Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 17 Dhjetorit shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim të përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën.
Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 Dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme dhe më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 Dhjetor.
Marrëveshja mes te dy shteteve fqinj prej 11 nenesh e arritur në Ohër, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë si dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen i ka bërë thirrje Serbisë që ta njohë “de facto” Kosovën.
Serbisë i bëhet thirrje që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s më 29 Maj dhe ata që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 Shtator në Banjskë.
Këshilli “shpreh keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim”.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, ndërkaq ka mohuar se ka gisht në këtë sulm.
Nga Serbia kërkohet që të inkurajojë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës prej të cilave janë larguar Nëntorin e vitit të kaluar për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me targat ilegale të makinave që lëshohen nga Serbia.
I vetmi përfitim për serbët e Kosovës këtë fundvit dhënë nga Brukseli është levizja e lirë në zonën Shengen nga 1 Janari edhe me pasaportat që ju ka dhënë Beogradi.