Sot deputetët do të rikthehen në seancë plenare në Kuvend.
Në rend të ditës, në seancat që vijnë pas javës së gjelbër është vetëm një çështje: diskutimi për problematikat e qytetarëve që deputeti ka hasur përgjatë takimeve me ta.
Megjithatë, edhe këtë javë pritet të mos ketë surpriza, deputetët do të shkojnë në seancë vetëm për disa minuta, pasi opozita do të vijojë bojkotin e bllokimin dhe nuk pritet normalitet në diskutime.
Në këtë sesion të ri opozitarët kanë protestuar me pankarta e zhurmuese, por megjithatë foltoren nuk e kanë lëshuar.
Rithemelimi i Berishës ka deklaruar se sot do të protestohet jashtë sallës së seancës plenare, ndërkohë që deputetët do të protestojnë brenda Kuvendit duke tentuar të bllokojnë zhvillimin e seancës.
Megjithatë, numri i deputetëve të opozitës që lejohen të marrin pjesë në seancë është më i vogël, pasi 19 prej tyre janë përjashtuar.
Aksionin brenda sallës pritet ta udhëheqë kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi të cilit i ka përfunduar masa ndëshkimore prej 10 ditësh jashtë parlamentit.
Dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të “Rithemelimit” u vendos që nga sot protestat të shtrihen në të gjithë vendin e të përdoret çdo mjet i mosbindjes civile kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministrit Edi Rama.
Por deri tani ky aksion duket se do të kufizohet vetëm tek demokratët e drejtuar nga Sali Berisha, pasi deputetët e Gazment Bardhit nuk do të marrin pjesë në këto protesta e po ashtu do të mungojnë edhe aleatët e PD-së.
E teksa e hëna pritet të mos prodhojë surpriza, ndërsa seanca e ditës së enjte do të jetë edhe më e rëndësishme, pasi pritet të kalojnë një sërë projektligjesh, mes të cilëve më i rëndësishmi, ai që rikthen bastet sportive “online”, që nga opozita është kundërshtuar gjatë. Për këtë ligj, mazhoranca i ka votat, pasi duhet shumicë e thjeshtë, por të tjera nisma kanë mbetur peng në Kuvend për shkak se PS-së për t’i kaluar i duhen edhe votat e opozitës, siç janë pagat e Gjyqtarëve të Kushtetueses, amnistia penale apo zgjedhja e avokatit të popullit.