Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe të vendosë kuadrin ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Po ashtu, Hovenier ka nënvizuar edhe kërkesat që u janë dhënë udhëheqësve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri, gjatë qëndrimit të tyre në Uashington javën e kaluar.
Krahas këtyre, Hovenier ripërsëriti kërkesat për shtensionimin e plotë të situatës në Veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe kjo ishte pjesë e asaj që u diskutua edhe në Uashington, të vendoset kuadri ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe kjo sigurisht ishte pjesë e bisedës që ndodhi gjithashtu”, tha ai.
Ai kërkoi nga Lista Serbe që të luajë rolin e saj si në parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur, pasi nuk e konsiderojnë atë si parti politike serbe, por si parti e serbëve etnikë në Kosovë.