Edi Rama, kryeministër dhe kryetar i PS-së, ka çelur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit me një miting, në formën e spektaklit në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë.
Ndërkohë që po prezantohen kandidatët duke e shoqëruar këtë me muzikë tradicionale sipas qarqeve, duke i dhënë mitingut të hapjes së fushatës formën e një feste, deputeti demokrat Edi Paloka ka ironizuar në rrjetet sociale atë që po ndodh në sheshin Skënderbej.
“I ka vënë të kërcejnë si majmunë dhe ai zbavitet duke i parë. Të kopjuar e ka dhe këtë!
Shoku Stalin dikur i vinte anëtarët e Byrosë të kërcenin para tij. Pastaj i pushkatonte”, shkruan Paloka.
Ndërkohë në një tjetër postim, deputeti demokrat e cilëson Edi Ramën si ‘xhaja’ që ka zgjedhur 12 si simbolikë të hapjes së fushatës : data 12, ora 12, qarqe 12…
“Ka harruar vetëm 12,22,32…ministra, deputetë, kryetare bashkie e funksionare të lartë që ka në burg”, shkruan Paloka.