Shkruan Eliona Kodra Shkreli
‘Peshqeshi’ i kupolës drejtuese të Bashkisë Shkodër për disa nga punonjësit e administratës me rastin e Fiter Bajramit!
Ka disa ditë që marr mesazhe nga punonjës të ndryshëm të administratës së Bashkisë Shkodër të cilët janë prekur nga ulja e rrogës, pa asnjë paralajmërim, duke u njohur vetëm kur janë gjëndur para bankomatit të bankës.
Ulja e pagës varion nga 4000-7000 lek të reja (të paktën nga rastet që më kanë shprehur shqetësimin përmes mesazheve dhe telefonatave).
Të shqetësuar me këtë situatë të pakuptimtë e të befasishme, në prag të një feste të rëndësishme fetare siç është Fiter Bajrami, punonjësit kanë kërkuar përgjigje nga eprorët e tyre por kanë marrë pas vetëm heshtje dhe në të shumtën e rasteve ngritjen e supeve. E në fakt, tashmë dihet se Bashkia Shkodër drejtohet nga një kupolë e besuar e kryebashkiakut, e importuar nga Tirana, që po bëjnë kërdinë në drejtimin sa më të keq të mundshëm të Bashkisë më të madhe të Veriut.
Drejtuesit e drejtorive janë vetëm numra të punësuar, të cilët nuk vihen në dijeni për asnjë vendim që merr kupola drejtuese, thjesht zbatojnë në mënyrë robotike ato pasi partia ia ka mbyllë gojën me një post drejtues.
Kjo reformë në pagë nuk ka prekur çdo punonjës, por janë kategorizuar të prekurit duke u bazuar s’di se ku, por vlen të thuhet se shumica e të prekurve kanë bindje të djathta politike. Punonjësit nuk kanë ku të ankohen, nuk kanë ku të kërkojnë arsye dhe shpjegime…Bashkia Shkodër është një godinë e blinduar në informacion, në një rreth të ngushtë njerëzish, që vënë në zbatim ato që shohin në ëndrrat e natës. Bashkia Shkodër ka mungesë të theksuar transparence, në një kohë që kryebashkiaku Beci e kishte një ndër pikat më të artikuluara gjatë fushatës së Tij.
Shkodranët do të dinë t’ja japin përgjigjen kësaj kupole arrogante dhe aspak profesionale që drejton institucionin e Bashkisë sikur të ishte pronë private e Saj e jo institucion në shërbim të banorëve të Shkodrës.
Është e turpshme dhe aspak njerëzore që punonjës të caktuar, në këto kohë të vështira ekonomike që kalon veçanërisht Shkodra, të përballen me ulje pagash pa i dhënë asnjë arsye dhe pa i paralajmëruar më parë. Kjo kërkon reagim dhe shpresoj shumë që Shkodra të zgjohet nga gjumi pasi çdo lloj arrogance duhet të ketë një limit.
Promoted Content