Mbrojtja e Hashim Thaçi ka mbyllur zyrtarisht paraqitjen e saj në çështjen e dytë gjyqësore ndaj ish-presidentit të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ai akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë.
Avokatët e Thaçit kanë bërë me dije se nuk do të paraqesin prova apo dëshmitarë të tjerë në këtë fazë të procesit, por theksuan se kjo nuk nënkupton heqje dorë nga mjetet juridike për çështje që ende nuk kanë marrë vendim nga gjykata.
Në të njëjtën dosje penale, përveç Thaçit, janë të përfshirë edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazlliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.
Edhe mbrojtja e Smakajt dhe Kilajt deklaroi se nuk ka ndërmend të dorëzojë prova shtesë në këtë fazë të gjykimit.
Të pandehurit u deklaruan të pafajshëm gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026 për akuzën e pengimit të drejtësisë.
Procesi gjyqësor ka përfshirë dëshmitë e disa ekspertëve dhe dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa në muajin maj dëshmoi edhe ekspertja e transkriptimit kriminalistik, Helen Fraser, e thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
Ish-presidenti i Kosovës ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020. Paralelisht me këtë proces, ai po përballet edhe me gjykimin për akuza për krime lufte së bashku me ish-krerë të tjerë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Tashmë, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë mbeten në pritje të vendimeve të gjykatës si për çështjen e pengimit të drejtësisë, ashtu edhe për dosjen kryesore të krimeve të luftës.







