Pse nuk kritikoj opozitën?

0
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 90

Shkruan Lutfi Dervishi

Shumë komentues të ndershëm, megjithëse shumica anonim, të pajisur me sensin e drejtësisë hyjnore, më qortojnë se shkrimet e mia janë të njëanshme: i bien qeverisë kokës, e ngacmoj me fjalë, i prish nirvanën e reformave të saj të pafundme dhe tragjikisht, nuk i jap opozitës ndonjë shqelm publik.
“Ku është balanca, o njeri?”, më thonë. “Ku është objektiviteti, pa të cilin s’ka as demokraci, as klikime?”
Le ta pranojmë si burra e gra që jemi: qeveria ka bërë aq shumë të mira, anë e mbanë, për këdo, për pasanikun, për të varfrin, për oligarkun, për emigrantin shqiptar dhe atë afrikan, për ndërtuesin dhe për pemët që ka shkulur…saqë, të paktën për të prishur syrin e keq, duhet t’i japësh ndonjë kritikë, një të lehtë fare, si për sy e faqe.
Për shembull, a është e nevojshme që një rrugë e pambaruar të inaugurohet tri herë ?
Pse nuk e kritikoj opozitën?
Po ju përgjigjem me dorë në zemër: nuk e përballoj dot konkurrencën!
Në frontin antiopozitë, ka një trafik kaq të madh sharjesh, saqë as semaforët e rinj të Tiranës (me shenjën e shqiponjës) nuk e mbajnë dot ritmin. Kritikët e opozitës janë si gështenjat në vjeshtë: bien nga të katër anët. Kushdo që ka një minutë kohë të lirë, një mendim të tepërt, a një fjalë për të thënë e lëshon drejt opozitës. E kanë kthyer në sport kombëtar.
Radha është aq e gjatë, saqë përpara meje janë vetë eksponentët e opozitës! Ka deputetë e ish-deputetë që kritikojnë opozitën më shumë se ç’kritikojnë qeverinë. Dhe këtë e bëjnë në mes të fushatës! Thua se opozita ka nevojë për kritika dhe qeveria për vota!
Opozita është si një pasqyrë e thyer: 10 copa, secila flet më vete. Ndërsa qeveria? Qeveria është si një monument, që pret t’admirohet, të fotografohet, dhe pse jo, herë pas here, të kritikohet siç i ka hije. Sepse edhe monumentet, për të mos u zverdhur, nga koha duan një restaurim të lehtë.
Në fund fare, është e qartë: opozita mund dhe duhet të kritikohet. Ka plot 12 vjet që nuk po qeveris as veten, as vendin.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu