Gazetari Elton Qyno raportoi dy ditë më parë mbi ekstradimin në fshehtësi të Anton Gjinajt, i njohur me emrin Pashk Rrapi, nga Spanja në Rinas dhe më pas në burgun e Reçit në Shkodër.
Pashku është dënuar në Spanjë me 8.9 vite burg për trafikimin e gati 50 kg kokainë nga vendet e Amerikës Latinë në drejtim të Spanjës dhe vende të tjera të europës.
Ndërsa kërkohej në Evropë si një prej bosëve të drogës, në Shqipëri, 4 kryebashkiakë kanë ndarë paratë publike me Pashk Rrapin, përmes tenderave të dyshuar si klientelistë dhe korruptivë.
Ata janë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, kryetarja e Bashkisë Durrës Emiriana Sako dhe kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi, i cili dyshohet se është përfshirë bashkë me vëllain e tij në një skemë abuzive me ndarjen e apartamenteve në Thumanë, histori për të cilën do flasim në vijim.
Pashk Rrapi, i cili ka ndryshuar emrin në Anton Gjinaj, ka paraqitur dokumente false për të marrë tendera me anë të kompanisë së ndërtimit Alesio-2014, në një kohë kur kërkohej nga Interpoli.
Katër bashkitë kanë mbyllur sytë dhe nuk kanë kërkuar verifikime, edhe pse janë sinjalizuar publikisht nga dhjetëra artikuj mediatikë se pronari i kompanisë Alesio-2014 ishte një trafikant kokaine dhe se pastronte paratë e drogës në ndërtim.
Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të heroinës në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.
Për shkak të ‘karrierës’ së tij me aktivitetin në trafikun e drogës, Gjini ishte pagëzuar edhe me nofkën “El Chapo shqiptar”.
Kryebashkiakët kanë ndarë paratë publike me bosin e drogës, duke qenë në dijeni për aktivitetin e tij, por duke u fshehur pas alibisë se kompania Alesio-2014 ka paraqitur dokumente të rregullta dhe dëshmi penaliteti të pastër për pronarin Anton Gjinaj.