Sali Berisha: SKAP-i i partisë po mbyll aferën e djegësave, Rama ka firmosur kontratë për veten e tij Shqipërinë e kanë ngërthyer si një gaforre e tmerrshme, aferat korruptive të Edi Ramës, qeveritarëve dhe enturazhit familjar.
SKAP-i i partisë, po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për ta shitur si një aferë të disa punonjësve të kësaj sipërmarrje gjigante të krimit ekonomik të Edi Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës.
Çdo hap që bëhet, bëhet me qëllimin e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën nga krimi që ai personalisht ka kryer. Inceneratorët janë sipërmarrje direkte e Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës. Janë, sepse Edi Rama, për të mbushur thasët me euro me grupin e tij mafioz, organizatën e strukturuar kriminale, pranon të firmosë, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në kundërshtim flagrant me qëndrimin e Autoritetit të Prokurimeve Publike, që i thotë se procedura ‘negociatë e mbyllur’ nuk ekziston në ligjin shqiptar, me fjalë të tjera, ekziston vetëm në kodet e mafias. Pavarësisht kësaj shkrese, lakmia, babëzia dhe pangopshmëria për vjedhjet, paratë, e shtyjnë kryeministrin të firmosë fap-fap-fap siç do deklaronte në Komisionin Parlamentar. SKAP-i i partisë përpiqet që mbulojë ëktë krim, por nuk mbulon dot, sepse përveç firmës antiligjore që Edi Rama vendosi për ndërmarrjen e tij, ai vendosi bashkë me Agaçin, të fusë duart e zeza në fondin rezervë të Këshillit të Ministrave dhe të transferojë paratë në Ministrinë e Mjedisit për inceneratorin kur ajo nuk kishte asnjë qindarkë të vetme për këtë objekt. Edi Rama është përgjegjës më kryesor, se ka pranuar të firmosë një kontratë për veten e tij.