Që shkolla të jetë një ambjent për të mësuar

0
Shkruan Zef Gjeta
Shkolla është një institucion me shumë rëndësi për të sotmen dhe për më shumë, për të ardhmen tonë. Aty është vendi ku të rinjtë, pavarësisht nga origjina, qëndrimet, religjioni, vendi, apo dallime të tjera, ulen në banka dhe auditore dhe i nënshtrohen procesit të nxënies. Pavarësisht se ka një vemendje të shtuar rreth shkollës, janë hartuar dhe ndërmarrë mjaft reforma dhe janë investuar shuma të mëdha të parave, mendimi im është që shkolla nuk është aty ku duhet dhe ku në fakt ka mundësi e nevojë të jetë. Kjo është e vërtetë për thuajse të gjitha nivelet e shkollimit: që nga çerdhja e deri në studimet pas universitare.
Kjo situatë është e lidhur me reforma të pamenduara, me vëmendje (kryesisht financiare) të pamjaftueshme dhe më ndërhyrje politike dhe influecave jo profesionale që kanë ndodhur këto tre dekadat e fundit. Kjo ka sjellë situatën, kur mësuesit vijnë nga kontigjenti i nxënësve mesatarë e deri të dobët, që e kanë mendjen të përfundojnë detyrimin (dhënien e mësimit) dhe që nuk e ndiejnë që duhet më shumë se kaq. Unë jam në mbështetje të idesë që e kanë pohuar mendje të ndritura: “Mësimdhënia nuk është profesion por është një mision”.
Mirëpo, në këtë shkrim dua të ndalem më gjatë në ambjentet e klasave dhe të auditoreve, duke bërë një krahasim se si i kishim këto kur unë isha nxënës apo student, si janë sot dhe si duhet të jenë. Më përpara, që në shkollat fillore, kishim bimë të vendosura në herbarium, kishim kafshë të balsamosura në kavanoza, kishim foto të ndryshme dhe harta të llojeve të ndryshme (fizike, administrative, gjeologjike, etj), kishim globe të përmasave të ndryshme, shpesh edhe sistem diellor në miniaturë, kishim rafte ku këto ishin ekspozuar, sëbashku edhe me botime speciale për natyrën, jetën e gjallë në planet, etj. Por, edhe bënim “eksperimente”, ku mbaj mend mbirjen e fasules dhe dinamikën e rritjes, të cilën e shikonim nëpërmjet shënimit të kërcëllit me bojë, matjeve pas dy apo tre ditëve, etj.
Mirëpo, sot, klasat janë të përbëra kryesisht nga katër mure, një dërrasë e zezë apo me ngjyra, ku mund të shkruhet me shkumës dhe bankat apo stola dhe tavolina. Po raftet, po paisjet ndihmëse, po mjetet didaktike divulgative, po…?! Asnjë nga këto nuk janë në shkollat tona, në një masë të madhe. Bëjnë përjashtim ndonjë shkollë e veçantë, që edhe do ta ceku në vijim. A pritet që kjo të realizohet me një investim, me një tender me para nga buxheti apo nga donatorët?! Nuk më duket se kjo është zgjidhja e duhur.
Unë kam një ide për të nxitur një fushatë kombëtare në lidhje me paisjen e “kabineteve” të shkollave (të niveleve të ndryshme), pa implikime të kostove: të bëhet nga bashkëpunimi mësues-nxënës apo pedagog-student. Më konkretisht: nga kush pritet që në sallën e fitoteknisë të ketë dy kallinj misri, e tre kallin gruri e kështu në vijim, të futura në një kavanoz (nga ato që familjet i humbin në mbeturina), a në një kuti druri me xham të përgatitur këtu. Po një zog i balsamosur në një kabinet të zoologjisë, po një tufë me flutura apo krimba të llojeve të ndryshme të fiksuara me nga një gjilpërë kapëse në një platformë me polisterol (dhe të emërtuar shqip, anglish dhe latinisht), po disa herbariume të bëra në një ditë praktike, e kështu në vijim. Po, kornizat me foto të ndryshme të bëra sipas fushave, nga të rinjtë dhe nga stafi akademik? Edhe këto nuk kanë nevojë për ndonjë investim të dedikuar. Këto janë sa i takon bujqësisë dhe mjedisit, por ndërkohë mund të punohet për ekspozimin e llojeve të shkëmbit, në një fakultet apo shkollë të mesme përkatëse. Mund të ekspozohen lloje të ndryshme të veshjeve në një shkollë tjetër, mund të ekspozohen foto të gatimeve tradicionale të zonës përkatëse, e kështu në vijim.
Ndaj, mendoj se ka ardhur koha që mësuesit dhe pedagogët, të bashkëpunojnë me të rinjtë, me këshillat e shkollave dhe me struktura të ndryshme vendore, në mënyrë që të ndryshojnë këtë situatë. Unë mendoj se ardhur koha që për këtë çështje të hapet një diskutim shterues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ku të përfshihen të gjithë të interesuarit. Mendoj se mund të gjenden edhe fonde që dedikohen për këtë çështje, por nuk ka pse të pritet pa fund për këtë gjë. Mjafton një përkushtim nga ana e personelit pedagogjik, që duke shfrytëzuar rrethanat dhe energjitë e të rinjve, sipas specifikave dhe mundësive, të fillojë paisja e shkollave me këto mjete të domosdoshme për një proces të të nxënit sa më funksional dhe efikas.
Shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme organizojnë herë pas here pipnik, ecje në natyre, orë të hapura, apo të ngjashme, që zhvillohen në natyre, jashtë terrenit të shkollave. Është e mundur që me një plan të thjeshtë, nxënësit të “ndahen” sipas prirjeve të tyre në grupe: gazetarët, piktorët, natyralistët, shkrimtarët, etj. dhe në tërren të bëjnë kronika, piktura, mbedhje të llojeve të ndryshme të bimësisë së zonës apo të llojeve të insekteve, të mbledhin gojëdhëna apo mite të ndryshme të zonës (qoftë përralla, fjalë të urta, etj) dhe të paraqiten (ekspozohen) në ambjentet e shkollës. Me këtë rast të shpallen edhe disa fitues sipas fushave. Mendoni pak, një aktivitet i tillë, i organizuar 10 vite njëra-pas tjetrës, çfarë larmie dhe pasurie do të grumbullonte shkolla, dhe pa patur nevojë për implikim të fondeve.
Një shqetësim maksimal kam edhe përsa i takon asaj që duket si përrallë: “shkolla digjitale”. Kjo u fillua si një fushatë, por që në të shumtën e shkollave ka pak ose aspak gjurmë. Janë shumë të pakta shkollat që kanë një kabinet të informatikës (një klasë me një numër të caktuar të kompjuterave) dhe të kenë mësues që ti mësojë nxënësit në lidhje me programet normale kompjuterike dhe të mos mbeten, sa herë kanë telefonin në dorë, në programe si tik-tok apo gjëra të ngjashme që i “hanë” kohën të riut dhe nuk i mësojnë asnjë gjë.
Ka ardhur koha që shkollat, sidomos këto të qyteteve, të krijojnë lidhje me biznese të ndryshme (ku të marrin financim, ose kompjutera të përdorur), në mënyrë që të kenë një apo disa klasa të paisura me kompjutera, qoftë edhe të thjeshtë ku të rinjtë të mësojnë programet në office dhe ndonjë tjetër specifik, sipas kërkesave dhe mundësive. Ndërkohë që për këto të fshatrave, kërkohet një punë më serioze nga ana e strukturave, në mënyrë që të paisen me sete të kompjuterave dhe me mësuesit përkatës.
Nëse do të angazhoheshin më mirë stafet, do të përdoreshin energjitë pasioni dhe përkushtimi i të rinjve (që me asistencë dhe udhëzime nga mësuesit), si dhe koha pas mësimit e mësuesve, mund të bëjnë një ndryshim të madh. Kjo do të krijonte një pamje krejt tjetër klasave dhe auditoreve tona, që sot duken si salla të braktisura, te pajete
Nga vizitat e shumta në shkola të ndryshme të vendit, më ka bërë mjaft përshtypje shkolla e mesme bujqësore në Cërrik “Mihal Shahini”, ku është bërë një punë realisht për tu marrë si shembull. Është punuar nga mësuesit, nga drejtuesit e shkollës, nga nxënësit, por është aplikuar edhe me projekte të ndryshme, dhe kanë arritur të kenë ambjente shkolle interesante, funksionale dhe mjaft komode. Fotot e ilustrojnë këtë veçansi të krijuar me punë dhe përkushtim.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu