Shkruan Zef Ndreka
– Pse gjithë kjo akrobaci politike, kur nuk bëhet dot referendumi në PD, por propozohet referendum në gjithë Shqipërinë!?!
Berisha e hodhi edhe shashkën e fundit:
“Unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjedhjet. Bëhem kryeministër me referendum. Po fitova zgjedhjet, do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin.”
Interesante!
Pra, shqiptarët duhet të votojnë njëherë Berishën që të fitojë zgjedhjet dhe pastaj të thirren përsëri për të vendosur nëse Berisha duhet të bëhet Kryeministër.
Një lloj referendumi i Berishës për Berishën.
Pse gjithë kjo akrobaci politike?
Nëse Berisha mendon se shumica e shqiptarëve e duan Kryeministër, vota parlamentare do ta tregonte këtë përmes shumicës që fiton zgjedhjet.
Nëse dyshon se shqiptarët mund ta votojnë PD-në, por jo atë për Kryeministër, atëherë problemi nuk është Kushtetuta, por kandidati.
Këtu fillon paradoksi.
Berisha nuk propozon që PD-ja të hapë garën, të prodhojë një lidership të ri dhe tu ofrojë shqiptarëve një kandidat tjetër për Kryeministër.
Jo.
Ai vazhdon të jetë kryetar. Ai udhëheq opozitën. Ai kërkon të fitojë zgjedhjet. Dhe pasi ti fitojë, shqiptarët duhet të votojnë edhe njëherë… për të.
Kështu, referendumi paraqitet si akt demokracie, por politikisht mund të lexohet edhe si mënyrë për të shmangur pyetjen që PD-ja nuk po arrin t’ia bëjë vetes:
A është Sali Berisha ende zgjidhja, apo është bërë pengesa kryesore për ardhjen e opozitës në pushtet?
Sepse ekziston një referendum shumë më i thjeshtë, ajo do të isht gara e lirë brenda PD-së.
Hapeni partinë, lejoni kandidatë, bëni debate, zgjidhni lidershipin, nxirrni kandidatin më konkurrues për Kryeministër, pastaj kërkojuni shqiptarëve votën.
Nuk ka arsye të thirret gjithë Shqipëria dy herë në votime për të zgjidhur një problem që opozita duhet ta zgjidhë së pari brenda shtëpisë së vet.
Këtu qëndron ironia më e madhe:
Berisha po ofron referendum për postin e Kryeministrit, por jo një garë reale për postin e kryetarit të PD-së.
Në fund, formula duket shumë më e thjeshtë sesa tingëllon:
Berisha kryetar, Berisha fitues i zgjedhjeve,
Berisha kandidat në referendum.
Dhe populli thirret edhe njëherë për të vendosur për… Berishën.
Por ky nuk është problemi i referendumit.
Është problemi i një opozite që prej vitesh kërkon formulën se si të ndryshojë Shqipërinë, pa ndryshuar më parë vetveten.
Çfarë nuk dëgjojnë shqiptarët, kur nuk bëhet dot referendumi në PD, propozohet referendum në gjithë Shqipërinë!







