Edhe prokurorja Marsida Frashëri drejt shkarkimit

0

Komisioneri Publik (IKP) ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë prokuroren e Shkodrës Marsida Frashëri, pas kryerjes së një trajnimi të detyrueshëm 1-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës. Sipas IKP, në kontrollin e aftësisë profesionale, Marsida Frashëri “nuk e ka kaluar nivelin kualifikues për konfirmimin e saj në detyrë dhe se, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka cenuar rëndë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”. Në këto kushte, Komisioneri Publik Florin Ballhysa kërkon nga KPA shkarkimin e prokurores së Shkodrës.

Në Maj 2022, trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtare Genta Tafa Bungon dhe Valbona Sanxhaktarin vendosën konfirmin në detyrë të Frashërit pas kryerjes së trajnimit të detyrueshëm 1-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës.

Raporti i KPK ishte jo problematik lidhur me kriterin e pasurisë apo figurës. Ndërsa për vlerësimin e aftësive profesionale, trupi gjykues konstatoi se për 27 dosje, prokurorja nuk kishte kryer veprime hetimore. Sipas KPK, subjekti “ka shfaqur në mënyrë të përsëritur vonesa në trajtimin dhe përfundimin e çështjeve objekt shqyrtimi, në vazhdimësi gjatë ushtrimit të detyrës së saj si prokurore, duke krijuar rrethana me efekt negativ në rezultatet e vlerësimit profesional të saj”.

Frashëri nga ana tjetër këmbënguli në seancë dëgjimore se këto situata kishin ardhur prej ngarkesës së lartë dhe problemeve të sistemit.

Në fund, trupi gjykues i Komisionit vlerësoi se problematikat e konstatuara konsistonin në mangësi vazhduese ndër vite, por sipas KPK, në një normë të “pranueshme, që nuk mund të sillnin pasojën më radikale të shkarkimit nga detyra, duke konsideruar ngarkesën në total të punës së saj dhe çështjet e trajtuara prej saj gjatë ushtrimit të detyrës” nga Marsida Frashëri.

IKP nga ana tjetër bën një tjetër vlerësim të situatës. Komisioneri shprehet se subjekti i rivlerësimit “ka treguar neglizhencë të plotë dhe pakujdesi, duke “braktisur” dosjet, kur është larguar nga zyra, duke neglizhuar dorëzimin dhe duke shkaktuar “vdekjen e tyre procedurale””. IKP çmon se gjatë kontrollit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit Marsida Frashëri, ajo ka dështuar të ketë nivelin minimal kualifikues.

IKP vlerëson se Frashëri ka “cënuar rëndë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, duke u gjendur në kushtet që mangësitë e evidentuara nuk mund të plotësohen, as nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, siç ka vendosur me vendim të ndërmjetëm Komisioni (KPK)”.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu