Shkruan Sokol Pepushaj
Saliu dhe Edi janë bashkë. Kështu flitet gjithandej apo jo?! Janë si njëri- tjetri. Një “majesill” i djalit të Alisë në Hanin e Hasan P*rdhës në Shkodër, bëhet “fletë” në bllokun e FBI-së në New York, se ka menduar Babloku kështu. Edhe një “fall” i Kimetes për vulë partie në Tiranë, ngre “dallgë” deri në Rusi, se kështu mendojnë Saliu dhe Iliri.
Prandaj opozita shtiret sikur sulmon e Qeveria sikur mbrohet.
Është lajm jo i vërtetë kur thua se Edi Rama i ka zënë rrugën Sali Berishës, se vula e PD-së që “fle” në dosje gjykatësish milionerë pa rroga, ka zemëruar opozitën që dyshon për “tradhti”.
Ngado ta “shkundësh” strapacimin e deputetëve të opozitës që Lindita Nikolla u heq mikrofonin për fjalor të “pistë”, nuk ke kapur fillin e një lajmi.
E kanë “fshehur” të gjithë bashkë…
Se fshihet lajmi lehtësisht nga mediat e komanduara, FBI ka hyrë në fjalorin e çdo shqiptari. Më shpesh përdoret ky emër, se sa buka dhe uji. Pra, lajmi kërcen ‘tra më tra’, sa tek FBI, tek Shtëpia e Lirisë, tek Rilindja apo edhe SPAK-u.
Kjo Shtëpia e Lirisë, pas stimulimit të Sali Berishës me ‘non grata’, ka ndërtuar edhe një han në Shkodër.
Po Edi Rama a ka Han?!
Normale! Çfarë tjetër është Rilindja?! Rama ka edhe Saraje, si Shkëlzen Berisha e Ilir Meta, madje në fund-javë bëhet më i thjeshtë. Nuk ka dëshirë të jetë Sulltan, por të vishet si bajraktar e të dalë në bjeshkë.
Po, ju e patë, para ca ditëve, postoi foto mes borës nga një kullë në shteg të portës së Dukagjinit. Nuk shkoi me gomar atje, por me makinë luksoze dhe me gjenerator me vete, se andej as ka drita, as ka rrugë.
Kështu e kanë këta; vidh njëri e vidh tjetri, mashtro njëri e mashtro tjetri, antiamerikan njëri, po ashtu edhe tjetri.
Babloku në rrugë të Saliut, po i bëhet gati ‘non grata’.
Shtëpia e Bardhë sapo ka çelur rrugët që do të zbardhin veprimet e ca “mafiozëve” të FBI-së që qenkan mashtruar nga njëfarë Edi Rama, i njohur në vendin e tij si hajdut. Emri po i lakohet në të gjitha gjinitë, edhe si gruaja e zotni Bilal Shehut nëpër dosje të FBI-së, CIA-s dhe fletët e Komisionit Hetimor në Kongresin Amerikan.
Të bëhet ç’të bëhet, këta nuk lëshojnë rrugë.
Nëpër këtë përplasje po rrokulliset miqësia e Bablokut, prej tek shefi i FBI-së që hetonte “Peshqit” hajdutë, e deri tek peshqit e Adriatikut e Jonit, që i numëron për taksa.
Që kur Babloku i ka lëshuar miqtë dhe ka afruar “armiqtë”, është ftohur me Amerikën, Anglinë, biznesmenët, është nxehur me mediat e pavarura dhe sillet si torollak që nuk ka ku ta varë të nesërmen.
Në nevojë bëhet servil, kur kalon “lumin” katil.
Meqë jemi tek “Peshqit”, nga burime të mirë besuara, si Flota e anijeve të peshkimit, si miqësia me ish agjentin e FBI-së, janë fletë të “grisura” nga Babloku mosmirënjohës.
Mos mirënjohja është nyja që ka lidhur shpresat.
Edhe tek një bujtinë bjeshke, ku kapardiset si Bajraktar, e gjetën, e rrethuan dhe ja thanë në sy; këtyre anëve u ke borxhe figurë, nuk kemi rrugë dhe asnjë përkujdesje nga pushteti dhe shteti, përse ju votojmë?
Babloku, si Saliu, mbylli veshët dhe iku për tek Saraji në Surrel, por oshtima sillet nëpër fshat.
Dukagjini njihet si perla e alpeve të Ballkanit, si sofra e pritjes dhe përcjelljes, si kodiku i ligjeve që kanë sfiduar mbretëri e diktatura, si “konaku” që duron shumë e peshon saktë, prandaj ditët e fundit e bëri tubimin në Shkodër, që të gjëmojë prej Taraboshit e deri në Dajt.
Pse janë “zemëruar” kaq fort, thua ti?!
Se pasi kanë paguar taksat, kanë kryer tërë detyrimet si qytetarë ndaj pushtetit e shtetit, duan rrugë të ecin. Dhe cilido që mat çka dhënë njëri e tjetri, sa Dukagjinasit askush komunitet nuk ka dhënë taksa më shumë.
Vetëm njëri, ka mbi 15 000 punëtorë dhe i jep ekonomisë së vendit energji e jetë.
Po a ndjenë mafia që ka mbyllur rrugë e shtigje dhe as ha pykë se ku të pikon ty “çatia”, se ku ferrat kanë bllokuar rrugët e bora fikë dritat nga nëntori në prill, si ti teket.
Nëse vijnë e bujnë qeveritarë, kanë fuoristrada, truproje dhe gjeneratorë.
Edhe nëse njerëzia nuk merret me hesapet e shpërdorimit të taksave për jetë luksoze, hiqeni nga mendja se nuk e dinë që hileja është akti i parë i tradhtisë.
Dhe t’i bësh me hile Dukagjinit, edhe kur je i keq, më e vogla, nuk duhet vlerësuar si trimëri e jotja, por si burrëri e tjetrit.
Këtu ka tradhti burra!
Mesazhi i kësaj komedie, luajtur këtu e 40 vjet nga Artisti i Popullit Ndrek Luca, ngelet ende akt sakrifice, piskamë jo vetëm teatrale që bashkon çka vlerë, dhe ndanë ç’nuk ka vlerë.
Më shumë se tek paratë, vëmendja jonë është tek ndarja e rrugëve të interesave. Këtu “parkohet” edhe meraku që gërryen mafien, medet se po vjen fundi i qelbësirave; Edhe Rama po bëhet Sali, gati non-grata./Pamfleti