Kreu Aktualitet DENONCIM PUBLIK: ​KUNDËR RETORIKËS IRREDENTISTE DHE HESHTJES INSTITUCIONALE!

DENONCIM PUBLIK: ​KUNDËR RETORIKËS IRREDENTISTE DHE HESHTJES INSTITUCIONALE!

0
13

Shkruan Azgan Haklaj

​SOVRANITETI, DINJITETI DHE HISTORIA E SHQIPËRISË NUK JANË OBJEKT NEGOCIATASH!
​Përdorimi i një terminologjie me prapavijë të qartë irredentiste nga kreu i shtetit fqinj nuk është një çështje e zakonshme retorike apo një lapsus diplomatik.

Është një zhvillim që prek drejtpërdrejt dinjitetin kombëtar, të vërtetën historike dhe sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë.
​Përdorimi i përsëritur i termit «Epiri i Veriut» nga Presidenti i Greqisë, Konstantinos Tasoulas, gjatë ceremonive të datës 28 tetor në Selanik, në referim të përparimit të ushtrisë greke në territoret shqiptare gjatë viteve 1940–1941, nuk mund të trajtohet si një zgjedhje e pafajshme terminologjike. Ky emërtim mbart një ngarkesë të rëndë historike dhe politike, e cila lidhet me pretendime të vjetra territoriale dhe me një koncept që bie ndesh me realitetin e kufijve ndërkombëtarë të njohur të Shqipërisë.
​Të paraqesësh hyrjen dhe përparimin e ushtrisë greke në Korçë, Gjirokastër, Përmet, Himarë, Delvinë e Sarandë si «epikë të Epirit të Veriut» do të thotë të rihapësh një kapitull të tejkaluar të historisë politike dhe të ushqesh narrativa që cënojnë frymën e fqinjësisë së mirë.
​Kufijtë e Shqipërisë janë të përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Protokolli i Firences i vitit 1913 dhe aktet e mëvonshme ndërkombëtare përbëjnë bazën e pashkatërrueshme historiko-juridike të kufijve të shtetit shqiptar.
Sovraniteti dhe integriteti territorial nuk mund të relativizohen nga retorika politike e asnjë përfaqësuesi shtetëror.
​Në këtë kontekst, ngremë shqetësimin dhe Denoncojmë:
​RINGJALLJEN E NARRATIVAVE IRREDENTISTE DHE TENTATIVAT PËR TË TJETËRSUAR HISTORINË:
Jugu i Shqipërisë është pjesë e pandashme e territorit të shtetit shqiptar, me identitetin, trashëgiminë dhe zhvillimin e vet historik, kulturor e kombëtar.
Asnjë terminologji politike, sado e përsëritur apo e institucionalizuar, nuk mund të ndryshojë realitetin historik dhe juridik të këtij territori.
Denoncojmë:
​HESHTJEN DHE PASIVITETIN E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE:
Mungesa e një reagimi të qartë dhe zyrtar nga Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, përballë deklarimeve të tilla ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe efektivitetin e diplomacisë sonë.
Diplomacia nuk është heshtje përballë cënimit të dinjitetit shtetëror; ajo është arti i mbrojtjes së interesit kombëtar përmes argumentit, së drejtës ndërkombëtare dhe qëndrimit të vendosur. Fqinjësia e mirë nuk ndërtohet mbi heshtjen e njërës palë dhe pretendimet e tjetrës.
Denoncojmë:
​INSTRUMENTALIZIMIN POLITIK TË ÇËSHTJES SË MINORITETIT GREK:
Të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri janë të garantuara nga kushtetuta dhe standardet më të larta ndërkombëtare.
Ato përbëjnë një vlerë të bashkëjetesës sonë demokratike dhe nuk mund të shndërrohen në instrument të pretendimeve territoriale apo të agjendave politike.
Mbrojtja e të drejtave të minoritetit dhe mbrojtja e sovranitetit territorial janë dy parime që përforcojnë njëra-tjetrën.
Bëjmë thirrje për:
​PËRGJEGJËSI TË ELITËS AKADEMIKE DHE TË NDËRGJEGJES PUBLIKE KOMBËTARE:
U bëjmë thirrje historianëve, akademikëve, juristëve, publicistëve, intelektualëve dhe shoqërisë civile që të mos e trajtojnë këtë çështje si një episod kalimtar diplomatik.
E vërteta historike kërkon argument, dokument, dëshmi dhe qëndrim shkencor.
Përballë keqpërdorimit të historisë, përgjigjja duhet të jetë dija, dokumentimi dhe ndërgjegjja kombëtare.
​PËR KËTO ARSYE, I KËRKOJMË SHTETIT SHQIPTAR (PRESIDENTIT, KUVENDIT DHE QEVERISË):
​Të mbajnë një qëndrim zyrtar, të unifikuar dhe të qartë për deklaratën e presidentit të Greqisë.
​Të kërkojnë sqarime diplomatike për përdorimin e kësaj terminologjie në lidhje me territorin e Shqipërisë.
​Të mbrojnë me argumente historike dhe juridike sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit në të gjitha tryezat ndërkombëtare.
​Të mos lejojnë që politika e fqinjësisë së mirë të keqinterpretohet si tolerim i retorikave me ngarkesë irredentiste.
​Ne jemi për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim strategjik, për integrimin europian dhe për respekt të ndërsjellë mes dy popujve.
Por fqinjësia e mirë nuk mund të ndërtohet mbi relativizimin e historisë, cënimin e dinjitetit apo heshtjen përballë pretendimeve territoriale.
​Shqipëria nuk ka nevojë të armiqësohet me askënd për të mbrojtur të vërtetën e saj, por ka detyrimin kushtetues dhe moral të mos heshtë kur kjo e vërtetë vihet në pikëpyetje.
​HISTORIA NUK TJETËRSOHET!
SOVRANITETI NUK RELATIVIZOHET!
DINJITETI KOMBËTAR NUK NEGOCIOHET!
UNIONI ARTISTIK I KOMBIT SHQIPTAR
“KALORËS I URDHËRIT TË SKENDERBEUT”

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu