Kreu Politikë Protestat që sfidojnë klasën e vjetër politike

Protestat që sfidojnë klasën e vjetër politike

0
19

Shkruan Zef Ndreka

Protestat për Zvërnecin dhe Vjosë-Nartën kanë nxjerrë në pah një fenomen interesant.tashmë, që një pjesë e protestuesve nuk po drejtojnë kritika vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës tradicionale dhe veçanërisht ndaj PD-së dhe Sali Berishës. Në marshimet e tyre, janë parë e dëgjuar thirrje kundër të dy kampeve politike të sotme, ndërkohë që shumë protestues janë ndaluar edhe para selisë së PD-së duke e akuzuar si “opozitë të shitur”.
Po ashtu, mbështetja më e dukshme politike për protestat nuk ka ardhur nga PD-ja, por nga forca që deri më tani nuk janë deklaruar apo shfaqur hapur.
Megjithatë, nuk është herët të thuhet se PD-ja po del në pension. Edhe pse mund të themi se çdo protestë sado e madhe, nuk konsiderohet menjëherë në ndryshim të ekuilibrave elektoralë. Ajo që mund të thuhet është se këto protesta po tregojnë një lodhje të konsiderueshme të një pjese të opinionit publik ndaj klasës politike të krijuar rreth figurave dominuese të tranzicionit.
Energjia qytetare dita ditës, ndoshta po shndërrohet në mbështetje elektorale për forca të reja politike dhe mund të flitet kështu për fillimin e pensionimit politik të brezit të vjetër. Ndryshe protestat mund të mbeten një shprehje e pakënaqësisë pa prodhuar domosdoshmërisht një elitë të re politike. Gjithsesi, protestat po sfidojnë seriozisht klasën e vjetër politike.
Ajo që të bie në sy, është pjesëmarrja e demokratëve liberalë, e socialistëve liberalë, e moshës së mesme dhe e rinisë. Kjo pasqyron përbërjen reale të protestave dhe kemi të bëjmë me një element politik domethënës, ku protesta nuk po paraqitet si një mobilizim klasik partiak, por si një bashkim i qytetarëve me bindje të ndryshme politike rreth një kauze të përbashkët.
Prania e demokratëve liberalë, socialistëve liberalë, qytetarëve pa përkatësi të qartë partiake dhe veçanërisht e të rinjve, mund të tregojë se shqetësimi kryesor nuk është identiteti politik tradicional majtas-djathtas, por çështje si mbrojtja e mjedisit, transparenca në vendimmarrje, përdorimi i pasurive publike, modeli i zhvillimit ekonomik dhe turistik, pjesëmarrja e komuniteteve lokale në vendime.
Historia politike na ka mësuar se kur protestat mbledhin njerëz nga kampe të ndryshme politike dhe nuk dominohen nga një parti e vetme, ato kanë potencial më të madh për të ushtruar presion publik, sepse nuk përdoret lehtësisht si instrument i një force politike kundër tjetrës.
Gjithashtu, nga ana tjetër, larmia ideologjike mund të jetë edhe sfidë në vetvete. Njerëzit mund të bien dakord për kundërshtimin e një projekti apo një politike, por jo pa tjetër për alternativën që duhet ta zëvendësojë atë. Si duket, kjo është arsyeja pse kjo lëvizje qytetare po arrinë të mobilizojnë protesta të mëdha.
Nqs pjesëmarrja e të rinjve do të vazhdoje të jetë e lartë dhe protestat do të ruajnë karakterin e tyre qytetar e ndërpartiak, atëherë ato mund të shihen shumë shpejt si një kërkese për përfaqësim të ri politik, përtej ndarjeve tradicionale që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu