Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, u ka bërë thirrje anëtarëve të PD që të marrin vendimin e tyre, sepse vendi ka nevojë për një opozitë të fortë e cila do të futet në zgjedhje dhe duhet të dalë prej tyre fitimtare. Duke ju referuar shpalljes së Berishës “non-grata”, ajo tha se SHBA vendosi për interesin e vetë.
“Ky është një vendim që partia dhe mbështetësit e saj, dhe në fund votuesit shqiptarë, duhet të marrin. Nuk mund t’i marrim ne vendimet për ta.
Ne e kemi bërë shpalljen (non-grata) në përputhje me interesin tonë kombëtar. Populli shqiptar, udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin vendimin e tyre bazuar në atë që është në interesin kombëtar të Shqipërisë.
Kemi opinionin tonë dhe e kemi ofruar atë, i cili është që duhet të ecni përpara. Një nga gjërat për të cilat mendoj se të gjithë biem në një mendje është që në një demokraci, roli i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm.Duhet të keni opozitë të vërtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje. Kështu që, anëtarët e Partisë Demokratike duhet të mendojnë për këtë pyetje dhe do duhet të marrin vendimin e tyre”, u shpreh Kim në emisionin “Real Story”.
Ambasadorja amerikane tha se SHBA shpreson që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, për të tërhequr Shqipërinë përpara, jo pas.
“[…] dhe që iu thoshte njerëzve të votonin për Partinë Demokratike sepse ata përfaqësojnë të ardhmen. Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas”, përmbylli Yuri Kim.