Kreu Kryesore I “ashpër” ambasadori Eric Wendt në takimin me SPAK dhe BKH: Luftë...

I “ashpër” ambasadori Eric Wendt në takimin me SPAK dhe BKH: Luftë organizatave kriminale, fund tenderave abuzivë

0
2

Deklarata e fortë e Wendt: Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike..
Ambasada amerikane në Tiranë ka zbuluar detaje nga takimet që ambasadori Eric Wendt zhvilloi dje me kreun e SPAK, Klodian Braho dhe me kreun e BKH së, Joni Keta.

Ambasada Amerikane ka zbardhur fjalimin e plotë të ambasadorit Wendt, ku në fokus kanë qenë lufta ndaj rrjeteve kriminale të trafikut të drogës dhe rëndësia e tenderave të drejtë dhe konkurrencës së barabartë. Wendt ka theksuar se bizneset amerikane duan të investojnë në Shqipëri, por kërkojnë besim te respektimi i kontratave, tenderët të jenë të drejtë, dhe askush të mos jetë mbi ligjin.

“Kompanitë amerikane dëshirojnë të investojnë në Shqipëri, në sektorët e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe teknologjisë. Bizneset amerikane do të vijnë kur të kenë besim se kontratat respektohen, tenderët janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë garanton zbatimin e barabartë dhe të paanshëm të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Ligji duhet thjesht të zbatohet njësoj për të gjithë. Kur një tender manipulohet ose praktikat ligjore apo të biznesit janë të korruptuara, konkurrenca nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ky investitor largohet, Shqipëria humbet vende pune dhe sakrifikon mundësitë për rritje ekonomike”, bën me dije ambasada.

Ambasadori amerikan ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve ndaj rrjeteve kriminale që trafikojnë kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Europës.

“Çështjet që lidhen me krimin e organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që trafikojnë kokainë drejt Evropës, të cilat ju po luftoni, e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur shumë prej këtyre grupeve organizata të huaja terroriste. Çdo kontejner që sekuestroni, çdo llogari që bllokoni dhe çdo drejtues të një organizate kriminale që çoni përpara drejtësisë, i merrni para dhe pushtet karteleve. Dhe çdo rrjet kriminal që shkatërroni na bën të gjithëve më të sigurt, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet tona fqinje. Organet ligjzbatuese amerikane do të vijojnë të luftojnë këto rrjete, por veprimet e Shqipërisë bëjnë që ato të mos e zhvillojnë këtë luftë të vetme”.

Wendt vuri në dukje se “shumë krime të rënda lënë gjurmë digjitale”, duke u kërkuar prokurorëve të ndjekin provat dhe paratë.

“Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar po vënë bast se ju nuk do të jeni në gjendje t’i ndiqni këto gjurmë përtej kufijve, përmes aplikacioneve të enkriptuara dhe deri te kuletat e kriptomonedhave. Ky trajnim ka për qëllim t’u provojë se e kanë gabim. Ndiqni provat. Ndiqni paratë. Për sa kohë që vendimet tuaja bazohen vetëm te provat dhe ligji, dhe kurrë te pozicioni, lidhjet apo statusi i një personi, dhe për sa kohë institucionet tuaja mbeten apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i papërshtatshëm i jashtëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë në krahun tuaj”.

FJALIMI I PLOTË I WENDT

Mirëdita!

Kryeprokuror i Posaçëm Braho, Drejtor Keta, gjyqtarë, prokurorë e hetues të nderuar,

Sot, shumë krime të rënda lënë gjurmë digjitale. Kjo përfshin edhe çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit që trajtoni ju në SPAK.

Këto çështje kanë rëndësi për Shtetet e Bashkuara.

Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht.

Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike.

Çështjet e krimit të organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që e çojnë kokainën në Evropë – rrjetet që ju po i luftoni – e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë përcaktuar shumë nga ato grupe si organizata terroriste të huaja.

Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin. Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet shqiptare, nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm.

Paraja kriminale nuk ndalon te kufijtë. Ajo lëviz nëpër banka, këmbyes kriptovalutash dhe kompani guackë dhe shpesh arrin në sistemin financiar amerikan.

Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit (offshore). Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave.

Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kalojnë nëpërmjet provave digjitale.

Tani, sfida praktike.

Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane.

Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt.

Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm.

Taylor Phillips, ekspert i Departamentit të Drejtësisë për krimet e hakerimit kompjuterik dhe të pronësisë intelektuale, do t’jua shpjegojë këtë proces hap pas hapi.

Dua t’i drejtohem drejtpërdrejt secilit grup në këtë sallë.

Hetuesve: Ju jeni hallka e parë e zinxhirit. Mënyra se si i identifikoni, ruani dhe sekuestroni provat digjitale vendos nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë.

Prokurorëve: Ju i ktheni të dhënat në një rrëfim që gjykata mund ta ndjekë. Ju lidhni një adresë protokolli të internetit (IP), një portofol kriptovalutash dhe një mesazh elektronik me një person real.

Gjyqtarëve: Ne e respektojmë plotësisht pavarësinë tuaj. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë ose në një tjetër. Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’ju ndihmojmë t’i testoni me rigorozitet provat digjitale, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t’i peshoni me vetëbesim.

Tri role. Një zinxhir.

Ju lutem, shfrytëzojeni plotësisht këtë seminar. Sillni pyetjet më të vështira që keni. Kështu trajnimi shndërrohet në rezultate.

E nisa duke thënë se shumë krime të rënda lënë një gjurmë digjitale.

Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave.

Ky seminar ka për qëllim t’iu provojë që e kanë gabim.

Ndiqni provat. Ndiqni paratë.

Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji – kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi – me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush.

Faleminderit!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu