Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, njoftoi këtë të martë se të dhënat e Censit do të publikohen në muajin qershor.
Këtë deklaratë të Dhulit e komentoi mbrëmjen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha, teksa mbajti një fjalim për protestuesit nga ballkoni i shtëpisë së tij.
Berisha tha se publikimi i të dhënave u shty me qëllim manipulimin e tyre.
“Kombin shqiptar e urrejnë dhe duan ta shkatërrojnë çdo vit dhe më shumë. Edhe sot zëdhënësja e Edi Ramës njoftoi se do të shtyhet edhe për 6 muaj publikimi i të dhënave të regjistrimit të popullsisë. U duhen 6 muaj për ta sjellë nga 1.5 milionë që doli në realitet në shifrën që do Edi Rama, për të mbuluar atë që ai i krijoi kombit me regjimin e tij, më të keqen që shqiptarët kanë parë në historinë e tyre, humbjen në 8 vite të 1/3 së popullit.
Miqtë e mi, me këto ritme Shqipëria brenda maksimumit të 4 viteve do të jetë ajo që ishte në vitin 1950. Nuk ka protestë më kombëtare se protesta juaj. Nuk ka dëshmi më të qartë se sa dashuria juaj për kombin shqiptar. Kjo protestë është dëshmi e dashurisë tuaj për Shqipërinë, sepse në këtë rrokullisje që ajo ka marrë, në këtë nënshtrim të saj nga aleanca e krimit, ju kërkoni ta ndalni. Ju kërkoni ta ngrini në këmbë. Ju kërkoni që Shqipëria të fitojë, të fitojnë shqiptarët”, deklaroi ai ndër të tjera.