme pianistike dhe puna e tij kërkimore mbi repertorin ballkanik mund të shndërrohen në një pasuri të çmuar për studentët. Ai u përcjell atyre jo vetëm përvojën e skenës, por edhe bindjen se muzika shqiptare dhe ajo ballkanike nuk duhet të mbeten në kufijtë e njohjes vendore. Ato duhet të studiohen, të interpretohen, të regjistrohen dhe të përfaqësohen me standarde që i bëjnë të krahasueshme me çdo traditë tjetër muzikore.
Kur pianoja bëhet një mënyrë për të folur me botën
Në fund të këtij udhëtimi, kësaj leximtarie që i shfletova me ato gishtërinjë kalërues, këtij shpirti, sfidash dhe talendi, mbërrijmë tekkëtu që Amir Xhakoviqi shfaqet si një artist që ka arritur të ndërtojë një marrëdhënie të dyfishtë me muzikën, si interpretues që kërkon të depërtojë në thelbin e veprës dhe si kërkues që synon të zbulojë vepra e autorë të lënë në periferi të vëmendjes.
Nga Shkodra, ku nisi formimi i tij, te skenat dhe institucionet muzikore të Evropës e më gjerë, ai ka ndërtuar një rrugëtim që nuk matet vetëm me çmime, diploma, koncerte apo vlerësime kritike. Matet edhe me aftësinë për ta kthyer përvojën individuale në një kontribut më të gjerë kulturor.
Epiteti “Liszti shqiptar” mund të jetë një mënyrë për të përmbledhur temperamentin virtuoz dhe ambicien interpretative që e karakterizojnë. Por ndoshta veçoria më e rëndësishme e Amir Xhakoviqit qëndron diku tjetër: në faktin se ai nuk e përdor virtuozitetin vetëm për të dëshmuar vetveten, por edhe për t’u dhënë zë të tjerëve. Përmes “The Balkan Piano”, ai u hap një hapësirë kompozitorëve që presin të dëgjohen, veprave që kërkojnë të rizbulohen dhe një trashëgimie muzikore që meriton të mos mbetet e mbyllur brenda kufijve të historive kombëtare.
Kjo është ndoshta forma më e lartë e mjeshtërisë: të mos e bësh instrumentin vetëm pasqyrë të talentit tënd, por dritare përmes së cilës mund të shihet një botë më e gjerë.
Sepse disa pianistë e mbushin sallën me tinguj. Të tjerë arrijnë ta mbushin atë me kuptim. Dhe ka artistë që, përmes tastierës së një pianoje, bëhen zë i një kujtese të tërë kulturore.
Amir Xhakoviqi është në këtë udhë të dytë, aty ku virtuoziteti takohet me dijen, pasioni me kërkimin dhe arti individual me përgjegjësinë për të përfaqësuar një trashëgimi që i përket shumë më tepër se një vendi të vetëm.







