Kreu Politikë Protestat po, po alternativat?!

Protestat po, po alternativat?!

0
10

Shkruan Zef Ndreka

Po të lexojmë drejt në këndvështrimin politik dhe ideologjik protestat e fundit veçanërisht në Tiranë, do të shohim disa zhvillime shqetësuese të disa grupimeve me bindje shumë të ndryshme, madje shpesh kundërshtuese me njëra-tjetrën që shfaqën të bashkuar rreth një kauze të përbashkët kundër projekteve të zhvillimit dhe investimeve, duke krijuar një çorbë ideologjike.
Për ta argumentuar, nga analiza politike e kësaj situate të krijuar, shohim që protestat aktuale nuk përfaqësojnë një alternativë të qartë zhvillimi për vendin. Sepse në to marrin pjesë grupe me orientime të ndryshme e kontradiktore dhe se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik, ku investimet dhe integrimi europian kërkojnë stabilitet.
Konfliktet dhe rivalitetet ndërkombëtare po reflektohen tashmë dhe në mënyrë të pa shmagshme dhe të sforcuar edhe në debatin real shqiptar.
Ka plot arsye legjitime për të protestuar në këtë vend, por jo për këto çështje dhe jo në këtë moment.
Shqipëria sot, po përjeton një paradoks politik. Nën flamurin e protestës janë mbledhur ambientalistë, anarkistë, marksistë, konspiracionistë, fetarë radikalë, OJQ të financuara nga qendra të ndryshme ndikimi dhe grupime të tjera me ideologji shpesh të papajtueshme mes tyre. Të gjithë të bashkuar vetëm nga kundërshtimi, por jo nga një vizion i përbashkët për të ardhmen.
Çdo njëri prej nesh e kupton, e pranon dhe e artikulon qartë se vendi ynë kërkon investime, kërkon zhvillim ekonomik dhe avancim drejt integrimit europian. Atëhere, përse debati publik i ndezur rrezikon po kërkon të shndërrohet në një betejë ideologjike që frenon vendin, ndërkohë që duhet ta ndërtojmë atë?! Shqipëria është e vogël, por nuk është e izoluar nga përplasjet e mëdha të botës. Pasojat e tyre ndihen edhe këtu.
E drejta për të protestuar është themelore në demokraci. Por po aq e rëndësishme është të dallojmë protestat që kërkojnë përmirësim nga ajo që mund të prodhojë bllokim e pasiguri.
Dhe ka shumë arsye për të kërkuar ndryshim në Shqipëri, por sfida sot është që ndryshimet të mos kthehen në pengesë për zhvillimin e vetë vendit, sidomos kur mungojnë alternativat…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu