Shkruan Zef Ndreka
Një nga sëmundjet më të rënda të politikës shqiptare është zëvendësimi i meritokracisë me bindjen ndaj liderit.
Ministrat, qoftë në të gjitha qeveritë shqiptare, shumë shpesh nuk janë zgjedhur për profilin e tyre politik, për autoritetin publik apo për ndonjë ekselencë të veçantë profesionale. Shumë prej tyre kanë mbetur njerëz anonimë në politikë, të njohur vetëm brenda rrethit të kryetarit që i ka emëruar.
Por një ministër apo zgjedhur, nuk duhet të jetë thjesht një zgjatim i kryeministrit apo kryetarit të opozitës. Ato duhet të kenë personalitet, integritet, kompetencë dhe përgjegjësi publike. Duhet të jenë ose politikanë me peshë, ose profesionistë të spikatur që të sjellin në qeverisje dijen dhe përvojën e tyre.
E njëjta gjë vlen edhe për deputetët. Qytetarëve duhet tu ofrohen kandidatë që meritojnë të zgjidhen, jo militantë që meritojnë vetëm besimin e kryetarit të partisë.
Sepse dihet, listat hartohen nga një ose dy njerëz dhe parlamenti mbushet me të bindur dhe deputetët e humbin që në fillim pavarësinë e tyre. Ato nuk ndihen më përfaqësues të qytetarëve, por i liderit që i dha mandatin. Dhe kështu Parlamenti pushon së qeni një pushtet kontrollues për tu kthyer në një sallë ku numërohen duart që ngrihen sipas urdhrit.
Kjo shpjegon edhe paradoksin shqiptar ku kryeministri mund të emërojë e shkarkojë ministra si të dojë, ndërsa opozita shpesh kontrollohet po aq fort nga kryetari i saj. Në Shqipëri, në vend të institucioneve të forta kemi krijuar liderë të fortë, në vend të personaliteteve me integritet kemi njerëz të bindur, në vend të meritës kemi militantizëm.
Dhe pastaj çuditemi pse intelektualët dhe profesionistët largohen.
Njerzit e aftë nuk kanë frikë nga konkurrenca, por kanë frikë nga sistemi ku aftësia shpesh është pengesë, sepse pavarësia konsiderohet mëkat, ndërkohë që bindja është kriteri kryesor i karrierës.
Por meritokracia nuk është luks, është kushti i parë për një shtet normal.
Pa meritokracinë, Shqipëria rrezikon të mbetet një moçal politik, ku të paaftët ngjiten lart jo se janë më të zotë, por sepse janë më të bindur.
Dhe kur shpërblet bindja më shumë se merita, herët a vonë, kjo i largon njerëzit më të mirë dhe mban në krye pikërisht ata që nuk duhet të ishin aty.







