Shkruan Azgan Haklaj
Berisha, Rama, Meta, në pritje të nekrologjisë politike!
Drejtësia e re po i qaset me kujdes juridik strumbullarit të së keqes kombëtare shqiptare, autorëve me emër të përveçëm që vodhën këtë vend, tradhëtuan principet e e demokracisë dhe thartuan pluralizmin.
Tani ata janë “perëndi” të rrejshme jo vetëm pa forcë e shkelqim por rrangalla të ndryshkura e të përçudnuara në rrënim.
Në turbullimin që ju jep frika e në paranojën që ju shkakton kujtesa e krimeve e abuzimeve ata janë të zhveshur nga ç’do lloj sentimenti politik, njerëzor, miqësor, biles dhe familjar.
Mendojnë të çajnë rrethimin që i ka mbërthyer duke lëshuar e dorëzuar këdo vetëm të fitojnë kohë.
Rama ka mbushur qelitë me bashkëpunëtorët më
të afërt, të tjerë ja kanë mbathur në arrati, ndërsa Berisha dorëzoi Salianjin, Qemal Satafën e tij pa shkrepur asnjë kapsollë thjesht si këmbim ndere për vulën që i bëri kunata e Pamela Ballukut.
E më qesharaku Ilir Meta,”Lek Plepi” i f.b, dorëzoi e linçoi bashkëpunëtorët më të afërt madje edhe bashkëshorten e bashkëudhëtaren politike që vet të shpetojë ç’farë të mundet nga thesari i vjedhjeve dhe krimeve të tij sistematike.
Duket një rebus e kriptogram i vështirë për t’u zgjidhur për drejtësinë në aparencë por besoni se si lemshi që i është kapur fija tashmë janë të
pashpresë.
Jam i sigurt se ky aksion drejtësie dhe humanizmi i përkrahur nga aleatët tanë për të ndalur gangrenizimin e metejshëm të vendit do ketë rezultate të shpejta dhe spektakolare.
Nuk ka sens që në një “panair” krimesh e kriminelësh ekonomikë e elektoralë të mund të blesh produktin e votës se lirë.
A do ta lejojnë vijimin e metejshëm qoftë dhe formal të këtij lidershipi – kërmë që kundërmon shqiptarët, miqtë që na premtuan dhe ju besojmë.
Besoj se jo.
Nuk është shkelur vetem vija e kuqe por është prekur palca e qenësisë tonë dhe demokracisë.
Nuk do të ketë shtet Kim Jong Un në zemër të Europës.
Aq sa imagjinohet që mund të krijohet shteti model Vatikan buzë përroit në “Ali Dem” po aq është propabiliteti i këtij lidershipi të mbijetojë.
Në fakt është shkruar nekrologjia e tij politike.
Po pritet një spiker i mirë e i besuar vetëm ta lexojë.
E kush më mirë se demokratët euroatlantikë, Harku Opozitar-Euroatlantikë mund ta bëjnë atë…Gjithçka është gati.
Jo vetëm gati por në sinkron me dhimbjen dhe shpresën e shqiptarëve.