Shkruan Konstantin Luci
Zbulimi i Brazilit më 22 prill 1500 shënoi jo vetëm zgjerimin e perandorisë detare portugeze, por edhe fillimin e një procesi të thellë fetar dhe kulturor që do të përcaktonte identitetin e vendit të ri. Të Dielën e Pashkëve, disa ditë pas mbërritjes në bregun brazilian, kapiteni Pedro Alvares Cabral urdhëroi që të kremtohej mesha dhe të mbahej predikimi, duke udhëzuar edhe kapitenët e tjerë të bënin të njëjtën gjë në anijet e tyre. U ngrit një altar i improvizuar në tokë dhe pranë tij u vendos flamuri i sjellë nga Belemi, flamur që ngrihej gjithmonë lart së bashku me Ungjillin gjatë riteve solemne. Ndërsa portugezët dëgjonin meshën, shumë vendas të armatosur me harqe dhe shigjeta u afruan: ata vështruan me kureshtje ceremoninë dhe pastaj u ulën pranë të huajve, në një moment paqeje të heshtur që Pero Vaz de Kaminja e përshkruan me hollësi në letrën dërguar mbretit Manuel I të Portugalisë. Ky takim i parë liturgjik nuk ishte vetëm një akt besimi, por edhe një deklarim simbolik i sovranitetit: më 26 prill 1500 u mbajt mesha e parë në tokë braziliane, duke e shndërruar aktin fetar në themelin zyrtar të pranisë portugeze. Që nga ajo ditë, krishterimi katolik u bë boshti i identitetit kombëtar të Brazilit dhe misionarët, sidomos jezuitët, morën rolin kryesor në ungjillëzimin dhe organizimin e territorit. Më 25 janar 1554, priftërinjtë jezuitë Manuel da Nóbrega dhe José de Anchieta themeluan kolegjin që do të shndërrohej në qytetin e Sao Paulos, duke i vënë emrin në nder të Apostullit Pal, sepse ajo ditë përkonte me festën e konvertimit të tij. Nga një vendbanim i vogël misionar, Sao Paulo u rrit ngadalë në një metropol, dhe si dëshmi e trashëgimisë së tij katolike ngrihet sot Katedralja Metropolitane e São Paulos, kushtuar Shën Palit. E projektuar nga arkitekti gjerman Maximilian Hehl në stilin neo-gotik dhe e ndërtuar nën kujdesin e kryepeshkopit të parë, Duarte Leopoldo e Silva, punimet e saj nisën në vitin 1913 dhe përfunduan në vitin 1954, me rastin e 400-vjetorit të themelimit të qytetit. Kështu, nga mesha e parë në plazhin e Brazilit deri te kupolat e katedrales në zemër të Sao Paulos, feja katolike mbeti filli që lidhi historinë, kulturën dhe identitetin e kombit brazilian.







