98.34% e audiencës në tregun e medias audiovizive kontrollohet nga pronarë me lidhje politike

0

Gjetjet e Monitorit të Pronësisë së Medias në Shqipëri 2023, një studim i BIRN Albania dhe Regjistrit Global të Medias, zbulojnë se mbi 98% e audiencës në tregun e medias audiovizive kontrollohet nga pronarë me lidhje politike ose që kanë marrë subvencione të drejtpërdrejta ose të tërthora nga shteti.

Të martën në ‘Europe House’ në Tiranë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN Albania dhe organizata Regjistri Global i Medias, GMR, prezantuan gjetjet e hulumtimit mbi transparencën dhe përqëndrimin e pronësisë së medias në Shqipëri për vitin 2023.

Monitori i Pronësisë së Medias publikohet për herë të dytë në Shqipëri dhe vjen në formën e një databaze në internet me një set indikatorësh për pluralizmin e medias, të cilat sipas nivelit të rrezikut vlerësohen me risk të lartë, mesatar dhe të ulët. Ky studimi u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

“Liria e shprehjes dhe liria e medias marrin një rol qendror në procesin e zgjerimit të BE-së,” tha Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Tiranë në fjalën e tij gjatë prezantimit të studimit, ndërsa theksoi se të gjithë vendet që aspirojnë të bëhen anëtare duhet të tregojnë angazhim për të respektuar lirinë e shprehjes.

Sipas gjetjeve të ekipit të MOM Albania, audienca dhe të ardhurat në tregun mediatik në Shqipëri vazhdojnë të jenë nën kontrollin e një grupi të vogël kompanish me pronësi familjare.

Katër pronarët më të mëdhenj të stacioneve televizive pa pagesë kanë një pjesë të përbashkët të tregut prej 72.47%, e cila konsiderohet me risk të lartë përqendrimi. Vetëm dy pronarët kryesorë në këtë segment – familja Frangaj e grupit mediatik Klan dhe familja Hoxha e Top Medias – kanë një zotërim të përbashkët të tregut prej 58.27%.

Ndërkohë, përsa i përket shtypit të shkruar, pronari mediatik lider i tregut, Irfan Hysenbelliu dhe familjarë të tij, kontrollojnë të vetëm gati gjysmën e tregut me 48.55%.

Përqendrimi i lartë i të ardhurave dhe audiencave në tregun mediatik vjen për faktin se ligji shqiptar rregullon vetëm tregun audioviziv. Për më tepër, ky ligj nuk përcakton qartë limite mbi monopolizimin dhe përqendrimin e lartë të tregut të medias audiovizive.

Përqendrimi i lartë i audiencës dhe të ardhurave në tregun mediatik në një grusht biznesesh familjare e ka bërë dhe më të lehtë ndikimin e grupeve politike dhe veçanërisht të qeverisë mbi mediat, nëpërmjet subvencioneve të tërthorta për biznese të lidhura me kompani mediatike dhe lidhjeve të drejtpërdrejta të pronarëve të medias me politikanë.

Sipas studimit, 98.34% e audiencës në tregun e medias audiovizive kontrollohet nga pronarë me lidhje politike ose që kanë marrë subvencione të drejtpërdrejta ose të tërthora nga shteti.

Qeveria shqiptare ka përdorur strategji të shumëanshme shpërblimesh dhe ndëshkimesh për të ndikuar mbulimin mediatik, duke iu përmbajtur parimit të “karrotës dhe shkopit”.

Ndërsa disa media të njohura marrin subvencione për prodhim programesh televizive dhe koncesione në fusha të tjera të rregulluara nga shteti, media të tjera janë përballur me gjoba, inspektime nga Tatimet apo masa të tjera ndëshkuese.

Subvencionet dhe kontratat qeveritare nuk kufizohen vetëm në media, por shtrihen edhe në bizneset jomediatike të pronarëve, duke ndërthurur më tej interesat ekonomike me vendimet editoriale.

Pushteti politik jo vetëm që ushtron ndikim mbi pronarët në fushën e medias, por gjithashtu ka ndikim të rëndësishëm në krijimin e përmbajtjes së lajmeve. Një makineri e sofistikuar propagandistike, e financuar nga burimet publike, gjeneron përmbajtje të parapërgatitur që shpërndahet më pas nëpër stacione televizive dhe media online.

Në një lëvizje për të konsoliduar kontrollin, në shtator 2021 qeveria krijoi Agjencinë për Media dhe Informim, duke centralizuar mbikëqyrjen e të gjitha zyrave qeveritare të shtypit. Agjencia është krahasuar nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit me një ‘ministri propagande’.

Ndikimi i Partisë Socialiste në pushtet shtrihet përtej mediave tradicionale në platformat e mediave sociale, ku kryeministri ka kanalin e tij multimedial në Facebook, të quajtur ERTV, i cili shpeshherë është e vetmja media që lejohet të transmetojë nga eventet e qeverisë.

Në këtë sfond të zymtë mediatik, edhe ata pak gazetarë dhe media që i shmangen ndikimit politik duke raportuar në mënyrë të pavarur, përballen shpesh me sulme nënçmuese dhe fushata denigruese nga zyrtarët më të lartë në vend – nga qeveria, por edhe nga opozita.

Mediat e pavarura dhe gazetarët janë shtylla të rëndësishme të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike për të mundësuar mbajtjen përgjegjës të personave me poste publike dhe pushtet politik.

Në kushtet e përqendrimit të pronësisë, të lidhjeve politike dhe ndikimit të qeverisë, Shqipëria përballet me një betejë të vështirë për ruajtjen e integritetit gazetaresk përballë një ndërthurjeje komplekse interesash.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu