Shkruan Endri Shabani
Sot në regjistrin tim dhe të kolegëve të mi, munguan 54 mijë studentë! Kur Rama u bë kryeministër, ne kishim në auditore 175 mijë studentë. Sot, 10 vite më vonë kemi 121 mijë.
Këta studentë mungojnë në auditore, mungojnë në shoqëri, por mungojnë edhe në familjet e tyre. Ndërkohë në këto 10 vite kemi 100 mijë më shumë pensionistë.
Shqipëria po plaket!
Unë refuzoj të pranoj që ky vend nuk mund t’i ofrojë perspektivë të rinjve! Ky vend ka pasuri pafund, që do mjaftonin për të garantuar një jetë dinjitoze për të rinjtë shqiptarë.
Unë refuzoj t’i shoh studentët e mi në sy dhe tu them që ata nuk duhet ta shohin të ardhmen e tyre këtu, në shtëpinë e tyre. Por as nuk mund t’i gënjej dhe tu them se ata jetojnë në një vend ku ata mund të ecin përpara me punë dhe meritokraci.
Prandaj kjo situatë duhet zgjidhur, por jo me operacione makiazhi.
Kjo situatë nuk zgjidhet siç propozon Rama duke iu marrë studentëve peng diplomat, që ata të mos largohen nga vendi.
Zgjidhja e këtij problemi vjen vetëm duke adresuar problemin themelor.
Përse ikin të rinjtë tanë?!
Prindërit shqiptar, të cilët 30 vite më parë shpresonin se Shqipëria do bëhej si Evropa, sot shesin edhe shtëpinë për t’i dërguar fëmijët e tyre jashtë.
Përse?!
I dërgojnë fëmijët jashtë sepse nuk besojnë tek sistemi arsimor, nuk besojnë tek ekonomia vëndase, dhe nuk besojnë tek e ardhmja e kësaj shoqërie.
I dërgojnë jashtë sepse ky vend është kthyer në çifligun e Zamirit, Çetit dhe një grushti oligarkësht që kanë kapur ekonominë.
I dërgojnë jashtë sepse spitalet, universitetet, akademia e shkencave, sportet dhe çdo sektor tjetër ka në krye një çifligar që jo vetëm nuk e lëshon postin, por e mban pa meritë.
Aty ku duhet të ishte një sipërmarrës i ri, sot është një monopol i një oligarku.
Aty ku duhet të ishte një kirurg i ri, sot është bisturia e një mjeku politikan që i fsheh paratë me thasë në bodrum.
Aty ku duhet të ishte një dekan i ri, sot është një mamuth që bën rrokadë postesh nëpër universitete.
Të rinjtë tanë ikin, sepse nuk i lënë të zhvillohen këtu.
Prandaj, nëse do vërtet ta zgjidhë këtë problem, Rama duhet të ndalojë së shpalluri ‘investitorë strategjik’ ata që po ia marrin frymën këtij vendi, dhe të kthejë studentët në investimin kryesor strategjik.
E vetmja mënyrë që ky vend të zhvillohet është të çlirojmë ekonominë nga monpolet e oligarkëve, dhe të çlirojmë institucionet publike nga çifligarët që i kanë marrë peng.
Prandaj i them Ramës që nëse do të frenojë largimin e studentëve, të largojë pengmarrësit, jo të marrë peng diplomat!