Kreu Blog Faqe 229

“Lufta” e Richard Grenellit ndaj Albin Kurtit/ Administrata Trump nuk…

0

Ish ambasadori dhe i dërguari i presidentit Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grennell vazhdon të merret me Kosovën. Më saktë Grenell po merret ende me kryeministrin, Albin Kurti. Gjatë dy javëve të fundit të fushatës elektorale ai iu përgjigj dhe replikoi me deklaratat e Albin Kurtit, sikur të ishte pjesë e kësaj fushate dhe opozitar i kryeministrit Kurti. Në fakt ai vazhdon të jetë në SHBA, madje me një detyrë që bie në konflikt interesi kur flet për një kryeministër të një vendi si Kosova.

E lidhur me këtë, profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se deklaratat, kritikat dhe replikat e Grennell në adresë të Kosovës patën objekt kryeministrin e saj dhe patën disa karakteristika interesante.

“Së pari, vihet re se këto replika, kritika dhe deklarata ishin personale. Pse? Sepse ambasadori Grennell nuk përmendi asnjëherë faktin se fliste në emër të institucionit që përfaqëson. Sepse ai kritikoi Kurtin edhe për marrëdhëniet e këqija të tij, siç tha Grennell, me administratën e mëparshme, Biden. Ndërkohë që marrëdhënia e vështirë me administratën Biden, mund ta lehtësojë aleancën me administratën Trump. Së dyti, ambasadori Richard Grennell pati si karakteristikë reagimin e kritikat e tij në dhjetë ditët e fundit të fushatës elektorale. Kjo është periudha kur mund të ndikohej më së shumti në këtë fushatë, kur Kurti mund të dëmtohej seriozisht në elektoralisht. Nuk e di nëse ai e realizoi këtë synim, pasi kam pasur mendimin se sulmet e Grennell kundër Kurtit vetëm se mund ta rrisnin peshën politike të këtij të fundit”, shprehet Bytyçi.

Ai thotë se qëllimi duket se ishte qartësisht të dëmtojë fitoren e kryeministrit K8urti.

“Me këtë rezultat zgjedhor shumë prej opozitarëve të kryeministrit të Kosovës besojnë se mungesa e fitores absolute të Vetëvendosjes ishte produkt i kritikave të zotit Grennell. Së treti, Kritikat dhe reagimet e ambasadorit Richard Grennel kundër kryeministrit Kurti u bënë me qëllim që të ndihmohej opozita e Kosovës në rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit të shkuar. E vërteta është se PDK u rrit me rreth 4 përqind dhe LDK me rreth 3 përqind, krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Por nuk besoj se kjo rritje ishte e ndikuar nga deklaratat e Grennell në mbështetje të tyre. Nga fushata elektorale kam patur mendimin se LDK do të kishte më shumë vota, sesa ato që mori në fakt. Megjithatë kritikat e Grennell kundër Kurtit u përhapën shumë përmes medieve pranë opozitës në Kosovë”, nënvizon Bytyçi.

“U propaganduan si kritika, me të cilat “Kurti po na prish me aleatin tonë kryesor” e për pasojë “ai është i papërshtatshëm për ta drejtuar Kosovën e për të marrë vendime në emër të saj”! Së katërti, ato kritika u motivuan edhe nga eksperiencat e mëparshme në marrëdhëniet e zotit Grennell me palët politike në Kosovë. Fakti që ai në bashkëpunim me Hashim Thaçin – atëherë president i Republikës së Kosovës – rrëzuan në fillim të vitit 2020 qeverinë Kurti 1, bën të besosh se kritikat e periudhës së muajit janar-shkurt 2025 ishin vazhdim e asaj politike që u ndoq asokohe. Motivi i rrëzimit të qeverisë Kurti 1 ishte realizimi i projektit të Serbisë për ndarjen e Kosovës, ndërsa zoti Kurti ishte kundër këtij projekti. Motivi i kritikave të sotme ka gjasa të kenë si objektiv sërishmi realizimin e të njëjtit projekt”, shton profesor, doktor Enver Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë se administrata e re amerikane nuk do ta rikthejë idenë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Por duhet parë kjo, sepse për funksionet që presidenti Trump i ka dhënë zotit Grennell, nuk më rezulton se administrata e sotme amerikane do ta rikthejë idenë e ndryshimit të territoreve përmes ndryshimit të kufijve. Gjithsesi duhet shumë kujdes në këtë çështje. Pavarësisht se sovraniteti i shtetit është shtrirë në veri të Kosovës, sërishmi mund të ketë tentativa për t’i rikthyer institucionet serbe në këtë territor. Së pesti, me shumë gjasa zoti Grennell e sheh si detyrim moral ose edhe material përkrahjen e një force politike, të cilën e ka themeluar miku i tij, Hashim Thaçi. Ai shpesh është deklaruar se do të bëjë përpjekje për ta mbyllur Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë dhe ta lirojë Hashimin dhe të tjerët nga burgu i saj. Këto deklarime janë përkrahur nga një pjesë e madhe e shqiptarëve në Kosovë dhe kjo mund të jetë një shtysë shtesë për ta votuar Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare”.

Për fund, Bytyçi deklaron se sulmet e Grenell lidhen edhe me punën e Gjykatës Speciale.

“Megjithatë mund të besojmë se kjo ishte thjesht një përkrahje morale për bashkëpunëtorin e tij të vjetër dhe një mënyrë për të rikthyer shpresën. Ndërkohë Gjykata Speciale nuk është juridiksion i SHBA-ve. Më së shumti është europiane nga pikëpamja faktike, ndërsa juridikisht është gjykatë e Kosovës. Vështirë të ndodhin përmbysje kaq të mëdha. Por ta zemë se administrata e Trump e mbyll atë gjykatë! Kush do ta vazhdojë procesin e gjykimit për të akuzuarit? Nëse ndërpritet gjykimi dhe pa marrë vendimin përkatës të akuzuarit shkojnë në shtëpi, kjo nuk i bën ata të pafajshëm. Sigurisht as të fajshëm. Por do të mbeteshin gjithë jetën të dyshuar për krime lufte. A është në këto kushte në interesin e tyre mbyllja e gjykatës? Unë besoj se jo. Sepse vlen më shumë dinjiteti dhe integriteti moral, pra legjitimiteti, sesa liria e pakonfirmuar juridikisht”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Përfaqësuesit e administratës Trump që pritet të takohen me ata rusë për të nisur bisedimet mbi Ukrainën

0

Zyrtarët e lartë të administratës Trump pritet të takohen me zyrtarë të lartë rusë për të nisur bisedimet që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të udhëtojnë drejt Arabisë Saudite për takimin me zyrtarë të lartë rusë, thanë për CNN dy burime. Një nga burimet tha se takimi do të zhvillohet në ditët në vijim.

Burimet nuk pranuan të specifikonin cilët zyrtarë rusë do të marrin pjesë, por CNN më herët ka raportuar se Kremlini po përgatit një ekip negociator të nivelit të lartë, që përfshin figura kryesore politike, të inteligjencës dhe ekonomike, si dhe Kirill Dmitriev, një zyrtar rus që luajti një rol të rëndësishëm në prapaskenë për lirimin e një të burgosuri amerikan së fundmi.

Presidenti Donald Trump deklaroi më herët këtë javë se negociatat për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë do të fillojnë “menjëherë”, pas një telefonate “të gjatë dhe shumë produktive” me presidentin rus Vladimir Putin. Kjo ishte biseda e parë mes dy presidentëve që nga marrja e detyrës nga Trump muajin e kaluar. Trump u ka bërë të qartë këshilltarëve të tij se dëshiron t’i japë fund konfliktit në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike McCaul, konfirmoi planet gjatë një interviste për Politico në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën, duke thënë: “Rubio, Waltz dhe Witkoff po dërgohen në Arabinë Saudite për të biseduar me ukrainasit dhe rusët për Ukrainën.”

Departamenti i Shtetit kishte njoftuar më herët se Rubio do të vizitonte Arabinë Saudite në ditët në vijim si pjesë e një turi më të gjerë në Mynih dhe Lindjen e Mesme. Rubio, i cili mbërriti në Izrael të shtunën, zhvilloi një telefonatë me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, më herët gjatë ditës, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.

“Sekretari rikonfirmoi angazhimin e presidentit Trump për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce. “Përveç kësaj, ata diskutuan mundësinë e bashkëpunimit në disa çështje të tjera bilaterale.”
Ministria e Jashtme ruse e përshkroi bisedën Lavrov-Rubio si një “angazhim të ndërsjellë për të bashkëpunuar mbi çështjet aktuale ndërkombëtare, përfshirë zgjidhjen e situatës në Ukrainë” si dhe krizën në Lindjen e Mesme. Dy palët ranë dakord të mbajnë kontakte të rregullta, përfshirë përgatitjet për një takim të nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Rusisë.

Ndërkohë, i dërguari i administratës Trump për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, tha të shtunën se vendet evropiane nuk do të jenë pjesë e tryezës së negociatave për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.

“Përgjigja është jo,” tha Kellogg në një aktivitet në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Ukrainasit do të jenë të pranishëm “natyrisht,” tha ai. “Do të ishte e pakuptimtë të thuhej se (Ukraina) nuk do të ishte.”

Sa i përket evropianëve, Kellogg tha se ai vjen nga një “shkollë e realizmit” dhe se duke parë marrëveshjen Minsk II të mëparshme, “kishte shumë njerëz në tryezë që realisht nuk kishin aftësinë për të zbatuar një proces paqeje, dhe ajo dështoi në mënyrë të mjerueshme.”

Marrëveshja Minsk II u negociua në kryeqytetin bjellorus në 2015 për t’i dhënë fund një konflikti dhjetëmujor në Ukrainën lindore. Përpjekja e rrallë diplomatike mblodhi së bashku liderët e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës, me synimin për të rivendosur paqen në rajonet e pushtuara nga separatistët pro-rusë në 2014. Megjithatë, marrëveshja hasi sfida në zbatim dhe përfundimisht nuk arriti të sillte stabilitet të qëndrueshëm.

Kellogg e përshkroi përpjekjen aktuale për një marrëveshje paqeje si një “proces me dy pista.”

“Keni një kanal rus që po zhvillohet. Në të njëjtën kohë, kemi një kanal ukrainas,” tha ai. “Pra, nëse shikoni lajmet, do të shihni që (i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme) Steve Witkoff është i përfshirë sepse ai po ndjek linjën ruse. Ndërsa unë po punoj në linjën amerikano-ukrainase dhe atë të aleatëve. Po e bëjmë këtë për të përshpejtuar procesin.”

Trump ka lënë të kuptohet më herët këtë javë se mund të takohet me Putinin në Arabinë Saudite në një “të ardhme jo shumë të largët,” por theksoi se ende nuk është marrë një vendim zyrtar.

“Ne mendojmë se ndoshta do të takohemi në Arabinë Saudite, për herë të parë,” tha Trump për një takim të mundshëm me Putinin, disa orë pasi të dy kishin folur me telefon të mërkurën.
Presidenti theksoi se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, do të luajë një rol në diskutime. Witkoff gjithashtu deklaroi se princi saudit ishte “vendimtar” në lirimin e amerikanit Marc Fogel, i cili ishte mbajtur në mënyrë të padrejtë në Rusi.

Erion Veliaj ka dhënë leje ndërtimi për fisin e Ajolës

0

Natën e 26 nëntorit 2019, ndërsa lëkundjet e tërmetit më shkatërrimtar të këtij shekulli goditën Tiranën, Valmir Xoxa dhe bashkëshortja e tij dolën me ngut nga shtëpia, duke marrë me vete vetëm dy jastëkë të vegjël. Sipas Xoxës, aty ishin kursimet e një jete prej asketi – e mbështetur me një rrogë si pedagog në Akademinë e Arteve dhe një pagë shtesë si anëtar i bandës frymore të kryeqytetit.

Por pavarësisht të ardhurave modeste, Xoxa arriti të bëjë një investim që ka ngjallur interesin e prokurorëve të posaçëm të SPAK. Me kursimet e fshehura në jastëk dhe, sipas tij, me të ardhura të padeklaruara nga kurse tenisi, ai bleu një pronë për 145 mijë euro dhe një makinë për 23 mijë euro nga kushërirat e tij, Ajola dhe Valbona Xoxa.

Sot, mbi këtë pronë po ngrihet një pallat, i miratuar me firmën e bashkëshortit të Ajolës, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Dhe kjo ka bërë që rrëfimi i Valmir Xoxës të përfundojë në dosjen hetimore për korrupsion dhe pastrim parash ndaj kreybashkiakut.

Më 16 janar 2025, Valmir Xoxa u ul përballë prokurorëve të SPAK për të dhënë shpjegime mbi burimin e pasurisë së tij. Në deklaratën e tij, të cituar në kërkesën për masë sigurie ndaj Veliajt, Xoxa pretendon se ai dhe bashkëshortja e tij kishin kursyer çdo qindarkë, duke shmangur çdo shpenzim të panevojshëm.

“Deklaruesi shprehet se nuk kanë harxhuar asnjë lek për një kohë të gjatë, pasi shpenzimet e tyre si familje i kishte marrë përsipër vjehrra e tij,” thuhet në dokumentin e SPAK. “Ata vetë nuk kanë shpenzuar për ushqim dhe për asgjë tjetër, pasi duhej të kursenin lekët.”

Por prokurorët nuk janë bindur. Ata dyshojnë se transaksioni i shitjes së pjesëve takuese në dy vila, nga Ajola dhe Valbona Xoxa drejt Valmir Xoxës ka qenë fiktiv, duke qenë se ky i fundit nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar blerjen e pasurive dhe makinës.

Transaksionet e tij dyshohet se janë një skemë për të fshehur lidhjen e drejtpërdrejtë të Veliajt me pronën mbi të cilën ai më vonë ka firmosur lejen e ndërtimit.

Valmir Xoxa është djali i xhaxhait të Ajola Xoxës. Sipas deklarimeve të tij në prokurori, Valmiri merr një pagë prej 92 mijë lekësh në muaj nga Akademia e Arteve dhe 20 mijë lekë, si pagë shtesë nga banda frymore e Bashkisë së kryeqytetit.

Por, pavarësisht të ardhurave të kufizuara dhe në mungesë të një pasurie të dokumentuar, ai arriti të bëjë një seri blerjesh dhe marrëveshjesh në pasuri të patundshme që sot janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pjesë e hetimit voluminoz të SPAK është një transaksion i kryer nw vitin 2020, kur Valmir Xoxa bleu për 140 mijë euro pjesën takuese të dy vilave nga kushërirat e tij, Ajola dhe Valbona Xoxa, trashëgimtaret e publicistit Arben Xoxa. Tokat dhe ndërtesat e blera ndodheshin pranë Shkollës së Kuqe, një zonë qendrore e Tiranës. Sipas Valmir Xoxës, ai synonte të vendosej në katin e tretë të njërës prej vilave.

Pak kohë pas këtij transaksioni, vilat u shembën dhe trualli iu dha për zhvillim një firme ndërtimi, e cila më pas siguroi një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, e firmosur nga vetë Erion Veliaj, kryetari i bashkisë dhe bashkëshorti i Ajola Xoxës.

Kjo koincidencë e ka bërë SPAK-un të ngrejë dyshime mbi ligjshmërinë e transaksionit dhe të ardhurat e Valmir Xoxës.

Pavarësisht se sipas SPAK, deklaruesi e ka ndryshuar disa herë versionin e fakteve, ai përfundimisht ka pohuar se nga dhënia e pjesës së tij të bashkëpronësisë për ndërtim do të përfitonte një apartament 60 m², një dyqan 70 m² dhe një post parkimi, megjithëse ai vetë nuk kishte informacion mbi ndërtuesin, konfigurimin e pronave dhe as nuk kishte shkuar të shihte pallatin.

Gjithashtu, sipas organit të akuzës, në të njëjtën periudhë që ky shtetas supozohet se dispononte në banesë rreth 140 mijë euro kursime cash, ka aplikuar dhe ka përfituar një kredi të butë për strehim nga Bashkia Tiranë, për rreth 40 mijë euro.

Sipas SPAK, me këto të holla, në vend që të siguronte menjëherë një strehim për vete dhe familjen e tij, Valmiri porosit një apartament tjetër, në të njëjtën ndërtesë e cila po ndërtohet mbi truallin në bashkëpronësi të tij.

Pallati është ndërtuar nga firma ‘Atelier 4′, me administrator Alban Efthimi. Vëllai i tij, Olsi Efthimi, është një mik i ngushtë i çiftit Xoxa-Veliaj. Efthimi ka deklaruar në SPAK se nuk kishte dijeni se kush e kishte kontaktuar për projektin në pronën e fisit Xoxa.

Dyshime ka ngritur edhe blerja e një automjeti Benz C-Class, viti 2010, nga Valmiri. Ai i ka paguar Valbona Xoxës në vitin 2022 për makinën 23 mijë euro, ndërkohë që i njëjti mjet ishte blerë nga i ndjeri Arben Xoxa për 7 mijë euro.

Deklaruesi është shprehur në SPAK se çmimin e kishte caktuar ai vetë, për arsye sentimentale por edhe për faktin se mjeti ishte në gjendje mjaft të mirë, duke e cilësuar “super mjet”. Megjithatë, 6 muaj pas blerjes së mjetit, Benz-i pëson një defekt dhe Valmiri e shet për 11 mijë euro.

“Megjithëse e ka blerë mjetin për 23 mijë euro, deklaruesi shprehet se Ajola Xoxa kishte dashur t’ia shiste poshtë çmimit aktual të pronës, por ai ka insistuar që ta blinte me çmimin e mësipërm,” shkruan SPAK.

“I pyetur në lidhje me mënyrën e likuidimit të mjetit, në formë bankare apo cash, deklaruesi është përgjigjur se nuk e mbante mend,” përfundon dokumenti i SPAK.

Frances Trix – Studiuesja që dëgjoi, kuptoi dhe dokumentoi shqiptarët

0

Shkruan Thoma Gëllçi

Studiuesit shpesh shkruajnë për komunitete të ndryshme, por të paktë janë ata që i dëgjojnë, i kuptojnë dhe i përfaqësojnë me ndershmëri. Frances Trix, e cila u nda nga jeta së fundmi, ishte një prej tyre. Me një karrierë të shquar në antropologjinë gjuhësore dhe studimet mbi Islamin në Ballkan, ajo nuk ishte thjesht një akademike, por një urë mes botës shqiptare dhe Perëndimit.

E lindur dhe e arsimuar në Shtetet e Bashkuara, Frances Trix ndoqi një rrugë të pazakontë për një studiues perëndimor: ajo nuk u mjaftua me analizat e ftohta akademike, por u zhyt thellë në realitetin e komuniteteve shqiptare, si në vendet e tyre të origjinës – Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut – ashtu edhe në diasporë. Ajo u bë një zë i fuqishëm për historinë, identitetin dhe shpirtin e shqiptarëve myslimanë, duke i përfaqësuar me dinjitet dhe vërtetësi në botën akademike.
Një autoritet mbi Bektashizmin dhe migracionin shqiptar

Frances Trix ishte një nga studiueset më të shquara të Bektashizmit, duke analizuar ndikimin e kësaj tradite mistike në identitetin shqiptar. Ajo hulumtoi gjithashtu migrimet e detyruara të myslimanëve nga Ballkani gjatë shekujve XIX dhe XX, duke dokumentuar transformimin e diasporës shqiptare.

Librat dhe studimet e saj kanë ndihmuar në pasqyrimin e historisë së shqiptarëve në disa këndvështrime të rëndësishme. Ndër veprat e saj kryesore përfshihen:

1. “The Albanians in Michigan” (2001) – Një analizë mbi komunitetin shqiptar në Michigan, duke theksuar sfidat dhe sukseset e tyre në integrimin në SHBA.

2. “Urban Muslim Migrants in Istanbul: Identity and Trauma among Balkan Immigrants” (2016) – Një studim i detajuar mbi identitetin dhe përvojat e emigrantëve myslimanë nga Ballkani në Stamboll.

3. “The Sufi Journey of Baba Rexheb” – Një portret i thelluar mbi Baba Rexhebin, një prej figurave më të rëndësishme të Bektashizmit në diasporë, duke ndriçuar përpjekjet e tij për ruajtjen e kësaj tradite.

Një studiues që e jetoi historinë, jo vetëm e analizoi.

Ndryshe nga shumë akademikë që i shohin komunitetet që studiojnë përmes distancës teorike, Frances Trix i jetoi dhe i kuptoi shqiptarët nga afër. Me një ndjeshmëri të rrallë, ajo dëgjoi rrëfimet e tyre, analizoi sfidat dhe dokumentoi historinë e tyre me përkushtim.

Humbja e saj është një boshllëk i madh, por puna që ajo la pas do të vazhdojë të frymëzojë studiues, historianë dhe të gjithë ata që kërkojnë të kuptojnë më mirë shqiptarët dhe rolin e tyre në historinë e Ballkanit. Librat dhe studimet e saj do të mbeten si një trashëgimi e vyer, duke na kujtuar se kërkimi akademik nuk është vetëm çështje faktesh, por edhe ndjeshmërie, pasioni dhe përkushtimi për të zbuluar të vërtetën.

Fjala e plotë e zv.presidentit të SHBA që ‘çmendi’ liderët europianë: Kërcënimi nuk është Rusia dhe as Kina, e keni brenda jush!

0

Zv.presidenti i SHBA-së, JD Vance, mbajti dje një fjalim të fortë në Mynih ku liderët europianë ishin mbledhur në Konferencën e Sigurisë.

Ai u shpreh se kërcënimi Europës nuk i vjen as nga Rusia dhe as nga Kina, por nga breda saj.

Nënpresidenti amerikan u bëri gjithashtu thirrje udhëheqësve evropianë që te rrisin në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për mbrojtjen e kontinentit, teksa Amerika siç tha ai, përqendrohet në zonat e botës që janë në rrezik të madh.

Nga JD Vance, zv.president i SHBA

Një nga gjërat për të cilat doja të flisja sot janë, sigurisht, vlerat tona të përbashkëta. Dhe, e dini, është fantastike të jem përsëri në Gjermani. Siç dëgjuat më herët, vitin e kaluar isha këtu si senator i Shteteve të Bashkuara. Pashë Sekretarin e Jashtëm, David Lammy, dhe bëra shaka se të dy vitin e kaluar kishim punë të ndryshme nga ato që kemi tani. Por tani ka ardhur koha që të gjitha vendet tona, për të gjithë ne që kemi pasur fatin të na besohet pushteti politik nga popujt tanë, ta përdorim atë me mençuri për të përmirësuar jetën e tyre.

Dhe dua të them se isha me fat që gjatë qëndrimit tim këtu kalova pak kohë jashtë mureve të kësaj konference gjatë 24 orëve të fundit, dhe jam impresionuar nga mikpritja e njerëzve, edhe pse, sigurisht, ata janë të tronditur nga sulmi i tmerrshëm i djeshëm. Herën e parë që kam qenë në Mynih ishte në një udhëtim personal me gruan time, e cila është këtu me mua sot. Gjithmonë e kam dashur qytetin e Mynihut dhe gjithmonë i kam dashur njerëzit e tij.

Dua të them se jemi shumë të prekur dhe mendimet dhe lutjet tona janë me Mynihun dhe me të gjithë ata që u prekën nga e keqja që iu shkaktua kësaj komuniteti të bukur. Po mendojmë për ju, po lutemi për ju dhe sigurisht do të jemi me ju në ditët dhe javët që do të vijnë.

Ne mblidhemi në këtë konferencë, sigurisht, për të diskutuar sigurinë. Dhe normalisht, nënkuptojmë kërcënimet ndaj sigurisë sonë të jashtme. Shoh shumë udhëheqës të mëdhenj ushtarakë të mbledhur këtu sot. Por, ndërsa administrata Trump është shumë e shqetësuar për sigurinë evropiane dhe beson se mund të arrihet një zgjidhje e arsyeshme midis Rusisë dhe Ukrainës, ne gjithashtu besojmë se në vitet e ardhshme është e rëndësishme që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj. Megjithatë, kërcënimi për të cilin shqetësohem më shumë në lidhje me Evropën nuk është Rusia, nuk është Kina, nuk është asnjë aktor tjetër i jashtëm. Ajo që më shqetëson është kërcënimi nga brenda. Tërheqja e Evropës nga disa nga vlerat e saj më themelore: vlera që i ndajmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më bëri përshtypje që një ish-komisioner evropian doli në televizion kohët e fundit dhe dukej i kënaqur që qeveria rumune sapo kishte anuluar një proces zgjedhor të tërë. Ai paralajmëroi se, nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Gjermani.

Tani, këto deklarata të papërgjegjshme janë tronditëse për veshët amerikanë. Për vite me radhë, na është thënë se gjithçka që financojmë dhe mbështesim bëhet në emër të vlerave tona të përbashkëta demokratike. Gjithçka, nga politika jonë ndaj Ukrainës deri te censura digjitale, justifikohet si një mbrojtje e demokracisë. Por kur shohim që gjykatat evropiane anulojnë zgjedhje dhe zyrtarë të lartë kërcënojnë të anulojnë të tjera, duhet të pyesim veten nëse po i përmbahemi një standardi të lartë siç duhet. Dhe e them “ne”, sepse thellësisht besoj se jemi në të njëjtën skuadër.

Ne duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht të flasim për vlerat demokratike. Duhet t’i jetojmë ato. Brenda kujtesës së gjallë të shumë prej jush në këtë sallë, Lufta e Ftohtë vendosi përballë njëra-tjetrës mbrojtësit e demokracisë kundër forcave shumë më tiranike në këtë kontinent. Dhe mendoni për palën në atë përballje që censuronte disidentët, mbyllte kishat dhe anulonte zgjedhjet. A ishin ata “djemtë e mirë”? Sigurisht që jo.
Dhe falë Zotit që ata humbën Luftën e Ftohtë. Ata humbën sepse as nuk i vlerësuan dhe as nuk i respektuan të gjitha bekimet e jashtëzakonshme të lirisë—lirinë për të surprizuar, për të gabuar, për të shpikur, për të ndërtuar. Siç rezulton, nuk mund të detyrosh inovacionin apo kreativitetin, ashtu siç nuk mund të detyrosh njerëzit se çfarë të mendojnë, çfarë të ndiejnë ose çfarë të besojnë. Dhe ne besojmë se këto gjëra janë padyshim të lidhura. Dhe fatkeqësisht, kur shikoj Evropën sot, ndonjëherë nuk është aq e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë.

Shikoj nga Brukseli, ku komisarët e Komisionit të BE-së paralajmëruan qytetarët se synojnë të mbyllin rrjetet sociale gjatë periudhave të trazirave civile: në momentin që zbulojnë diçka që ata e kanë gjykuar si “përmbajtje urrejtjeje”. Ose shikoj këtë vend ku policia ka kryer bastisje kundër qytetarëve të dyshuar për postime me komente antifeministe në internet, si pjesë e “luftës kundër mizogjinisë”.

Shikoj Suedinë, ku para dy javësh qeveria dënoi një aktivist të krishterë për pjesëmarrje në djegien e Kuranit, gjë që çoi në vrasjen e mikut të tij. Dhe siç theksoi gjykatësi në këtë çështje në mënyrë tronditëse, ligjet e Suedisë, të cilat supozohet se mbrojnë lirinë e shprehjes, në fakt nuk garantojnë — dhe po citoj — një “të drejtë të pakufizuar” për të thënë apo bërë gjithçka pa rrezikuar të ofendosh grupin që e mban atë besim.

Dhe ndoshta më shqetësuesja nga të gjitha, shikoj miqtë tanë të dashur, Mbretërinë e Bashkuar, ku rënia e të drejtave të ndërgjegjes ka vënë liritë themelore të britanikëve fetarë, në veçanti, në shënjestër. Pak më shumë se dy vjet më parë, qeveria britanike akuzoi Adam Smith Conner, një fizioterapist 51-vjeçar dhe veteran i Ushtrisë, për krimin e tmerrshëm të qëndrimit 50 metra larg një klinike aborti, duke u lutur në heshtje për tre minuta. Nuk pengoi askënd, nuk ndërveproi me askënd, thjesht u lut në heshtje për vete. Kur forcat e rendit britanike e panë dhe i kërkuan të tregonte për çfarë po lutej, Adami u përgjigj thjesht se po lutej për djalin e tij të palindur.

Ai dhe ish-e dashura e tij kishin kryer një abort vite më parë. Por oficerët nuk u prekën. Adami u shpall fajtor për shkeljen e Ligjit të Zonave të Mbrojtura, i cili kriminalizon lutjet e heshtura dhe veprime të tjera që mund të ndikojnë në vendimin e dikujt brenda 200 metrave nga një klinikë aborti. Ai u dënua të paguante mijëra paund në shpenzime ligjore për prokurorinë.

Tani, do të doja të thosha se kjo ishte një rastësi, një shembull i çuditshëm i një ligji të keqzbatuar kundër një individi të vetëm. Por jo. Tetorin e kaluar, vetëm disa muaj më parë, qeveria skoceze filloi të shpërndante letra për qytetarët që jetonin brenda të ashtuquajturave zona të aksesit të sigurt, duke i paralajmëruar se edhe lutjet private brenda shtëpive të tyre mund të përbënin një shkelje të ligjit. Natyrisht, qeveria i inkurajoi lexuesit të raportonin çdo qytetar tjetër të dyshuar për “krim mendimi” në Britani dhe në mbarë Evropën.

Më frikëson fakti se liria e fjalës është po zvogëlohet, dhe për hir të komedisë, miqtë e mi, por edhe për hir të së vërtetës, do të pranoj se ndonjëherë zërat më të fuqishëm për censurë nuk kanë ardhur nga brenda Evropës, por nga vendi im. Administrata e mëparshme kërcënoi dhe shantazhoi kompanitë e rrjeteve sociale për të censuruar të ashtuquajturat dezinformata. Dezinformata, si për shembull, ideja se koronavirusi ka të ngjarë të ketë rrjedhur nga një laborator në Kinë. Qeveria jonë inkurajoi kompanitë private t’u mbyllnin gojën njerëzve që guxuan të thoshin atë që doli të ishte një e vërtetë e qartë.

Pra, unë vij këtu sot jo vetëm me një vëzhgim, por me një ofertë. Dhe ashtu si administrata Biden dukej e dëshpëruar për të heshtur njerëzit që shprehnin mendimet e tyre, administrata Trump do të bëjë pikërisht të kundërtën, dhe shpresoj që të mund të punojmë së bashku për këtë.

Në Uashington, ka një drejtues të ri. Dhe nën udhëheqjen e Donald Trump-it, ne mund të mos biem dakord me pikëpamjet tuaja, por do të luftojmë për të mbrojtur të drejtën tuaj për t’i shprehur ato në hapësirën publike. Bini dakord apo jo?

Tani, kemi arritur në pikën ku situata është përkeqësuar aq shumë saqë këtë dhjetor, Rumania anuloi rezultatet e një zgjedhjeje presidenciale bazuar në dyshime të dobëta të një agjencie inteligjence dhe një presion të madh nga fqinjët e saj kontinentalë. Siç e kuptoj unë, argumenti ishte se dezinformimi rus kishte ndikuar në zgjedhjet rumune. Por do t’u kërkoja miqve të mi evropianë të kenë pak perspektivë. Mund të besoni se është e gabuar që Rusia të blejë reklama në rrjetet sociale për të ndikuar zgjedhjet tuaja—edhe ne e besojmë këtë. Madje mund ta dënonit këtë në skenën botërore. Por nëse demokracia juaj mund të shkatërrohet nga disa qindra mijëra dollarë reklama dixhitale nga një vend i huaj, atëherë ajo nuk ka qenë shumë e fortë që në fillim.

Lajmi i mirë është se unë besoj se demokracitë tuaja janë në fakt më pak të brishta nga sa shumë njerëz duken se frikësohen.

Dhe unë besoj vërtet se lejimi i qytetarëve tanë të shprehin mendimet e tyre do t’i bëjë ata më të fortë. Çka, natyrisht, na kthen përsëri në Mynih, ku organizatorët e kësaj konference kanë ndaluar ligjvënësit që përfaqësojnë partitë populiste, si të majta ashtu edhe të djathta, nga pjesëmarrja në këto biseda. Tani, përsëri, nuk kemi pse të biem dakord me gjithçka apo me asgjë nga ajo që thonë këta njerëz. Por kur liderët politikë përfaqësojnë një elektorat të rëndësishëm, është e domosdoshme që të paktën të marrim pjesë në një dialog me ta.

Për shumë prej nesh në anën tjetër të Atlantikut, duket gjithnjë e më shumë sikur interesat e vjetra dhe të rrënjosura po fshihen pas fjalëve të shëmtuara të epokës sovjetike si “dezinformim” dhe “mashtrim”, sepse thjesht nuk u pëlqen ideja që dikush me një pikëpamje alternative mund të shprehë një mendim ndryshe, ose, Zoti na ruajt, të votojë ndryshe, ose, edhe më keq, të fitojë një proces zgjedhor.

Kjo është një konferencë sigurie, dhe jam i sigurt se të gjithë ju erdhët këtu të përgatitur për të folur se si saktësisht synoni të rrisni shpenzimet për mbrojtjen gjatë viteve të ardhshme në përputhje me ndonjë objektiv të ri. Dhe kjo është diçka e mirë, sepse siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, ai beson se miqtë tanë evropianë duhet të luajnë një rol më të madh në të ardhmen e këtij kontinenti. Ju ndoshta nuk e pëlqeni termin “ndarje e barrës”, por ne mendojmë se është një pjesë e rëndësishme e një aleance të përbashkët që evropianët të marrin përgjegjësitë e tyre, ndërsa Amerika përqendrohet në rajone të botës që janë në rrezik të madh.

Por më lejoni t’ju pyes gjithashtu: si do të filloni qoftë edhe të mendoni për llojet e çështjeve buxhetore nëse nuk e dimë se çfarë po mbrojmë në radhë të parë? Kam dëgjuar shumë tashmë në bisedat e mia me shumë nga njerëzit e mbledhur këtu në këtë dhomë. Kam dëgjuar shumë për atë nga çfarë duhet të mbroheni, dhe natyrisht që kjo është e rëndësishme. Por ajo që më duket pak më pak e qartë për mua, dhe padyshim për shumë nga qytetarët e Evropës, është: për çfarë saktësisht po mbroheni? Cila është vizioni pozitiv që udhëheq këtë marrëveshje të përbashkët të sigurisë, të cilën të gjithë e konsiderojmë kaq të rëndësishme?

Unë besoj thellësisht se nuk ka siguri nëse keni frikë nga zërat, opinionet dhe ndërgjegjja që udhëheqin vetë popullin tuaj. Europa përballet me shumë sfida. Por kriza me të cilën ky kontinent përballet tani, kriza që besoj se të gjithë e përjetojmë së bashku, është një krizë e krijuar nga vetë ne. Nëse po vraponi me frikë nga votuesit tuaj, nuk ka asgjë që Amerika mund të bëjë për ju. Po ashtu, nuk ka asgjë që ju mund të bëni për popullin amerikan që më zgjodhi mua dhe zgjodhi Presidentin Trump. Ju duhen mandate demokratike për të arritur diçka me vlerë në vitet e ardhshme.

A nuk kemi mësuar asgjë nga fakti që mandatet e dobëta prodhojnë rezultate të paqëndrueshme? Por ka kaq shumë gjëra me vlerë që mund të arrihen me një mandat demokratik që besoj se do të vijë nga të qenit më i përgjegjshëm ndaj zërave të qytetarëve tuaj. Nëse doni të keni ekonomi konkurruese, nëse doni të keni energji të përballueshme dhe zinxhirë furnizimi të sigurt, atëherë ju nevojiten mandate për të qeverisur, sepse duhet të bëni zgjedhje të vështira për t’i arritur të gjitha këto.

Dhe sigurisht, ne e dimë shumë mirë këtë. Në Amerikë, nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar kundërshtarët tuaj ose duke i futur ata në burg. Qoftë ai udhëheqësi i opozitës, një i krishterë i përulur që lutet në shtëpinë e tij, apo një gazetar që përpiqet të raportojë lajmet. Po ashtu, nuk mund të fitoni një mandat duke shpërfillur elektoratin tuaj për çështje themelore, siç është ajo se kush duhet të jetë pjesë e shoqërisë sonë të përbashkët.

Dhe nga të gjitha sfidat urgjente me të cilat përballen kombet e përfaqësuara këtu, unë besoj se asnjëra nuk është më urgjente se migrimi masiv. Sot, pothuajse një në pesë persona që jetojnë në këtë vend kanë ardhur nga jashtë. Kjo është, sigurisht, një shifër rekord. Është një numër i ngjashëm, nga ana tjetër, edhe në Shtetet e Bashkuara, gjithashtu një shifër rekord. Numri i emigrantëve që hynë në BE nga vende jashtë BE-së u dyfishua midis 2021 dhe 2022. Dhe sigurisht, është rritur edhe më shumë që nga ajo kohë.

Dhe e dimë situatën. Nuk u krijua në boshllëk. Është rezultat i një sërë vendimesh të ndërgjegjshme të marra nga politikanë në të gjithë kontinentin dhe nga të tjerë në mbarë botën, gjatë një dekade. Dje, në këtë qytet, pamë pasojat e tmerrshme të këtyre vendimeve. Dhe sigurisht, nuk mund ta përmend përsëri pa menduar për viktimat e tmerrshme, të cilëve iu shkatërrua një ditë e bukur dimërore në Mynih. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta dhe do të mbeten me ta. Por pse ndodhi kjo në radhë të parë?

Është një histori e tmerrshme, por është një histori që e kemi dëgjuar shumë herë në Evropë, dhe për fat të keq shumë herë edhe në Shtetet e Bashkuara. Një azilkërkues, shpesh një i ri në të njëzetat, tashmë i njohur për policinë, përplas një makinë në një turmë dhe shkatërron një komunitet. Sa herë duhet të përjetojmë këto tragjedi të tmerrshme përpara se të ndryshojmë kursin dhe të marrim qytetërimin tonë të përbashkët në një drejtim të ri? Asnjë votues në këtë kontinent nuk shkoi në kutitë e votimit për të hapur dyert për miliona emigrantë të pa kontrolluar. Por e dini se për çfarë votuan ata? Në Angli, ata votuan për Brexit. Dhe pavarësisht nëse pajtoheni apo jo, ata votuan për të. Dhe gjithnjë e më shumë në të gjithë Evropën, njerëzit po votojnë për liderë politikë që premtojnë t’i japin fund emigracionit të pakontrolluar. Tani, unë rastësisht pajtohem me shumë nga këto shqetësime, por nuk është e nevojshme që të pajtoheni me mua.

Unë thjesht mendoj se njerëzit kujdesen për shtëpitë e tyre. Kujdesen për ëndrrat e tyre. Kujdesen për sigurinë e tyre dhe aftësinë e tyre për të siguruar jetesën për veten dhe fëmijët e tyre.

Dhe ata janë të zgjuar. Mendoj se kjo është një nga gjërat më të rëndësishme që kam mësuar në kohën time të shkurtër në politikë. Në kundërshtim me atë që mund të dëgjoni, disa male më tutje në Davos, qytetarët e të gjitha kombeve tona nuk e shohin veten e tyre si kafshë të arsimuara ose si rrota të këmbyeshme të një ekonomie globale. Dhe nuk është aspak befasuese që ata nuk duan të trajtohen si të tillë apo të injorohen vazhdimisht nga liderët e tyre. Dhe demokracia ka për detyrë t’i zgjidhë këto çështje të mëdha përmes votës.

Unë besoj se shpërfillja e njerëzve, shpërfillja e shqetësimeve të tyre, apo edhe më keq, mbyllja e mediave, anulimi i zgjedhjeve ose përjashtimi i njerëzve nga procesi politik, nuk mbron asgjë. Në fakt, është mënyra më e sigurt për të shkatërruar demokracinë. Të flasësh dhe të shprehësh mendimet nuk është ndërhyrje në zgjedhje. Edhe kur njerëzit shprehin mendime jashtë vendit tuaj, dhe madje edhe kur ata njerëz janë shumë me ndikim — dhe besomëni, e them këtë me gjithë humor — nëse demokracia amerikane mund t’i mbijetojë dhjetë vjet qortime nga Greta Thunberg, atëherë ju mund të përballoni disa muaj Elon Musk.

Por ajo që asnjë demokraci, qoftë amerikane, gjermane apo evropiane, nuk do t’i mbijetojë, është t’u thuash miliona votuesve se mendimet dhe shqetësimet e tyre, aspiratat e tyre, lutjet e tyre për ndihmë, janë të pavlefshme apo të padenja për t’u marrë në konsideratë.

Demokracia bazohet në parimin e shenjtë se zëri i popullit ka rëndësi. Nuk ka vend për barriera. Ose e mbroni këtë parim, ose jo. Evropianë, populli ka një zë. Liderët evropianë kanë një zgjedhje. Dhe unë besoj fuqimisht se nuk kemi pse të kemi frikë nga e ardhmja.

Përqafoni atë që populli juaj ju thotë, edhe kur është befasuese, edhe kur nuk bini dakord. Dhe nëse e bëni këtë, mund ta përballoni të ardhmen me siguri dhe besim, duke ditur se kombi qëndron pas jush. Dhe kjo, për mua, është magjia e madhe e demokracisë. Nuk qëndron në këto ndërtesa prej guri apo në këto hotele të bukura. Nuk qëndron as në institucionet e mëdha që kemi ndërtuar së bashku si një shoqëri e përbashkët.

Të besosh në demokraci do të thotë të kuptosh se secili qytetar ka mençuri dhe një zë. Dhe nëse refuzojmë ta dëgjojmë atë zë, edhe betejat tona më të suksesshme do të sigurojnë shumë pak. Siç tha Papa Gjon Pali II, në pikëpamjen time një nga kampionët më të jashtëzakonshëm të demokracisë në këtë kontinent apo kudo tjetër, “mos kini frikë.” Nuk duhet të kemi frikë nga populli ynë, edhe kur ata shprehin pikëpamje që nuk përputhen me ato të udhëheqësve të tyre.

Faleminderit të gjithëve. Fat të mbarë për ju. Zoti ju bekoftë.

Zelenski paralajmëron për sulme të mundshme ruse në Evropë

0

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih se sipas shërbimeve sekrete pritet që Rusia të dërgojë trupa në krahun lindor të NATO-s.

Zelenski, i paralajmëroi aleatët evropianë për sulme të mundshme ruse në të ardhmen. Duke ju referuar akuzave se Rusia kontrabandon qëllimisht emigrantë në BE përmes Bjellorusisë, Zelenski tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC): “Po nëse herën tjetër nuk janë emigrantë – po sikur të jenë ushtarë rusë ose ushtarë të Koresë së Veriut?” Bjellorusia kufizohet me tri vendeanëtare të NATO-s, tha Zelenski. “Sa shpejt do të reagojnë aleatët e tyre – dhe a do të reagojnë vërtet?”

Shtetet anëtare të BE-së që janë fqinjë me Rusinë dhe aleaten e saj Bjellorusinë i akuzojnë ato se si pjesë të sulmeve “hibride” dërgojnë qëllimisht emigrantë në kufijtë e Evropës Veriore dhe Lindore për t’i detyruar ata të kalojnë kufijtë e BE-së.

Zelenski: Rusia po ndjek një taktikë të ngjashme si në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës deklaroi se ai ka njoftime nga shërbimet sekrete sipas së cilave këtë verë Moska dëshiron të transferojë ushtarë në Bjellorusi. Dislokimi i tyre do të deklarohet si stërvitje ushtarake – pra nëmënyrë të ngjashme sikurse u përgatit edhe pushtimi rus i Ukrainës tre vjet më parë. Gjithësesi Zelenski nuk dha ndonjë dëshmi tjetër.

Në sfondin e ndryshimit të pushtetit në SHBA, Zelenski tha se marrëdhëniet e vjetra midis Evropës dhe SHBA-së “po i afrohen fundit”. Duke pasur parasysh pasigurinë për mbështetjen e ardhshme nga Uashingtoni, Evropa duhet “të bashkohet dhe të veprojë në një mënyrë që askush të mos mund t’i thotë jo Evropës, ta komandojë atë ose ta trajtojë atë si të dobët”.dw

Fatmir Xhafaj sulmon ashpër SPAK-un: Erion Veliaj s’është zyrtar i korruptuar…

0

Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj një nga socialistët e vjetër por dhe kryetari i Komisionit të posaçëm antikorrupsion ngritur në parlament reagoi sot përmes një analize të gjatë lidhur me arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliajt.

Si bashkëluftëtar prej 10 vitesh në betejat elektorale për Tiranën Xhafaj thotë se Veliaj po luftohet fort egër dhe shpesh me goditje nën brez për shkak të mbështetjes popullore që kryebashkiaku ka

“Po atë që nuk e bëri dot opozita për mbi 10 muaj me rreth 50 protesta të përjavshme e shpesh të dhunshme e bëri një vendim gjyqësor rreth 90 ditë para zgjedhjeve, që vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit dhe një prej drejtuesve kryesorë politikë të PS për qarkun Tiranë.
Procesin gjyqësor ndaj Veliajt, të cilin e përkufizon si ‘njeri të gabueshëm por jo zyrtar të korruptuar” e quan jo të drejtë.

“Duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie “arrest me burg” bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedurial” shkruan Xhafaj.

Kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale, thotë Xhafaj më tej.

Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret të cilin gjithësesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori” shkruan Xhafaj në analizën e tij të gjatë.

Xhafaj ndalet edhe tek puna e komisionit të posaçëm duke thënë se kanë të gjithë të drejtën e Zotit, kredon morale, politike e shoqërore që të kërkojnë nga këto institucione të japin drejtësi me standarde të panegociueshme demokratike

“E kam deklaruar edhe më herët, se unë nuk bëj pjesë tek ata që e shohin arrestin me burg si alternativën kryesore në masat e sigurisë apo që e shohin përdorimin e instrumentave të drejtësisë së re për statistika penale apo populizëm mediatik.

Këto shqetësime, që i kam dëgjuar të artikulohen edhe nga shumë profesionistë të fushës, i kam ngritur në mënyrë koherente në çdo debat apo dalje publike. Ashtu si dhe vetë SPAK në raportimet periodike në Kuvend ka pohuar fort faktin se do të duhet që të ketë përmirësime ligjore në disa aspekte.

Pikërisht për adresimin e këtyre çështjeve ne kemi hapur një diskutim konstruktiv edhe me ftesën e bashkëpunimit për ta, në funksion të interesit publik. Një diskutim për të konsoliduar më shumë arritjet, por edhe për të reflektuar dhe përmirësuar sistemin e drejtësisë penale, të një drejtësie preventive, jo represive.

Ne që bëmë gjithçka për ta çliruar drejtësinë nga kthetrat e politikës, kemi gjithë të drejtën e Zotit, kredon morale, politike e shoqërore që të kërkojmë nga këto institucione të japin drejtësi me standarde të panegociueshme demokratike, njëjtë si vendet e Evropës së Bashkuar ku Shqipëria do të jetë më herët sesa vonë.

Konservatorët shqiptarë kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve të datës 11 Maj 2025

0
Republika e Shqipërisë.
“Partia Kombëtare Konservatore Albania”
Kërkon publikisht:

Shtyrjen e zgjedhjeve të datës 11 Maj 2025.

Amerika e para, Shqipëria konservatore në Europë.
1 – Zgjedhjet duhet të shtyhen sepse :
Në 35 vite të demokraturës Komunare dhe Liberal Demokrate, Shqipëria nuk arriti të realizojë zgjedhje Të Lira, të Barabarta me standart Euro Atlantik.
2 – Zgjedhjet duhet të shtyhen, duhet me ditë pse ?
113 vjet Shtet Shqipëria vjen si plak i brishtë, shtet demokraturë e korruptuar, diktaturë kriminale, Monarki Kushtëtuese nën pushtim, revolucione komunare ( 7 Grushte Shteti ) dhe nuk arriti të ketë udhërrefyes politikanë që ndërtojnë shtet të drejtë me Votë të Lirë.
3 – Vetëm një qeveri tranzitore me monitorim të rreptë, Amerikano – Britanik, mundet të realizojë zgjedhje pa ndikim, Rus, Serb apo Grek në Shqipëri.
4 – Zgjedhjet nuk mund të realizohen me Datë 11 Maj 2025 në Shqipëri, sepse aleati i vetëm strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë prej 18 muajsh përfaqësues në nivel të lartë Ambasadori në Republikën tonë të brishtë të infaltilitetit, politik periodik, të hajnisë rradhore zgjedhore (Dmth : Republikë e Narko Bananes )
5 – Shqiptarët duhet të drejtohen kah Europa të paktën një herë nga një kryeministër TRANZITOR përfaqësues i komunitetit Katolik i cili është i marxhinalizuar si komunitet në më shumë se 113 vjet shtet Shqiptar.
6 – ( 113 Vjet Shtet Shqiptar apo edhe shteti i Ri Dardan të suportuar nga aleatët e vetëm strategjikë, amerikanët dhe në asnjë rast nuk kemi kryeministër apo president katolik, pse nuk është vendosur në krye të punëve në tokën e Shqiponjës Dy krenare pjesë e Europës Kristiane ?)
7 – Rizgjedhja e SHTZ president Donald Trump, përmbysja e ekstremit të majtë në USA përzgjedhja e Shqipërisë, si vëndi i mbrojtësit të krishtërimit Gjergj Kastrioti dhe Nënës së botës “Shën Tereza” për të pritur 1 000 000 Palestinezë si pakicë e Xlll gjuhësore në vëndin tonë, duhet të konvergojë me një vendimarrje qeveritare potenciale karakteriale nga e Majta, Liberal demokrate, demokristianët deri tek Konservatorët.
Vo.
Domosdoshmëri imperative është qeveria tranzit me kryeminister Akademiko – Politik për 7 muaj me vendimmarrje të mëdha, është detyrim për shtetin tonë komatoz, si shtet i superplakut të brishtë lnfantil në pritje të flladit lumor, konservator Donald Trump.
“PKKA”

Departamenti i Mardhënieve Ndërkombëtare.

Tiranë – Shqipëri.

Datë 15/02/2025

 

Mijëra punonjës federalë humbasin vendet e punës

0

Fushata e Presidentit Donald Trump dhe këshilltarit të tij Elon Musk për shkurtime radikale të punonjësve të qeverisë amerikane, u zgjerua më tej të premten me humbjen e vendeve të punës të mijëra punonjësve që punonin në sektorë të shumtë, që nga armatimi bërthamor i vendit dhe deri tek kujdesi për veteranët.

U shkurtuan rreth 1,200 deri në 2,000 punonjës të Departamentit të Energjisë, përfshirë qindra punonjës të zyrës që mbikëqyr rezervat e armatimit bërthamor, i thanë të premten agjencisë së lajmeve Reuters persona në dijeni të çështjes.

Kjo iu shtua valës së shkurtimeve në departamente si atë të Çështjeve të Veteranëve, Departamentin e Arsimit dhe Administratën e Biznesit të Vogël.

Zyrtarët e Zyrës së Menaxhimit të Personelit, që mbikëqyr punësimin federal, u takuan me agjencitë të enjten, duke i këshilluar të shkarkonin punonjësit në periudhë prove, sipas një personi në dijeni të çështjes.

Sipas të dhënave të qeverisë, rreth 280 mijë punonjës, nga totali prej 2.3 milionë punonjësish civilë të qeverisë federale, u punësuan gjatë dy viteve të fundit, që do të thotë se shumica janë ende në periudhë prove dhe mund të shkurtohen më lehtë.

Veprimet në Byronë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit sinjalizojnë se është vendosur në objektiv një gamë më e gjerë personash se thjesht punonjësit në periudhë prove, thanë burimet, dhe se janë ndërprerë kontratat e disa punonjësve me afat të përcaktuar.

Presidenti Trump thotë se qeveria federale është shumë e fryrë dhe se shumë para janë humbur nëpërmjet shpërdorimit dhe mashtrimit. Borxhi i qeverisë federale është në rreth 36 trilionë dollarë dhe pati një deficit prej 1.8 trilionë dollarësh vitin e kaluar. Ekziston gjithashtu një marrëveshje dypartiake për nevojën për reformimin e qeverisë.

Por ligjvënësit demokratë thonë se Presidenti Trump po cenon autoritetin kushtetues të legjislativit mbi shpenzimet federale, edhe pse kolegët e tij republikanë, që kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, i kanë mbështetur përgjithësisht masat e ndërmarra.

“E besoj Sekretarin Collins kur thotë se nuk do të ketë asnjë ndikim në ofrimin e kujdesit, përfitimeve dhe shërbimeve për veteranët me këtë plan“, tha ligjvënësi republikan Mike Bost, i cili kryeson komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që mbikëqyr Departamentin e Çështjeve të Veteranëve, në një deklaratë të premten, duke iu referuar drejtuesit të departamentit, sekretarit Doug Collins. Departamenti tha të enjten se po pushonte mbi 1,000 punonjës.

Shtrirja e plotë e shkarkimeve është ende e paqartë plotësisht, por të paktën rreth 6,000 punonjës në shtatë departamente dhe agjenci janë pushuar nga puna këtë javë, sipas njoftimeve nga agjencia e lajmeve Reuters dhe mediat e tjera.

‘Evropa po humbet të drejtën e fjalës’, thotë Trump

0

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur shqetësimin se Evropa po humb të drejtën e lirisë së shprehjes.

Ky reagimi i Trump vjen pas fjalimit të zëvendëspresidentit amerikan, J. D. Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Trump u pyet nga gazetarët për deklaratat e Vance, ku shtoi se ato u pritën shumë mirë.
“Evropa po humbet të drejtën e mrekullueshme të lirisë së shprehjes.” tha Trump.

Më pas ai shtoi se Evropa ka problem shumë serioz me imigracionin.

POSTIMET E FUNDIT