Dy alarme therëse që Genc Fuga na dha!

0

Shkruan Alba Malltezi

Të shohësh ministren shqiptare të Shëndetësisë teksa pozon me buzëqeshje të ndryshme në 8 nga 14 fotot e postuara në faqen e saj në Facebook ditën kur gruaja e pedagogut të fakultetit të Arteve, Genci Fuga, kërkon ndihmë dëshpëruese për të mbledhur parà për operacionin jetëshpëtues në një spital privat në Tiranë, thotë shumë. Ta shohësh të njëjtën ministre aq të gëzuar edhe ditët më pas, pa asnjë shpjegim për shoqërinë, në plazhin në Shëngjin, tregon akoma më shumë.

Nuk është kollaj të shkruash këto rradhë në një vend ku jeta e shumicës së shqiptarëve të ndershëm, qofshin ata artistë, policë, mësues, vetë mjekë, punëtorë të fushave të ndryshme, nëse nuk kanë kursyer atë shumën “magjike” të operacioneve që kalojnë mbi 10 mijë euro në privat apo jashtë Shqipërisë, është në dorën e grumbullimit të parave në facebook apo në një vendim të shpejtë qeverie. Kushdo mund ta përfytyrojë vetën me një foto të buzëqeshur, ku poshtë shkruhet: Të ndihmojmë një mik!

Ende sot nuk kemi një përgjigje nga institucionet: Përse pedagogu Genc Fuga nuk u dërgua nga urgjenca spitalore në Spitalin publik dhe përse nuk ju bë aty ndërhyrja në kokë për të shmangur më tragjiken?!

Është e sigurtë që goditja që pësoi Genci nuk është e para dhe as e fundit për një njeri, ndërkohë që fakti nëse bëhet apo jo publik, nëse mësohet apo jo nga masa e gjërë e shqiptarëve, ka të bëjë vetëm me rëndesën e sëmundjes dhe trashësinë e portofolit të kujt i bie për pjesë.

Nuk ka kaluar shumë kohë kur artisti, (ironi e fatit), pat dhënë një tjetër alarm që nuk duhej të kalonte as me indiferentizëm, as pa reaguar nga institucionet. Një familje me dy të punësuar në Shtet, nuk arrin fundin e muajit. Ndjehet e pafuqishme të krijojë të ardhura të mjaftueshme përballë shtrenjtimit të jetës. Ndjehet e dështuar në misionin e prindërimit dhe të sigurimit të të ardhurave në rrugë korrekte, të ndershme.

Dhe nuk mund të themi se Genci nuk është nga optimistët dhe besuesit në përmirësimin e përvitshëm të Shqipërisë. Por sa vlerë ka e gjitha kjo kur shumë shqiptarë duhet të enden dyerve të spitaleve private, t’i falenderojnë ata publikisht, të mbledhin të ardhurat përmes apelimeve në rrjetet sociale, atëherë kur familjarët dhe vetë ai duhet të përqëndrohen të mbeten në këtë botë ashtu korrektë, dinjitozë, të drejtë dhe të mirë.

Ngjarjet nuk ndodhin rastësisht, pedagogu Genci Fuga me jetën e tij na ka dhënë dy alarme të dhimbshme, të cilave nuk mund t’iu përgjigjemi me pasarelat mediatike të ministres sonë të shëndetësisë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu