Si përfitoi nga postet shtetërore ministri i Diasporës Pandeli Majko që bën tendera për të shpërndarë lojën ‘mos u nxeh’ dhe bishta lopatash, deklaroi se një agjenci mike i kishte sugjeruar të blinte shtëpinë e fundit 232 mijë euro
Pandeli Majko, një nga figurat më butaforike të politikës shqiptare, ka ‘pushtuar’ këto ditë rrjetet sociale me skandalin e tij të radhës në ministrinë që ka sajuar Rama për të, si dhe me përpjekjet qesharake për të justifikuar tenderin fyes dhe poshtërues për shqiptarët, me zarat e bixhozit.
Angazhimi i tij për të garantuar votën e emigrantëve si ministër i Diasporës ka përfunduar me një tender për të shpërndarë lojën ‘mos u nxeh’. ‘Moza e Pandit’ dhe ‘Pandi mos u nxeh’ dëgjohen këto ditë në rrethet politike dhe mediatike, ndërsa Majko bëri një sqarim sikur nuk kishte asnjë lidhje me Ministrinë e Diasporës. Por, që kur Rama sajoi një ministri për të, Majko nuk është marrë vetëm me tendera skandaloze bixhozi dhe bishta lopate.
Gjatë viti 2019, Majko ka blerë një banesë 232 mijë euro. Për të sqaruar këtë lëvizje në pasurinë e tij, Majko tha se një agjenci mike i kishte kërkuar që të blinte këtë banesë të re me vlerë 232 mijë euro. Justifikimi i tij është kaq qesharak saqë kërkoi të krijonte bindjen në publik sikur Majko po ndihmonte këtë agjencinë dhe se blerja e banesës ishte në dëm të tij. Kur Majko ka deklaruar për hetë të parë pasurinë në vitin 2003, rezulton se ka përfituar një banesë 2+1 si i pastrehë, duke marrë kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave. Këtë marifet e kanë përdorur edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët kanë sot nga 3-4 shtëpi dhe llogari të majme bankare, ndërsa mijëra familje shqiptare jetojnë me qira në Tiranë, pasi nuk sigurojnë dot një banesë.
Në vijim, Majko ka blerë një tjetër apartament, këtë radhë jo 2+1, por 3+1, gjatë kohës kur ishte kryeministër. Në vitin 2005, Majko blen një makinë Benz, të deklaruar 6 mijë USD, ndërsa bashkëshortja e tij deklaron një pasuri të paluajtshme, pa e specifikuar llojin. Në vitin 2006 shet njërën shtëpi për 75 mijë USD, ndërsa në 2009 blen nje apartament dhe garazh për 129 mijë euro. Në 2010, Majko bëhet pronar me bashkëshorten me dy të pestat në apartamentin e prindërve. Njërën shtëpi, Majo e jep me qira me vlerë mbi 15 mijë euro në vit. Nga viti 2010 deri në vitin 2014, deklaron 58 mijë euro të ardhura nga qiraja. Në 2019, pas kërkesës së ‘agjencisë mike’, Majko shet shtëpinë 220 mijë euro dhe blen tjetrën 232 mijë euro. Majko është akuzuar nga kolegët e tij në Kuvend se ka fshehur miliona euro në bankat e Qipros. Kaq për sot!/Pamfleti