Sh.A. politike e non grata-ve!

0

Shkruan Zef Ndreka

Vetem një gjë nuk është ende e qartë: Si janë të ndara aksionet në shoqërinë aksionare të trëkëndëshit të Bermudës ndërmjet Ramës, Berishës dhe Metës?! Kjo shoqëri aksionare politike, e pa rregjistruar zyrtarisht në gjykatë, pa patur statut të shkruar, pa patur nipt, pa vulë të përbashkët, është bashkimi i “korporatës” të LSI-së apo PL-së të drejtuar nga familja Metaj, nga “korporata” e foltoristëve të drejtuar nga familja Berisha dhe “korporatës” së rilindjes të drejtuar nga Edvin Rama me oligarkët.

Kjo Sh.a e re dhe e vjetër politike, e pa parë askund në botë për ngjashmëri, synimin madhor të saj ka pasurimin, mbajtjen peng të demokracisë dhe vëndit, mbajtjen peng të drejtësisë dhe të orientimit euroatlantik të Shqipërisë, varfërimin e popullit, largimin e rinisë dhe plakjen e popullsisë, privatizimet e pasurive kombëtare, privatizimet energjisë, ujit, detit, mineraleve, madje edhe të diellit që shkëlqen në këtë vënd të bekuar. Poshtërsitë e kësaj Sh.a-je politike, veprimtaria politike e saj dhe vijueshmëria ekonomike me mafien ndërkombëtare, me Rusinë, me oligarkët dhe segmente të FBI-së, presin të kthjellohen shpejt nga drejtësia amerikane dhe ajo shqiptare.

Sigurisht që shqiptarët në përgjithësi, duke mos patur informacionin e duhur, por edhe duke besuar tek liderët e tyre shpirtëror të kësaj Sh.a-je, do të zhgënjehen sërish për 32 vitet e humbura në këtë pseudo demokraci të kontrolluar nga komunistët, nga zgjatimet e zinxhirëve të saj që përfaqësohen nga trekëndëshi famëkeq dhe që krijuan Sh.a-në e tyre politike, këtë bunkier për tu mbrojtur nga drejtësia. Por, SHBA-të, janë më të qartë ,më të vëndisur dhe nuk pranojnë organizata politike e veprimtari korruptive që në fund të fundit rrezikojnë edhe paqen e stabilitetin në USA dhe që përbën rrezik kombëtar për to. Amerika, përherë problemin e ka patur me komunistët në botë! Urdhërat e Presidentit amerikan për korrupsionin në rajonin e Ballkanit sapo kanë filluar të gjykohen. Ne, do mësojmë shumë nga hetimet dhe vendimet e gjykatave të tyre, që lidhen me Sh.A politike shqiptare.

Sapo kanë filluar të dalin majat e kutisë së pandorës, apo të ajsbergut të ndërtuar në këto 32-vite nga aksionarët e Sh.a politike të Shqipërisë. Si duket, aksionerët e tjerë të kësaj shoqërie jo anonime, konkretisht Metaj dhe Rama, kanë nuhatjen se së shpejti,shqiptarët do të mësojnë zyrtarisht edhe shpalljen e tyre non grata. Pastaj shqiptarët do binden se Shqipëria dhe politika e saj është kontrolluar dhe mbajtur peng nga tre non grata, Berisha-Meta-Rama! Klasës së re politike shqiptare i ka ardhur koha. Shqiptarët, me ndihmën e Europës dhe USA-së, duhet ta mbështesin!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu