Kreu Blog Faqe 234

Edi Rama mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale kundër Presidenti Donald Trump

0

Edi Rama tashmë del hapur kundër Presidenti Donald Trump.
Shqipëria iu bashkua të premten një deklarate ndërkombëtare në të cilën shprehet “mbështetje e plotë” për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pak ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump urdhëroi sanksione kundër punonjësve të kësaj gjykate.
hqipëria iu bashkua të premten një deklarate ndërkombëtare në të cilën shprehet “mbështetje e plotë” për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pak ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump urdhëroi sanksione kundër punonjësve të kësaj gjykate, e cila ka marrë të pandehur, mes të tjerëve, kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu, shefin e Hamas Ibrahim al-Masri apo presidentin e Rusisë Vladimir Putin për krime lufte apo krime kundër njerëzimit.

“Ne, Shtete Palë të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, rikonfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për pavarësinë, paanësinë dhe integritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale,” shkruhet në deklaratë. “Gjykata shërben si një shtyllë jetësore për sistemin ndërkombëtar të drejtësisë dhe garanton llogaridhënie për krimet më të rënda ndërkombëtare si dhe drejtësi për viktimat,” shkruhet më tej në të.
Presidenti Trump firmosi një urdhër ekzekutiv më 6 shkurt pasi një përpjekje për të miratuar një ligj në kongres u bllokua nga demokratët, për të vendosur nën sanksione, të cilat në Shqipëri njihen gjerësisht si “nongrata”, punonjësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale të cilët kanë hetuar në çështjet që përfshijnë shtetas amerikanë apo aleatë, në rastin konkret, kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant. Të dy u shpallën në kërkim nga gjykata nën akuzën e krimeve kundër njerëzimit të bëra në Luftën e Gazës. Nën akuzë u vu edhe shefi i Hamas Ibrahim Al-Masri, i cili ndërkohë rezulton se është vrarë gjatë luftimeve nga Izraeli.

Sanksionet e Trump përfshijnë bllokim llogarish apo sekuestrim pronash, nëse prokurorët dhe punonjësit e gjykatës kanë të tilla në SHBA, apo refuzim hyrjeje në Shtetet e Bashkuara, nëse shkojnë për çfarëdolloj arsyeje, e njëjta formulë me të cilën administrata e parë e Trump dënoi disa udhëheqës politikë shqiptarë, përfshirë Vangjush Dakon e Tom Doshin, si dhe administrata Biden dënoi kreun e opozitës Sali Berisha.

Në rastin e gjykatës, sanksionet janë veçanërisht shqetësuese për shkak të fuqisë që kanë Shtetet e Bashkuara në sistemin financiar ndërkombëtar, gjë që mund të sjellë, në instancë finale, bllokim të aktivitetit të gjykatës. Si masë paraprake, gjykata mësohet se ka parapaguar rrogat e punonjësve për tre muajt e ardhshëm.

Gjykata u themelua në vitin 2002 dhe mes 125 shteteve palë është edhe Shqipëria.

Vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Bullgarinë, Rumaninë e Kroacinë, e nënshkruan deklaratën në mbështetje të gjykatës duke iu bashkuar vendeve të tjera nga e gjithë bota. Hungaria, Serbia e Italia janë nga vendet që nuk e nënshkruan deklaratën.

“Sot, gjykata po përballet me sfida të paprecedent,” shkruhet në letër. “Masat sanksionuese ndaj gjykatës, zyrtarëve dhe stafit apo atyre që bashkëpunojnë me të janë miratuar në përgjigje të veprimeve me të cilat gjykata ka vënë në zbatim mandatin e vet në përputhje me statutin e Romës,” thuhet më tej në deklaratë.

“Masa të tilla rrisin rrezikun e pandëshkueshmërisë për krimet më serioze dhe rrezikojnë të gërryejnë sundimin e ligjit ndërkombëtar, i cili është kyç për promovimin e rendit dhe sigurisë botërore. Për më shumë, sanksionet mund të vënë në rrezik konfidencialitetin e informacionit sensitiv dhe sigurinë e personave të përfshirë – përfshirë viktimat, dëshmitarët dhe ztrtarët e gjykatës, shumë prej të cilëve janë qytetarët tanë.”

Ndryshe nga firmëtarët, kryeministri i Hungarisë ishte nga të paktët jofirmëtarë që shprehu publikisht qëndrimin e tij. Në një koment në X, ai hodhi idenë se Hungaria mund të dalë nga të qenit palë në gjykatë duke argumentuar se “erë e re po fryn në politikën ndërkombëtare. Ne e quajmë këtë Tornadoja Trump.”

Trump akuzon rrjetin televiziv CBS dhe emisionin “60 Minutes” për mashtrim elektoral

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sulmuar ashpër rrjetin televiziv CBS dhe emisionin investigativ “60 Minutes”, duke i akuzuar për “mashtrim të publikut” dhe manipulim të intervistave për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale.

Në një postim në platformën e tij, Truth Social, Trump pretendoi se CBS ka redaktuar intervistën me zv/presidenten Kamala Harris, duke ndryshuar përgjigjet e saj me versione më të favorshme.

Sipas tij, ky është një akt i qartë i “ndërhyrjes në zgjedhje” dhe “mashtrimit elektoral”.

“CBS dhe ’60 Minutes’ mashtruan publikun si kurrë më parë. Ata hoqën 100% përgjigjet e tmerrshme të Kamala Harris që mund të ndryshonin zgjedhjet dhe i zëvendësuan me përgjigje krejtësisht të ndryshme dhe shumë më të mira,” shkroi Trump.

“Kjo ishte ndërhyrje në zgjedhje dhe mashtrim elektoral në një nivel të paparë. CBS duhet të humbasë licencën e saj!” – shtoi ai.

Ai kërkoi gjithashtu që “mashtruesit në ’60 Minutes’ të pushohen menjëherë dhe ky emision i pabesueshëm, të mbyllet menjëherë.”

Në të njëjtin postim, Trump e lidhi këtë çështje me një tjetër skandal të pretenduar që përfshin USAID, duke sugjeruar se agjencia qeveritare amerikane ka financuar në mënyrë të paligjshme Politico dhe media të tjera për qëllime politike.

“A është paguar CBS për ta kryer këtë MASHtrim??? Shumë pyetje të tjera do të dalin në dritë!”, theksoi ai.

Akuzat e Trump vijnë në një moment kur ai është i angazhuar në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndërsa tensionet me mediat kryesore amerikane mbeten të larta.

CBS ende nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve.

Berisha “kopjon” Presidentin Trump: Nëse fitoj zgjedhjet, SKAP çmontohet dhe hajdutët do shkojnë në Ferr

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi se do të shkrijë SPAK nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 11 Majit. Sipas Berishës, prokuroria e Posaçme ka provuar se është një organizatë kriminale që ka fshehur lidhjet e krimit me politikën, ndërsa Dumani është i paguar nga kriminelë të njohur dhe pasuria e tij është e pajustifikuar.

“Ne me Komisionin e Venecias do i kthejmë drejtësisë shqiptare pavarësinë dhe do çmontojmë organizatën kriminale SKAPI i partisë. Ju e patë me dokumenta se çfarë dokumentash skandaloze kishte mercenari i SKAP për apartamentet e tij. Kur unë i deklaroja shqiptarëve se nuk ka njeri që me një rrogë të blejë tre apartamente, me një rrogë kurrë, ky me tre apartamenti, para ryshfeti. S’mund të them para droge.

Por nga i siguruan paratë ata që ia dhanë? Janë sigurisht para të pista. Para gjobe. E patë me çfarë çmimesh i kishte apartamentet? Qesharake! Pastaj thotë se banon te vjehrri, por faktikisht ai është me 4 shtëpi. 1 me qira dhe 3 në pronësi. Kush e beson këtë? Pse shtëpia e tij kushton 300 e ca euro metri, kurse ngjitur kushton 700 euro? Nuk diskutohet! Plus unë kam faktuar se dosjet e krimit janë palë palë. Këta i vjelin, i mjelin, marrin…

Siç është rasti i Ymer Lalës, e shpëtoi nga akuza me 1 milion. Ymer Lala sipas dëshmitarit ka vra, ky e shpëtoi. Do ketë komision të së Vërtetës dhe shqiptarët do marrin vesh të gjitha lidhjet e politikës me krimin” u shpreh Berisha.

Sondazhet e nxjerrin SPAK një nga institucionet me besueshmërinë më të lartë. Ndërsa opozita është hedhur në sulm kundër prokurorëve të SPAK, Partia Socialiste ka zgjedhur një mënyrë tjetër qasjeje, duke përfituar nga pëlqyeshmëria që ka ky institucion në publik.

Alarm nga shqiptarët në SHBA:: Marrëdhëniet me Amerikën në pikën ulët në këtë shekull

0

Martin Vulaj, drejtori i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, dhe një nga liderët më të spikatur të komunitetit shqiptar në Amerikë, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, shprehet i “tronditur” me nivelin e marrëdhënieve në mes administratës amerikane dhe qeverisë së Kosovës. Ai pohon se SHBA-të presin urgjentisht që Kosova “ta ndryshojë kursin” e përplasjeve me administratën amerikane.

Vulaj ka folur për rrugën negative të përzgjedhur nga qeveria Kurti në marrëdhëniet me ish -Presidentin Biden: “Në mënyrë tronditëse, në vend që të gjente një rrugë pragmatike për bashkëpunim, Kosova zgjodhi një rrugë sfiduese. Fyerjet dhe komentet nënçmuese drejtuar Ambasadorit Grenell—fillimisht të menduara si incidente të izoluara—vazhduan kundër Palmer, Chollet, Escobar, O’Brien dhe madje edhe kundër Sekretarit Blinken.”

Niveli i tillë i komunikimit, po vazhdon edhe më tutje, duke rrezikuar thellësisht marrëdhëniet. Vulaj pohon se deklaratat e Grenellit duhet marrë tepër seriozisht: “komentet e Grenellit duhet të kuptohen jo vetëm si një pasqyrim i gjendjes aktuale të marrëdhënieve, por edhe si një paralajmërim se një ndryshim i qasjes ndaj Shteteve të Bashkuara është i nevojshëm. Për më tepër, fakti që djali i Presidentit ka mbështetur publikisht deklaratat e Grenell-it është shqetësues. Edhe më alarmuese është që Miqtë e Kosovës në Capitol Hill po përsërisin thirrjen urgjente që Kosova të ndryshojë kursin.”

Presidenti Trump krijon zyrën e cila do të mbrojë të drejtat e të krishterëve

0

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi sot se do të krijojë një zyrë brenda Shtëpisë së Bardhë, e cila do të shërbejë për ndalimin e paragjykimeve ndaj të krishterëve.

Ai tha se misioni është që të eliminohet diskriminimi ndaj të krishterëve brenda qeverisë federale.

“Misioni i kësaj task force do të jetë të kufizojë menjëherë të gjitha format e shënjestrimin e të krishterëve dhe diskriminimin ndaj tyre brenda qeverisë federale, si në Departamentin e Drejtësisë, që është absolutisht e tmerrshme, në IRS, FBI dhe agjenci të tjera” tha Trump.

Lubonja: Në Shqipëri duhet të bëhen tubime si në Serbi

0

Analisti Fatos Lubonja foli sot në emisionin “Open” në News 24 lidhur me protestën e 8 shkurtit që është thirrur nga opozita si edhe për mënyrën se si PD po bën fushatë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Lubonja tha se opozita ka rënë në kontradiktë me veten, pasi nga njëra anë kërkon qeveri teknike për të shkuar në zgjedhje dhe nga ana tjetër bën fushatë elektorale për zgjedhjet dhe harron kërkesën e saj për qeveri teknike.

Lubonja tha se shqiptarët nuk dalin më në protesta, ndërsa nënvizoi se në vendin tonë duhen bërë protesta siç po bëhen këtë periudhë në Serbi, por që për fat të keq në vendin tonë nuk bëhen.

Më tej analisti tha se opozita po bën premtime pompoze, duke u ofruar shqiptarëve parajsën me rroga dhe pensione të dyfishuara.

Lubonja: Problemi që ka opozita është se ka kontradiksion. Qeveria teknike kishte një thelb qe me Ramën në qeveri në pushtet nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Opozita e ka harruar këtë dhe flet për fitore edhe pse nuk ka qeveri teknike. Ka kontradiksion apo jo. Tani Flamuri foli për lluksin e Ramës, po mor po ka lluks duket, boll të shohësh atë 4 mln që ka bërë një si pyll brenda kryeministrisë aty…e trajton institucionin e shtetit si pronë private bën çfarë i do qejfi. Apo të kesh parasysh atë avionin Air Albania që tani po falimenton.

Shqiptarët kanë shumë arsye që s’dalin më në protestë. Ajo që duhet të ndodhi në Shqipëri me protestat është ajo që ndodh në Serbi me protestat që te ne për fat të keq nuk ndodh. A je i Zoti aty s’është vetëm opozita ajo është mosbindje civile që bllokon shtetin. Për ndryshe jemi te ko kontradiksioni. Hall të shkosh në zgjedhje, hall të mos shkosh në zgjedhje.

…Kjo mbajtje me gajret pa i thënë të vërteten shqiptarëve, fuqi nuk kanë. Nuk e kuptoj entuziazmin e këtyre për fitore që ua uroj me shpirt, por nga ana tjetër me duket sikur tallen me njerëzit.
E kanë bërë sikur parajsë e madhe na pret nëse vimë ne në pushtet, me rroga e pensione të larta. Po të luftosh krimin e organizuar nuk mund të bësh dyfish rrogat, në këto kushte nuk ke pse tu premtosh njerëzve rroga dyfish.

Ja lista e pagesave të njerëzve të Soros nga USAID në Shqipëri: Shihni pagat milionëshe…

0

Boldnews

Konflikti i ashpër që ka shpërthyer mes administratës së Presidentit amerikan, Donald Trump dhe Agjencisë Amerikane për Ndihmën e Huaj (USAID), ka nxitur debate të forta mbi mënyrën se si janë shpenzuar fondet e taksapaguesve amerikanë për mbështetjen e projekteve të shoqërisë civile në mbarë botën.

Bashkëpunëtorët e ngushtë të Trump i kanë vendosur epitete të rënda USAID-it, duke e konsideruar si “organizatë kriminale” apo “financuese e OJQ-ve të të majtës radikale”.

Në foto: Administrata Trump ka pezulluar përkohësisht fondet dhe aktivitetin e USAIDUSAID-i ka dhënë mbështetje dhe ka financuar projekte të shumta për forcimin e institucioneve shqiptare, si edhe për shoqërinë civile. Nën dritën e debateve në Shtetet e Bashkuara, megjithatë, është e rëndësishmë të kuptohet më thellë se si dhe ku janë shpërndarë këto fonde.

Ky debat është “amerikan”, por gjithësesi, ka impakt edhe në të gjithë vendet e tjera ku ka qenë i pranishëm USAID-i, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në Shqipëri janë regjistruar disa qindra organizata jo-qeveritare, sipas Regjistrit të Agjencisë qeveritare të Mbështetjes së Shoqërisë Civile (AMSHC). Pjesa më e madhe e tyre janë organizuar në format e Fondacionit, Shoqatave e Lëvizjeve.

Fokusi i aktivitetit të tyre është i larmishëm, nga mbrojtja e mjedisit, tek ofrimi i shërbimeve shëndetësore e mbrojtja e grupeve vulnerabël. Një pjesë dërrmuese e këtyre organizatave kanë në focus “mbrojtjen e të drejtave të njeriut” dhe “forcimin e transparencës e llogaridhënies të institucioneve publike”.

Këto të fundit dallohen kryesisht për realizimin e tryezave e sondazheve. Ato janë financuar nga projekte të USAID-it, por edhe nga projekte të vendeve të tjera, kryesisht të Bashkimit Europian.

“Boldnews.al” ka kryer një verifikim dhe ka hartuar një bazë minimale të dhënash mbi pagesat e drejtuesve të këtyre organizatave. Verifikimi është kryer mbi dokumentin “Listë e Pagave”, e cila rrodhi në publik rreth 3 vjet më parë.

Detajet e tabelës

Në tabelë janë renditur pagat e drejtuesve dhe përfaqësuesve të tjerë të organizatave jo-qeveritare që janë mbi 180 mijë lekë të reja (1800 USD). Në tabelë mungojnë pagat e drejtuesve të disa organizatave, si përshembull “Mjaft”, “Balkan Youth Link Albania-Byla”, e të tjerë, për shkak se vlera e tyre ishte më e ulët se 1800 USD ose nuk është e shënuar në dokumentin “Listë e Pagave”.

Duke qenë se burimi i të dhënave i përket pagave mujore të para tre viteve, disa prej drejtuesve mund të mos jenë më në atë pozicion, ose pagat mund të kenë ndryshuar. Megjithatë, të dhënat janë të mjaftueshme për të kuptuar trendin e pagesave të drejtuesve të OJQ-ve.

Gjithashtu, duhet theksuar se të ardhurat e drejtuesve dhe anëtarëve të tjerë të organizatave jo-qeveritare janë, janë pagat dhe të ardhura të tjera nga pjesëmarrje në projektet që organizojnë.

Vërtetësia e dokumentit “Listë e Pagave” nuk u kundërshtua nga askush, ndërkohë që qeveria, nëpërmjet zëdhënësit të saj, u mjaftua të thoshte se ajo bazë të dhënash ishte “ilegale”, pa mohuar saktësinë e saj.

Lista e përgatitur nga “Boldnews.al” nuk është një rankim i pagave, pasi qëllimin nuk është krijimi i një situate garuese mes drejtuesve të OJQ-ve. Megjithatë, siç konstatohet në tabelë, pagat mujore variojnë nga 2 mijë dollar deri në 30 mijë dollar.

Gjithashtu, lista nuk ka qëllim për të ngritur pikëpyetje mbi burimin e pagesave për OJQ-të. Një diskutim i tillë mund të ngrihet vetëm në rast se auditi i Departamentit Amerikan të Shtetit mund të zbulojë problematika për mënyrën e shpërndarjes së fondeve të USAID-it edhe në Shqipëri.

Pas publikimit të “Listës së Pagave”, Komisioneri për të Drejtën e Informimit lëshoi një deklaratë publike, në të cilën e konsideronte dokumentin si “shkelje të rëndë të privatësisë”.

Në respekt të shqetësimit publik të Komisionerit, redaksia e “Boldnews.al”, e cila posedon emrat e plotë të drejtuesve të organizatave jo-qeveritare, i ka vendosur në tabelë vetëm me iniciale.

TABELA

Image

Honore de Balzak: Lavdia e një shkrimtari, ah si katandiset…!

0

Përgatiti: Albert Vataj

Balzaku po ankohej një mbrëmje në një rreth miqsh për mjeshtërinë e shkrimtarit, e cila, sipas tij, nuk shpërblehej mirë dhe nuk jepte kënaqësinë e nevojshme.
— Po lavdinë? — ia priti një nga të pranishmit. — Lavdinë nuk e përmendët fare.
— Lavdia? — buzëqeshi Balzaku me ironi. — Ah, po! Ta dini se si katandiset lavdia e një shkrimtari…
Dhe nisi të tregonte:
— Kur ndodhesha në Rusi, isha i ftuar në një sallon aristokratik. Sapo hyra, një zonjë elegante po shërbente çaj dhe mbante në duar një tabaka me filxhanë. Në atë çast, shërbëtori përmendi emrin tim me zë të lartë: “Zoti Balzak!”. Zonja ngriti sytë, më pa e tronditur dhe, nga emocionet, lëshoi tabakanë përdhe. Filxhanët u copëtuan me një zhurmë të madhe, ndërsa ajo, duke u skuqur, nisi të më kërkonte ndjesë.
— E shihni? — përfundoi Balzaku me humor. — Kjo është lavdia e një shkrimtari: të thyhen filxhanët për të!
Kjo histori është një shembull tipik i mënyrës ironike me të cilën Balzaku e shihte famën e tij. Ai ishte një njeri që jetonte për letërsinë, shpesh i zhytur në borxhe për shkak të stilit të tij ekstravagant të jetesës dhe përkushtimit të tij ndaj shkrimtarisë.
Në këtë episod, përtej humorit të tij therës, mund të lexojmë edhe një nuancë trishtimi: ndërsa emri i tij frymëzonte emocione të mëdha në shoqërinë e lartë, kjo famë nuk përkthehej domosdoshmërisht në stabilitet financiar apo në një kënaqësi të thellë personale. Balzaku e dinte se fama e një shkrimtari ishte e brishtë, ashtu si filxhanët që u thyen atë mbrëmje në sallonin rus.
Pasi ndodhi episodi me filxhanët, një nga të pranishmit iu afrua dhe i tha:
— Shihni, zoti Balzak, çfarë ndikimi ka arti juaj!
Dhe ai, me një buzëqeshje të hidhur, u përgjigj:
— Po, por do të më pëlqente më shumë nëse ky ndikim do të më paguante qiratë e prapambetura dhe të më shlyente borgjet që kam!

Koalicioni PD-PL/ Meta nga “313-ta” tek lista e sigurt e Berishës

0

Ish-Presidenti Ilir Meta duket se do ta fitojë mandatin për deputetet nga qelia. Sali Berisha, aleati i tij besnik, e ka konfirmuar se janë në negociata me Partinë e Lirisë për të dalë në një listë të përbashkët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Ai gjithashtu poremtoi se nëse ka marrëveshje, disa përfaqësues të PL-së do të jenë në listat e sigurta të PD-së.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë një konference për gazetarët, ai u shpreh se negociatat me PL-në janë në vazhdim dhe se ndarja e vendeve në listën e kandidatëve është pjesë e diskutimeve. Lidhur me pyetjen nëse Ilir Meta do të jetë në një pozicion të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë, Berisha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por la të kuptohet se Partia e Lirisë do të ketë hapësirën e saj në këtë bashkëpunim. “Ne jemi të hapur për koalicion me Partinë e Lirisë. Kur bëhet koalicion, nuk ka diskutim që ndahen edhe ato vendet e sigurta. Kjo nënkupton atë që thoni ju, por si do jetë e sa do jetë, kjo është çështje negociatash”, tha ai. Burime pranë PD tregojnë se Partia e Lirisë kërkon të sigurojë disa vende të rëndësishme në listën e kandidatëve të opozitës, përfshirë Tiranën. Nga ana tjetër, Partia Demokratike është duke llogaritur forcën elektorale të secilit kandidat dhe ndikimin që mund të ketë një bashkëpunim i tillë në rezultatin e zgjedhjeve. Duke folur për klimën politike, Berisha u shpreh se opozita është në rrugën drejt fitores dhe se qeveria po përdor çdo mjet për të mbajtur pushtetin. Sipas tij, strategjia e Edi Ramës është e ngjashme me atë të regjimeve autoritare, duke mobilizuar administratën dhe burimet shtetërore për të favorizuar Partinë Socialiste në fushatë. “Shikoni fushatën e tyre. Mbushin salla me nxënës të sjellë nga e gjithë Shqipëria, ashtu siç bëjnë regjimet autokratike. Rama është në shuarje, ai e di këtë dhe po përpiqet të fshehë panikun,” deklaroi Berisha. Ai theksoi se opozita do të mbështetet tek vota e shqiptarëve dhe se beson se rezultati i zgjedhjeve do të sjellë ndryshim të qeverisjes në vend. Nuk dua të prononcohem për nivelin. Janë 3 propozime për primaret. Një është në rang kombëtar, por sistemi rajonal. Tjetrit është në rang dege dhe i treti është sistemi rajonal, në rang qarku. Cila do të pranohet do vendoset nga forumet e partisë.

“Non grata” e Berishës

Ish kryeministri Sali Berisha ka komentuar edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas marrjes së Presidencës nga republikani Donald Trump. Berisha gjithashtu komentoi mbi marrëdhëniet e opozitës me Shtetet e Bashkuara dhe ndryshimet e fundit në politikën amerikane. Ai përshëndeti vendimin e administratës Trump për të ndalur financimet e USAID dhe për të rishikuar ndërhyrjet në vendet e tjera, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për transparencën dhe shmangien e ndikimeve të padëshiruara. “Ne kemi parë sesi fondet e huaja janë përdorur në mënyrë të njëanshme në Shqipëri. Kam ngritur shqetësimin tim te përfaqësuesit amerikanë më parë, dhe tani po shohim se ky fenomen po vihet në dyshim edhe nga vetë administrata e re,” tha Berisha. Sa i përket shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ai deklaroi se nuk ka nisur ende ndonjë lobim për ta ndryshuar këtë vendim, duke pritur formimin e plotë të administratës së re amerikane. *“Nuk besoj se ky është një përparësi për ta në këtë moment,”* u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se do të presë zhvillimet e mëtejshme në Uashington për të ndërmarrë hapa konkretë. Berisha ndau gjithashtu përshtypjet e tij nga vizita e fundit në Gjermani, duke e cilësuar atë si një sinjal pozitiv për Partinë Demokratike dhe për mbështetjen ndërkombëtare që opozita mund të marrë. Ai rikujtoi një udhëtim të ngjashëm 32 vite më parë, kur PD doli fituese në zgjedhje, duke paralelizuar situatën e atëhershme me atë të sotme. “Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores. Kam qenë kryetar i PD 32 vjet më parë, kur jam nisur drejt kryeqytetit gjerman dhe atëherë fituam zgjedhjet. Këtë herë PD fiton zgjedhjet,” deklaroi ai. Megjithatë, ndryshe nga Gjermania, marrëdhëniet me SHBA mbeten më të ndërlikuara. Berisha pranoi se ende nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me administratën e re amerikane për të adresuar çështjen e tij, por la të kuptohet se kjo do të ndodhë në një moment të dytë, kur ekipi i Trump të ketë konsoliduar plotësisht strukturat e tij. “Jo, unë nuk e kam filluar lobimin sepse janë gjithësej 14 ditë që ka nisur administrata e re, dhe unë nuk besoj se në ditët e para të saj të jetë përparësi ky problem,” tha Berisha. Ndërkohë, disa deputetë të Partisë Demokratike, përfshirë Gazment Bardhin, kanë zhvilluar takime me zyrtarë të administratës Trump, por Berisha nuk e komentoi këtë fakt në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai vijoi të këmbëngulë se vendimi për shpalljen e tij “non grata” ka ardhur si pasojë e ndikimeve politike dhe jo për arsye të bazuara në prova konkrete.

Donald Trump pezullon nga puna punonjësit e USAID-it në mbarë botën

0

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi se do t’i pezullojë nga puna të gjithë punonjësit me kontratë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në mbarë botën dhe se do t’i tërheqë mijëra pjesëtarë të stafit që punojnë jashtë vendit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Të premten, më 7 shkurt, të gjithë punonjësit me kontratë të USAID-it do të pezullohen në gjithë botën”, thuhet në një njoftim në uebsajtin e USAID-it, i cili ka qenë jashtë funksionit prej fundjavës së kaluar.
Të tjera: USAID për katër vjet shpenzoi 1,7 miliardë dollarë në Ballkanin Perëndimor, ja sa para mori Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit

Forca punëtore e USAID numëron më shumë se 10.000 persona. Rreth dy e treta e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS). Agjencia ka më shumë se 60 misione kombëtare dhe rajonale.
Për stafin e USAID jashtë vendit, Uashingtoni është duke e përgatitur një plan në koordinim me Departamentin e Shtetit dhe do t’i mbulojë shpenzimet e udhëtimit të personelit për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara brenda 30 ditësh, thuhet në njoftim.

Udhëheqësia e USAID-it do të shqyrtojë bërjen e përjashtimeve bazuar në vështirësitë personale ose shqetësimet mbi lëvizshmërinë dhe sigurinë, sipas njoftimit.
Në njoftim u theksua se personeli thelbësor që pritet ta vazhdojë punën do të njoftohet nga udhëheqësia e agjencisë deri të enjten, 6 shkurt.

“Faleminderit për shërbimin tuaj”, u tha në fund të njoftimit.

Presidenti Trump synon ta bashkojë USAID-in, agjencinë kryesore humanitare të Uashingtonit që ndan miliarda dollarë ndihma jashtë vendit, me Departamentin e Shtetit, si dhe ta shpërbëjë atë si ent të pavarur.

Të hënën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u tha gazetarëve se ai tani është administrator në detyrë i USAID-it, duke theksuar se kjo agjenci “nuk përgjigjet fare” dhe duke e akuzuar stafin atje se është “i papërgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve të thjeshta” në lidhje me programet.

Ai e njoftoi Kongresin në një letër për riorganizimin e agjencisë, duke thënë se disa pjesë të USAID-it mund t’i bashkohen Departamentit të Shtetit, ndërsa pjesët e mbetur mund të zhbëhen.

Por, meqenëse Kongresi e themeloi USAID-in si një institucion të pavarur brenda degës ekzekutive, presidenti nuk e ka autoritetin ta shfuqizojë atë pa autorizimin e Kongresit, sipas një raporti të CRS-së këtë javë.

Qindra programe të USAID-it, që ofrojnë ndihmë jetike në mbarë botën, u ndalën pasi Trumpi, më 20 janar, urdhëroi ngrirjen e shumicës së ndihmës amerikane, duke thënë se ai dëshiron të sigurohet që ajo të jetë në përputhje me politikën e tij të jashtme.

Ai i ngarkoi miliarderin Elon Musk, i cili pretendoi se USAID-i është organizatë “kriminale”, me detyrën për ta tkurrur agjencinë.

Në vitin fiskal 2023, Shtetet e Bashkuara i ndanë 72 miliardë dollarë ndihmë në mbarë botën për shumëçka, nga shëndeti i grave në zonat e konfliktit, te qasja në ujë të pastër, trajtimet për HIV/AIDS, siguria energjetike dhe puna kundër korrupsionit.

Financimi, më pak se 1% e buxhetit total të Shteteve të Bashkuara, është thelbësor për përpjekjet e Uashingtonit për të ndërtuar aleanca në mbarë botën, për të forcuar diplomacinë e tij dhe për të kundërshtuar ndikimin e kundërshtarëve si Kina dhe Rusia në vendet në zhvillim.

POSTIMET E FUNDIT