Kelmendi e Komunizmi
Sheh monumentin e heroit kombëtar Prekë Cali në Shkodër dhe në kujtesë të troket një pjesë histori. Të troket ajo histori shqiptare brilante që për dekada të tëra komunistët na e servirën si antishqiptarizëm. Le të nderojmë pak çaste Kelmendin, truallin që lindi e rriti antikomunistin, viganin, apostullin e pashoq të shqiptarizmës. Pra, Kelmendi, zona më verilindore e Shqipërisë, ky truall i Eposit të Kreshnikëve përkundi në fillim djepët e legjendave të Mujit e Halilit. Në majemalet e tij e kishin strehëzën zanat e malit e shtojzovallet. Mespërmes krahinës, në të dy anët, nga zona e Vuklit dhe ajo e Selcës, e përshkojnë dy lumej, dy Ceme vrapkulçedër e sypringjelbër që bashkohen në Tamarë, duke u dhënë brigjeve një hijeshi si rrallëkund. Treva veriore u shemb e u shkrumbua tre herë me rropamë, e po me aq madhështi u ngrit si një Sfinks gjigand. Aty holli shtat Nora, ajo vajzë me butësi trëndafili e zemër luaneshe, vajza e luftëtarit selcjan Vuk Marash Uci, ajo sokoleshë që hyri me dinjitet në analet e historisë sonë, ajo Orë Mali që i preu kryet Pashait osman, Vuçi Pashës mu në qendrën e tij ushtarake, në Zall të Bruzit, në hyrje të fshatit Selcë, në prezencë të plot 30.000 nizamëve. Aty lindi e shkroi histori Nikë Leka, Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aty lindën e u rritën atdhetarë që ngritën flamurin e parë në historinë shqiptare. Është fjala për qëndresën antiturke të vitit 1911, ku Oso Kuka e Prekë Cali, duke favorizuar ndërkombëtarisht me anë të një peticioni kryeneç dhe logjik çështjen shqiptare pranë qeverisë britanike, ngritën flamurin në Deçiq dhe mbajtën kuvendin e krerëve shqiptarë në Gerçë dhe miratuan “Librin e kuq” me 12 kërkesa drejtuar qeverisë Osmane që paraprinë dhe përgatitën terrenin për ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, ashtu sikundër thotë edhe kënga: “Përmbi Selcë vargojnë do male / Thikë përpjetë si mur kalaje / Bash njaty kuvendi mlodhi / Ma të mirët e ktij trolli / Përreth ahut shekullor / Zbardhin tirqet bardh si bora / Dëgjojnë malet, ndalin gurrat / Gju më gju kuvendojnë burrat / Le ta dijë Perandoria / Ma nën zap s’duron Shqipnia”. Në Kelmendin e Prekë Calit, në atë truall që ndjen nder të jesh bir i tij, u lind e u rrit edhe Françeskë Albanesi, skulptor e erudit i Rilindjes Italiane. Ky mjeshtër i gdhendjes u bë i pavdekshëm me Altarin e Kryekishës së Milanos që nuk është thjesht një monument kulti, por një ndër monumentet më në zë të kulturës botërore. Aty rriti shtatin e vet edhe famozi Angjelin Prelocaj, miku më i ngushtë dhe më i vlerësuar i Ismail Kadaresë, njëshi i baletit në botë, i cili iku fëmijë nga diktatura komuniste dhe sot jeton në Paris. Historia e tij është e njëjtë me atë të Gjekë Marinës, që po trondit globin me vjershat e tij. Aty, në Kelmendin e Prekë Calit, At Gjergj Fishta nisi vargjet e para të “Lahutës së Malëcisë”. Diku në luginat e Kelmendit heroik, pikërisht në Nikçin e të parëve të Ibrahim Rugovës e Rexhep Qoses, armëtarët e hershëm shpikën e prodhuan topin prej dardhe me barut autokton. Por njëri nga kulmet, mbase më i larti, me të cilin mburret ky vend i lashtë sa krijimi i ujit e ajrit, Qiellit e Tokës, është fakti se lindi, rriti, burrëroi heroin tonë kombëtar Prekë Calin, i cili siç do dëshmojnë rreshtat e këtij reportazhi me fakte të gjalla, të cilat diktatura komuniste e kaluar dhe e tashme, megjithëse i syrgjynosi, s’mundi jo vetëm t’i fshijë, por as t’i eklipsojë, do të shndërrohej në një përbindësh për cilindo që tentoi të skllavëronte, nëpërkëmbte apo ndërmerrte ndonjë masakër kundër vendlindjes së tij të shtrenjtë e bashkë me të, mbarë truallit shqiptar.
Shqipëria pa Vermoshin, një trup pa krye Figura të tilla si Prekë Cali, edhe shtete i Franca, Italia, Amerika do i kishin nder. Zbërthimi i një figure të tillë madhore si Prekë Cali, natyrisht kërkon një kujdes të veçantë, por ne mund të themi pa droje që ai kishte një intuitë dhe atdhetarizëm që rrallë i gjen shoqe. Nuk ka si të nderohet ky martir i Shqipërisë nga socialkomunistët, ashtu sikundër nuk kishte se si t’i besonte megallomanisë së komunistëve, pasi në platformën e këtyre djajve të kuq gjithherë është shtruar këmbëkryq rreziku pro sllav për kombin. Ky burrë i mençur e trim si zana, ka mbajtur në gjoksin prej vigani dokumentin me vulat e shtatë Krajlive të Europës, çka është në rast unikal në tërë historinë tonë. Si përfaqësues i palës shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, ai punoi me diplomaci në shërbim të çështjes shqiptare. Prekë Calit nuk iu tremb syri as në qelitë e errëta ku e përplasi regjimi i Ahmet Zogut, pasi ai ishte një mbështetës i fuqishëm i lëvizjes së qershorit 1924, krah Fan Nolit. Ahmet Zogu tregoi një politikë të butë me kundërshtarët. Pra vetëm katër vjet qëndroi në burgun e Gjirokastrës. Gjatë asaj kohe Prekë Cali bëri “mik” edhe një fëmijë, Enver Hoxhën, të cilin edhe e shpëtoi, e nxori para kohe nga qelia me ndërhyrjen e tij direkte tek Ahmet Zogu, pasi mendonte ta kishte më vonë në krah të tij. Por Prekë Cali kish ndihmuar persekutorin e mëvonshëm të tij, pasi kahe e tyre u ndanë shumë shpejt. Pra, mirënjohja, burrëria, shqiptarizmi s’mund të bujtte në zemrën dhe shpirtin e zi të Enver Hoxhës. Kohë më vonë Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta: “Kam patur një “mik” të mençur e trim. Vinin nga shumë shtete dhe e takonin në burg. I merrnin mendime e i bënin portrete. Por ai na dolli kundra, na dolli tradhëtar e kështu u detyruam ta eliminojmë…”. Kështu bëri edhe Fatos Nano me Azem Hajdarin, apo jo. Nga njëra anë fjalë të bukura, nga tjetra, plumba. Por le të kthehemi tek tema jonë. Edhe krerët serbë ishin betuar me qindra herë se do t’ia prisnin kokën Prekë Calit. Ata nuk e harronin kurrsesi aktin e vrasjes së përfaqësuesit të interesave serbe për vendosjen e kufijve në terren më 9 nëntor 1921, Mark Calit, siç edhe përjetësohet për të mos vdekur kurrë më në këngë ajo madhështi shqiptare: “Atë nëntor kur u vu kufi / I theu qafën gjeneralit t’tij / Marka Calit t’Malit t’Zi…”. Kështu pra, Malësia e Shkodrës ngeli tokë shqiptare sot e kësaj dite falë vendosmërisë deri në flijim të Prekë Calit, akt të cilin shqiptarët e New Yorkut e këndojnë në raste festash kombëtare e edhe gëzimesh familjare. Nga vargjet e gazetarit Pjetër Mernaçaj, shkruar më 1974, natyrisht me ndonjë përshtatje të vogël, për të cilën miku ynë Mernaçaj jemi të bindur se na kupton, shkëputim: “Fjala nuk zgjat, u nis kuvendi / Këtu tha Prenka, nuk asht vendi / Me ngul gur, me vu kufi / Ky asht dheu i t’parëve të mij / E, rrehet keqas kush mendon / Se këto male i kapton / T’tan malësia asht betua / Deri sa krejt të jem farua / Një pëllëmbë tokë t’huejt mos m’ja lëshua / Një angleze, grua fisnike / Kur dëgjon ato fjalë kreshnike / Pak përmallshëm Prenken e ka dvetë / Pse ti Cali kaq me t’nxehtë? / Pse i del zot këtij vendi të shkretë? / -Moj sojnike t’u ngjattë jeta / Për Shqipni janë male t’vlefta / Janë pyje, me kullota / E kund ma t’bukura s’i ka Bota / Brez mbas brezi, unë e di / Ktu kanë këndua t’parët e mij / Gjithmonë t’huejt na kanë ngatrrue / Deri n’vorre na kanë cermue… / Komisioni ra n’mendime / Hajt pra, Beg, po t’lam me pri / Njaty Preka vu kufi”. Proverbial për të gjithë brezat ka ngelur postulati i tij në një konferencë diplomatike në Londër rreth çështjes së kufijve: “Shqipëria e vogël ka burra të mëdhenj. Ajo pa Malësinë e Shkodrës do të ishte një trup pa krye…” Nazistët gjermanë në vitet e pushtimit fashist, i ofruan grada e poste të larta Prenkë Calit, me kusht që ky që syrgjynosej larg trojeve të veta. Këtë ofertë nuk kish se si ta pranonte vigani i maleve shqiptare. Ai qëndroi në viset e veta, i mbështeti këmbët fort në tokë, si Anteu, grumbulloi rreth vetes shokë të idealit kombëtar si Prelë Tomën (Smajlaj), Dedë Gjonin, Ndue Gjorapukën, Gjekë Selcën, Gjergj Lulën, Nikollë Preçin, Dedë Lulash Smajlin, Gjokotë Ujkën, Maç Lucën, Fran Doshin, Fran Pretash Zogun e shumë atdhetarë të tjerë. Në janar të vitit të parë të pasçlirimit, prijësi i maleve organizoi në fshatin Brojë një kuvend të krerëve të zonës për të koordinuar veprimet kundër uzurpimit komunist, i cili identifikohej me synimet gllabëruese të serbo-malazezëve. Prekë Cali, trim sa vetë trimëria, i meçur sa vetë mençuria, i matur sa vetë maturia, i urtë sa vetë urtësia, mban lidhje tepër të ngushta me personalitetet britanike, pasi me ndihmën e tyre synonte të realizojë ëndrrën e tij të kahmot: “T’i kthejë sytë nga Perëndimi”, pasi sipas filozofisë së tij, vetëm atje gjendej burimi i qytetërimit dhe i të mirave materiale. Meritë e Prekë Calit ishte dhe krijimi i relatave aq të ngushta me prijës së tillë si Abaz Kupin, Jup Kazazin e burra të tjerë të shquar të kombit shqiptar.
Komunistët, të etur për gjak Pas përpjekjeve të dështuara të Prekë Calit për një marrëveshje me udhëheqësit e forcave partizane, pasi tashmë me Enver Hoxhën ishin të deklaruar kundërshtarë deri në vdekje, a përtej saj, zbret muzgu i 10 janarit 1945; Brigada e Parë me komisar Fejzi Micolin, i turret Kelmendit. Fshati Brojë zihet në befasi, në gjumë. Mark Gjeloshi i Rahovicës lëshon kushtrimin në Vukël e Nikç. Thirrja kumbon në çdo kullë malësore dhe tek Ura e Tamarës, aty ku katërqind vjet më parë ishin mbytur me gurë tre taborre osmane, në mëngjesin e herët të 11 janarit gjithë burrat, madje edhe gratë, u bënë grusht për të mbrojtur tokë e nder. Këtu, përsëri prijësi Prekë Cali kërkon ballafaqim me partizanët komunistë për t’i mbyllur plagët e gjakderdhjes e për të çuar një komision tek Enver Hoxha për të nënshkruar një udhë logjike për të ardhmen e Shqipërisë. Por logun e bisedës për mirëkuptim, dialog, paqe, ardhmëri, e turpëron breshëria e plumbave të pabesë. Vetë komisari i kuq i drejton tytën e për kah gjokset e malësorëve. Në çast, si vetëtima që çan qiellin, gjokset ngjeshen e bëhen shkëmb, e plumbave u përgjigjen me plumba. Bora skuqet nga të shtënat e para të tyre. Trupi pa jetë i komisar Micolit varet si leckë e qullur në yzengjitë e mushkës që hingëllin. Akulli përreth nis e shkrihet nga gjaku i pafajshëm shqiptar. Ç’tragjedi mesjetare e kohëve të reja?! Tërë ditën vazhdon shkëmbimi i zjarrit. Në mbrëmje vonë komunistët tërhiqen me panik e gjynahe për viktimat pa faj të një ideje, që siç do vërtetohej më vonë, izoloi e paralizoi Shqipërinë. Megjithë humbjet e mëdha në të dy polet, por sidomos të uzurpuesve, si dhe të 25 robërve komunistë në duart e Prekë Calit, Prijësi Legjendar i Maleve, i cili edhe në Shkodër kish lënë histori duke çelur shkolla e objekte kulti, kisha e xhamia, nuk ngurron të thërrasë sërish: “T’i mbyllim plagët e gjakderdhjes, të hartojmë një plan të mesëm se jemi shqiptarë…”. Por komunistët ishin të palatuar. Donin veç gjak e katrahurë. Gjithsesi, është në nderin e burrërinë e malësorëve që 52 robërit e zënë, pa mjekimit me kujdes të plagëve e trajtimit shumë të mirë e njerëzor, i përcollën e çuan deri në familjet e tyre. Ka patur nga ata robër që kanë vajtur deri tek Enver Hoxha dhe kanë treguar mençurinë e burrërinë e Prekë Calit. Komandanti komunist, pasi i ka dëgjuar, i ka pushkatuar!
Tjetër pabesi e terror Pesë ditë pas kasaphanës së parë, ethet e çmendura të hakmarrjes, i ndërsejnë krerët e brigadës së parë. Marrshimi drejt viseve të Shqipërisë Veriore, ndërmerr një inkursion me përmasa tepër të mëdha. – O kriminelë pa fe e Atdhe, këtu më keni, tek Gryka e Shtegut të Kaut, – shpërthen një oshëtimë që rrok kupolat e maleve. Ky zë gurgullon nga zemra e Prekë Calit e trimave të tij në pritë, të gatshëm për të dhënë jetën për vatan e ide. Lufta plasi. Qëndresa e bijve të Malësisë që nuk duan gjakderdhje, është heroike, e pashembullt. Për tre ditë e tre netë pa ndërprerje duhma e rëndë e barutit infektoi ajrin e pastër të Bjeshkëve. Malësorët nuk e njohin “artin” e rënies në gjunjë para askujt, sado katil e i armatosur të jetë. Të 79 vitet mbi kurrizin e azganit Prekë Cali reduktohen në gjysmën e tyre. Përvoja jetësore e ka brumosur t’i urrejë në kulm e themel pushtuesit e çdo ngjyre qofshi. Strategjia e taktika e Prijësit Legjendar nuk maten me kutin e asnjë gjenerali tjetër. Nëpër luginat e Kelmendit, në ato tre ditë katrahure, pellgjet ujore të Cemit patën në brendësinë e tyre grumbuj të mëdhenj kufomash. Mallkuar qofshin ata që e shkaktuan atë konflikt të panevojshëm e bënë të derdhet gjak i pafajshëm e i pastër shqiptari, si ai i Xhuk Tomës nga Broja, Kolec Ucit (Curanaj) nga Vishnjeva, Lucë Gjon Ucit nga Vukli, etj. Oh, lufta si lufta; plagët ishin të rënda, humbjet të dhimbshme. U vranë shumë, u plagosën shumë. Luftëtarët Lukë Toma nga Vishnjeva e trimërisë, e Dedë Gjon Bajraktari nga Vukli historindritur, të plagosur për vdekje, u çuan në një kullë mikpritëse, me këngë, jo me vaje, pasi malësorët në shekuj kanë lindur me pushkë e mbyllë dërrasën e arkivolit vetëm me këngë. Brezat e përcollën sokëllimën e Prijësit të Pavdekshëm Prekë Calit: “Trojet e të parëve tanë nuk guxon kush t’i nëpërkëmbë. Komunizmin nuk e durojmë mbi shpinë”.
Frerët e ofensivës i merr në dorë Enver Hoxha Është fillim shkurti 1945. Veriu i Shqipërisë ende nuk i është nënshtruar Enver Hoxhës, paçka se “çlirimi” ishte festuar me kohë. Njerëzit sot janë të gjallë. E mbajnë mend fort mirë kur frerët e ofensivës i mori vetë Enver Hoxha, pasi tërë malësia luftoi e derdhi gjak në ato përpjekje titanike e prijësit e Shkodrës e familje traditëshuma ndenjën në kontakt me ngjarjet atje. E pra, duhej mposhtur me çdo kusht “kryeneçësia” malësore, duhej çliruar Shqipëria! Po nga kush, bre? Çuditërisht nga shqiptarët, çka të ngjan deri diku me ngjarjet e sotme në Drenicën e Kosovës martire. Pra, për atje u nisën brigada e batalione të tëra. Kështu, krimineli Mehmet Shehu sulmon nga Rapsha. Efektivi i Brigadës së 32-të Sulmuese me komisar politik Ramiz Alinë mësynë nga nuk pritej kurrsesi, nga Kosova, si me porosi a urdhër të Titos. Nga Rrafshi i Dukagjinit e Bjeshkët e Namuna vërshojnë të tjera forca të shumta ushtarake. Raporti i ushtrisë së etur për gjak në krahasim me atë të popullsisë vendase mund të ishte më shumë se 35 me një! Imazhi i pushtimit ishte një realitet i vërtetë. Strategjia ishte studiuar hollë. Sulmohet maja e qëndresës, Vukli, ku ishte edhe vendndodhja e Prijësit të pamposhtur, Prekë Calit. Në marrshim e sipër të forcave komuniste vizatohen konturet e një masakre çnjerëzore, të një katrahure të cilën zor ta gjesh edhe në mijëra faqet e romanit lapidar “Lufta e Paqja”. Tabllotë e mynxyrës janë të shumta, të zeza si shpirti i atyre që i realizuan. Letë përmendim disa: Digjet kulla e malësorit të ndershëm Fran Zefi në Nikç, ku gjuhët e flakës përpijnë edhe trupin e luftëtarit Lukë Toma nga Vishnjeva. Edhe kulla e bajraktarit të Vuklit, me të zotin e shtëpisë brenda, Dedë Gjonin, u shkrumbua nga flakët. Kolë Gjon Bajraktari merr shumë plagë, por luftë ishte. Djaloshit Fran Zef Uci i nxirren sytë me bajonetë të pushkës. Ashtu të gjallë, pa sy, e mbulojnë me gurë në Buzë Breg. Deri sa erdhi në pushtet Partia Demokratike, të afërmit e gjakut jo më eshtrat që s’mund t’i sistemonin në varret e fshatit, por as kokën s’mund ta kthenin nga “krimineli” që kish rënë për Shqipërinë. Paradokse që tashmë i ka ardhur koha t’i lëmë pas. Xhelatët e kuq bënë hatanë. Nikë Lucë Bajraktarin e Fran Bracajn i masakruan mizorisht. Ua morën jetën pak e nga pak, duke u zgërdhirë e duke u thënë se do çnderojnë tërë femrat malësore, natyrisht pasi të vrasin gjithë meshkujt e asaj zone “tradhëtarësh” e “banditësh”, gjë të cilën fatmirësisht s’e arritën. Në emër të besës së shenjtë, Lucë Gjon Bajraktari me Lucë Gjorapukën, i dorëzohen komisarit Zoi Themeli. Po a ka besë i pabesi? Xhelati kriminel i urdhëron viktimat që s’ishin viktima të çelin varret e veta. Aty, i groposë të gjallë!… Ata dhe të tjerë vërtet vdiqën, por sot i shohim ashtu tek luftojnë për troje, i nderojmë, i çmojmë, siç thotë Zef Selca. Nga lartësia e mbi 60 metrave, pikërisht nga shkëmbi i Shën Neriut, hedhin të gjallë për “gallatë” Rrok Zefin. Në Bregun e Kukulit një varrezë e përbashkët përpin në honin e saj trupat e pafaj të dy djelmoshave të rinj, Ujk Nikës e Fran Alisë. Broja përjeton gjëmën e masakrimit të Gjergj Qoses e shumë moshatarëve të rinj të tij. Të tërë në një varr hon, pasi u kanë prerë veshët, hundët, duart e këmbët…! Kriminelit të kuq Abaz Fejza, i cili merret porosi direkte nga Ramiz Alia, iu dorëzuan në besë tre djemtë e Mar Bikut. Edhe ata gjetën një vdekje të përçudshme. Para popullit të Mbishkodrës, të grumbulluar me dhunë, pushkatohen pa gjyq prijësit selcianë Gjekë Selca e Gjergj Lulë Toma, të dorëzuar edhe ata në besë tek të kuqtë. Këto batërdi e qindra të tjera sekuenca të tmerrshme, janë “frytet” e Ramiz Alisë e Mehmet Shehut, të cilat për fatin tonë të keq, historia ende nuk i ka vlerësuar. Megjithatë, populli i ka futur në këngë prej kohësh.
“Stolitë” tuaja e përçmojnë flamurin shqiptar… Në këngët e toponomastikën e Veriut, është i pranishëm kurdoherë prijësi Prekë Cali. Pas mijëra e mijëra vitesh, Shpella e Tartashicës ka marrë emrin e tij. Dhe ja përse: Më 7 shkurt 1945 nga zgafella e saj ngujohet ky përbindësh i Enver Hoxhës së bashku me 13 besnikë të tij. Rrethimi nën komandën e kriminelit të kuq Zoi Themeli është vrastar. 700 forca të zgjedhura nga Enver Hoxha për të mposhtur Viganin e maleve shqiptare janë fare pak. Atëherë Ramiz Alia tregohet dinak. Vihet në veprim mekanizmi i marrjes së kështjellës nga brenda. Padër David Pici beson se pas dorëzimit me kusht, pasi Prekë Cali është një figurë e njohur në Europë, qindra herë më tepër se Enver Hoxha, jeta e Heroit nuk do të vihej në rrezik. Dhe nuk vonoi shumë. “Sihariqi” erdhi në hyrje të shpellës: Prekë Cali dorëzohet vetëm me përmbushjen e tre kërkesave. E para, nuk pranoj të çnderohemi nga kërkushi, aq më tepër nga bishat e kuqe! E dyta, marr në mbrojtje e përgjigjem për djemtë e Malësisë dhe për qëllimin tonë final dua komunikim me miqtë e mi perëndimorë! Dhe e fundit, nuk dua të më falni ju të pabesë, pasi ju njoh me rracë e me koc, por kërkoj të jap llogari para drejtësisë së popullit tim, pasi unë e trimat e mi jemi atdhetarë e ju pushtues! Të tria kushtet i pranon me kënaqësi Zoi Themeli, zezani i atij operacioni famëkeq. Gjithsesi, Prekë Cali e ndjente tradhëtinë e të kuqve, ndaj teksa dilte nga shpella u thotë shokëve: “Ky dorëzim ka lidhje me shpëtimin e jetës së ndonjërit nga ju të rinjve, se mua këta zagarë që i njoh mirë, edhe 100 jetë t’i kem, m’i marrin”. Në ato çaste i ka hedhur dorën në sup të riut Prelë Toma (Smajlaj) e i ka lënë një amanet: “Jetoni ju, por pashë besën ma merrni hakun!” E trimi Prelë Toma ia ka marrë vërtet hakun komandantit të vet. Në burgun ogurzi të Shkodrës, ku torturohej si mos më keq, gjen momentin, falë fantazisë, mençurisë e trimërisë dhe në bashkëpunim me një të burgosur tjetër, Pal Zefin e Dukagjinit, vret me dorën e vet rreshterin e birucave. Në atë moment, pa u bërë bujë, shpërthen burgun e Shkodrës, niset për Malësi, merr tërë familjen me vete dhe niset për mërgim. Jeta e përtej kufirit është një odise tjetër më vete, por le të kthehemi tek tema. Të nesërmen e dorëzimit, Prekë Cali me besnikët e tij ndeshen ballë për ballë me Mehmet Shehun në Rapshë të Hotit. -T’u thafshin krahët, o burrë i madh i Shqipërisë! U re me me shqelm të mirave që të ofruam ne komunistët. Nuk e ndoqe udhën tonë. Enveri të pat menduar për ministër. Harram të qoftë, pra, – u ftillua në bisedë Mehmet Shehu. Përgjigja ishte e rreptë. Ortek i vërtetë. “Faji rëndon mbi ju, Madhëri. Ju, Enveri e ata lakejt e vegjël që ju vijnë si zagarë pas, hëngrët në një çanak me rusët e serbët. Ajo çorbë e fëlliqur ju mban sot në këmbë, por jo gjatë ama. Ju edhe Flamurin e Kreshnikëve na e përdhunuat. “Stolitë” ruse e përçudnojnë atë… E paçi gurë mbi shpinë mallkimin e nënave e vajzave shqiptare…! Mos gjetshi prehje as në skëterrën e varrit, o komunistë të fëlliqur…!” Pas këtij fytafyti të egër deri në tmerr, Mehmet Shehu veçon nga grupi i trimave të Prekë Calit dy vetë: Prelë Tomën (Smajlaj) dhe Maç Lucën, pikërisht dy dëshmitarët okularë të asaj batërdie, të cilët jetojnë edhe sot e mbahen për bukuri. Prela jeton në Ulqin të Jugosllavisë e Maçi në Vukël. E përse i veçoi Mehmet Shehu trimin Prelë Toma e djaloshin Maç Luca? Prela, si antiserb, dosjet i kishte edhe në Beograd, Maçi ishte i ri e mund të bënte ndonjë gabim gjatë pyetjeve. Pritej pushkatimi i tyre, pasi një djall e di se si dosjet e Prelë Tomës kishin rënë në dorë të Mehmet Shehut, por të mos harrohet, Ramiz Alia nga andej vinte pak ditë më parë…! Pra, aty në Rapshë, Prelë Toma e Maç Luca u nënshtrohen torturave kafshërore, por për çudi jeta u falet. Odiseja është tepër e gjatë, dramaticiteti i saj i kalon përmasat Shekspiriane. Prangat ia mbërthyen duart e fuqishme vetëm në portën e burgut të Shkodrës, Tribunit të Maleve Shqiptare. Këtë fat të mbrapshtë patën edhe 12 besnikët e tij të dorëzuar, siç thamë, në besë Ramiz Alisë e Zoi Themelit, pasi Dedë Gjon Dedën e pushkatoi me dorën e vet rrugës kryekrimineli Mehmet Shehu për antiserb! Për qëllime të errëta edhe sot e kësaj dite, Prekë Calin e veçojnë në një qeli të posaçme në burg. Fundi i komedisë së inskenuar nga Enver Hoxha “shkruhet” pas dy javësh. Tribuni shqiptar hedh vështrimin e shqiponjtë mbi trupin gjykues. -Ç’do të thuash për të fundit hero o “kryeneç”, – e nguci kryetari. -Dua takim me të parin tuaj, Enverin, se ai më njeh fort mirë. Kemi edhe një besë nga Mehmeti e Ramizi, të cilët kanë bërë krime mbi njerëz të pafaj. Por Enverit thuajini Prekë Cali don bisedë me ty. Kaq kam, – tha autoritar, Prekë Cali. Ajo kërkesë ngeli veç një mirazh ëndrre. Lideri i asaj seance vërtet komunikoi me Enver Hoxhën, po ku ta dinte ai se Prekë Cali ishte përbindësh për përbindëshin e kuq. E përbindëshi nuk e fal kurrë kundërshtarin e vet. Prekë Cali u pushkatua me shumë atdhetarë të tjerë që bënë aq tepër për Shqipërinë. Ditën e pushkatimit udhunua edhe kufoma. Aty në zall të Kirit, skuadra e pushkatimit i pret kokën Prekë Calit të vdekur. Ajo kokë që kish punuar gjithmonë për Shqipërinë, u përdor si top, ku duke i rënë me këmbë, këndonin labçe “Lule Sefo, lule djalë”. Sido që ngjau, le të gjykojnë njerëzit e ndershëm kudo që janë nëpër botë, kë la pa varr satanai Enver, Prekë Calin apo veten e vet?
Kapiteni Luket Marashi vazhdon rezistencën Prijësi i Shkrelit, luftëtari i dëgjuar kapiten Luket Marash Grishaj kishte bërë kërdinë prej kohësh në luftë kundër turkut, serbit, komunizmit. Ai ishte ushtarak i shkolluar në Perëndim dhe strategjia e tij ishte vdekjeprurëse për ata që vinte në rreth. Ku piketonte mbi hartë ai, s’mund ta zateste këmbën armiku. Trimat e tij Gjon Martin Lula, Nikë Gjelosh Gjoka, Mirot Paloka, Kolë Lleshi, Prekë Lekë Gjoni, Rrok Nikollë Zefi, Dom Nikollë Gazulli, Pal Thani etj., të cilët kishin luftuar, s’do e ndërprisnin luftën as pas pushkatimit të Prekë Calit. Luket Marashi i rezistonte Enver Hoxhës. Jetën ia kish kushtuar Shqipërisë, për të do vdiste. Tashmë djemtë i kishte të rritur, Dedën, Lleshin e Palokën dhe e dinte se ata do ia marrin hakun. I kish takuar disa herë trimit Luket Marashi që kur nisej për luftë t’i linte amanetin të shoqes: “Pra në kje se Mali i Zi / Vjen e bjen në Shqipni / deri sa t’jenë djemtë kërthi / Pash njat Zot që na ka falë / Ma dëgjo, grue nji fjalë / Bane zemren gur e krep / M’jau pre kryet djemve në djep / Mos m’jau lsho armiqve n’dorë gjallë / se s’dua t’la n’Shqipni un prralla”. Por për fatin e mirë të tij e të Shqipërisë djemtë i ishin rritur, ishin bërë trima e kishin shkruar edhe histori. Luket Marashi qëndroi atje në malet e Shkrelit. Edhe i plagosur nuk pranonte të dorëzohej, por as të kalonte për matanë kufirit. Nëntë plagë, si Gjergj Elez Alia kishte në trup, tri vetëm në kraharor. Rapsodia e lashtë këtu është konkrete. Vërtet nuk ishte prezente motra që t’i mjekonte plagët, por gurrat e bjeshkëve, bari që sapo kish nisë të gjallojë, zogjtë e malit, gurët e pyjet ishin motrat, vëllezërit, nëna. Këtu s’kemi të bëjmë me nëntë vjet si në ciklin e kreshnikëve, por me disa ditë. Kur vdiq në mal për të mos rënë i gjallë në duart e komunistëve, nuk mallkoi si Gjergj Elezi Alia: “O ju kulla mbetshi shkretë”, por uroi “Shqipëria u çliroftë sa më shpejt nga komunistët!” E rapsodi popullor e përjetësoi në vargje: “Luket Marashi po viket / Bini, u thotë ai djemve t’vet / N’Qafë t’Grishajve u ba nami / Luftojnë Prela edhe Frani”.
Enver Hoxha vazhdon një skenar të ri Edhe pas likuidimit fizik të Prekë Calit, skenari kundër kundërshtarëve politikë ishte tepër i zymtë, si skenar mesjetar. Në qendër të shënjestrës u vunë bashkëluftëtarët e Prekë Calit e të Luket Marashit. Luketës i burgosën vëllanë Franin, tre djemtë Dedën, Lleshin e Palokën, si dhe djalin e vëllait, Prelë Franin. Qelitë e burgut të Shkodrës më 1945 nën urdhërat e drejtorit Hajrullah Vukashi, të toger Babës e të Gjon Kokrrit përjetuan zhdukje monstruoze të shumë patriotëve shqiptarë. Shyqyr Zotit që jeton atdhetari, patrioti, luftëtari, antikomunisti deri në vdekje Prelë Toma (Smajlaj) dhe sjell kujtimet si me sekuenca jo të largëta. Bashkëpunëtor i Prekë Calit ishte edhe djaloshi 25 vjeçar Fran Zefi nga Nikçi, i cili u var në një fillim pranvere në shtyllën mes oborrit të kampit të Bedenit të Kavajës nga dora e drejtorit të burgut Haxhi Ppela. Ajo shtyllë ogurzezë ka marrë shumë jetë të pafajshme të burgosurish të ndërgjegjes. Edhe kapterri me emrin e pseudonimin Sheramet varte e çonte për në atë jetë kë t’i mbushej mendja. Edhe pas viteve ’50 ashtu vazhdoi, plotëson Maç Luca. Njëri nga dëshmitarët e këtyre ngjarjeve thotë se me sa di, si Haxhi Pela ende jeton, madje në liri, veçse ka ndërruar emrin. Ajo shtyllë e mallkuar ka marrë edhe jetët e Mark Gjeloshit nga Broja e Dedë Gjeloshit nga Vukli. Haxhiu e Sherameti, vetëm në muajt shtator-tetor 1948 kanë likuiduar fizikisht plot 72 të dënuar të ndërgjegjes, shumica e tyre jo larg lirimit. Po sa mijëra e mijëra të tjerë kanë zhdukur ata e komunistë të tjerë gjatë 50 viteve? As Luciferri nuk mund të jetë aq katil sa komunizmi. Më vonë Haxhi Pelën e kanë transferuar me urdhër nga qendra në burgun e Osman Pojanit në Maliq të Korçës. Atje ai përdori metoda edhe më çnjerëzore. Dedë Luket Grishaj, Kolë Mhilli, Llesh Luket Grishaj, Maç Luca e shumë atdhetarë të tjerë, të cilëve autori i këtyre radhëve ka fatin e mirë t’u ketë marrë material të bollshëm faktik, kujtojnë barbaritë çnjerëzore, kur Haxhi Pela i fuste të burgosurit politik në baltën e kënetës së Maliqit deri në fyt, u thoshte thërrisni “Rroftë Enver Hoxha”, e kur nuk pranonin, u hipte me shqelma sipër kokës e i fundoste në llucë. Aty i linte përgjithmonë. Janë këto vetëm një pamje tepër e vockël e këtij skenari të mallkuar që brezat e ardhshëm do ta mbajnë si model të krimeve njerëzore .
Fatos Nano në udhën e Enverit… Dekoratën e Lartë të Klasit të Parë me Nr. Dekreti 569 të Kabinetit Presidencial, të afërmve të Tribunit të Maleve, Prekë Calit, i erdhi dita e bekuar e ia dorëzoi ish-Presidenti i Shqiptarëve, zoti Sali Berisha dhe Ambasadori i SHBA-së, Rayerson. Ishte ky një vlerësim i tërë atyre meritave të mohuara për një gjymë shekulli nga diktatura e kuqe. Po ç’ndodhi? “Zëri i Popullit” çirrej të nesërmen me germa të mëdha e zë të ngjirur: “Prekë Cali është tradhëtar i kombit”! Tradhëtar ai që shtyu kufijtë e Shqipërisë dhe la Malësinë e Madhe tokë shqiptare?! Por gjithsesi historia jonë sikur po gjen vendin e saj të mohuar nga diktatorët. Busti madhështor në Shkodër është vepër e atdhetarëve shqiptarë me banim në New York, ku është rasti që gazeta “Shqipëria Etnike” të falenderojë atdhetarët Zef Selca e Nikollë Grishi, si dhe shumë të tjerë. Por edhe Shkodra historimadhe ia ruajti si dheu floririn eshtrat këtij atdhetari të përmasave gjigande. Pra, zalli i Kirit, bashkë me eshtrat e shumë martirëve të tjerë, ka në gjirin e vet edhe ato të Prekë Calit, kërkimi i të cilave u ndërpre vite më parë për arsye financiare, e për një ndërhyrje të tillë të tillë kaq atdhetare, Zef Selca shprehet se do e bisedojë me miqtë e vet që zemra u rreh fort për kombin, ku menjëherë pas ngritjes së monumenti të Prekë Calit, do shohin mundësinë edhe të kërkimit e gjetjes së eshtrave të tij e patriotëve të tjerë. Është pra ky Zalli i Kirit që në ftohtësinë e brendësisë së vet, ka aq shumë eshtra martirësh, sa edhe gurë. Falë dëshirës së mirë e motiveve njerëzore që krakterizojnë shqiptarët, pasi ne e dimë, gjithçka e kemi për vete, por jetën e nderin për kombin, heronjtë e rënë do futen me dinjitetin që meritojnë në analet e historisë sonë brilante, siç edhe duhet të zënë vend komunistët në volumet prej turpi. Prekë Cali është nderi i tërë shqiptarëve kudo në botë. Ka ngelur proverbial urimi që nënat e Veriut bashkë me gjirin e mëkimit, fëmijëve të vet u thonë krah djepit e karrocës: “M’u rritsh e m’u bëfsh sa Prekë Cali”. Sokol Pepushaj
Vranina, Troja shqiptare e shekullit 19-të Nga 300 kryengritje apo “aksione” luftarake në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe identitetit, që ka të regjistruara historia e trojeve etnike shqiptare në harkun kohor të rreth dymijë vjetëve, mbi 250 kanë epiqendrën në trojet e Shqipërisë Veriore, apo më saktë Gegnisë. Por brenda trevave të Gegnisë kampion qëndrese e mbijetese janë trevat “binome” Malësi e Madhe – Shkodër, së bashku me Malet e palëkundura të Dukagjinit, Mirditës, e tjerë, ku çdo pjesë e këtyre trojeve përbën një histori të veçantë shqiptarie që brezat nuk duhet ta harrojnë kurrë, nëse nuk duan të harrojnë vetveten… Gjithsesi në këtë radhë do të përpiqemi të përkujtojmë një ndër betejat luftarake më famëmadhe të trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve serbo-malazezë, që në dokumentet historike njihet me “emrin” Lufta e Vraninës, ku si kulm të saj kishte hedhjen në erë të kullës së barotit nga kryeheroi i kësaj lufte, Oso Kuka, që së bashku me kullën hodhi në erë rreth 200 ushtarë e oficerë malazezë. Gjëmimi i këtij shpërthimi final ishte aq i madh sa tronditi nga themelet sarajet e Kral Nikollës në Cetine, por edhe sarajet e kryeqyteteve të Europës plakë që kishin “harruar” se trojet shqiptare, ndonëse të pushtuara nga Perandoria Otomane prej shekujsh kishin Zot, që nuk kishin mundur ta “vrisnin” kurrë…
Pak histori për Vraninën Ishulli i Vraninës ka ekzistuar të paktën që 2500 vjet më parë. Këtë e dëshmojnë mbetjet arkeologjike të zbuluara shumë më parë, por edhe gojëdhënat e trashëguara deri sot të cilat na dëshmojnë se në ishullin e Vraninës kishte dy tempuj. Tempulli i parë është ai i Teutës (mbretëreshës ilire) dhe tempulli i dytë quhej “Rrasa e Yllit të Bardhë”. Tempujt ndodheshin në dy kreshta të Vraninës, dhe çdo pranverë banorët vendas dhe të zonave përreth liqenit (Shkodrës) ngjiteshin atje dhe thernin bagëti duke i bërë fërliq (kurbane), duke festuar kështu ardhjen e pranverës. Këto rite u përkisnin riteve pagane që u trashëguan edhe deri vonë pas lindjes së doktrinës kristiane, që vraninasit si gjithë ilirët e tjerë e përqafuan pa mëdyshje. Emri Vraninë deri në pushtimin otoman (1478) nuk ekzistonte, ishulli kishte emrin “Syni i Liqenit”, ku thuhet se ka ekzistuar një qytezë mjaft e zhvilluar, që mendohet se ishte pjesë e Hotit të hershëm. Në këtë qytezë ka gojëdhëna se kanë banuar përkohësisht edhe prindërit e Perandorit romak me origjinë ilire, Dioklecianit. Emri Vraninë mendohet se ka zëvendësuar emrin “Syni i Liqenit” kur hordhitë aziatike sulmuan e shkatërruan këtë qytezë 2000 vjeçare. Përveç dëmeve të ndërtimeve e qytetërimin në këtë qytezë u vranë aq shumë banorë (që mbronin këtë truall shqiptarie) sa filloi të quhej “Syni i Gjakut”. Vrasjet e tmerret vazhduan nga ky pushtues edhe pas pushtimit, por mbi të gjitha u bë qendër ku otomanët grumbullonin e vrisnin të gjithë kundërshtarët e perandorisë, qofshin këta shqiptarë e tjerë ballkanas. Ky vend tashmë filloj të njihej me emrin e vendit ku vriteshin njerëz, madje për shkurt thuhej Vra-njerëz, deri sa mori trajtat e emrit të bashkuar Vanierz, që dalëngadalë shkruesit osmanë, që në përgjithësi paguanin si të tillë rrogtarë sllavë (shkje) e transformuan në emri e njohur Vraninë, duke i dhënë kështu trajtat e një fjale sllave, që më vonë fqinjët malazezë e përdorën si argument për t’i mbushur mendjen Europës plakë se ky ishull strategjik u përket atyre, që gjoja turqit ndër shekuj e kishin “shqiptarizuar”. Ishulli i Vraninës ishte një vend i mrekullueshëm për banorët në të gjitha stinët, ku verimi kishte vlera të mrekullueshme klimaterike. Gjithashtu ishte një vend i përshtatshëm peshkimi dhe pikë kontrolli e “garnizoneve” ushtarake të liqenit dhe zonave përreth… Natyrisht edhe pushtuesi otomanë e shfrytëzoi këtë ishull si “pikë” ushtarake me rëndësi, duke bërë edhe ndërtimet përkatëse…
Lufta e Vraninës Shekulli i 19-të me zhvillimet e tij futi shqiptarët më shumë se asnjëherë në mes dy zjarresh: perandorisë pushtuese otomane dhe rizgjimit të lakmive grabitqare të fqinjëve sllavë. Perandoria aziatike në shekullin e 19-të në fakt ishte futur për vete në mes shumë zjarresh, si luftërat çlirimtare të popujve që kërkonin lirinë dhe fuqive europiane që ishin rrezik i përhershëm për shembjen e saj. Në këto kushte aziatikët filluan të lëshojnë mjaft nga kërkesat e Europës plakë… Rusia, si një ndër fuqitë e mëdha mbështeste fuqishëm vëllezërit e vet, sllavët e Ballkanit dhe fqinjët e shqiptarëve, për të zgjeruar territoret e tyre nga pjesët e majme të “Turqisë” europiane, që në fakt ishin troje të Shqipërisë etnike. Në këto kushte malazezët fqinjë kërkuan të përfitojnë sa të mundnin troje nga trevat e Shqipërisë Veriore e Veriperëndimore. Pikërisht për të realizuar këto synime grabitqare në qershor të vitit 1862 malazezët ia kishin vënë syrin ishullit strategjik e të mrekullueshëm të Vraninës. Përgatitjet ushtarake dhe ndihmat nga Rusia për Kral Nikollën ishin realizuar dhe nga çasti në çast pritej sulmi mbi Vraninë, por për këtë duhej të gjendej “shkaku”, që natyrisht u sajua pa u vonuar… Shkaku ishte banal dhe thuhej se gratë e shkjeve që banonin në një fshat jo shumë larg Vraninës, kur shkonin në gjini të tyre në një fshat tjetër ushtarët (rojet) kufitare të Vraninës i plaçkisnin dhe i dhunonin, ku për ta paraqitur me nota sa më realiste po citoj pak rreshta nga libri “Shkodra dhe Motet” të H. Bushatit, vëll. I, fq. 512, ku ndër të tjera lexojmë: “… Vendasit e Lesendrës (Leshandrës, N.B.) me ata të Liubotinës kishin krushqi në mes tyre, kur shkonin në gjini, në kthim përcilleshin me perpeqe për në shtëpitë e veta. Në këso rastesh disa ushtarë të Oso Kukës ua merrnin perpeqet grave që po ktheheshin në shtëpitë e veta. Këtë vepër të shqiptarëve burrat e këtyre familjeve e konsideronin çështje nderi… Për malazezët ishte një pretekst çështje e perpeqeve të rrëmbyera prej shqiptarëve, qëllimi kryesor i tyre ishte pushtimi i Vraninës, sepse ishulli i Vraninës ishte i ndarë pothuajse krejt prej Shkodre…”. Në fakt sipas dokumenteve të kohës mendojmë se Oso Kuka në atë kohë ishte komandant i rojeve kufitare dhe për ankesën e Liubotinasve kishte marrë masat e nevojshme të mos përsëriten kurrë më, ndonëse ky mund të kishte qenë edhe ndonjë “improvizim” i vetë malazezëve… Sidoqoftë malazezët fillojnë plaçkitjet dhe raprezaljet mbi popullsinë e Vraninës. Rojet kufitare dhe vendasit e kishin të pamundur të përballojnë cubat dhe ushtarët malazezë. Avdi Pasha (sundimtari i Shkodrës që thuhe se ishte nip i derës së Karagjeorgjeviçëve të Beogradit) nuk kishte ndërmend të dërgonte ushtarë të Perandorisë në mbrojtje të Vraninës, por thërret në Shkodër Oso Kukën dhe i thotë se tash që ti je këtu, malazezët e Kral Nikollës me në krye Vulo Serdarin në Vraninë po vrasin, presin e bëjnë kërdinë, ndërsa nuk paska asnjë shqiptar që shkon për t’i dalë zot këtij vendi… Këtë “situatë” dramatike në mes komandantit trim shqiptar Oso Kukës dhe Avdi Pashës (sundimtarit të Shkodrës) po e paraqes me vargjet e mrekullueshme të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta e Malcisë”, vargje që nuk kanë nevojë për asnjë koment: “Zot, ç’ka thanë njaj Avdi Pasha: paska mbetë Shqipnia n’vasha, qyshë se s’leka mbrendë nji djalë, n’atë Vraninë mue sot me m’dalë, n’atë Vraninë, n’atë t’zezë terthore, ku mben shkret sa armë mizore, ku mben djerrë sa tokë gratçore, ku mben vathnat pa bagëti, veç prej cubave të Malit t’Zi, që po vrasin djelmtë e ri, që po marrin lopët me viça, që po presin dhentë me ogiça, që po djegin kulla e stane, e po thajnë kaq zemra nane! …………………………………….. Oso Kuka paska ndi: paska ndi, po, e kenka idhnue; … Por i urti kurr nuk ngutet prej burrnisë e jo prej tutet, … Avdi Pashë, tha ma kadalë mos e thuaj dy herë atë fjalë, se për Dinë e për Imanë, t’baj që t’kjajnë e zeza nanë… … Avdi Pasha kenka çue Osos dorën ka shterngue, aferim, bre ti Oso Kuka se ty t’thotë fjala dhe duka, që ke le një sokol mali zgjidh ku t’jetë pika e djalit…” Dhe vërtet Oso Kuka zgjodhi djem trima e pikë sokolash, nga Shkodra, Mirdita, Dukagjini e veçanërisht nga Malësia e Madhe, çeta që krijoi ai thuhej se ishte me 40 vetë që vetëm me i pa dukeshin duhi mali që nuk kishte djalë shkine me u dalë përpara. Ja si i përshkruan At Gjergj Fishta tek “Lahuta e Malcisë”, këta trima që po niseshin në drejtim të Vraninës që me siguri i priste lufta e vdekja e jo dasma: “… Oso Kuka n’jelek arit, pash e m’pash po i bjen pazarit, ngjitë pas tij vjen shpata e dekës, Soko Tona i Gurit t’Lekës… … Mbrapa i shkon qa’i i biri i t’mirit Taro Pëllumbi i Jegumirit. Mandej vinë dy re mizore, dy djelmoça prej Zagore: Kaçel Doda e Kerni Gila, Rritun mocë si karajfila… … Po a thua e njeh njatë kimezi, që e ka ballin si sini, që e ka synin si duhi që i ka shpatullat si ari? Ai asht Çoku i Mar’Kol Dinit prej Kabashit t’Dukagjinit… … danë ma në shej njaj Jup Qehaja, Galo Keqi e Sinanaja, Vuksan Gjeli e Met Zeneli, e ndër t’gjith porsi hyllë drite, Preng Markola prej Mirdite…” E kështu me rradhë të gjithë trimat që u nisën për Vraninë ishin më të zgjedhurit e të zgjedhurve nga trevat veriore të Shqipërisë, të cilët justifikuan para atdheut detyrën e shenjtë në mbrojtje të çdo pëllëmbe truall të Shqipërisë etnike, e konkretisht të Vraninës historike… Në këtë luftë të shenjtë morën pjesë edhe qindra trima të tjerë malësorë e më gjerë, ku vlen të theksohet trimëria e malësorëve të Hotit e Grudës që në muajin maj (1862) kishin arritur të prisnin 30 koka shkjesh e t’i binin në Shkodër, si shenjë trimërie e qëndrese në mbrojtje të trojeve shqiptare që shkjau po i lakmonte, por edhe po i “paguante” mjaft shtrenjtë. Gjithsesi Mali i Zi ishte tashmë “shtete” që Turqia i kishte njohur pavarësinë dhe vëllezërit serbë e veçanërisht ata rusë po i gjindeshin pranë në synimet grabitqare. Mali i Zi kishte një ushtri të organizuar në numër të konsiderueshëm dhe një teknikë luftarake mjaft moderne për kohën, ndërsa shqiptarët një organizim gati “spontan” që shteti turk më shumë i pengonte se i ndihmonte, i vetmi “element” që organizonte shqiptarët ishte atdhedashuria, amaneti i të parëve për liri e mvehtësi, kushtrimi i trojve tona që ishin të tejngopura me gjak shqiptarësh ndër shekuj… Megjithë qëndresën e pashoqe të shqiptarëve, Vranina po binte në duart e malazezëve, në këto momente tragjike trimi Oso Kuka, së bashku me rreth 30 burra kishin kaluar në mbrojtje duke hyrë në kullën e barotit. Kulla u rrethua me rreth 3000 ushtarë e oficerë malazezë, thuhet se kësaj ushtrie i printe vetë (Princi) Kral Nikolla. Lufta u ndez në mes qëndrestarëve të rrethuar shqiptarë dhe malazezëve, të cilët u bënin thirrje të dorëzoheshin luftëtarëve me në krye Oso Kukën, por trimat luftonin si luanë, në çdo frëngji e cep të kullës. Oso Kuka, megjithëse u plagos, qëndronte dhe u jepte kurajo shokëve që tashmë i priste vdekja e sigurtë. Populli për këto momente tragjike “ruan” në kujtesën e tij vargjet brilante popullore që ia atribuon se i këndon me lahutë njëri nga luftëtarët e kullës, ndonëse ishte i plagosur: … Një grusht trima në Vraninë Osmanllisë nuk duan t’ia dinë, Luftojnë me Knjaz e me Mbret, Me nderë e besë për trual të vet… Në këto momente municioni po u mbaronte, luftimi trup më trup ishte i pamundur, atëherë Osoja me shokë vendosi të hedhë në erë kullën e barotit, ku do të hidhte në erë jo vetëm veten me shokë, por qindra malazezë. Kështu malazezëve do t’u jepte një mësim të mirë se tokat shqiptare nuk lëshohen pa e paguar me gjak, ndërsa trimat shqiptarë nuk dorëzoheshin kurrë të gjallë, por do të vdisnin kur ta lanin veten dhjetra herë. Pasi Osoja “lejoi” që kulla të kishte rreth saj dhe tek dera sa më shumë malazezë, barotit ia vuri flakën, kulla shpërtheu duke marrë me vete rreth 200 ushtarë e oficerë malazezë që së bashku me vetë shqiptarët trima u bënë copa-copa duke u shpërndarë në trual të Vraninës dhe në ujërat e liqenit. Shtëllunga e tymit dhe e flakës u pa deri në sarajet e Cetinës dhe Shkodrës, ndërsa shpërthimi u dëgjua edhe më larg deri tek pallatet e kralnive të Europës plakë, duke u treguar se trojet shqiptare kanë zot, që nuk i lëshon deri sa mbi to të kenë këmbë shqiptari. O Zot, pas kësaj qindra nëna, motra, gra, fëmijë e baballarë u veshën në zi, në Mal të Zi u veshën jo vetëm me rroba të zeza, por edhe me shpirt të zi e zemër të zezë, ndërsa shqiptarët u veshën vetëm me “ruba” të zeza, por me zemra e shpirtra krenarë për bijtë e tyre që i dilnin zot Atdheut…
Emrat e pavdekshëm të heronjve legjendarë të Vraninës Oso Kuka, lindi e u rrit në Shkodër. Për prejardhjen e tij ka dy versione: i pari thotë se ishte nga Kukësi, i dyti thuhet se ishte nga Marsheji i Malësisë së Madhe, madje për këtë kastratasit krenohen edhe sot… Salë Behri, nipi i Oso Kukës shkruhet se ishte fare i ri, 15-16 vjeç. Musa Golemi, Met Begoja, Ibrahim Kopliku, Pjetër Berisha, Jusuf Bushati, Met Mala, Sadik Lapi, Myrto Zylfoja, Ferid Hoti, Sinan Kerni, Gjergj Cemi (Grudjani), Avdi Hisa, Taro Pëllumbi, Met Zeneli, Vuksan Gjeli, Galo Keqi, Çok Mark Kola (Dini), Preng Markola, Soko Tona dhe dy “retë mizore” prej Zagore (Malësisë së Madhe), Kaçel Doda dhe Kerni Gila, ku malësorët edhe sot jo vetëm krenohen për këta dy heronj, por me kreni tregojnë edhe trojet ku kanë lindur… Në mundëm të sigurojmë vetëm këta 23 emra, që i siguruam nga disa materiale historike si “Shkodra dhe Motete”, v. I, të H. Bushatit, “Oso Kuka”, të S. Krasniqit (roman), “Lahuta e Malcisë” të At Gj. Fishtës, si dhe gojëdhënat që qarkullojnë edhe sot në Malësi e në Mal të Zi, ku vlen të theksohet vepra e “humbur” e Vojvodës malazez Mark Milani, “Kujtime nga lufta”, ku kuçianë të vjetër edhe sot kujtojnë këtë vepër që citonte nga fillimi i saj emrat e trimave zagorianë (Kaçel Doda e Kerni Gila) që ishin ndeshur sa herë në dyluftime me trimat e Malit të Zi… Interesant është fakti se regjistrat e famullisë së Shkrelit që u shkatërruan në çmendurinë e komunistëve në vitet 1967-1968, shënonin emrat e dy zagorianëve si të vrarë në Luftën e Vraninës (qershor 1862), por që tashmë mjerisht këto materiale historike nuk ekzistojnë… Lufta e Vraninës vërtetoi edhe njëherë (si qindra herë) se shqiptarët ndonëse ishin me “besime” të ndryshme fetare, kishin vetëm një besim, për t’i dalë zot atdheut, qoftë edhe me sakrificën më sublime, së bashku si shqiptarë që i bashkon shqiptaria… Duke e mbyllur këtë shkrim përkujtimor me rastin e 142-vjetorit të Luftës së Vraninës për të nderuar sadopak heronjtë e pavdekshëm që “tronditën” Europën plakë, dhe i zbardhën faqen shqiptarisë, unë nuk po mundem të gjej fjalë më lapidarë se sa vargjet e Poetit Kombëtar, At Gj. Fishta (“Lahuta e Malcisë”), ku për këta heronj të Vraninës “këndon”: “… Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina, butë u kjoftë moti e stina, aklli, bora e serotina e deri t’këndojnë n’mal ndo’i Zanë, e deri t’ketë n’dete ujë e ranë, der’sa t’shndrisin diell e hanë, ata kurrë mos u harrojshin, n’kangë e n’valle por u këndojshin. E njaj gjak që kanë dikue, bane Zot që t’jesë tue vlue per m’i nxe zemren shqiptarit, për kah vendi e gjuha e t’parit…” Mjerisht, megjithë qëndresën, luftërat e gjakun e derdhur ne shqiptarëve ndër mote na është dashur të “lëshojmë” troje (si ndodhi edhe me Vraninën), por shpresojmë kurrë zemrën dhe ndërgjegjen kombëtare… Ndue Bacaj
Zhvillimi i kulturës dhe artit kërkon vlerësim Historikisht kultura dhe arti kanë njohur zhvillime e nivele kur janë trajtuar me dashuri e dashamirësi, kur janë ndihmuar dhe vlerësuar. Që në Romën e lashtë, dymijë vjet më parë, pranë Perandorit Oktavian August na vjen emri i Mecenes, njeriut fuqiplotë që mblodhi rreth vetes dijetarë, poetë, artistë, talente të reja, që gjenin tek ai mbështetje mbretërore. Pranë tij lulëzoi arti i madh i Virgjilit, Horacit, Propecit etj., duke fituar kështu ai pavdekësinë si mbrojtës i artistëve. Ndaj edhe sot kur flitet për domosdoshmërinë e mbështetjes dhe ndihmës për kulturën e artin, thuhet se ato bëhen me “mecene”, me “mecenat”. Kështu ka vazhduar historikisht të zhvillohet arti deri në ditët tona. Ngjau kështu edhe tek ne, në periudhat nga më të ndryshmet të historisë së vendit. E, edhe në pesëdhjetëvjeçarin e fundit komunist, kur partia-shtet shpenzoi shumë për ta zhvilluar artin e kulturën, natyrisht në drejtimin e saj të interesuar socialist, duke e vënë atë në shërbim të ideologjisë së saj sunduese. Po sot, çfarë bëhet për të ndihmuar artin, tashmë të lirë, të çliruar nga dogmat e diktatet, me qëllim që ai të kthehet në objekt e subjekt i demokratizimit të jetës së vendit? Kemi përshtypjen se pak, shumë pak. Nëse ngjet kështu, nëse kjo është e vërtetë, në instancë të fundit kjo rezulton mungesë vlerësimi për kulturën e artin në Shkodër. Po si është e mundur të ngjasë kjo në Shkodër, në metropolin e kulturës, në qytetin që të imponon që, sa herë përmenden emra të mëdhenj të kulturës e shkencës shqiptare të të shkojë mendja tek Shkodra dhe sa herë përmendet Shkodra mendja të të shkojë tek këto personalitete? Sepse Shkodra i dha pandërprerje emra të ndritur kulturës shqiptare. Kjo përbën një pikë nevralgjike ku duhet ndaluar seriozisht. Shkodrës nuk duhet t’i mungojë vlerësimi për kulturën, ndihma e gjithanëshme për zhvillimin e saj të mëtejshëm. Aq më shumë nëse ajo pësoi në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë denigrim, mohim, mënjanim, shkatërrim tendencioz, të paprinciptë e të pashembullt që i bënë vlerave të saj bashkëkombas të vet. Jo rastësisht Shkodra përcjell në mbarë vendin tradita të shkëlqyera. Trualli e shoqëria e saj i ka lindur e zhvilluar gjithnjë ato. Sado të përpiqen t’i ndërpresin vitalitetin, ta pengojnë të nëpërkëmbet, ajo ngrihet e do të ngrihet, falë bijve të saj, aftësisë e talentit të tyre që kurrë nuk i kanë munguar e as do t’i mungojnë Shkodrës. Por kërkohet organizim i mençur, vlerësim në nivelin e asaj sentence që vlerëson se ringritja e rimëkëmbja e një vendi fillon nga kultura. E kush më shumë se Shkodra e lënë pasdore ka nevojë për këtë rimëkëmbje? E, kur rimëkëmbja kushtëzohet nga kultura, kush më shumë se Shkodra e ka të mundur atë, falë traditës së madhe të vjetër e të re kulturore? A nuk jemi ne qyteti me universitetin më të madh pas Tiranës. A nuk jemi ne qyteti ku po shpërthejnë përsëri talente të mëdha në fushat e krijimtarisë dhe interpretimit? Kush merret me to? A ka politika të qarta kulturore në institucionet shtetërore që drejtojnë e ato të kulturës që zbatojnë? Por e vërteta duhet parë në sy. Nëse nuk duam të fshihemi a t’i bëjmë qejfin vetes, apo më keq të ngopemi me lugë bosh, le të përballemi me disa fakte. Ku është Filarmonia e Shkodrës? Ku janë koncertet e shquara sinfonike, vënia në skenë e operave e kantatave e veprimtarive muzikore, koncertet e mëdha festive apo vokale e instrumentale, koncertet me këngë të reja popullore, festivalet e këngës në Shkodër, ku është Ansambli i Këngës e Valles Popullore, ku janë formacionet e Shkollës së Mesme Artistike “Prenkë Jakova” e të tjera veprimtari që e kanë rreshtuar Shkodrën në majat e artit shqiptar në çdo ballafaqim që është bërë në shkallë kombëtare? A është teatri ynë i dramës në nivelin e vazhdimit të traditës së madhe e jo të largët të Teatrit “Migjeni”? Pa gabuar të bëjmë krahasime në kohë e pa i dhënë shkas “modernistëve” të na akuzojnë se nuk marrim vesh nga zhvillimet bashkëkohore të dramës, a i kemi sot nivelet e shfaqjeve të “Kopracit”, “Historia e Irkutasë”, “Toka jonë”, “Fisheku në pajë”, “Këshilli i ndrikullave” e deri tek “Gjaku i Arbërit” e mjaft të tjera shfaqje që i dhanë Shkodrës kaq e kaq Artistë të Popullit e të Merituar e qytetit të së parës shfaqje teatrale 125 vjet më parë madhështinë e Teatrit të madh “Migjeni”? Po humori i kultivuar shkodran, ai i trupave të humorit e deri tek bejtat e gazetave lokale a është ai që i ka dhënë emrin Shkodrës së humorit? Si shpjegohet paradoksi i niveleve të larta të humorit në diktaturë (se Shkodra ka ditur gjithnjë të bëjë humor) dhe i varfërisë së sotme të tij në kohën e lirisë së fjalës? A mund t’i shmangen disa drejtues institucionesh faktit se nuk po dinë të rivënë në efiçencë mjaft pena të njohura humori që kanë dhënë aq shumë e që s’ndjehen më, apo për stimulimin e të rinjve që nuk po shihen sa duhet në fushën e letrave a të skenës? I kanë ikur shumë të mëdhenj skenës së humorit shkodran, por Shkodra deri para pak vitesh nuk e ka ndier largimin e tyre se ka “mbushur radhët” me talentet e reja. Përse nuk ngjet sot kështu? Kush janë aktorët e teatrit të dramës dhe estradës në të afërtat vite të ardhshme? Në ç’gjendje janë monumentet e kulturës dhe sa e si përfaqësohet përmes tyre historia e Shkodrës? Sa rrugë, oborre, shtëpi karakteristike shkodrane, sa shtëpi-muze janë zhdukur në vite, biles duke mos u përfillur ligjet në fuqi? Cili është kujdesi e mbrojtja e monumenteve të kulturës të shpërndara në rreth, kur në mes të Shkodrës nuk jemi në gjendje t’i ruajmë e t’i mbrojmë? Ç’bëhet me bustet, monumentet e simbolet dhe a ka studime se ç’do të bëhet me to për t’i rivlerësuar, për t’i rikrijuar e për t’i mirëmbajtur? Gjendja skandaloze e tyre është shprehje antikulturë e mungesë respekti për simbolet e kombit? Cili është niveli i vërtertë i medias elektronike shkodrane dhe i asaj të shkruar e a i përgjigjet ky i fundit Shkodrës së dikurshme të 13 gazetave e revistave, kur më e shpeshta gazetë në Shkodër del vetëm njëherë në dy javë? Është për të ardhur keq, por në këto 13 vite të zhvillimeve demokratike janë të pakta fushat a drejtimet e artit dhe kulturës ku të jenë siguruar orientim, drejtim, ndihmë, përkrahje, mbështetje e ku të jenë arritur nivele. Le të kujtojmë e respektojmë këtu lëvizjen dinjitoze korale të këtyre viteve, numrin e kënaqshëm të shtëpive botuese, shtimin e forcave krijuese në letërsi e botimet e shumta të tyre në gjini të ndryshme letrare, por edhe përpjekjet, pak të mbështetura te disa instrumentistë për jetë më të gjallë koncertale, e po kështu të artistëve figurativë. Më tej, me ndonjë përjashtim e ke të vështirë të shkosh. E, edhe këto falë kryesisht nismave e angazhimeve personale të mjaft forcave të gjalla krijuese që nuk i mungojnë Shkodrës dhe që kanë ditur të gjejnë veten në kushtet e reja të zhvillimeve tona ekonomiko-shoqërore e ku, pak e aspak ndihet dora organizuese e institucioneve shtetërore e kulturore. Nuk mohojmë këtu shumë aktivitete që janë bërë, flasim për nivele e arritje të ndjeshme në fusha të ndryshme të artit e kulturës shkodrane e për çuarje më tej të traditave të mëdha, për t’i dhënë Shkodrës shkëlqimin që i takon. Defiçitet janë të dukshme, shqetësimi shkodran është i madh. Kush duhet të preokupohet për këto? A janë ngritur këto shqetësime në nivelin e preokupimeve e angazhimeve në institucionet e deri në Bashki? Mbi çfarë politikash kulturore ndërtohet puna e me çfarë instrumentesh e mekanizmash operohet? Cilat janë fushat prioritare e objektivat që vihen për t’u arritur? A duhet të njihen këto në opinionin shkodran, me qëllim që i gjithë komuniteti të ndërgjegjësohet për to si objekt e subjekt i transformimeve që kërkohen? Le të ndalemi pak tek puna me librin, bibliotekën. Aspak me pretendimin për të ezauruar këtë temë të madhe, por vetëm ndonjë aspekt të saj, sidomos edhe për faktin se është humbje e madhe, do të thosha kombëtare ftohja e gjeneratave të reja me librin, këtë mjet të pazëvendësueshëm nga asnjë burim tjetër dijeje e informacioni. Në fondet e Bibliotekës së Shtetit nuk thithen gjithë titujt e librave që dalin nga shtypi. Ne e quajmë eveniment futjen në fonde, bie fjala të Antikuarit të ndonjë vepre e ndërkohë në ditët tona kalojnë dhjetra tituj pa u tërhequr. Nëse tek ne kërkohen nga subjekte të ndryshme të mbështeten veprimtari, ky kontribut duhet të jetë i pashmangshëm nga entet botuese. Ky tek ne nuk është sponsorizim, ky është detyrim ligjor, që nëse nuk respektohet nga shtëpitë botuese, ndaj tyre duhen marrë sanksione. Nga paaftësia menaxhuese e punës me librin nuk duhet privuar biblioteka nga pasurimi me fondet e reja të librave që botohen. Seleksionimin e vlerave të librave e bën tregu përmes niveleve cilësore e mbijetuese a interesit ose jo të lexuesit e blerësit për librin. Shtëpitë botuese do të ishte mirë të kishin kritere të rrepta nivelesh artistike e jo vetëm interesi i të ardhurave. Ndërsa biblioteka nuk është hallkë e çensurës për librin, ajo nuk duhet të përzgjedhë fondet, por t’i thithë ato. Nivelet Biblioteka duhet t’i kërkojë në veprimtaritë me librin. Këto duhet të kishin vlerë të madhe për t’i dhënë Bibliotekës dimensionet e një institucioni të vërtetë shkencor, ku rrihen mendime e zhvillohen debate mjaft problemore që preokupojnë sfera të ndryshme të shkencës e për t’i vënë ato në dobi të zhvillimeve ekonomiko-sociale të Shkodrës që ka nevojë për kontributin e të gjithëve. Do të ishte me vlera të pallogaritshme shndërrimi i institucionit në terren, ku merr jetë mendimi i vjetër dhe i ri shkencor, ku të evidentohen figurat më të shquara të mendimit intelektual e shkencor shkodran, në kundërshtim edhe me mendimin frenues e dashakeq se në Shkodër nuk ka intelektualë e për të ndikuar e ndihmuar kështu në rritjen e përmasave të kontributit të tyre në zhvillimet mbarëshkodrane. Ka një problematikë të gjerë fushash e drejtimesh të ndryshme që pret të trajtohet e debatohet, për të ardhur që aty deri në hartime projektesh e ekipesh serioze zbatuese. Të tilla përmasa nuk i takon të marrë vetëm Biblioteka, por edhe institucionet e tjera si Qendra Kulturore, Muzeu Historik, Qendra e Monumenteve të Kulturës e më tej dhoma, fondacione e shoqata që kaq shumë i dëgjojmë të flitet e që kaq pak i shikojmë të veprojnë a më drejtë t’i shohim në kontributet e tyre për Shkodrën. Le të jetë Shkodra, zhvillimi shkodran, kontributi për këto matës real i efektivitetit të punës së institucioneve. Ka ardhur koha që sedra shkodrane të marrë më në fund në dorë Shkodrën e të mos mbetemi vetëm në veprimtari të vogla, të mbyllura, pa bukë që kanë vlerë vetëm për t’u fshehur disa pas statistikave. Le t’i shikojë Bashkia institucionet me këto kritere kërkesash, le t’i vlerësojë ajo ato e drejtuesit e tyre mbi këto baza. E më tej ajo, Bashkia, le t’i bëjë jehonë këtyre studimeve, të reflektojë e t’i mbështesë ato, zyrat e saj të kthehen në departamente krijuese e më tej zbatuese e organizuese, le t’i inkuadrojnë ato këto studime, këtë mendim intelektual e shkencor në projekte serioze për angazhime serioze, të tilla që shënojnë stade të reja, të ngritura dukshëm për Shkodrën. Duhet ta pranojmë se nuk ndjehet në këto përmasa kjo frymë në institucionet e Shkodrës. Nuk janë të tilla as ekzigjencat e organeve shtetërore që drejtojnë e emërojnë drejtues. Më e rëndomta barrikadë e parë që del kur përballesh me institucionet është fjala “nuk kemi para, nuk na mbështesin me fonde”. Pa mohuar të vërtetën e këtyre thënieve si dhe kudjesin më të madh që shteti duhet të ketë për kulturën, duhet t’i kujtojmë institucioneve e Bashkisë se reformat në institucionet kulturore artistike nuk janë zbatuar ende, se realizimi i këtyre reformave të pritshme do t’i vërë akoma më shumë në vështirësi për sigurimin e financimeve që do të mbështeten në radhë të parë tek efektiviteti e niveli i prodhimit të tyre artistik e kulturor. Ndaj është koha e menaxherëve të aftë, e atyre që dinë të orientohen në rregullat e ekonomisë së tregut, që dinë të ngrejnë efektivitetin e nivelet e punës e prodhimit të tyre si rrugë, mjete, shtigje për të siguruar mbështetjen e veprimtarive. Edhe problemi i sponsorizimeve duhet parë me një mendësi më ndryshe. Institucionet e skenës, shfaqjeve e spektaklit në një të ardhme të afërt mbështetjen do ta sigurojnë vetë përmes niveleve e tërheqjes së madhe të interesit të spektatorit. Nuk shkohet më tek sponsorët për të lypur një shumë lekësh se duam të bëjmë një iks aktivitet. Më e pakta duhet të shkojmë me projekte serioze, të tilla që të bindin se ç’arritje i sjellin Shkodrës, të tilla që prekin sedrën shkodrane të tyre. Vetëm kështu sponsorët, duke u bindur për vlerat e duke i ndjerë realisht ato do të sponsorizojnë në vijueshmëri. Vetëm kështu ato do të ndjejnë se kontributet e tyre po ndihmojnë vërtet Shkodrën dhe se në arritjet shkodrane shohin edhe pjesën e tyre të kontributit. Veç ndihmës qytetit të tyre ato shohin direkt a indirekt edhe ndikimin në krijimin e një klime të përgjithshme zhvillimesh, çka është në favor të klimës së bizneseve. Është më se e kuptueshme se arritjet e mëdha të traditës shkodrane kanë patur në themel mbështetjen e madhe të mecenateve që nuk i kanë munguar Shkodrës. E, ashtu si traditat e mëdha, sado të luftohen, nuk mund të shuhen, përkundrazi gjallojnë e ridimensionohen, ashtu do të besohet se edhe mbështetësit nuk do t’i mungojnë institucioneve kulturore, artistike e shkencore. Mjaft që ato të drejtohen me kompetencë, me frymën e kërkesat e kohës, me sedër të madhe shkodrane nga menaxherë të kohëve të reja, ato që do të ngrejnë Shkodrën dora-dorës në nivelet e qytetërimit të saj. Marian Shestani
Gjendje tepër shqetësuese e mjedisit shqiptar Rio + 10, Shqipëria – 10 Xhemal Mato Në Johanesburg u zhvillua takimi botëror mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm që mblodhi dhjetra-mijëra vetë, që nga kryetarë shtetesh e deri te shoqatat joqeveritare. Një takim i parë, po kaq i rëndësishëm për mjedisin u bë në Rio de Zhaneiro, 10 vjet më parë, prandaj ky takim i dytë quhet dhe Rio + 10. Nëse do të ndodhte për çudi që kryeministri shqiptar i vitit 2020 të kthehej në kohë dhe të komunikonte drejtpërdrejt me qeveritarët dhe shoqatat mjedisore të ditëve të sotme, me siguri do të thoshte duke ulëritur: “Ju paraardhës shkatërrues, ç’na keni lënë për të jetuar? Një Shqipëri me toka të zhveshura nga erozioni dhe të mbuluar me beton. Zona pyjore pa pemë. Ajër të helmuar që u shkakton kancer qindra vetëve çdo vit. Ujë të ndotur që s’pihet dhe burime të thata. Ku janë zogjtë, peshqit, kafshët e egra që ka pasur vendi ynë? Ku janë plazhet, lagunat, lumenjtë, liqenet, parqet, pyjet? Me çfarë burimesh natyrore duhet ta zhvilloj unë ekonominë? Përse unë duhet të paguar pasojat e veprimeve tuaja të gabuara para 20 vjetëve? Nga ethet e fitimit dhe të pushtetit, si të çmendur i shkatërruat të gjitha, duke harruar se pas jush, në këtë vend do të jetonim dhe ne, pasardhësit tuaj.” Por në vend të kryeministrit të sotëm, do të përgjigjej me kompetenca të plota Ministri i Mjedisit, z. Xhuveli, i cili di shumë mirë të shpëtojë nga këto përgjegjësi dhe aq më tepër që ka në dorë një Raport Kombëtar Vlerësimi të zhvillimit të qëndrueshëm të cilin e paraqiti në Samitin Botërore në Johanesburg: “Ne jemi optimistë për të adhmen – do të fillonte mbrojtjen z. Xhuveli, duke lexuar pjesë nga raporti – “sepse ka shumë fakte të dhjetëvjeçarit të fundit që na bëjnë ta vlerësojmë pozitiv progresin e bërë deri më sot” Dhe më poshtë: “Që nga viti 1992 janë miratuar një sërë strategjish zhvillimi për sektorë të rëndësishëm të ekonomisë me ndikim të rëndësishëm në mjedis” “Shqipëria është palë në 14 konventa ndërkombëtare apo rajonale për mjedisin” “Zhvillime pozitive ka patur në pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen për mjedisin” “Një varg projektesh mjedisore nga donatorë të huaj, që arrijnë në 8 milionë Euro janë shpenzuar në fushën e mjedisit” Këto janë disa nga pikat pozitive që u raportuan për Shqipërinë, në takimin më të madh të botës në fushën e mjedisit, në Johanesburg dhe ku morën pjesë kryetarët e shteteve të tërë botës. Ky është një raport që mund të kalojë shumë kollaj në një takim të tillë, madje dhe para publikut shqiptar (megjithëse s’është publikuar ende), por jo para kryeministrit shqiptar të viteve 2020, i cili do të ketë një inventar të saktë të pasurive natyrore që do të ngelin dhe të problemeve mjedisore që do të trashëgohen. Madje edhe për ne këto pika janë shumë pak ngushëlluese, sepse në realitet ne po vuajmë një “raport” tjetër mjedisor në kurrizin tonë, një realitet që na përplaset çdo ditë në fytyrë. Le ta fillojmë nga Tirana, kryeqyteti shqiptar, që sipas Institutit të Shëndetit Publik është “më i ndoturi në Europë, nga ajri, uji e toka, bloza, lëndët e grimcuara, oksidet e deri te plumbi”. Treguesit për ajrin janë përtej të gjitha normave të lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sakaq, Lana, përroi që përshkon metropolin shqiptar është renditur ndër më të pistët, përsa u takon shkarkimeve urbane. Nga monitorimi 1-vjeçar i ndotjes së Tiranës del se: Ajri i Tiranës përmban 350 mikrogram për metër kub lëndë të grimcuar squfuri, më shumë se dyfishi i normës së lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë; Bloza është në nivelet 140 mikrogram për metër kub. Niveli i përcaktuar nga OBSH-ja është 60 mikrogram; Gazet, oksidet e azotit, dioksidet e squfurit kanë prirje rritjeje. Tirana po prek nivelet maksimale të normave të lejuara. Por kemi edhe kryeqytetin më të zhurmshëm europian. Kryqëzimet rrugore brenda Tiranës kanë nivelin më të lartë të zhurmave. Kalohet me 10 decibel norma e OBSH-së. Le të shohim dhe përtej Tiranës: Fabrikat dhe mjediset që sëmurin dhe vrasin punëtorët me helmet e pakontrolluara të tyre. Ja disa prej tyre: Fabrika e këpucëve “Bama”, Fabrika e këpucëve Durrës, Metalurgjiku në Elbasan, Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, TEC-i i Fierit, etj. Në Korçë vetëm brenda një viti kanë vdekur 155 vetë. Sipas specialistëve të shëndetësisë, por edhe atyre të mjedisit, shkaku është pikërisht ndotja e këtij të fundit. Pyjet: “Zonat e Mbrojtura Natyrore në Shqipëri zënë rreth 10 për qind të fondit pyjor (ndërkohë që shtetet e tjerë e kanë më shumë se dyfishin) dhe prej disa vitesh nuk kanë pasur asnjë investim për mbrojtjen e tyre dhe të biodiversitetit në to”. Në Parqet Kombëtare pritet sikur të ishin zona pyjore në shfrytëzim. Në vitin 1997 u prenë në mënyrë të paligjshme 500 mijë metra kub. Në rrethin e Bulqizës janë prerë ilegalisht 7390 metra kub, në Pogradec 7320 metra kub, në Përmet 5220 metra kub, në Korçë 4220 metra kub, në Mirditë 3420 metra kub, në Laç 2200 metra kub, në Pukë 1170 metra kub, në Dibër 1650 metra kub dhe në Krujë 1160 metra kub. Duke iu referuar gjithmonë studimit të PNUD-it, nga 1.069 milion hektarë në vitin 1990, në vitin 2000 numëroheshin vetëm 0,991 milion hektarë. Zjarret kanë natyrisht pjesën e tyre në këto shifra. Sipërfaqet e djegura të pyjeve në vitin 2000 ishin 10 herë më të mëdha se shifrat e raporturr 10 vjet më parë.
Biodiversiteti 2 lloje bimësh dhe 4 lloje gjitarësh janë zhdukur plotësisht, ndërsa 17 lloje shpendësh nuk folezojnë më në territorin e vendit. Kanë humbur 50% të popullatës së tyre: 89 lloje shpendësh 27 lloje gjitarësh 6 lloje peshqish 4 lloje bimësh -Mjafton të kujtojmë që pelikani kaçurrel, në vitet ’60 në lagunën e Karavastasë numëronte afro 250 çifte, ndërsa sot ato janë më pak se 10 herë (në vitin 2000 numri i çifteve folenizues ka rënë në vetëm 22). -Kompania e telefonisë celulcare AMC nuk disponon asnjë leje për antenat celulare që ato kanë montuar brenda qyteteve. Më 1999, Këshilli i Europës vendosi kufizimet për ekspozimin e popullsisë ndaj fushave elektromagnetike (0 Hz deri në 300 GHz), Nr. 519, datë 12. 07. 1999. -Antenat me madhësi mbi 6 OM nuk lejohen të vendosen pranë komunitetit, gjë e cila është e ndaluar në të gjithë botën. Në Shqipëri ato vendosen ku të duan se mbrohen nga qeveritarët. -Shtyllat e tensionit të lartë të vendosura në bulevardin “Zogu i I”, tashmë zbulohen me probabilitet më të madh për të shkaktuar sëmundje kanceri dhe leucemie. -3 milion ton mbeturina kimike në Shqipëri janë helme të forta, rrezikojnë jetën e shqiptarëve. -Për shumë vjet Shqipëria është vendi ku grumbullohen pa kontroll mbetjet e rrezikshme. Në afërsi të fshatit Orizaj në rrethin e Beratit janë hedhur 21.900 ton mbeturina. Fakte të tilla janë të shumta, por… Por kemi një fushë që me të vërtetë duhet të jemi krenarë: Firmosjen e të gjitha Konventave ndërkombëtare për ruajtjen e mjedisit. Shqipëria figuron të ketë firmosur brenda këtyre 10 viteve të fundit mbi 15 konventa të tilla. “Shqipëria është palë në 14 konventa ndërkombëtare apo rajonale për mjedisin” deklaron në Johanesburg raporti i Ministrisë së Mjedisit. Emri i vendit tonë fillon me A dhe drejtuesit tanë janë të parët në këto lista dhe më të zellshmit për t’i nënshkruar ato, pa iu dridhur fare dora, sepse e dinë që asnjë s’ka për t’i kontrolluar edhe po nuk i respektuan. A nuk ishte një shkelje e konventave të ruajtjes së Detit Mesdhe (të cilat shteti ynë i ka firmosur) marrja e rërës në 10-15 m thellësi në detin e Himarës dhe shitja e saj në Greqi? Po Konventa e Arhusit (për të drejtat e publikut për informacion dhe pjesëmarrje në vendimet për mjedisin) që Parlamenti Shqiptar e miratoi në vitin 2000, a nuk u shkel po në të njëjtin vit në Himarë, ku banorët e bregut u detyruan të çohen për të mbrojtur rërën nga pushtetarët dhe qeveria në vend të shpjegonte përse vidhej rëra, dërgoi policët që të arrestonin ata që mbronin plazhet e vetme të bregdetit të Himarës? Apo në rastin e hidrocentralit të Bushatit për të cilin qeveria vendosi pa pyetur fare shoqatat mjedisore të Shkodrës, të cilat kanë një vit që argumentojnë përse nuk duhet të ndërtohet? Po Konventat pr ruajtjen e ligatinave a nuk u shkelën me brutalitet në rastin e lagunës së Nartës që është zonë e mbrojtur? Të gjitha shoqatat mjedisore ishin kundër mënyrës së dhënies së lejes, të gjithë banorët e Nartës bënë peticion në Parlament kundër, u mblodhën rreth 30.000 firma në të gjithë Shqipërinë kundër, Grupi Parlamentar i Shëndetit dhe Mjedisit e quajti të jashtëligjshëm vendimin, por qeveria vazhdoi ta bëjë veshin shurdh. Shpimi i pusit të naftës vazhdon qetësisht nga kompania kroate vetëm se mbrohet nga dy ministra. Por në raport, ka një tjetër argument “optimist” në ndihmë të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri: shoqatat mjedisore dhe edukimi publik: “Zhvillime pozitive ka patur në drejtim të edukimit dhe njohjes së publikut me problemet mjedisore dhe pjesëmarrjes së tij në vendimmarrjen për mjedisin, organizimit të lëvizjes mjedisore nga shoqëria civile dhe e organizatave jofitimprurëse për mjedisin”. Ka 76 shoqata mjedisore në Shqipëri. Por, vetëm tre prej tyre kanë nga një zyrë modeste dhe mbahen me ndonjë projekt nga fondacionet e huajal, pra me forcat e veta. Qeveria jonë nuk financon asnjë shoqatë qoftë edhe për të paguar të paktën qeranë e zyrës. Por, ndërkaq ajo bën demagogji me emrin e tyre, duke krijuar idenë se ato dëgjohen, respektohen dhe vlerësohen. Në të vërtetë, ndodh krejt e kundërta. Vendimet për hidrocentralin e Bushatit, për marrjen e rërës në Himarë, për shpimin e pusit të naftës në Nartë, për shitjen e ujit të Syrit të Kaltër e shumë të tjera janë marrë pa pyetur fare shoqatat, pa u dhënë atyre informacionin e nevojshëm dhe madje shpesh në konflikte të hapura me to. Madje, kur ndodh që një shoqatë kritikon një vendim të Ministrisë, menjëherë atë e futin në listën e zezë, duke e shpallur armike. Në këtë luftë për ekzistencë, lindin dhe ambientalistët servilë e shoqatat servile, të cilave s’u ndihet zëri në publik asnjëherë për asnjë problem mjedisor të Shqipërisë. Në raportin për në Johanesburg përmendet shifra 8 milion dollarë që janë dhënë për mjedisin, ndërkohë që monitorimet mjedisore nga organet e huaja tregojnë se mjedisi vjen duke u keqësuar. Çfarë do të ndodhte sikur mos të ishin dhënë këto 8 milion dollarë, mjedisi do të ishte më mirë apo më keq? Është vështirë të thuhet, por një gjë është e qartë, ky investim deri tani, nuk ka arritur ta frenojë degradimin e mjedisit në vendin tonë, pra zhvillimi brenda institucioneve që trumbetojnë zhvillimin e qëndrueshëm (këtu përfshihen dhe OJF) është jo vetëm i paqëndrueshëm por edhe me humbje. Këto dhe shumë raste të tjera tregojnë se qeveritarët tanë nuk e kanë seriozisht kur përgjërohen për shoqërinë civile dhe për ruajtjen e mjedisit, ndoshta sepse shumë prej tyre, hë për hë, nuk iu intereson kjo gjë dhe sepse shumë të tjerë nuk e besojnë që varfërimi i Shqipërisë vjen dhe do të vijë edhe nga fshehja e së vërtetës ekologjike. Dihet tashmë se problemet ekologjike po i brejnë ekonomitë e vrullshme të sotme, sikurse tumoret kanceroze shkatërrojnë një trup. Ka vite që shkencëtarët e kanë përcaktuar këtë diagnozë të ekonomive të çdo vendi dhe kanë sugjeruar një metodë të re zhvillimi që ka marrë emrin eko-ekonomia apo zhvillimi i qëndrueshëm, d.m.th. një ekonomi që fut në kosto problemet ekologjike, një ekonomi që nuk lejon të presësh dru sot dhe nesër mos të kesh një pyll për pasardhësit, një ekonomi ku të kapësh aq peshq sa të lejosh që nesër të kesh më shumë dhe jo më pak e kështu me radhë. Këto terma kanë filluar t’i përdorin edhe disa drejtues tanë, por me sa duket, vetëm për demagogji sepse në realitet veprohet ndryshe. Mjedisi shqiptar pas çdo viti bëhet më keq. Për të kuptuar në mënyrë figurative se sa i qëndrueshëm është zhvillimi i Shqipërisë mjafton të kujtojmë 1.700 ndërtesat e larta që, sipas Institutit Sizmiologjik, në tërmetin e parë të fortë do të rafshohen, ose mjafton të kujtojmë dhjetra-mijëra ndërtesa të tjera të ndërtuara pa leje, që u rrafshuan nga tërmeti ekologjik. Miliona dollarë shqiptarë u zhdukën, qindra-mijëra dollarë të shtetit u shpenzuan për pastrimin dhe rikthimin e mjediseve të mëparshme. E vërteta shqiptare në fushën e mjedisit përmblidhet në thënien e përvitshme: “Këtë vit kemi ambiente shumë më të ndotura se një vit më parë”. Ky nuk është zhvillim i qëndrueshëm, po zhvillim ku po na rrëshqet toka nën këmbë.
Fshima lotin! Historia njerëzore tregon se në situata dramatike, ku antivlera dhunon për vdekje vlerën, dalin njerëz me dhunti të veçanta që ngrihen mbi obskurantizmin, mbi vanitetin, mbi rutinën që krijojnë hordhitë e ushtarëve anonimë, çudia kryesore e të cilëve është të fryjnë barkun, të bredhin, të bëjnë orgji dhe një ditë të ngordhin me barkun e fryrë nga dhjami i qelbur. Ishin bash ata njerëz që u shfaqën në kohën e qytetërimit të lashtë, ishin po ata që u shfaqën në kohët më të errëta të historisë njerëzore, siç ishte mesjeta e inkuizicionit të tmerrshëm, siç qenë në shekullin 20-të, periudhat e zeza të fashizmit e të komunizmit. Po kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Në kohën e komunizmit Ismail Kadare shkroi “Përbindëshi”, “Nata me hënë”, “Pallati i ëndrrave”, “Provokacioni” etj. Dhimitër Xhuvani romanin “Tuneli”, Kin Dushi “Një emër mes yjeve”, Dritëro Agolli “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Mosha e bardhë”, Fadil Paçrami “Shtëpia në bulevard”, “Ngjarje në fabrikë” etj., etj. Pati raste kur krijuesit përfunduan në pushkatim. Në postkomunizëm ndodhi rropama më e madhe. I gjithë arti, me përjashtim të këngëve të ahengut, u vu në shtratin e vdekjes. Antivlera triumfoi totalisht mbi vlerën. Shumë artistë vrapuan pas politikanëve injorantë vetëm për të shpëtuar lëkurën ose për të siguruar ndonjë bursë për fëmijët e tyre, shumë të tjerë morën udhët e botës dhe u shndërruan në muratorë e bojaxhinj. Për Malësinë e Madhe është e tepërt të flas sot, pasi gjithçka është e njohur. Vetë fakti që pushteti s’na dha asnjë dhomë katër me katër ku të fusim kokën, është një argument i shëmtuar i triumfit të antivlerave në këtë vend. I falëminderit pronarit të këtij lokali dhe pronarëve të tjerë që na gjinden në këtë periudhë dramatike. Por edhe në Malësinë tonë si në të gjithë vendin kanë dalë dhe po dalin bash ata njerëz me dhunti të veçanta që përfyten ethshëm me antivlerat dhe po ia kthejnë dinjitetin e dhunuar këtij populli me një sens të hollë qytetërues. Kur punoja në Televizionin “Malësia”, në një rast po intervistoja ca politikanë, një teleshikues më tha në telefon: “O Ramiz Lika, ti që je vetë shkrimtar, na paraqit në studio artistë dhe na i hiq sysh ata rrotë qenësh!” Ishte një individ që e shprehu këtë mendim, por në të vërtetë ai është mendimi i shumicës. Populli është neveritur nga klasa politike injorante, nga një klasë antivlerash nga e cila shoqëria shqiptare po poshtërohet përbindshëm çdo ditë që vjen. Në qiellin e mbushur me retë e zeza të antivlerave të sjellura nga klasa e korruptuar dhe injorante politike, shfaqet si një meteor ndriçues poetja e re, Mimoza Rexhvelaj. Unë e kam përcjellë krijimtarinë e autores me një vëmendje të përqendruar, por vetëm sot po i them dy fjalë për të. Arsyeja ka qenë sepse për mua ajo ishte një befasi disi shokuese. Kisha dilema, por pse jo edhe skepticizëm. Vërtet këto poezi shkruheshin nga kjo nuse e re nga Grizha, një person që jeta nuk i kishte dhënë mundësi të mbaronte universitet apo akademi artesh. Kisha parasysh mjaft shoqe të saj që kanë mbaruar deri edhe magjistratura në vende shumë të zhvilluara si në Francë, Angli, SHBA, por që librat e tyre janë të një niveli më të ulët nga Mimoza. Sot, kur kam në dorë librin e saj të dytë, unë flas me plot zërin. Si argument për këtë do të më mjaftonte ndoshta vetëm vjersha “Jam erë”: Eci udhës ku më shpien këmbët e mendjes, Hijeve më kafshojnë kujtime Eci si erë e lehtë e fortë e stuhishme si uragan Eci në erën e përjetësisë pa qenë e përjetshme. Fluturoj në hapësirë Horizonti është varri im. Shihni çfarë gjuhe artistike përdor autorja! Çfarë metaforash origjinale: Këmbët e mendjes, më kafshojnë kujtime. Po idetë? Edhe ato janë tejet brilante. Fluturojnë në hapësirë. Horizonti është varri im. Autorja nuk bën deklamime shterpe. Me sensin e njeriut me dhunti të veçantë ajo na kumton se është e ndërgjegjshme për vdekjen fizike, por është po ashtu e ndërgjegjshme se varri i saj s’mund të jetë balta me rëndomtësinë e saj, por qielli. E, duke patur për varr qiellin, ajo do të mbetet e pavdekshme. 2500 vjet më parë ndërroi jetë poetja greke Safo, por edhe sot ajo rron në varrin e saj qiellor! Sa bukur shprehet poetesha e re! Para se të citoj vargje të tjera të autores do të paraqes ca vjersha të disa poetëve të mëdhenj botëror. Poeti Adonis: Hape gjoksin tim Në të do të shohësh Një mjellmë dhe të ëmblin ujë të gjelbër Ku trëndafilë të kuq notojnë.
Poeti i madh francez, Alen Boskje Ju jeni retina Shikimi jemi ne Ju jeni veshët Ne – muzika Ju jeni fyti Ne – gjuha jemi Ju – mushkëritë Ne ajri i pastër Ju jeni skeleti Lëkura e ëmbël ne Ju – fundi i barkut Ne – nyje e dashurisë Ju – agonia Varri, ah, ne!
Korifeu i madh i letrave, V. Hygo Diell, o fytyra hyjnore Lule të egra shpellore Zgavrra ku zëra plot dëgjohen Parfumi që nën bar kuptohen O ferra të egra pyjore Male të lartë si shembulli Të bardhë si një ball tempulli O shkëmb krenar, lis shekullor Që thellë e ndjej në kraharor Si rreh e madhja juaja zemër
Sharl Bodler Lutje e lëvdata, satana në të lartin qiell Ku mbretërojë apo prej ferrit thellë Ku ngadhnjimtar të ëndrrave në qetësi! Bëj që një ditë pranë teje të fle Nën pemën e shkencës, kur të lëshojë gjethe Degët mbi ballin tënd mbi këtë tempull
Mund të zgjatesha me shumë vjersha të poetëve të mëdhenj botëror, që ndonëse të përzgjedhura në librat e tyre kryesorë, nuk të ngjallin ndjesi estetike më shumë se vjershat e poshtëcituara të poetes së re Mimoza Rexhvelaj: Të dua, buzët, sytë, zemrën ma mashtron Flokët, duart, trupin më pushton Parfumi ndjej, më eksiton Të dua, Paçka se s’më përket mua! Mos fol! I çmenduri i heshtjes, të dua! Sa bukur i ka përshkruar autorja ndjesitë e të dashuruarit apo të së dashuruarës platonike! Heroi lirik i vjershës është i ndërgjegjshëm se është subjekt i dashurisë, por objektin vetëm e kundron nga larg. Megjithatë është i dashuruar. Me dy unaza floriri Shpirtërat lidhëm përjetë Ti pëllumb, kur shkel kufirin… Floriri shkëlqimin humbet Kjo vjershë nuk ka nevojë për koment, siç nuk kanë nevojë as këto që vijojnë: Nuk më vrave jo Me shuplakë përplasur mbi fytyrë Por më godite muret e pastër Brenda kështjellës së dashurisë
Fjala jote nxori dhëmbët Të kafshojë lotin tim Harrimin të dhuroj si mallkim Më të bukurin ndëshkim! Vërtet s’ka ndëshkim më të madh se harrimi. Nëse e vret tjetrin e bën të njohur, të paharrueshëm, kurse arma e harresës është e tmerrshme. Bukur e ka thënë autorja. Dëgjoni me vëmendje këto vargje: U zemërova keq me veten Vetvetja më braktisi Më tha je e lehtë Sa mendim i thellë në pak vargje! Kundër vullnetit tim u detyrova të ndërpres citimin e vargjeve, sepse ngaqë s’dija ç’të lija jashtë, do të fusja brenda tërë librin. Për shkrimtaren Mimoza Rexhvelaj kam për të thënë shumë, por sado të flas, nuk them dot më shumë se ç’ka thënë ajo me poezitë e saj. Krijimtaria poetike e radhit atë me elitën artistike të kombit dhe të njerëzimit. Para se të hidhja këto shënime në letër, shfletova disa poetë të mëdhenj si ata që citova më lart dhe nuk provova ndonjë kënaqësi më të thellë estetike sesa duke lexuar poezitë e Mimozës. Mjaft më me kompleksin e inferioritetit ndaj të huajve! Do të ishte në nderin e pushtetarëve që të mos e bëjnë qytetare nderi militante partish pas asnjë vlerë, por t’i sillnin sytë nga Mimoza dhe nga mimozat tjera që po çelin në pranverën e Rilindjes sonë të vonuar. Është krim i rëndë për shoqërinë tonë ta detyrojë poeten të shkruajë: E vetmuar qëndroj Ç’vlej unë këtu? S’e kuptoj Do t’ia mbath Të arratisem nga kjo botë Ika… Mos më ndiqni pas Një bote tjetër i përkas Jo, Moza! Bota rreth teje do të ndryshojë, tani është një botë që të do në mesin e saj, është një komunitet, ndoshta i vogël në numër, por që e ndjen veten krenar që të ka në mesin e vet, mburret që është bashkëkombas dhe bashkëqytetar me ty. Ti nuk i përket vetes tënde, po këtij komuniteti, prandaj harroje fjalën ikje qoftë edhe si metaforë. Ne themi Nano Ik!, Berisha Ik!, por jo Mimoza ik! Me zërin plot themi Mimoza Eja! Nano dhe Berisha nuk kanë të ardhme, kurse për ty e ardhmja është prona më e madhe! Dhëntë Zoti të vazhdosh të punosh me këtë zell. Kur të promovojmë librin tënd të dhjetë, jam i bindur se të gjithë do të më japin të drejtë. Përfitoj nga ky rast të përshëndes nga zemra bashkëshortin tënd Fahri Rexhvelaj, që po di të vlerësojë talentin tënd, çka ndodh rrallë, jo vetëm në realitetin shqiptar, opr edhe në atë botëror. Edhe ky është një argument që tregon se Shqipëria do të bëhet, se edhe populli ynë që sot gjendet në qorrsokak, do të radhitet një ditë me popujt e qytetëruar. Përditë po shfaqen biznesmenë mecenatë si Fahriu që po ia kthejnë dinjitetin e humbur këtij populli. Poeti Naim që rron në varrin qiellor nuk lodhet së kënduari: Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë.
Shenjën e qëllon plumbi, jo krisma Shkrimi im i datave 9 e 10 prill “Standardizimi i gjuhës tonë, pjellë e enverizmit dhe e krahinorizmit”, i frymëzoi z. Kostaq Xoxa replikën me titullin “A mund të zhbëhet një gjuhë me argumente mllefesh”. Ata që e kanë lexuar, apo do ta lexojnë shkrimin tim, do të shohin se titulli i asaj replike nuk i përgjigjet argumenteve të shkrimit tim të mëparshëm. Z. Xoxa në fillim të replikës së tij thotë: “Ta kisha pasë të mundun të flisja në kongresin e 72-të, unë do të sugjeroja si bazë të gjuhës standarde të gjuhës shqipe, elbasançen, ose gegërishten e butë”. Më tej shton: Mustafa Greblleshi nuk mund të nënvleftësohet për arsye dialekti, as Fishta që nuk shkroi në dialekt me përhapje të kufizuar. Krimi komunist ndaj gegërishtes ka qenë shurdhëria e plotë e asgjësimi i librave të autorëve gegë e ndalimi deri heqja edhe nga skedinat e bibliotekave në mënyrë që nxënësit të mos e njihnin madhështinë e Fishtës, kandidatit për çmim Nobel, as lirikat magjepsëse të Vinçenc Prendushit, as forcën e vargut të Lazër Shantojës, as përkthimin e tij të “Faustit” të Gëtes, ngaqë emri i tij ishte i padëshiruar, as dramat patriotike të Zadejës, as fjalën e Anton Harapit e mund të vazhdoja edhe më gjatë. Po ç’duhej bërë pas ’90? Duheshin vënë me përparësi si pjesë e programit mësimor emrat e shkrimtarëve të mëdhenj e të denigruar e meqë këto shtylla të letërsisë nuk mund të kuptoheshin lehtë, do të duhej vënë si lëndë mësimore studimi i frazeologjisë gegë, idiomat, lokucionet e shprehjet e kësaj gjuhe plot leksik të lënë pas dore padrejtësisht. Mehmet Elezi më datën 7 prill 2004 botoi në gazetën “55” shkrimin e tij me argumente bindës në dobi të paskajores. I ndërgjegjshëm për atë që me të drejtë është quajtur denigrim, nënkupton që edhe trajtat gramatikore të sintaksës së gegërishtes, të përshtatshme për të zëvendësuar strukturat e tanishme me një përpunim që na dikton koha e jo autoritarizmi. Kështu do të mund të vihej në vend gjithë ai thesar i mohuar në mënyrë tendencioze, për të mos u kuptuar autorët veriorë. Natyrisht këto mund t’i shihnin e t’i shqyrtonin në një konferencë gjuhësore, madje në një kongres gjuhësor. Përdorimi i gegërishtes nga Mehmet Elezi duket si një përpjekje për të plotësuar një boshllëk”. Pranimi e pohimi i këtyre fakteve është në nderin e çdo intelektuali që di të japë rëndësinë e merituar intelektit të tij. Prandaj pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve tona në vazhdim, e përgëzoj me gjithë zemër z. Xoxa për arsyetimet e tij në dobi të një kontributi njerëzor e patriotik në shërbim të një gjuhe shqipe sa më të denjë për t’u vënë përkrah gjuhëve të tjera europiane që nga ana strukturore gjithmonë e orientuan nga perëndimi si pjesa më e qytetëruar e botës, e megjithë këtë ruan atë veçantinë e dallueshme e të bukur si natyra e vendit ku lindi, e u rrit, në luftë me armikun 500 vjeçar e i bëri ballë me një qëndresë burrëreshash, prandaj meriton t’ia japim të gjitha të mirat më të mundshme. Ne e dimë se gjuha jonë është nga më të keqtrajtuarat dhe dimë gjithashtu se kurrë më parë nuk i ka ardhur një kohë më e favorshme për një trajtim siç e meriton, por le të përpiqemi të gjejmë shkaqet e këtyre penguesve. Z. Xoxa pas gjithë atyre mendimeve pro ndryshimeve. Tani autori i replikës së këtij shkrimi kundërshton mendimet e veta të mëparshme si ta kishte shmangur nga ai drejtim një pendim i befasishëm. Tani është kundër prekjes së gjuhës së “Standardizuar”, e përpiqet ta argumentojë këtë qëndrim me sa vijon: “Përdorimi kaq i gjerë që ka marrë gjuha e tillë, e bën të pamundur prekjen e saj, sepse do të nxirrte telashe të pandreqshme. Edhe redaktorët janë mësuar me këtë gjuhë të kodifikuar kështuqë ndryshimet do t’i pështjellonin. Pastaj toskërishtja është më e kapshme se gegërishtja. Shembull bindës për këtë kemi edhe gazetarët e “55”, Ardita Repishtë që e zotëron shumë mirë gjuhën e kodifikuar, gazetare shkodrane. Për sa i përket imponimit të përdorimit të toskërishtes dihet se rrethanat e ndihmuara edhe nga koha e kanë shtyrë qëllimin në rrugën e tij por kur vulën e kodifikimit të një gjuhe nuk e përmbajnë argumentet shkencorë kodifikimi politik duhet hequr e zëvendësuar me atë shkencor. Justifikimi i pamundësisë për ta ndryshuar pas këtij përdorimi të gjërë të toskërishtes, është i paargumentueshëm nga logjika. Ndryshimet nuk e bëjnë punën e vet vetëm për mbrapsht, por edhe për mbarë, e koha ecën si për njërin, si për tjetrin. Në qoftë se ndreqja e gabimit ha kohë më të gjatë e rëndësishme është ndreqja. Shqiptar do të ketë sa të ketë Shqipëri e Shqipëria do të jetë sa të jetë koha. Mandej përse e bëjmë mizën buall, dallimet ndërmjet gegërishtes e toskërishtes nuk janë aq sa duan t’i bëjnë disa që ngulmojnë mosfillimin e kësaj pune. Kush thotë se gegërishtja e toskërishtja nuk mund të merren vesh si dy motra, gabon. Këtë e vëmë re në komunikimin e një gege me një toskë, qofshin ata edhe analfabetë e jo më po të kenë sadopak arsim. Kjo na jep të kuptojmë se gegërishten e toskërishten i ndan një vizë lehtësisht e kaptueshme. Kur kështu për dy njerëz të rëndomtë kuptohet sa e thejshtë është për redaktorët të zotërojnë gegërishten elegante të Martin Camës, Arshi Pipës e të tjerëve. Pretendimi i z. Xoxa se toskërishtja është më e kapshme e ilustrimi me shembullin e z. Ardita Repishti është i pabazë ngase Z. në fjalë e shoqet e saj e kanë filluar mësimin e toskërishtes në çerdhe dhe e kanë vazhduar në kopësht e gjatë gjithë shkollimit, e për aq kohë edhe kinezçen do ta kishte mësuar në mënyrë të përkryer. Pastaj për hir të së vërtetës duhet pranuar një fakt i pakundërshtueshëm. Kushti i parë për gjetjen e një pune në një gazetë, zyrë apo në arsim është njohja e mirë e toskërishtes. Toskërishtja nëse e njeh hap shtigjet e perspektivës, mosnjohja e saj mbyll shtigjet e perspektivës. Si shembull tjetër z. Xoxa merr z. Mehmet Elezin si njohës e respektues të gjuhës së kodifikuar. Dihet se shkrimi e të folurit e vazhdueshëm të një gjuhe merret vesh se praktikat e bëjnë zakon e shprehi të ndihmuar edhe nga mjedisi ku banon. Sidoqoftë unë e përgëzoj z. Elezi për dëshirën e lindur nga e drejta për ta mbrojtur vlerën e gegërishtes me argumente të parashtruara në mënyrë bindëse. Ky kontribut është mjaft i çmueshëm por unë mendoj se gegërishte e shkruar toskërisht e zbret në njëfarë mënyre fuqinë mbrojtëse duke i dhënë shkas pyetjes: “Kur ju shkruani e flisni, si ne, përse na sugjeroni të shkruajmë e të flasim ashtu si nuk shkruani as nuk flisni ju vetë?!” Prandaj nëse z. Elezi do të shkruante në gjurmët e traditës do të ndikonte edhe në nxitjen e ndonjë, apo të disa të tjerëve ta shkruajnë gegërishten e me shkrimet e tyre t’i japin shtytjen rrjedhës së evolucionit gjuhësor duke bërë që dy dialektet tona kryesore të këmbejnë pasurinë e të mirave të ndërsjellta si dy vëllezër model bujarie, mbasi evidentimi i vlerave të një gjuhe duhet të bëhet nëpërmjet praktikimit të tyre. Evidentuesit e vlerave të gegërishtes nuk duhet të tregojnë vetëm shembujt e vlerave marrë nga të tjerët, por së pari të bëhen vetë ata shembuj për t’u ndjekur prej të tjerëve e unë jam i bindur se nuk na mungon aftësia, por nganjëherë kujdesi. Këtë pakujdesi ia dënoj edhe vetes sime e cila i dha shkas z. Xoxa të shfrytëzojë gabimet e mia ortografike me anën e të cilave u mundua të më heqë të drejtën ta mbroj gegërishten. Z. Xoxa duhet të dijë se unë nuk jam as gramatolog, as gjuhëtar, por një letrar që si shumë kolegë të mi kemi nevojë për korrektor, sepse po të ishim ne korrektor të vetes tonë vendi i punës së korrektorit do të duhej shkrirë. Përpjekja për të gjetur halën në perpeq është gjithmonë e dështuar. Nëse z. Xoxa don ta mposhtë gegërishten me parregullsitë e saj ortografike, le të marrë Martin Camajn, Arshi Pipën e të tjerë. Të mos korrigjosh fjalët e të ashtuquajturës “Standardizim” i gjuhës shqipe do të thotë ta lësh të shtrembërën të bëhet më e shtrembër. Jam i bindur se së paku për një kohë shumë të gjatë, pak kush do të merret me drejtimin e kësaj të shtrembre, megjithëkëtë “më mirë pak, se aspak”, mbasi shumica lind nga pakica e për hir të së drejtës ishalla pakica e ka lindjen e mbarë. Sa për konferenca apo kongrese gjuhësore ka hequr dorë edhe shpresa më optimiste. Ne jemi viktimat kampione të zvarrisjeve. Ne përgjithësisht ngulim këmbë vetëm aty ku përfitimi është material për vendimet e tjera bëjmë rehat. Zgjidhjen e problemeve të tjera ne ia lëmë indiferentizmit tonë të pashoq në këtë botë. Përvoja e deritashme se ajo shprehja “Hedh dikush një gur në ujë e lëshohen 100 e nuk mund ta nxjerrin” do të duhej thënë: “Hedh dikush një gur në ujë e as që i bie ndërmend kujt të mundohet ta nxjerë”. Por ndërgjegja nuk do t’ia dijë suksesit të përpjekjes, ajo do t’ia dijë vetëm nxjerrjes në pah të drejtësisë. Unë shpresoj në fillimet e përpjekjeve të mira sepse ky është një angazhim i të drejtëve e të drejtët i mëshojnë vullnetit që fillimin e bën vazhdim e vazhdimin kryerje e qëllimit. Diskutimi, pse jo edhe debati, janë pasurim i përvojës tonë me njohjen e mendimeve të shoqi-shoqit e një përvojë e pasur mund ta gjejë më lehtë rrugën e ngadhnjimit të së drejtës. Në mbyllje të këtij shkrimi dua t’i them miqësisht z. Kostaq Xoxa: Ju më keni atribuar disa thënie që nuk janë të miat që mua do të më nderonin, por gjënë e huaj nuk mundem ta quaj timen. Natyrisht ato thënie unë i kam vënë në shkrimin tim ngase qëndrojnë si mendimet e pjekura të një kompetence që flet e ngjet. Ju thoni për mua “E gjete lehtësisht ilaçin e suksesit”. Unë po ju them: Ilaçi i kësaj të drejte ka qenë i gjetur, por ka qenë e mbetet ilaçi më i refuzuar nga të gjithë ata që nuk u pëlqen ta shërojnë ndërgjegjen. Në mbyllje të këtij shkrimi po mbaj dy urime: Qoftë ky diskutim përfshirës i sa më shumë kompetentëve të drejtë dhe urimi tjetër është ai me të cilin z. Kostaq Xoxa mbylli replikën e tij: Shkoftë e drejta në vesh të Perëndisë. Gjokë Vata Shtetarët e biznesmenët të varfër, populli i pasur Pak ditë më parë ishim katër gazetarë, T. Kopliku nga televizioni “Top Kanal”, A. Hoti nga “Vizion Plus”, B. Delija nga “Rozafa” dhe autori i këtyre radhëve, tek njëri nga biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë dhe kërkesa jonë konsistonte në një sponsorizim me vlerë rreth gjashtë mijë lekë për një veprimtari kulturore-sportive. Por bosi që paguan mijëra e mijëra punëtorë, që po zgjeron ndërmarrje, dhe shumë mirë bën, që paguan dogana e tatime, që ka punëtorët shumë të kënaqur me pagat që pranojnë vetë etj., etj., sapo pikasi qëllimin tonë, na tha se kishte shumë probleme dhe ishte aq i varfër. U ngritëm shpejt dhe ikëm se mos na kërkonte gjë edhe ne. Gjithsesi, ajo çka gazetës “Shqipëria Etnike” i duket me interes është të diskutohet për masën e pajtimit apo të mospajtimit edhe me punëdhënësit, edhe me pushtetarët, ku edhe këta të fundit sipas deklarimeve të pasurive janë më të varfër se votuesit e tyre. Se votuesit pasanikë i gjejnë nga 17-20.000 USD për të çuar dikë të afërt në Amerikë, duke iu lutur pushtetarëve t’i marrin ato para për nderën, sikundër punëtorët u luten punëdhënësve të pranojnë djersën, mundin, aftësitë për një kilogram djathë në tetë, nëntë apo dhjetë orë punë. Po sikur masa e mospajtimit të jetë më e madhe se ajo e pajtimit, ç’do të ngjasë? Nga pamja sociologjike, sjellja e njeriut është një proces grupor, kurse nga pamja biologjike, sjellja, prirjet, janë të lindura. Ne aksidentalisht, megjithëse mbi 65% e shqiptarëve nuk votojnë dhe një përqindje shumë më e madhe janë të papunë e ajo pjesë që i rriskohet të punojë tek biznesmenët “fukarej” është “fatlume”, “shijojmë” kompleksitetin e perceptimit të personit biologjik; i themi falëminderit shtetit për një kafshatë bukë, i themi falëminderit punëdhënësit për tre kilogram domate në ditë pune! Ndoshta duken ngjyra ironike këto, por nuk është fundi i botës nëse kësaj monstre që vjen nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe hiqet si gjynahqare, si bamirëse, si shpirtmirë, t’i thuhet: Ty të takojnë këto e popullit i takojnë këto të tjerat. Është një temë tepër më e gjerë jo vetëm në lëmin publicistik e filozofik, por kushërinjë-ik, xhaxhallarë-ik, miqësi-ik, dinasti-ik, nipër e mbesa-ik, pse jo deri tek padrejtësi-ik e Nano-ik. Ashtu sikundër pushtetarët edhe tregtarët e mëdhenj duket se janë shumë të lidhur me militantizmin e kangjellave të selive. Shumë shpejt do të flasim për këto probleme dhe për tentakulat e Oktapodit të prera nga amanetqarët katovicianë, por që në të vërtertë ato u rritën më të fuqishme tashti në demokracinë e kaq fort përçudshme. Pak kush prej këtyre që kemi nëpër duar ne e nëpër këmbë populli, nuk të thotë se, kam qenë i persekutuar në kohën e Enver Hoxhës e se tashti punon me devotshmëri për popullin, për Shqipërinë. Problemi nuk shtrohet nëse po sfiliten shtetarët e bosët duke bërë nderë, por sa të varfër janë dhe a ka mundësi populli t’i ndihmojë ndopak? Është edhe masa e pajtimit dhe e mospajtimit, edhe e respektit e partneritetit këtu brenda, se nëse pasuritë tërhiqen nga “gjeneralë” të kangjellave të selive, selitë ngelen pa gjeneralë, gjeneralët pa ushtarë. Kohët e nevojat kanë ca huqe… Albert Vataj, Sokol Pepushaj Fundi i shtetit të fundosur Kur sistemi degjenerohet në imoralitet e ideal kthehet mashtrimi, poshtërimi, kërcënime, rrena. Mund të thotë dikush, pse s’flet mirë kur ka edhe përparim, por çdo gjë të duket keq?! Unë do t’i përgjigjesha shkurt: Të pyesin 70% të shqiptarëve që mbijetojnë e të binden se në ç’gjendje janë e si jetojnë. Sot shumica e shqiptarëve trajtohen si zezakët e Amerikës në shekullin e 19-të nga një klasë kriminale antinjerëzore e antidemokratike, ku kodoshi, pushti e lavirja shpërblehen me pasuri e pushtet të pakufi. Do jap vetëm një shembull të freskët për deklarimin e pasurive të pushtetarëve aktual në të gjithë Shqipërinë. Çka s’është deklaruar nga këto persona apo persone, as më shumë as më pak, por fshihen si me magji disa miliarda dollarë ndërtime e aktivitete bizensi. Këto shifra dihen nga FBI, Europol, BE, e këtu futen edhe transfertat e telefonisë celulare që transferojnë paratë e shqiptarëve në bankat e huaja. Vetëm ky fakt tregon degjenerimin total të një shteti. Duhen përshëndetur opinionistë e intelektualë apo ndonjë gazetar, që problemet që kalon Shqipëria i denoncojnë fort e me kurajo, gjithashtu edhe ata akademikë guximtarë që mbrojnë shkëlqyeshëm çështjen kombëtare. Në Shqipëri, ndryshimin e kërkojnë shumë faktorë apo lëvizje qytetare e detyrimisht si në çdo vend, opozita kërkon ndryshimin e pushtetit. Pra koordinimi i ideve për zgjidhjen e artë nga të gjithë faktorët e përgjegjshëm, atdhetarë e të besueshëm, duhet të përgatisin një skicë-projekt real, të besueshëm e transparent që kjo situatë kriminale e poshtëruese të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Përse këmbëngul që duhet të jenë të besueshëm! Sepse sa do të kenë pasuri e pushtet disa përfaqësues e përfaqësuese, ne nuk na bëjnë përshtypje, sepse jemi vend i vogël dhe e njohim mirë njëri-tjetrin dhe e dimë sa i peshon shpirti gjithkujt. Duhet të më falin invalidët, sepse po them një krahasim që të vjetrit e kanë thënë: “topalli e topallja s’mund të jenë të parët në shpejtësi pa bërë hile e dredhi”. Prioritet të kenë elementi i aftë e i pakorruptuar e të largohet nga pushteti kjo qeveri kamikaze, antinjerëzore, gjithashtu kodoshët e kodoshet, mashtrues që i kanë shitur shpirtin djallit. Ne në Shkodër kemi një fjalë: “rrena i ka këmbët e shkurtra”, pra rrenat s’mund t’i fshehin as shtrigat magjistare me pamje missi. Në çdo qytet e komunë dihen mirë sa i peshon lëkura gjithsecilit. Kushdo që mendon se ne do të rrehemi me pallavrat e 2015-ës apo 2020-ës e ka gabim se shqiptarët do durojnë deri në pafundësi. Jo, ore zotëri, një milion e gjysmë shqiptarë jetojnë e punojnë si euro-perëndimorë në vendet e zhvilluara. Ky është shembulli më i mirë që ne të kërkojmë të jetojmë si gjithë qytetarët e BE-së. Gjithashtu shtypi, rastësisht apo qëllimisht, i ka hapur dyert eksponentëve komunistë për shkrime si u vra X apo Y se tradhëtonin Partinë. Ne për një gjë jemi të bindur se fondamentalistët komunistë shqiptarë e vranë popullin e vet për 60-vjet diktaturë. Mbasi u vramë në diktaturë, duhet të kujdesemi të mos vetëvritemi në Demokraci, se do të ishte e pafalshme për të ardhmen e shqiptarëve, ky do të ishte fundi i çdo gjëje që është shqiptare, do kthehemi skllevërit e sotshëm e të ardhshëm, e këtë as Zoti s’do na e falte. Duhet t’i themi gjërat ashtu siç janë e s’kemi pse i fshehim se sot bie në sy një fallsitet total e po kthehemi dita-ditës në një rrobot, të komanduar nga një grusht kriminelësh të pakarakter e të pafytyrë. I shohim në televizion disa që flasin për përparim e rritje ekonomie, ku bie në sy të gjithë këta injorantë në rrangun e kafshës mis-ngrënëse, sa herë që flasin apo diskutojnë gogësiten nga ushqimi i tepërt, pra këto kafshë përsërisin çka u thotë çobani apo çobania e tyre. S’duhet mohuar që ka shumë përparim në disa pika ku po i rreshtojmë një e nga një siç janë: fallsiteti, shpifja, intriga, prostitucioni, fukarallëku, degjenerimi, që për këta njerëz është zhvillim, krimi, antihumanizmi, etj., etj. Çdo gjë e poshtër që ka njohur kjo botë, këta pushtetarët tanë i kanë e i zbatojnë me përpikmëri. Prandaj çdo thirrje për ndryshimin e kësaj gjendjeje është detyrë morale, njerëzore, humane e mbi të gjitha atdhetare, por duhet theksuar që në këto situata duhet t’i ruhemi maskarenjve apo aventurierëve, që në rast pakënaqësie totale, përfitojnë të premtojnë parajsën e nuk realizojnë asgjë por kërkojnë të vjedhin apo mashtrojnë si këta aktualët. Të gjithë ata njerëz të aftë dhe opozita duhet të maten mirë për ato që thonë. Të gjitha premtimet duhen realizuar se i shkreti ky popull, gjithë jetën ka dhënë besë e është prerë në besë ndër shekuj. Ju njerëz që kërkoni të drejtoni, bëhuni humanë me popullin e atdheun tuaj. Pse e cilësoj që duhen njerëz të besës, fjalës e të përkushtuar për të luftuar të keqen që na ka zaptuar. Gjatë diktaturës komuniste e në vazhdim, shqiptari për të mbijetuar u bë shumë i gojës e i mendjes por në drejtim të gabuar dhe siç e theksuam, nga diktatura apo pushtetarët aktual u krijua njeriu që flet atë që s’ia don zemra apo shkruan të kundërtën çka ndien në shpirt. Thirrja është të themi atë çka mendojmë e çka na ndien zemra, ky do ishte fillimi i ndryshimit, pastaj të gjitha të tjerat janë të realizueshme e të besueshme. Pra duhet larguar kjo klasë antinjerëzore e bashkë me të të luftohet fallsiteti e servilizmi i pështirë, se po qëndruam në këtë gjendje që jemi do i bindemi gjendjes aktuale, atëherë duhet ta themi se ky do ishte fundi ynë por edhe i klasës drejtuese, askush s’do i shpëtonte këtij fundi tragjik e shkatërrues. Shohim organizimin e opozitës me shumë faktorë civil e intelektual, rini, etj., por zërit të ndryshimit të kësaj gjendje i duhet shtuar edhe faktori shqiptar jashtë atdheut e pastaj të gjithë njëzëri të vendosin të flasin në një gjuhë e një program projekt zgjidhje sa reale e të realizueshme. Gjatë këtyre 14 viteve u bë një kaos tragjik, që këta njerëz të zgjedhur apo emëruar, shumë biznese, shumë media, policia, gjykatat, shoqatat e ndryshme e shumë hallka të këtij shteti s’bënë tjetër veç vepruan si ajo thënia shkodrane “haja qenit, pija qenit, ec t’i biem karadyzenit”. Çdo vit e çdo ditë dëgjojmë se për të shkuar në Europë, shqiptarët kanë shumë rrugë për të bërë, e po pe tabletat, vijat e bardha e të ecësh i padehure normal atëherë ne mbërrijmë në Europë, po ç’të bëjnë shqiptarët e shkretë se edhe rregullat po t’i zbatojnë ata s’mund të ecin, pse? Se pushtetarët tanë këtë rrugë e kanë minuar, dhe është e pakalueshme për popullin e thjeshtë, se për vete ata shkojnë me avion në Europë e SHBA. Detyrimisht opozita në programin e vet duhet të ketë edhe idenë e çmimit të kësaj rruge dhe zgjidhjet e tjera aq të domosdoshme për jetën e një njeriu. Shqiptarët kërkojnë të kenë një shtet normal e shembulli më i mirë janë shtetet e zhvilluara perëndimore. Pra të gjithë faktorët politikë e qytetarë, gjënë e parë që duhet bërë, është t’i luftojnë antimoralin, që ka zaptuar çdo qelizë të shtetit, të luftojnë për dinjitetin kombëtar e jo të duken patriotë në një ndeshje futbolli, por të jenë patriotë në jetë e punë, programi i këtyre faktorëve të ketë shpirtmirësinë për parim bazë e të luftojnë pa kompromis shpirtzinjtë apo shpirtzezat që i kemi me shumicë në politikë, se siç e thashë më lart, fallsiteti ka arritur kulmin dhe ilaçi ndaj kësaj sëmundjeje është shërimi shpirtëror e moral i një populli, e pastaj çdo gjë merr për mirë, dhe shqiptarët do jetojnë si shtetet e përparuara të botës. Nikolin Pemaj
Lakuriqësia Eh medet, more Bexhet, Çka i ka gjetë tash disa vjet Humoristat tonë Në vend me na ba me qeshë Si na bane gjithmonë Duhet me mbyllë sy e veshë Kahë qështerrë kanë në humor E me qeshë duen t’bajnë me zor Flasin jalë që me ba be Se shpërtheu kund ndo’i vece Para ekranit je tue pa A me motër a me vlla A me nanë a vajzë a djalë Si mund t’ndihen ato fjalë Pa u skuqë deri ndër veshë A ksaj i thonë me t’ba me qeshë?! More vllazën, shokë e miq Në qytete, fusha e male Sa me i folë krejt lakuriq Edhe fjalët ma banale Mos i lodhni ma kaq shumë Gojët tuja me nxjerrë llum Ma mirë bani ju me u çveshë Lakuriq e ne me qeshë Kur me ndjeu kto fjalë Xhevati Tha ty t’paska ngelë sahati Ani kur, kush di se ku Ti me turp veç qenke ktu Paske mendjen firifiu Laskuriq sot asht humori Lakuriq televizori Biles ktu asht ba zakon Mos me e quejtë televizion Ne mos shfaqt lakuriqsi Që i thonë tash pronografi N’shumë gazeta dhe ekrane Gjenë shpirtin e informatës Numrin e telefonatës “Ma t’randsishme të jetës tande” N’se don lajme krejtë të njoma Shihe gazetën “Paloma” E në të ke me lexue Çka ndër mend nuk të ka shkue As se mund ti me u mendue E jo ma me u shkrue Ky biznes thonë na hapë shtegun Ky biznes na afron bregun Me u hjedhë me nji hop n’Europë A don me ta thanë ma copë? Ai fjalor që e flliqë gojën E fytyrës ia nxjerrë bojën Po thonë t’baka bashkëkohorë “Ta jep qytetnimin n’dorë Për me u dukë perëndimor…” Në mbarim të kësaj satire Me të pyet po kam dëshirë T’ban me u dukë ajkë qytetnimit A fundrrinë e perëndimit? Thonë ka thanë ai Zef Skiroi Llumi asht gjithkund njisoj. Gjokë Vata
S’dinë malësorët me luejt futboll?! -Shkodrës A., kangen e zemrës (të vegjlit e Hotit të Ri)- Me Vllazninë me ia këndue Entuzjast i thirra mendes Shkodrës A kangën e zemrës Dikush kot nji fjalë e hodh S’dinë malsorët me luejt futboll. Futboll luen vetëm qyteti Sa i madh absurditeti
Ndjej lexues si asht e vërteta: Në malsorë forca dhe intelekti Se si malsori me futboll u muer Me Vllazninë i kemi ndeshë, Bluzen e saj e kanë veshë,
Palok Nika kje malsuer, Njeri i ngritun me kulturë, Me shokë e Anton Mazrrekun, Futbollin n’breza përcuellë I zgjodh në shkollë pika-pika, Djelm të ri porsi petrita,
Me ta, entuzjazëm e zjarrë E shkelmoj topin e parë. Pat Vllaznia shum malsorë Yj futbolli e me shkollë,
Që shkëlqyeshëm synin si pisha, Rexhep Krasniqi, Mark Berisha, Nga Dushmani, Shala e Shoshi, Me Pal Mirashin, Prek Gjeloshi I Vllaznis si xhevahiri, Edhe trim, aj Dod Tahiri. Futbollista e me kulturë, Me Nikoll Gjergjin, shokët mburrë. Shum janë shtypë në diktaturë.
Si portjeri Paulin Ndoja, Në futboll dëshirë përvoja. Nip Mirakajsh i Kolë Bibës Viktimë e komunizëm shlligës.
Që futbollin patën për piri, Kenë Hil Staka e Gjon Kiri, Nisë futbollin n’gjenerata, Yllë e talent, sot Rudi Vata,
Tue gjurmue n’Vllazni mbeta E më doli Gjelosh Gjeka, Mbrojtsi i madh i Vllaznis Simpatinë e krejt Shqipnis.
I atij fisi Gjon Luleta, Kndohet me lahutë e çifteli, Ky fis sot në Hotin e Ri. Shkodra A, tue i stërvitë, Talente të reja me qitë,
Kta pinjoll të mrekullue, I stërvitë trajneri i talentue, Gjovalin Cola me Nikoll Gjergjin, Në Shkodrën A, të bashkue. Njizeketarët, janë këta djelm, Që lodhjes fizike i kanë ra shtjelm.
Në stërvitje e tyne dëshira,ù Spektatori, fjalë ma t’mira, Të njomë, të letë, ata atleta, N’stërvitje, n’fushë i gjeta, Entuzjazëm, e kambët e leta.
Ata filiza t’ri n’armoni, Topin përdorin me mjeshtri Sa bukur krosonte Sergjio Luleta, Përpara portës kundërshtare Rrjetën përshndetëte Rodriguez Lekaj Pasardhësit e Gjelosh Gjekës, I fisit patriot Luletës,
Sergjio, nipi i Gjelosh Vatës, Në gjoks medaljen e trimnis, Në kryengritjen e Postrribës, Kundër komunizëm shlligës.
Në sa Rodi, nipi i Luigj Lekës, Fetar antikomunist i tërbue, Që në hall la grue e fëmij, Rodriguez futbollin, trashëgimi.
Të vegjlit e vet, hotjanët shikojnë, E skuadrën e zemrës adhurojnë, E i çudit fort e tyne përvoja, Tue u rritë djelmt, rritet loja, E në lojë shtohet talenti, Eja në fushë, lexues me pa, Të vegjlit e Shkodrës A.
Gjak futbolli, mbushë n’dej. Loja e tyne s’i t’mëdhej, I lumi Hoti që i ka rritë Shkodra A, që i përgatitë, Për rezervë t’Vllaznisë vet, Me i pasë mbas disa vjet.
Me i lshue porsi ciklon, E me ta me dalë kampion. Mal’i bahet trajnerit zemra, Gjovalin Coles goj’ sheqerit, Të vegjlit e tij n’vend nderit, Që i duken si dritë diellit. Dedë Shyti
Kolor dhe adrelinë shqiptare në Londër Reportazh 1. Në fillim të kësaj pranvere u ndodhëm në Londër të Britanisë së Madhe. Në fillim isha i ftuar në një tubim të cilin komiteti shqiptar me seli në Londër e organizoi me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesit. Ftesën e kisha marrë kohë më parë nga kryetari i këtij komiteti, z. Talat Pllana me origjinë nga Drenica. Kjo shoqatë ishte më e madhja dhe më e vjetra në Londër. Përveç aktiviteteve të tjera të shumta atje, ajo kishte dhënë një ndihmesë të madhe edhe në organizimin dhe nisjen për në Kosovë në kohën e luftës së UÇK-së me serbët në vitin 1998-99 si dhe ndihma të tjera në para për luftën. Prej shqiptarëve mbetën dëshmorë pesë vetë me banim të përkohshëm në Britaninë e Madhe. Për këtë rast, më 13. 04. 04 u organizua një tubim madhështor me rastin e pesë vjetorit të rënies së pesë dëshmorëve të atdheut. Për aktivitetin e dëshmorëve foli kryetari i komitetit shqiptar “Faik Konica”, z. Talat Pllana, si dhe kryetari i shoqatës “Dituria”, z. Ruzhdi Jata. Në fund u dha edhe një koncert i madh artistik me këngë dhe valle popullore shqiptare shoqëruar edhe me kokteil. Në këtë aktivitet isha i ftuar edhe unë si shkrimtar dhe autor i romanit “Zemra e nënës”, kushtuar UÇK-së dhe gjithë popullit trim e liridashës të Kosovës kundër serbëve me në krye kriminelin më të madh të shqiptarëve, Sllobodan Millosheviçin. Gjatë qëndrimit tim në Londër prej një muaji e gjysëm bëra shumë vizita dhe pata shumë takime me shkrimtarë, studiues, gazetarë e njerëz të thjeshtë me punë në Angli. U mahnita me bukuritë përrallore që ka bërë dora e njeriut në këtë vend. Nuk do të shuhen nga kujtesa për tërë jetën time. Gjatë dhjetëditëshit të parë të prillit erdhi nga qyteti i Koplikut dhe një grup artistik me këngëtarë e humoristë, prej të cilëve mund të veçojmë këngëtarin Skënder Xhafa, Zef Beka, Zaim Merkulaj, humoristët Gac Kodrina dhe Qazim Çela etj., të ftuar nga biznesmeni shqiptar Nikë Berisha, i cili ishte dhe organizatori i këtyre spektakleve që u dhanë në katër-pesë zona të Londrës dhe jashtë saj ku punonin dhe jetonin shumica e emigrantëve shqiptarë. Në këtë koncert, grupi artistik pati shumë sukses dhe u duartrokit me entuziazëm të jashtëzakonshëm.
2. Në ditët e para të qëndrimit tim në Britaninë e Madhe, kisha edhe një ftesë tjetër për të marrë pjesë në një promovim libri me titull “Lërmëni pak Atdhe”! Antologji e krijuesve shqiptar në Angli. Ky botim ishte i shoqatës artistike kulturore “Miss Edith Durham” dhe që ishte përgatitur nga Petrit Kuçana i cili është edhe kryetar i kësaj shoqate. Në këtë antologji ishin përfshirë 22 krijues nga të gjitha trojet shqiptare që nga Drenica e deri në Sarandë. Dhe po të vazhdosh të shfletosh këtë libër do të shikosh shumëllojshmërinë e stileve dhe formave ku të duket sikur e ndien atë kumtim që përcillet që në kopertinë për “Pak Atdhe!”. Autorët që vijnë, siç e thashë edhe më lart, që nga Drenica dhe deri në Sarandë, thuajse nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe përcjellin në krijimet e tyre ngjyrat e fjalës shqiptare, që duan të kalojnë përmasat e ishullit anglez. Ky kolorit u pa tek dëgjoja të flisnin anëtarët e kësaj antologjie. Ata ndjeheshin të lumtur që kishin diçka të tyre të përbashkët, që përcjellnin mesazhin e madh të dashurisë, mallit për atdheun e vet… Por më i emocionuari dukej përgatitësi i kësaj antologjie, ndonëse si u shpreh gjatë promovimit, se: “Nuk bëmë asgjë tjetër përveç asaj që duhej të bënim, të ndiqnim fillin e trashëgimisë së vlerave shqiptare”. Në fjalën e hapjes, z. Kuçana vuri theksin në domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe tejçimit të vlerave shqipe në Britaninë e Madhe. Të gjithë e ndjejmë se mbetëm jetimë, – tha ai, – kur kemi parasysh detyrimin kushtetues sipas të cilit shteti shqiptar mbron të drejtat e shtetasve të tij me banim të përkohshëm apo të përhershëm jashtë kufijve të Shqipërisë. Emigrantët ankohen se duke thënë se po ndihemi jetimë kur kemi parasysh parimin kushtetues të garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, të cilat përbëjnë bazën e shtetit, prandaj ankohen emigrantët, duke u shprehur se shteti shqiptar duhet të kujdeset më shumë për shtetasit e vet që punojnë e jetojnë për të ruajtur e zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare sipas detyrimit kushtetues. Emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe deklarojnë se po zhgënjehen nga mungesa e përpjekjeve politike dhe sidomos diplomatike. Ambasada e Rep. Shqipërisë me seli këtu në Londër, qëndron shumë larg dhe shumë indiferent ndaj problemeve që kanë emigrantët shqiptarë. Ambasada qëndron larg edhe problemeve kulturore. Biles jo vetëm që nuk organizojnë ndonjë aktivitet kulturor si ambasadë, por ajo që është edhe më e keqe, kur kryesitë e shoqatave të emigrantëve organizojnë aktivitete artistike e kulturore i ftojnë punonjësit e ambasadës sipas rastit dhe ata nuk begenisin të marrin pjesë! U premtojnë dhe nuk shkojnë. Kjo është për të ardhur keq. Kam mendimin se Ministria e Jashtme e Rep. Shqipërisë duhet që t’u tërheqë vëmendjen ambasadës sonë në Londër dhe veçanërisht ambasadorit, z. Kastriot Robo, sekretarit të ambasadës, z. Arben Murra e të tjerëve për qëndrimet e tyre shumë indiferente ndaj emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Angli. Ky indiferentizëm, për mendimin tim, është i pafalshëm. Kthehemi edhe njëherë tek libri antologji për të cilin folëm pak më lart, duket si një letër e gjatë, një letër e nisur drejt atdheut, ashtu si edhe drejt diasporës shqiptare që nuk ka ndonjë adresë, por duket se u drejtohet të gjithëve që nga pushtetarët e politikanët dhe deri tek ata mërgimtarë që kanë harruar se janë shqiptarë, apo të atyre nënave në mërgim i porosisin fëmijët e tyre kur i nisin në shkollë të thonë se janë shqiptarë. Është një këngë e gjatë së sfidon doganat, vizat, aeroportet apo kontrollet. Është këngë që shpërthen meridianet shpesh herë të hekurta për ne shqiptarët dhe shkon drejt një dere që përfundon në Atdhe. Këta bashkëautorë i bashkon diçka më shumë se stili, më shumë se poezia, apo letërsia në përgjithësi. Ishte pra fjala shqip dhe dëshira për t’u ndier pak më shumë shqiptarë në ballafaqimin e madh të kulturave dhe vlerave. Autorët e kësaj antologjie kërkojnë pak më shumë Atdhe dhe të vetënxiten duke kërkuar edhe prej bashkëkombasve për t’u ndier pak më shumë shqiptarë… Krijuesit këtu në Mbretërinë e Bashkuar kanë një hapësirë të gjerë krijimi dhe një gjeografi mjaft të larmishme. Ata vijnë thuajse nga të gjitha trojet etnike shqiptare, që nga Mitrovica e gjer në Sarandë, duke pasqyruar në krijimet e tyre që nga ambjentet e aristokracisë angleze dhe deri qyetet e gurta apo zanat e bjeshkëve… Ky aktivitet u shoqërua edhe nga këngë e valle karakteristike shqiptare nga grupi i valleve të “shpresa program” nën drejtimin e koreografit të talentuar Tomorr Kokona. U largova nga ky aktivitet i bindur se njeriu atdhe të dytë nuk mund të gjesh, e ndërsa nëpër motin e ftohtë të Londrës, ku si gjithnjë pranvera ecën avash këtu duke u vonuar të vijë, e duke u larguar nga ky ambjent i mrekullueshëm, të duket se përsëri dëgjon këngën e krijuesve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar “Lërmëni pak atdhe”. Dhe ndien se tingujt sfumohen. Duket se zërat e kësaj kënge janë paksa të mbyllur nga shtrëngimet e meridianeve, porteve, aeroporteve të mbyllura për shqiptarët! Ata s’kanë atdhe tjetër… Dhe unë po vazhdoja rrugën drejt qendrës së Londrës me veturën e një shokut tim, kryetarit të komitetit shqiptar “Faik Konica”, z. Talat Pllana, por më dukej se po dëgjoj tingujt e këngës që kënduan dy të rinj të veshur me kostum kombëtar “… mos ma prek ti shkja Drenicën, se kam gjallë Azem Galicën”, që i kushtohet komandantit legjendar Adem Jasharit. Dhe unë u përmallova dhe dy pika loti më rrëshqitën nga sytë…
3. Në promovimin e librit tim monografi “Mbretëresha me zemër e shpirt shqiptar”, kushtuar bamirëses, shkrimtares, historianes, etnografes, korrespondentes së luftës (si e para femër në këtë rol në atë kohë), diplomates Miss Edith Durham. Kjo bijë e Anglisë, që malësorët e emëruan Mbretëreshë të tyre, që kur i shkeli këmba në tokën e shqiponjave, u bë shqiptare me shpirt dhe me zemër. Ftesën për të shkuar në Londër e për të bërë promovimin e këtij libri e kisha marrë kohë më parë nga kryetari i shoqatës “Miss Edith Durham”, z. Petrit Kuçana. Data e promovimit të librit ishte lënë më 18. 04. 04 në ora 13 e 30. Salla ku do të bëhej ceremonia e promovimit të librit ishte caktuar afër sheshit “Viktoria”, ish-Mbretëresha e Anglisë. Në sallë, afër mikrofonit, valëviteshin dy flamuj: shqiptar dhe ai anglez. Çdo gjë në vendin e vet. Aty kishin zënë vend studiues, shkrimtarë, gazetarë dhe intelektualë të tjerë. Aty kishin ardhur edhe njerëz të tjerë të thjeshtë. Numëroheshin mbi dyqind pjesëmarrës. Për të shkruar dhe filmuar kishin ardhur dhe Sokol Gruda, drejtues i RT “Pasaportë” të Londrës së bashku me kameraman për të pasqyruar këtë aktivitet. Në këtë aktivitet ishte ftuar dhe mbesa e Miss Edith Durham, miss Gill Trathowan, të cilës pak më parë i kisha dhuruar edhe librin tim kushtuar tezes së saj. Fjalën e hapjes së kësaj ceremonie e hapi kryetari i shoqatës “Miss Edith Durham”, zoti Petrit Kuçana, i cili është edhe gazetar. Me këtë rast falënderoj z. Kuçana për ftesën që na bëri, për organizimin e kësaj ceremonie të promovimit të librit, për shpenzimet që bënë si shoqatë për sallën dhe koktein, për pjesëmarrjen etj. Falënderoj gjithashtu kryetarin e komitetit shqiptar “Faik Konica”, z. Talat Pllana, për ftesën, për vlerësimin që i bënë librit si ai dhe Petrit Kuçana, kryetarin e shoqatës “Dituria”, z. Ruzhdi Jata, kryetarin e shoqatës “Bashkimi”, etj. Falënderoj gjithashtu Miss Gill Trathowan, mbesën e Miss Edith Durham, si studiues, shkrimtarë, gazetarë etj., me radhë të cilët në fjalët e tyre vlerësuan maksimalisht botimin e këtij libri monografi, i cili jep një pasqyrë reale të aktivitetit të jashtëzakonshëm të Miss Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët, si bamirëse, si shkrimtare, etnografe, diplomate, historiane, korrespondente lufte dhe si Mbretëreshë e Malësorëve. Pra bëri aq shumë sa askush tjetër për të ndihmuar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, në momente të tilla që rrezikoheshim të zhdukeshim edhe si komb. Botimi i këtij libri monografi, – u tha në këtë takim, – që botohet me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Miss Edith Durham, nga shumë diskutantë, hap një urë të re për të lidhur miqësinë e mëtejshme midis popullit shqiptar dhe atij anglez. Ata kërkuan që libri monografi “Mbretëresha me zemër e shpirt shqiptar” të gjenden mundësitë që të përkthehet sa më parë edhe në gjuhën angleze. Në këtë ceremoni munguan vetëm ambasadori shqiptar, z. Kastriot Robo dhe sekretari i ambasadës, z. Arben Murra, të cilët ishin të ftuar dhe kishin premtuar se do të marrin pjesë me kënaqësi, biles do të ndihmojnë edhe për organizimin e kësaj ceremonie, sepse është rasti i parë që promovohet një libër i tillë këtu në Londër, por si përfundim, ndihma dhe respekti i tyre qe shumë i vogël dhe ra shumë në sy të pjesëmarrësve në këtë takim. Mua s’më mbetet tjetër vetëm “t’i përshëndes për xhestin jo të mirë…” Në fund të ceremonisë, i përshëndeta edhe unë pjesëmarrësit për pjesëmarrjen, për shpenzimet që bënë, për vlerësimin maksimalisht të librit tim. Mbas ceremonisë, nëpërmjet kokteit bëmë me dhjetra fotografi me pjesëmarrësit dhe pastaj u largova nga ky ambjent shumë i ngrohtë dhe dashamirës, me shumë respekt për të gjithë, me mirënjohje të veçantë për këta njerëz të mirë që kishin ardhur shumica nga larg duke bërë qindra km rrugë, gjë që nuk ta bën kushdo këtë respekt. U largova nga Londra madhështore duke marrë me vete dashurinë dhe respektin e tyre, të cilët bëjnë çdo sakrificë për të ruajtur e mbrojtur traditat më të shkëlqyera të popullit shqiptar, të kombit të vet, ku u lindën dhe u rritën, që nga Kosova e gjer në Sarandë. U largova gjithashtu duke premtuar se do të vij përsëri në Britaninë e Madhe dhe këtu do të përfundoj romanin që kam në proces për emigracionin shqiptar. Me t’u kthyer nga Anglia, bëra këtë reportazh si mirënjohje e respekt të veçantë për këta intelektualë të nderuar dhe njerëzit e thjeshtë emigrantë në këtë vend të bukur ku punojnë dhe jetojnë pa harruar mallin e madh të vendlindjes së tyre. Nikë Bunjaj Shkrimtar, dr. shkencave shoqërore Korrespondent i gazetës “Shqipëria Etnike”
Policia provokon e dhunon qytetarët e Shkodrës Liria, demokracia, kodi ligjor, etika e të jetuarit në komunitet, janë produkt i investimit kulturor të shoqërisë. Të çdo shoqërie. Në shoqërinë shqiptare Shkodra është pararoja. Si e tillë, kryeqendra e veriut shqiptar, ka normalisht edhe përgjegjësinë më të madhe jo vetëm morale, të ndikojë në ecjen drejt Europës së qytetëruar të shoqërisë shqiptare. Nëse kemi kurajon të besojmë se agresiviteti është rezultat i instinktit të së keqes, duhet të gjykojmë se energji të tilla mund të “çlirohen” pa u zmadhuar shumë, pikërisht përmes sjelljed agresive. Kështu ka ngjuarë përgajtë tërë historisë së njeriut. Kudo në këtë botë. E bëmë një parantezë të tillë për t’u bërë ballë në kohë gjërave që nuk shkojnë mirë. Dhe ajo çka nuk është e mirë do të thotë se është e keqe. Redaksia e gazetës “Shqipëria Etnike”, që normalisht sot është më e besuara për shumë diplomaci, pasi lexohet në tërë botën nga shqipfolës, italishtfolës e anglishtfolës në internet dhe merr shumë urime, kohët e fundit ka marrë ankesa të kosiderueshme nga njerëz të ndershëm në adresë së policisë së prefekturës së Shkodrës. Është një pjesë jo e vogël e popullatës e pakënaqur me policinë. Gjithsesi, kësaj here vetëm sa po e çukitim këtë klonim. Në thuajse tërë rastet, kur virtet një njeri, çka ndodh tepër shpesh, nuk prangoset krimineli. Krimineli shkon gjithmonë në një rrugë, në drejtim të paditur, pra në rrugë të ditur. Policia thuhet sa ka filluar të arrestojë dikë nga farefisi. Të zbatosh Kanunin e Lekë Dukagjinit, apo të sjellësh metodën e Enver Hoxhës, që internonte shumë për një, nuk e dimë se ku është më pozicionale kjo medemek ligjshmëri. Ditë më parë u pushkatua në derë të shtëpisë një shtetas në Hot. Policia arrestoi një nip të familjes që mendohej se kishte konflikt të vjetër me familjen e viktimës. Arrestimi u bë në fshatin Bogë. Madje aty u arrestua edhe një nip i atij nipit, që kishte shkuar si mik. Shyqyr që nuk qe edhe ndonjë stërnip i stërnipit. Po të nesërmen personi lirohet. Policia e nxjerr dhe e hedh në mes të rrugës. Ai shikon përreth dhe pyet se ku është, pasi nuk njihte terrenin. Ora ishte 23 e 30 minuta. -Në Shqipëri je, – i thotë një zë. Ai u lutet policëve ta dërgojnë deri tek shtëpia e një avokati që e kishte të afërm. Por problemi është pakçka më i thellë. Mund të mendosh se ndalime të tilla bëhen sa krimineli të ikë në atë drejtimi e paditur, pra në atë rrugën e ditur. Çdo rend a rregull në botë, në qoftë se humb një pjesë të pranueshmërisë të një pjese të shoqërisë, e provokon atë shoqëri, e dhunon atë shoqëri. Kur u shpjeguam në Durrës dy miqve tanë gazetarë nga Londra, se pse ka kaq diznivel në ekonomi, rend, drejtësi, Tirana e Durrësi, me Shkodrën a Tropojën, ata kishin opinion se dikush ka qëllim ta shkatërrojë Shqipërinë, ta kthejë në një Ugandë për nga varfëria, në një Kolumbi për nga trafiqet. Ndërsa bandat që po i japin Shqipërisë pamje Siçilie të para tridhjetë viteve, nuk do dhe shumë logjikë të opinionohet se ato janë një interpret i demogogjisë apo pjesë e dhunës psikologjike e fizike të vetë shtetit. Ajo mori e madhe makinash policore që bën spektakël shpesh kot së koti nëpër Shkodër, duke u futur me shpejtësi edhe në rrugë plot njerëz, apo ai numër i madh policësh që futen lokaleve duke u kapardisur, madje edhe duke pirë me anarshistë, sjellin pamje jo të mirë. Nëse ky shtet merr guximin të gjykojë se dendësia policore tepër më e lartë se ajo e popullsisë normale, gjithnjë në raport me vendet përreth, është normale, është vendi të diskutohet se çmenduria, dhuna, krimi nuk janë asgjë tjetër veçse përzmadhim i modeleve të sjelljes. Dhe vijnë pikërisht nga modele të tilla sjelljesh. Të kuptohemi, fjalën e kemi për policinë anemike që është utopsia e demagogjisë së shtetit. Kur qytetari sheh mikrobuzë të ecin revan, kur fëmijët çakërdisen e u ngjallet ndjenjë frike, kur sheh policë që shesin mend duke larguar si padashje xhaketën për t’iu dukur paksa grykëholla, jo vetëm që dhunohet, jo vetëm që terrorizohet, por ka të drejtë edhe të mendojë se strukturat e shtetit nuk kanë arritur të gërshetojnë vlerat e profesionalizmit e intelektualizmit, me ato të militantizmit… Kjo lloj forme ne e vërejmë se ka nisur të bluhet, të sitet, në kështjellën e qytetarisë shkodrane, pasi më datën 28 prill ishim prezent në zyrën e Kryetarit të Këshillit të Qarkut, kur një kryetar partie ishte i shqetësuar pse atë ditë kishte patur një demonstrim policor tepër anormal rrugëve të Shkodrës. Raste të ngjashme janë shfaqur e kanë patur pasoja në shumë vende problemore. Por edhe në Shqipëri nuk është rasti i parë që turpi e dhuna psikologjike lidhet me policinë, nuk është as hera e parë që përpjekja për copëzimin e dinjitetit demokratik dhe rritja e dhëmballëve të dhunës lidhet me policinë. Nëse mund të besojmë se agresiviteti është rezultat i instinktit të që keqes, duhet pranuar se ato energji duhen çliruar pa u zmadhuar shumë, pra, pa sjellje agresive. Sokol Pepushaj, Albert Vataj
Ka trishtim e dhunë edhe në jetën e grave shqiptare Gruaja shqiptare është më e diskriminuara në tërë globin. Sipas statistikave të regjistruara dhe të pranuara tashmë edhe nga qeveria shqiptare janë rreth 35.000 të trafikuara nga vetë strukturat e shtetit, pasi mafia është e lidhur dhe e mbrojtur nga pushtetarët. Por shifra reale është tepër më e lartë. Por ajo çka është tepër më tronditëse është se femrat në Shqipëri dhunohen, madje edhe eliminohen fizikisht, kur është fjala se merren me veprimtari demokratike apo kanë pjestarë të familjes të tillë. Kjo është një formë që u bëhet presion të afërmve të tyre për të hequr dorë nga përpjekjet për të instaluar drejtësi e barazi para ligjit në këtë vend që aksidentalisht është ndër më problemorët e më të pasigurtët në tërë botën. Kjo shqiptare që shikoni në këtë foto, është shumë e re. Ka lindur më 02. 07. 1977. Quhet Silvana Jonuz Miruku. Ajo që fëmijë, pra që 13 vjeçe ka qenë në krah të babait, në demonstrata politike antikomuniste, sipas një dokumenti të Shoqatës Politike Antikomuniste “13 Dhejtori 1990”. Silvana ishte edhe në protestën kundër votëvjedhjes nga policia e Ramiz Alisë, të organizuar më 2 prill 1991 para ish-Komitetit të Partisë së Punës në qytetin verior të Shkodrës, ku i ati u dhunua nga segmente të errëta të Sigurimit të Shtetit. Ajo si vajzë e vogël u tmerrua, sikundër ishin tmerruar të parët e saj. Vetë babai, Jonuzi, kishte marrë një dënim me burg politik me 25 vjet më 1954, pas dy vjetëve hetuesi dhe ku kishte vuajtur plot 13 vjet e pesë muaj, ku pjesën tjetër e kish fituar si falje për sjellje të mirë. Po nejse, le të flasim për jetën e kësaj të reje dhe të familjes së saj. Më 1996 Silvana pranohet anëtare e Shoqatës Politike Antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, ku edhe shquhet. Vihet në shënjestër të mekanizmave të shtetit të dhunës. Më datën 12. 05. 2001, teksa ajo po shkonte në Shkodër së bashku me të vëllanë, Shpëtim Jonuz Sulishti për tek prindërit e burrit, pasi prej disa kohësh qëndronte e fshehur në fshatin Shehër të Lezhës, madje së bashku edhe me djalin, meqenëse burrin Gëzim Miruku ia kishin kërcënuar me vdekje dhe ishte larguar nga Shqipëria, tek vendi i quajtur Ura e Bahçallëkut, në orën 21 e 10 minuta, u dalin katër persona në pritë. Katër vetë të maskuar, të armatosur, me një autoveturë pa targa, ngjyrë vishnje, qëllojnë me mjete të forta dhe kërkojnë djalin e Gëzimit. Vëllai i Silvanës tashmë ishte i plagosur në këmbë me breshëri automatiku dhe makina e tij kish devijuar e rënë në kanal. Por sipas një dokumeni të një nënkoloneli policie me numër protokolli 13/5, dhe që e kemi të kompjuterizuar dhe në dosje të redaksisë, një polic, S.I.M. i ka gjetur rastësisht në vendngjarje dhe u ka dhënë ndihmën duke i dërguar për në spital. Silvana nuk ka pranuar të shtrohet, por është mjekuar ilegalisht nga frika, në shtëpinë e nënës së vet. Gjithsesi jeta është shumë më afër vdekjes këtu në Shqipëri për Silvanën, sikur ajo të kapet, por për fat ka braktisur Shqipërinë. Lukë Vela
Shteti me kamzhik Ish të persekutuarit politikë ditët e fundit u dhunuan fizikisht para Parlamentit Shqiptar. Partia në pushtet u dha një kërbaç të fortë, i gjakosi, i masakroi dhe i çoi në dhomat e izolimit, vetëm se ata kërkojnë në mënyrën më paqësore e qytetare dëmshpërblimin për vitet e burgut. Ashtu sikundër u takon, ashtu sikundër u dëmshpërblye Kryeministri Fatos Nano, madje për vite burgu për hajdutëri të ndihmave humanitare nga “Levante Co.”, 13 vjet më parë. Por jo vetëm ligjet i diferencojnë shqiptarët. Është shkopi i gomës, është dhuna fizike e psikologjike, është kërbaçi ai që bie mbi demokratët, mbi ata që aspirojnë për demokraci e të drejta e liri njerëzore. Ja, ky person që shikoni në fotografi, para rrënojave të dyqanit të djegur rreth tre vjet më parë, duke i shkatërruar biznesin dhe kërcënuar jetën dhe që quhet Çlirim Qazim Çelepija, u bë viktimë e agresivitetit të shtetit fashist që ka pushkatuar shumë shqiptarë këto vitet e fundit. I rrjedhur nga një familje e persekutuar, e diferencuar, e nëpërkëmbur, që në fillim të proceseve demokratike kish kontribuar në hapjen e kishave dhe xhamive, kish kontribuar si anëtar e veprimtar i Partisë Demokratike, duke u shquar në krye të organizatorëve të opozitës si pjesëmarrës në shumë tubime paqësore për një jetë të lirë e pa dhunë. Segmente me prapavijë politikë, të shtyrë nga qëllime hakmarrëse deri me eliminim fizik, kishin arritur ta dhunojnë, ta kërcënojnë, biles edhe të tentojnë t’i grabisin vajzën që sapo kishte filluar të mësojë të shqiptojë fjalët e para, nënë, baba. Kjo ka ngjarë më 14 tetor 2001. E, Enrisa e vogël s’dinte gjë se diktatorët, ata që sot po drejtojnë shtetin, ata që sot po dhunojnë e vrasin, ishte e dënuar, nëse një ditë babi e mami, pra Çlirimi e Enkeleda, nuk do të largoheshin atyre udhëve të shpëtimit të jetës, ku në fakt ka rreth dy vjet që nuk kanë adresë për burimet tona. Ajo çka është më shqetësuese, është fakti se shteti haptas po e forcon hakmarrjen kundër demokratëve, kundër njerëzve që kërkojnë liri e të drejta njerëzore. Vasel Gilaj
Ç’shohim pas thirrjes “Nano Ik!”? Kryesorja është se shohim mosdakordësinë e shumë shqiptarëve me mënyrën e qeverisjes së Kryeministrit Fatos Nano. Shohim edhe besimin që po fiton terren përditë të opozitës që protestat mbarëpopullore nën thirrjen tashmë mbarëshqiptare në nocionin gjeografik, janë bërë refren i ditës e i natës, ndoshta edhe kërkesë ndryshimesh. Por pas kësaj proteste të demokratëve shqiptarë që vetëm në Tiranë arrihet të mblidhen rreth 80.000 vetë, shohim edhe zemërimin e shtetit të rrethuar me tela me gjemba, me kangjella, me mure betoni, me rradhë policësh të armatosur që jo vetëm rrahin e prangosin, por edhe qëllojnë me armë mbi protestuesit. Demokrati Agostin Tomë Curri, shoku i tij i idealit demokratik për një Shqipëri pa korrupsion, pa kontrabandë, pa hajdutëri, pa diferencime politike, pa dhunë, Arjan Januz Druni, si shumë të tjerë, janë dhunuar kafshërisht nga policia patericë e diktaturës. Agostin Curri dhe Arjan Druni, si dhe familjet e tyre kanë qenë shumë herë viktima të dhunës. Që në fillim të proceseve demokratike e në vazhdimësi janë shquar për investim të kapaciteteve të tyre për një Shqipëri pa diktatorë. Duke rrezikuar jetën e tyre menduan për jetën e të tjerëve. Por erdhi një ditë që të braktisin Shqipërinë, të kërkojnë vend jete të sigurtë, pasi pas thirrjes “Nano ik”, pasi pas demonstrimeve apo angazhimeve në radhët e opozitës konstruktive shqiptare, ka dhunë, kërcënata serioze e pasiguri jete. Zog Hysenaj
Policia ndëshkon demonstruesit e 7 shkurtit Të investosh për një shoqëri të lirë, të marrësh pjesë në një demonstratë antiqeveritare në Shqipëri, shteti të akuzon si kriminel. Kështu ngjau edhe me demonstratën e 7 shkurtit 2004, të organizuar në Tiranë nga tërë forcat e djathta politike të Shqipërisë. Përveç shkopinjve të gomës, grushtave e shqelmave të policisë dhe të sigurimit të shtetit, përveç dhunës së njerëzve me maska që torturuan demonstruesit paqësorë, u arrestuan shumë të tillë. Ndërmjet tyre edhe demokrati Nikoll Naçaj dhe i biri Ermal Naçaj. Strategjia e këtij shteti që siç e quajti Ambasadori Amerikan James Jeffrey, “Shtet i gjunjëzuar para krimit”, është të mbajë pushtetin kriminal me çdo çmim, duke frikësuar e larguar nga skena politike shumë demokratë. Mes tyre edhe Nikoll Neçaj me të birin Ermal. Tashmë protestat janë shtrirë në tërë Shqipërinë dhe sipas deklarimeve të liderit demokrat, prof. dr. Sali Berisha, Shqipëria në zgjedhjet e vitit të ardhshëm parlamentare, mund të shkojë në kutitë e votimit vetëm pa Fatos Nanon. Edhe ndërkombëtarët e kanë kushtëzuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian e NATO, në zhvillimin e një procesi zgjedhor të drejtë. Por koha po kalon dhe asgjë premtuese nuk duket në horizont të politikës. Madje situata është gjithnjë duke u acaruar e problemet duke u trashur. Qeverisja e Kryeministrit Fatos Nano është modeli i një shoqërie të mbërthyer nga metodat e diktaturës e të padrejtësive njerëzore. Janë trafikuar fëmijë, janë përdhunuar femra, madje edhe minorene, janë rrahur e gjakosur ish të dënuar politikë pikërisht para Parlamentit Shqiptar, vetëm se kërkojnë të drejtat e tyre legjitime, janë stimuluar njerëzit që akuzohen për krime e terrorizëm nga vetë politika, janë vrarë shumë. Dhe kjo formë ka shtatë vjet që përmasohet nga dita në ditë. Ja një fakt, Gjokë Kokaj, njëri ndër shokët e idealit të demokratit Nikoll Naçaj qe pushkatuar në Tiranë para derës së shtëpisë më 31 mars 2001. Gjoka e Nikolla kishin investuar si demokratë që në fillim të proceseve demokratike në Shqipëri, madje ishin përballur edhe me grupe terroriste. Njëri u vra, tjetri jeton sot në Tiranë. Ky i fundit, Nikolla, nga pasiguria dhe frika për ta vrarë, është larguar nga Shkodra, njëlloj si shoku i tij që arritën ta vrasin. Të dyve më 16 maj 1996, u kishin bërë një atentat tek vendi i quajtur Harku i Bërdicës në Shkodër. Gjoka qe plagosur me plumb në gjoks të majtë, Nikolla me plumb në pulpën e këmbës së majtë. Edhe mjekimin qenë detyruar ta bëjnë privatisht në fshat, pasi mund të vriteshin në spital, siç edhe ka ngjarë. Madje janë vrarë edhe mjekë, si Zamir Shazi. Edhe djalin, Ermalin, Nikoll Naçaj u detyrua ta largojë nga Shkolla e Mesme “Eqrem Çabej” në Tiranë, që nga viti i tretë në 2001-in. Madje për shumë kohë, deri tani së fundmi që arriti ta largojë nga Shqipëria, e mbajti të fshehur në Veri të Shqipërisë, mes maleve të Vermoshit. Pra, shteti po nxin përditë faqe dhune në dosjen e tij të pistë kriminale. Sokol Pepushaj
Shkaqet e konflikteve dhe plumbat që marrin jetë Gjithçka nisi me grabitjen e 3 janarit 2003 të Senadës, vajza e vetme e Fahri Kallmit, banor i lagjes “Qemal Stafa” në qyteti e Shkodrës, e datëlindjes 27 janar 1985. Atë ditë së bashku me dy shoqe të tjera niseshin për vizitë tek një shoqe e tyre në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Teksa ecnin ashtu të shkujdesura papritmas para tyre ka ndaluar një veturë Benz-Mercedes me targa të huaja dhe ngjyrë të zezë. Dy duar të fuqishme kanë tërhequr brenda saj 18-vjeçaren Senada Kallmi. E ndërsa makina ikte me shpejtësi duke lënë pas një re të dendur tymi e pluhuri bashkë, dy shoqet e Senadës të tronditura, kthehen dhe u tregojnë ngjarjen familjes Kallmi. Ankthi dhe trishtimi bien menjëherë tek pjestarët e kësaj familje që deri në ato momente jetonte normalisht e pa probleme. Fahri Kallmi, babai i Senadës, së bashku me vëllezërit Bashkimin dhe Ilirin e djalin e axhës Benin, nisin kërkimet për gjetjen e Senadës. Fillimisht pa lajmëruar strukturat e policisë së shtetit. Pas tre ditësh lajmërojnë policinë dhe vetëm pas një jave Senada me telefon njofton familjen se ndodhej në një motel në qytetin e Vlorës, pronë e shtetasit Agron Shehu. Vëllai i Fahrisë, Bashkimi dhe djali i axhës, Beni, të nesërmen mbërrijnë në Vlorë dhe pasi i bëjnë presion pronarit të motelit, Shehu, mësojnë dhomën ku strehohej prej 8 ditësh Senada. Ashtu në gjendje depresioni dhe të traumatizuar e kanë sjellë në shtëpinë e saj në qytetin e Shkodrës dhe janë përpjekur të mësojnë nëse ajo e njihte djalin që e grabiti në mes të rrugës, paraditen e 3 janarit 2003. Vetëm pas 7 ditësh prej kthimit në shtëpi, Senada ka mundur të bëjë të qarta karakteristikat e grabitësit dhe dhunuesit të saj. Siç tregoi ajo, ishte një djalë 28 vjeç me origjinë nga Tropoja, banor prej disa vitesh në qytetin e Shkodrës, njëri ndër kontigjentet e krimit në kryeqendrën e Veriut të vendit. Kaq ka mjaftuar që vëllai i Fahrisë, Bashkimi dhe djali i axhës, Beni të vendosin për t’u hakmarrë e për të çuar në vend nderin e nëpërkëmbur të vajzës së familjes Kallmi. Më 19 janar kanë udhëtuar drejt qytetit të Vlorës dhe një ditë më pas, më 20 janar 2003, me tre të shtëna pistolete në afërsi të Monumentit të Pavarësisë lënë të vdekur në vend 28-vjeçarin Gjin Doda, i identifikuar si persekutori i Senadës. Qysh prej atij momenti, Fahri Kallmi, 44 vjeç, me bashkëshorten, Nailen, 43 vjeçe, Senadën 18 vjeçe dhe djalin, Edvinin, i datëlindjes 31 janar 1988, së bashku me të afërmit e farefisin e tyre nisin periudhën e vështirë të ngujimit. Familja e Gjin Dodës dhe të afërmit e tyre zbresin në Shkodër e sipas Kanunit të shpërfytyruar vitet e fundit, kërkojnë të hakmerren. Vëllai i Fahrisë, Bashkimi dhe djali i axhës, Beni dhe meshkujt e tjerë të fisit fshihen në zona të ndryshme të vendit. Më të rrezikuar për t’u ndëshkuar nga pushka e hasmit ishin Fahria dhe djali i tij, Edvini. Dy shoqatat e pajtimit, Lidhja e Misionarëve të Paqes dhe Misioni Mbarëkombëtar “Nënë Tereza” nuk arrijnë të zbutin gjakrat e ndezura të tropojanëve që rrinë me gishtin në këmbëzën e pushkës, për të marrë gjakun e Gjin Dodës, duke pritur t’i shkrehin mbi Fahrinë, Edvinin 6 vjeçar ose vëllezërit e tij, Bashkimin e Ilirin. Ky është realiteti i hidhur në Veriun e vendit në këtë fillimshekulli. Gjakmarrja është rikthyer vrullshëm duke marrë çdo ditë jetë të pafajshme e mbyllur njerëzit nëpër kullat e ngujimit. Shteti është i pafuqishëm e në disa raste strukturat e tij janë të lidhura me krimin. Fatin e keq të familjes Kallmi e kanë edhe qindra të tjera në rrethet e Shkodrës dhe M. Madhe. “Gjaku lahet me gjak” – shkruhet në nenet e Kanunit të tmerrshëm… Rifat Ymeri
Pas vizitës së Fatos Nanos në Kosovë, plasën trazirat Shkruan: Nazmi LUKAJ Pas vizitës së parë të Fatos Nanos në Kosovë, ndodhën dy gjëra shumë të këqija: u gjuajt presidenca dhe u organizuan protesta të pakontrolluara, të cilat lënduan imazhin tonë në botë. Kjo të bën të dyshosh se vizita e tij nuk e ka pasur thjesht karakterin e një vizite, po një synim tjetër-krijimin e trazirave si ato të Shqipërisë më 1997. Gjërat shpeshherë koincidojnë rastësisht. Ndoshta edhe këto kanë koinciduar kështu, por, megjithatë, duhet të hetohen nga strukturat e sigurisë ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, sepse emri i Fatosit është i njohur moti për disa lëvizje antishqiptare, si Kreta etj. Me emrin dhe qeverinë e tij lidhet edhe krijimi i strukturave sekrete te ne, menjëherë pas përfundimit të luftës, përmes të cilave regjimi socialist ka synuar dhe synon ta shtrijë konceptin e vet politik edhe në këtë pjesë të atdheut, duke manipuluar me partitë e “dala nga lufta”, që u ka premtuar se do të bëjë çmos që t’i sjellë në pushtet. Duke qenë i përbotshëm ky fakt, të përforcohet dyshimi se gjatë vizitës që ia bëri Kosovës, mund të jetë marrë vesh me epigonët e vet për trazira dhe për sulmin në presidencë. Është shumë interesant se, sa herë vritet dikush nga autoritetet e LDK-së, menjëherë ndodh diçka edhe në taborrin tjetër. Edhe kur u sulmua Presidenca, ndodhën protesta të pakontrolluara, të cilat vunë në plan të dytë sulmin ndaj saj. Po ashtu, ka ndodhur që edhe serbët, bash kur është vrarë dikush nga autoritetet e LDK-së, të krijojnë trazira!!! Edhe kjo të bën të dyshosh se mos dikush brenda partive të “dala nga lufta”, ose të partive të tjera që kanë vepruar një kohë të gjatë në ilegalitet, mban lidhje me serbët e Veriut. Një gjë të tillë, duhet ta analizojnë këto parti, sepse nuk duhet ta përjashtojnë mundësinë se dikush, në emër të atdhetarizmit, mund të ketë rol tjetër. Se, si u bë që shpesh të ketë njëfarë lidhshmërie vrasja e autoriteteve të LDK-së me ndonjë tragjedie të rëndë për shqiptarët nga serbët e Mitrovicës, ose të krijojnë trazira?! Rasti i fundit që ndodhi me tre fëmijët shqiptarë të Çabrës, sikur e kishte këtë koordinim: të krijohet ndonjë tragjedi, që do ta përjetojnë rëndë shqiptarët, e që do të marrë dy përmasa: e para të zbehet sulmi në Presidencën, dhe e dyta të përfitojnë politikisht serbët. Dihet se Fatos Nano është i lidhur në Kosovë me disa figura shumë misterioze nga radhët e partive “ të dala nga lufta”. Meqë Nano është politikani më misterioz, nuk përjashtohet mundësia që të jetë marrë vesh me epigonët e vet për gjërat që ndodhën këtu, vetëm pak ditë pas vizitës së tij. Pra, ka mundësi të mëdha që ai të jetë marrë vesh me të tillët që të eliminohet presidenti Rugova. Dhe, kur nuk është realizuar ky skenar, .atëherë mund të jenë marrë vesh për skenarin e dytë –krijimin e protestave, për të pasur mundësi që të manipulojnë më lehtë me protestuesit, që të krijohen kushtet për një rrebelim të tipit socialist të vitit 1997. Ose, nëse nuk mund të arrihet kjo, së paku, të zbehet sulmi në presidencën. Mirëpo, pavarësisht nga tragjeditë që ndodhën gjatë protestave, ky sulm nuk duhet të harrohet nga policia e UNMIK-ut dhe e SHPK-së, për shkak se akterët e tij duhet patjetër të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Identiteti i tyre është i rëndësishëm të dihet, që të zbulohet më lehtë se a kanë dalë nga kontrolli qëllimisht protestat, për një rrebelim të tipit të vitit 1997, që ndodhi në Shqipëri. Edhe një gjë “partitë e dala nga lufta” duhet ta kenë të qartë: përfundimisht duhet të heqin dorë nga lidhjet që i kanë me strukturt e Fatos Nanos, dhe ta krijojnë një identitet të vetin politik, se vetëm kështu mund t’i ndihmojnë Kosovës. Lidhjet me Nanon u kanë shkaktuar shumë dëm në veprimin e tyre politik, i cili u ka kushtuar shtrenjtë. Dhe do t’u kushtojë deri sa t’i mbajnë këto lidhje. Do t’i kushtojë edhe Kosovës, për faktin se Nano është shumë misterioz në politikën shqiptare. Si njoftojnë disa burime të gazetës, prapë në Kosovë parashihen protesta. Nëse ato sërish dalin nga kontrolli, atëherë bëhet e qartë se rrebelimi sipas kenarit të vititi 1997, që ndodhi në Shqipëri, është qëllimi i tyre. Mos e dhashtë Zoti të marrin përmasën e atyre të para pak ditëve, se atëherë Kosova do ta marrë goditjen më të rëndë…
Largimi i antikomunistëve, humbje për demokracinë shqiptare Fenomeni i braktisjes së Shqipërisë lidhet në të shumtën e rasteve me shpëtimin e jetës, pasi thika pas shpine që pushtetarët u fusin demokratëve tashmë është bërë një problem i njohur jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe për diplomacitë e huaja. Ja, Gilman Vehbi Dani, i datëlindjes 19. 01. 1973, në lagjen “Ahmet Haxhia” të Shkodrës, duke qenë se rridhte nga një familje me taban antikomunist, ku xhaxhai i babës së tij, nacionalisti i njohur shqiptar Riza Dani qe pushaktuar pa gjyq më 1946 nga sistemi i Enver Hoxhës, që në fillim të proceseve demokratike, megjithëse shumë i ri, u përfshi në lëvizjet e mëdha për përmbysjen e diktaturës më të egër në botë. Si anëtar dhe veprimtar i Shoqatës Politike Antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, si pjesëmarrës në tubimin madhështor të 2 Prillit 1991, ku u protestua për votëvjedhjen e Ramiz Alisë dhe ku u vranë katër vetë, ku Gilmani Dani u keqtrajtua kafshërisht, e pati jetën shumë të rrezikuar. Edhe më 14 shtator 1998, ditën e varrimit të deputetit demokrat Azem Hajdari, të vrarë nga komunistët në Tiranë, Gilmani u dhunua, si shumë të tjerë. Por përballja me vdekjen ishte më e tragjishme më 25 maj 2001, kur një grup personash të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të tij dhe të vëllait të tij para muzeuz të Shkodrës. Atë ditë vëllai i tij, Artur Dani, u plagos me armë zjarri, ndërsa Gilman Dani, falë shansit shpëtoi duke u larguar me vrap. Arturi, një muzikant i njohur në Shkodër, bëhet viktimë, pasi prapavija politike e këtij shteti ndër më kriminelët në botë, kishte qëllim vrasjen e Gilman Danit. Arturi u shtrua në spital dhe pas mjekimit u çua në dhomat e izolimit të policisë së bashku me vëllanë, Gilman Dani, ku këtij të fundit, nga torturat i dëmtuan rëndë krahun. Policia e lidhte arrestimin gjoja me zbulimin e autorëve të krimit, çka nuk është bindëse, pasi jo vetëm që ende ngjarja është e errët, por edhe më pastaj presionet kanë qenë të shumta. Madje edhe mbasi Gilman Dani arrin të marrë rrugët pa rrugë të perëndimit për të shpëtuar jetën, të afërmit e tij kanë marrë kërcënata serioze. Gjithsesi, raste të tilla të detyrimit të braktisjes së Shqipërisë nga demokratët, janë një humbje e madhe për demokracinë shqiptare. Denada Kraja
“Sekreti i Madh” i Enver dhe Nexhmije Hoxhëscopëza episodesh nga “Vendi i Gjarpërinjve” Enver anakonda dhe Nexhmije kobresha, gjarpërinjtë perversë më të tmerrshëm që kanë fshehur këmbët, karrieristë të tërbuar, kriminelë antinjerëzim, antievropianë, antiparti e antishtet, ekstremistë sollakë xhihadistë, luftënxitës klasorë e atomikë, teoricienë e halifë të bindur të socialkomunizmit të nënështruar të kazermës, të degjeneruar ideologjikisht, politikisht e moralisht, mashtrues, falsifikatorë, hipokritë, renegatë, armiq me kthetra, më të pa korigjueshmit e më të papenduarit që ka nxjerrë ky vend. Si u bëra edhe unë antistalinist e antihoxhaxhunglinist. Ndonëse kisha qenë 7 vjeç, edhe për mua kishin shënuar “internuar-dëbuar 23 vjet, për çështje politike”. Më vonë na doli se na paskëshin ridënuar edhe me vdekje, në listat operative të sigurimit për “rast lufte”… Një 7 vjeçar nuk mund të internohet për politikë, por them se mua më kanë internuar-dëbuar për “politikë”. Natën e vitit të ri 1956-57, as pa kaluar ora 24°°, ia behën Gazat me Feçorr Shehun dhe na internuan babanë fillimisht. Babai kishte rënë shumë kohë më përpara dhe ishte vetëm një nëpunës i thjeshtë, biblotekar. Për t’u siguruar se nuk po i kurdisnin ndonjë gjë tjetër, nëna i dha me vehte djalin e madh. Disa muaj më vonë na internuan edhe ne të tjerëve. Unë kam pasur rastin të kem qenë një nga “antistalinistët e shquar” qysh 5 vjeç, por që kam mbetur i “pa zbuluar”. Duke u rrotulluar për lojë me vëllanë tim të madh te busti i Stalinit, që aso kohe ishte në qendër të Tiranës, çava ballin dhe u lava në gjak. Më fashuan në kokë. Por Stalini si të thuash ma pagoi këtë “borxh gjaku”, sepse kushdo që më pyeste ato ditë i thosha se “ma ka çarë kokën Stalini muti”. Në vegjëli, siç më kanë thënë, kam qenë një fëmijë i qetë dhe kurioz dhe me shumë kujtesë. Por, se si bëhej dhe nganjëherë shkaktonja edhe ndonjë prapësi me pasoja dhe madje bëhesha edhe inatçor, sepse pretendonja se isha i pafajshëm. Siç i kam reflektuar edhe më vonë këto episode, me të vërtetë se kam qenë i pafajshëm dhe ndonjë të rrahur e kam hangër pak padrejtësisht. Por, unë kam qenë i shquar edhe për disa thënie komike. Një herë i kisha thënë karrocierit që mbidhte plehrat e Bllokut: “O shoku karrocier do më marrësh edhe mua lart në karrocë të bëj një çikë qejf”? Ky episod dhe ndonjë tjetër, kishte rënë edhe në veshin e më të mëdhenjve dhe i bënte të qeshnin “burrat” e shtetit. Një herë tjetër i kisha thënë shokut Medar Shtylla me bark të madh: “O shoku Medar, o babi i Nigdës, po ti kur do shkosh në manitet”? Një nga ato ditët e plagosjes, në rrugën e Bllokut, disa burra, ku mes tyre ishte edhe Enveri e Tuku, më thërrasin. Kishim parë një film rus me nja tre kalorës gjigandë, hipur mbi disa kuaj si të rracës estoneze, njëri nga ata kishte vënë dorën me pëllëmbë të hapur në ballë dhe shihte një fushë plot e përplot me të vrarë. Ajo fushë sikur nxirrte avuj të bardhë dhe të kuq. Ne fëmijët e Bllokut shkonim shpeshherë nga Shtëpia e Pionerit dhe shihnim filma. Unë isha si i vogël, por më merte vëllai i madh. Filma shihnim edhe në Bllok. Që të mos e zgjasim, isha bërë pak i njohur se e imitonja atë kalorësin: në vend të kalit një shkop, me pëllëmbën në ballë, duke ngrysur vetullat. Enveri, që si duket e kishte informuar sh.Tuk, mik i shtëpisë sonë, duke qeshur më thotë: -Pa na bëj një herë si ai shoku me kal, në atë filmin. Dhe unë i bëra për të qeshur, me atë imitimin. Enveri më pikasi fashon në ballë dhe më pyeti: -Po në kokë ç’ke mo, pse të kanë lidhur? -Kokën ma ka çarë xhaxha Stalin muti, se u përplasa te busti. -Hëëëë, po kjo nuk nuk është më për të qeshur! Enveri kishte çuar porosi, që ta kontrolloni fëmijën se çfarë flet dhe të mëdhenjtë të kenë kujdes, se kjo nuk është gjë e mirë! Babai, pasi e mori vesh se për çfarë bëhej fjalë, më mori me të mirë që të mos i përsërisja më ato fjalë, se pastaj “ta fusin babin në burg dhe atje e han gogoli. Kjo ndodhi kishte qenë një gjë shqetësuese në familie, se edhe nëna ime pa ditur gjë, ditën që kishte vdekur xhaxha Stalini, kishte dalë me buzë të kuqe dhe i ishte dashur të jepte llogari në organizatën bazë të Partisë. Babai vetë, ma vonë na e përshkruante atë kortezhin e përmortshëm për vdekjen e Baba Stalinit dhe na bante me qeshë. Enveri, që bërtiste me sa fuqi që kishte, në kokë të kortezhit, me një zë të përvajshëm e duke tundur të dyja duart lart, a thua se ishte fundi i botës: “naa vdiiq Stalinii, naa vdiiq Staliinii” dhe Bilbil Klosi që shqyente fytyrën me thonj sipas mënyrës “homerike labo-pellazge”: “A i mjeri unë, a i mjeri unë, oi, oi oi o Baba Stalin, oi, oi” dhe ai ambasadori sovjetik, që me nder nuk i pjerdhi aspak. Enveri kishte mbetur “si ai gjarpëri që ndehet kur e kapin prej koke”… Babai im, gjithnjë duke qeshur, thoshte për mua: “ti Agron, ke qenë një ndër antistalinistët dhe antihoxhistët e parë të shquar”. Nga filmat e tjerë, që më kishin mbetur në mendje, kujtoj një me disa fëmijë që kishin ndërtuar një fole të madhe si shtëpi druri për disa zogj, ku hypej me një shkallë. Atë fole e kishte diktuar një gjarpër tepër tinzar që ngjitej dhe i hante edhe vezët dhe i gëlltiste edhe zogjt e vegjël. Duke dëgjuar komentet dhe urrejtjen e inatin për atë “qen gjalpëri”, babai me të qeshur e me lojë fjalësh për tironçen, më kishte thënë: -Moj Gonush, moj Gonush, po nuk janë të gjith “gjalpërat e këqinj, se ka edhe gjalpëra të mirë”. -Ou! Po cili o ma i forti ka k’to t’mirët o ba, a e han atë gjalpërin e keq? -Aa, asht njëni që e han atë të keqin, bile e përpin të gjithin me gojë yyp. -A të keqen, si e ka emrin ky? -Ky quhet Anakonda, e han edhe gogolin. Por, nuk vonoi shumë dhe unë bëra sherrin e rradhës. Me llastiqe e qëllova në kokë Jurën, një rus që rrinte përballë te “Pallati i Sovjetikëve”, se ata na hidhnin nga taraca lart ca “bomba me ujë” që i bënin me letër të shndritshme të revistës Ogonjok. Kurse llastiqet ne na i bënin shoferat e udhëheqies. Babai këtë rradhë më rrahu dhe më detyroi të shkonja e t’i kërkonja të falur. Me atë rast më kanë bërë edhe një foto… Në krah të shtëpisë sonë, ku na ndante rruga e kishte shtëpinë Hysni Kapo. Te muri i tyre kishte një kanal. Një ditë me shi, unë rashë në atë kanal, e laga dhe e bëra pis me baltë uniformën e marinës sovjetike, që kisha veshur. Kështu duke qarë, për fat më kishte parë shoqia Vito. Ajo më mori në shtëpi, mi lau dhe mi thau rrobat marinare te një oxhak me dru që e kishin aty në ballë te një dhomë e madhe. Mbaj mënd se atë ditë kishin bërë krem karamel dhe më dhanë edhe mua… Kështu atë ditë shpëtova, sepse më kishin porositur të mos bëhesha pis. Në klasën e parë kam qenë me Ilir Hoxhën, në shkollën 11 Janari. Ne na kishin përzënë nga Blloku dhe na kishin çuar te “Pallatet e Shallvares”, por në shkollë shkonim nga rruga e parë, përmes Bllokut. Shtëpinë në Bllok në fakt nuk na e kishte dhënë Partia, por i zoti, një inxhinier italian, të cilin babai e kishte ndihmuar bashkë me disa të tjerë për t’u riatdhesuar. Ngjarjen që do tregoj e mbaj mënd si tani. Mësuesja na kishte porositur të merrnim nga një shishe të vogël boshe. Të nesërmen në klasë erdhi shoqia Nexhmije Hoxha me një kavanoz të madh me bojë pelikani dhe një shiringë. Si fillim ajo i tërhoqi vëmëndjen mësueses për një djalë që i kishte futur lapsat me bojra në gojë, hundë e veshë si karagjoz. I jati i tij do të shkonte si ambasador. Duke marrë bojën nga mësuesja, sh. Nexhmije pyeste për disa emra nxënësish që nuk i njihte. Kur erdhi radha ime, ajo nuk e pyeti po diçka i pëshpëriti mësueses në vesh. E ndjeva që diçka nuk shkonte, sepse isha i vetëdijshëm për rënien e babait. Pasi na ndanë bojën, mësuesja na bëri të shkruajmë. Ishte germa s e vogël dhe S e madhe. Në prezencën e sh.Nexhmije mësuesja na vuri notat. Mua më vuri një tresh, se kisha derdhur edhe një pikë boje. Ky treshi ishte notë e keqe dhe unë protestova. Mësuesja që rrinte te një pallat jo larg nesh më raportoi te babai, për sjelljen para shoqes Nexhmije dhe se kisha shkruar shumë keq, bile kisha derdhur edhe bojën. Babi më rrahu. Por, kur në darkë i kishte parë ato s-të, ishte penduar. Ato ishin bile shumë të bukura. Të nesërmen rojet e Bllokut më kthyen mbrapsht dhe me thanë të moj kalonja më andej se kishte dhënë “urdhër” sh.Nexhmije. Kjo më bëri shumë përshtypje. Kur mësuesja (Shqiponja në mos gabohem) më pyeti se pse kisha ardhur me vonesë, unë i tregova se nuk më lanë të kalonja rojet e Bllokut. Qysh i vogël pra formova mendime të këqia për çiftin Hoxha, sidomos për atë Nexhmijen e keqe, sepse prej saj kisha ngrënë edhe një të rrahur deri sa më kishte shpëtuar shurra. Edhe vonë e vonë babait i kishin mbetur peng nja dy a tre të rrahura që më kishte bërë. Njëherë para se të vdiste, kur konstatoi në një bashkbisedim, se unë ato dhe shumë gjëra të tjera i mbaja mend mjaft saktësisht dhe se bile e mbronja me bindje pafajësinë time, u çudit dhe më kërkoi të falur shumë i prekur. Unë e kam dashur gjithmonë me shpirt babanë tim fatkeq dhe e kisha mirkuptuar për të gjithë rrëfimin e jetës së tij që më kishte bërë. Kishte edhe disa pendesa, por në shumicën e jetës së tij ai kishte qenë një njeri shumë i drejtë, ishte munduar dhe kishte bërë përpjekje për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë. Ndjente një dhimbje të madhe për gjith atë mori njerëzish që lanë jetën dhe një keqardhje të madhe që gjith ai mund, gjith ajo punë kolosale, gjith ato ndihma materiale e valutore që iu dhanë këtij vendi, degjeneruan në një perversitet dhe në shërbim të një diktaturë vrasëse antinjerëzore, në një vend aq antievropian e me një kauzë alla orjentale, por e veshur me rrobe alla frënga. Në një ditë të vitit 1958 në Roskovec, në mbrëmje ata erdhën dhe na e morën përsëri babain, kësaj rradhe e kishin degdisur në një ishull lagune që quhej Zvërnec…Tashmë ne e urrenim me vetëdije çiftin Hoxha, dhe tërë njerëzit e tyre. Kur kam qenë në internim, në Roskovec, e dinë shokët që kam pasur atje se sa pjesë ish filmash, sa tregime e përralla me shtesa të improvizuara iu kam treguar, tek kullosnim lopët. Ne zhvillonim edhe vetë luftëra, me kështjella e me topila balte, me shtëpi përmbi plepa, me shpata etj. Në filmat që vinin në Roskovec, mua do të më pyesnin gjithmonë, për situatat “kritike”, sidomos kur duhej të kishte ndonjë “kositje me maks”, të të kuqve ndaj të bardhëve dhe meqënëse shumicën e tyre i gjenja, kjo do të thoshte “se ata filma i kisha parë”. Për t’u dukur si kozakë, vishim pixhama me çizme, vinim edhe mustaqe dhe dekoratat e prindërve, derisa ato na i mori Sigurimi. Aso kohe më bënte përshtypje sasia e jashtzakonshme e gjarpërinjve që kishte ai vend dhe këtë e lidhja me një ngjarje. Babai më kishte treguar, se një kineast rus i kishte kërkuar të xhironin për një dokumentar mbas çlirimit, një skenë në Tiranë me shumë vetura. Kësaj iu gjet zgjidhja shumë shpejt, u angazhuan të gjitha veturat e udhëheqies dhe ato që disponoheshin aso kohe dhe i vunë para-mbrapa në bulevardin kryesor. Mbasi ishte plotësuar i gjithë xhirimi i këtij dokumentari, rusi i kish kërkuar një tufë me shqiponja në fluturim, për skenën e hapies. Sillu nga Dajti, para e mbrapa, kërko nga Qaf Krraba e Qaf Shtama e asnjë copë shqiponjë për be e jo ma në tufë. Vetëm sorra e laraska kishte me tufa plot. -Ku i keni, shoku Gjovalin, shqiponjat? A jeni ju “vendi i shqiponjave”, apo jo?! -“Vendi i Shqiponjave” jemi, por shqiponjat natyrore të gjalla i kemi të rralla, pra nuk kemi me tufa si në Kaukaz. Si me thanë shqiponjat i kemi në mënyrën simbolike, sipas heraldikave mesjetare dhe ato të trashiguara nga antikiteti. -Çudi, çudi! Interesante. Kisha menduar se mos shqiponjat natyrore rriten me shumicë në vendin tuaj. Kur më në fund dikur ishte parë një si punë skifteri, që rrotullohej rreth një maje, atë e xhiruan në distancë. Ndërkaq rusit i kishte rënë në sy edhe sasia e madhe e gjarpërinjve dhe me të qeshur kishte thënë: “shqiponjat tuaja sa duket kanë ngordhur nga ndonjë epidemi dhe prandaj u janë shtuar kaq shumë gjarpërinjtë”, pra ju shkon bukur realisht e simboliklisht edhe emërtimi si “Vendi i Gjarpërinjve”. Ky kujtim më bënte të qeshja. Midis masiveve të kodrave të Mallakastrës dhe fushës kënetore të Myzeqesë, kam takuar me qindra gjarpërinj. Njëherë kur mbidhnim mullogë për lopët, dy gjarpërinj ishin futur aty për të ndenjur fresk, ose për pak dashuri. Unë e futa grumbullin në thes dhe mbajta në kurriz, megjith të dy gjarpërinjtë…Edhe sot e kujtoj atë skenë, kur ia zbraza lopës mullogën para shtëpisë, se si mu duk se kërceu me të katër këmbët përpjetë e i hapi sytë naa. Ata i mbytëm të dy me lopatë. Një gjarpër, në përroin e Roskovecit, te arixhinjtë, e pata vrarë me çomange se kishte futur një bretkockë në gojë…Në një kodër shumë konike andej nga rruga e Kurjanit, kishte me dyzina shingjetlla dhe nëpërka, ndërsa në rezervuarin artificial të Kurjanit çuditërisht gjarpërinjtë e ujit u shtuan në mënyrë të jashtzakonëshme. (Atje kisha një shok Besim Vrapi, që i kapte gjarpërinjtë helmues si pa gjë të keqe!) Si ruajtës lopësh, unë ua kisha mësuar edhe emrat dhe dinja t’i dallonja nëpërkat, shingjetllat, bullarin, gjarpërin me pika pika, një gjarpër jeshil që rrinte në fiq etj. Por, një ditë nga mësuesi i 7 vjeçares, mësova se gjarpëri anakonda jo vetëm që nuk ishte i mirë, por ishte më i tmerrshmi dhe nuk rritej në vendin tonë. Kështu mësova se kishte edhe pitonë, kobra, gjarpër me zile etj. Gradualisht formova bindjen, se në Shqipëri kishte plot njerëz tip–gjarpinj, por kishte vetëm një gjarpër anakondë dhe vetëm një gjarpërushe kobreshë, dhe ky ishte Enver Hoxha e ajo Nexhmije Xhuglini. Tash, në Mars-Prill 2004, nga “burrat e shtetit shqiptar”, po dëgjojmë deklarata verbale e të shkruara se na paska edhe njerëz më të këqinj se E. Hoxha! Epo ç’mund të thonë tjetër, njerëz që s’kanë pësuar asnjë konskuencë nga regjimi i Enver dhe Nexhmije Hoxhës? Kjo si duket larg e larg shkon edhe në sintoni me romanet e fundit të zonjës Nexhmije dhe me deklarimet dhe shkrimet melankolike, depresive e reaktive të kaureshës së hoxhizuar Liliana, te emisioni “Hapësirë e lirë” i Çanit, që na e ripërsëriti edhe “të djelën e Pashkës më drekë”, të cilët duan të humanizojnë e ringjallin Enver Hoxhën, bile edhe si autor e ideator i kësaj “Demokracie”! Agron Luka Detyrohet të braktisë vendlindjen! Quhet Ilir Qamil Kallmi. Ka lindur në qytetin e Shkodrës më 13 korrik 1972, trashëgimtar i një familje me tradita patriotike dhe e papajtueshme me regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Është i martuar me Suela Hydajet Kallmi, e datëlindjes 23 mars 1978 dhe së bashku kanë dy djem, Revisin, e datëlindjes 30 maj 1998 dhe Eljonin, e datëlindjes 23 mars 2000. Iliri me fillimin e proceseve demokratike vihet tërësisht në krahun e forcave progresiste të udhëhequra nga Azem Hajdari e Sali Berisha. Me krijimin e Partisë Demokratike bëhet ndër të parët anëtarë të saj dhe identifikohet si njëri ndër më aktivët në demonstratën e 2 Prillit në qytetin e Shkodrës, ku mbetën të vrarë martirët e demokracisë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu si dhe u plagosën 82 të rinj e të reja të pafajshëm, që aspironin për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Strukturat famëkeqe të ish-Sigurimit të Shtetit qysh në atë demonstratë rrethuan me rreth të kuq edhe djaloshin shkodran, 19-vjeçarin Ilir Kallmi, i etiketuar si kundërshtar i regjimit e aktivist i flaktë në udhën drejt demokracisë e progresit shoqëror. Votimet e 22 Marsit 1992 sollën në pushtet Partinë Demokratike me në krye Sali Berishën e populli mori frymë lirisht pas 50 vitesh diktaturë ndër më të egrat e shekullit të kaluar në tërë botën. Në vitet ’92-’97 Iliri nisi të merrej me tregti në shtete si Rumania, Turqia, Mali i Zi etj., dhe arriti të krijonte kushte modeste për të jetuar normalisht në qytetin e tij të lindjes. Në vitin 1996 bleu një ndërtesë në lagjen e Shirokës të cilën e ktheu në Bar-Restorant-Hotel “Kallmi” i cili u bë edhe njëri ndër lokalet e preferuara për demokratët, veçanërisht i prijësit të demokracisë, nderit të kombit, të ndjerit Azem Hajdari. Por, votimet e 97-s pas revoltave të armatosura risollën në pushtet ish-komunistët, tashmë të kthyer në socialistë e demokracia pësoi goditjen më të rëndë në vitet e ekzistencës së saj. Ekstremistët e majtë pas marrjes së pushtetit nisën gjuetinë e shtrigave, veçanërisht kundër kundërshtarëve të tyre të vjetër. Ata nuk kishin si ta harronin emrin e rrethuar me të kuq të Ilir Kallmit në listat e ustallarëve të vjetër të Sgurimit të Shtetit që tashmë bënin ligjin. Qysh nga ky moment nis zbatimi i planit për eliminimin e gjithë kundërshtarëve të spikatur në qytetin e Shkodrës e rrethe të tjera të vendit. Këtu nis edhe pasiguria e jetës në familjen Kallmi. Ilirit fillojnë t’i vijnë kërcënime anonime, për ta detyruar të heshtë dhe të mos vihet në krahun e forcave demokratike, tashmë në opozitë. Në gushtin e vitit 1998 dega e PD organizon një takim në Lokal “Kallmi”. Teksa zhvillohej takimi, një veturë afrohet me shpejtësi dhe një person qëllon me breshëri drejt xhamave të lokalit, por fatmirësisht pa shënuar viktima. Presionet kundër Ilirit sapo kishin nisur. Në shkurt 1999, aty rreth orës 21 të darkës, një sasi tritoli e vendosur në pjesën anësore të lokalit shkakton dëme të konsiderueshme. Por jo gjithçka përfundon këtu. Ndërsa Iliri nuk tërhiqej, ekstremistët e pushtetit shtonin presionet. Disa muaj më pas i bie në dorë një letër anonime. I kërkonin 8 milion lekë të cilat duhej t’i dorëzonte në banakun e lokal “Kazazi”, të cilat Iliri në këmbim të jetës së tij detyrohet t’i dorëzojë në vendin e caktuar. Vetëm disa ditë më vonë, përsëri një letër për 2 milion lekë por pa adresën e vendit ku duhej të dorëzoheshin, të cilat Iliri nuk i dorëzon. Jeta e familjes Kallmi tashmë po bëhej e padurueshme në qytetin e Shkodrës. Fyerjet, sharjet, grabitjet e deri kërcënimi me eliminimin fizik të tij dhe pjesëtarëve të familjes bëhen thuajse të përditshme. Jeta në këtë familje e kishte humbur normalitetin. Iliri i palëkundur në bindjet e tij dhe me shpresën e largimit të socialistëve nga pushteti në votimet e 1 Tetorit 2000 angazhohet në stafin elektoral të zotit Ormir Rusi, i cili kandidonte për kryetar bashkie përkrah Esmeralda Uruçit të PS, Namik Kamberit të PR dhe Anton Gurakuqit të PDK. Postin e kryetarit të bashkisë e fitoi përfaqësuesi i PD, zoti Ormir Rusi. Më 8 tetor të vitit 2001, në orët e vona të darkës, policia troket egërsisht në derën e shtëpisë së Ilir Kallmit. Policë të armatosur deri në dhëmbë, me sjellje harbutësh, pasi i terrorizojnë familjen e futin me forcë në furgonin e policisë dhe pasi komunikojnë me radio me shefin e tyre, Milto Kordha, e dërgojnë pa kurrfarë shkaku në birucat e drejtorisë së policisë, ku e lirojnë vetëm pas dy ditësh. Ndërkaq edhe një tjetër fatkeqësi i shtohet familjes së Ilir Kallmit. Në mars 2001, djali i axhës së Ilirit, në grindje e sipër për motive politike, plagos një person nga fisi Kallmi, pasi jo të gjithë ishin me Partinë Demokratike. Në këto kushte, kur jeta e Ilirit tashmë rrezikohej nga ekstremistët e pushtetit dhe njerëzit e familjes së njeriut të plagosur nga djali i axhës së tij, ai me shumë dhimbje detyrohet të braktisë vendlindjen për t’u instaluar në një shtet ku jeta dhe liritë e personit mbrohen e garantohen me ligj. Kjo ndodhi në qershorin e vitit 2003. Por fatin e familjes Kallmi në qytetin e Shkodrës e përgjithësisht në trevat e veriut të vendit e kanë qindra familje demokrate pas revolucionit të armatosur të vitit 1997, që riktheu në pushtet ish-komunistët e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, histori që vazhdon egërsisht edhe në ditët e sotme… Rifat Ymeri |