Punonjësit federalë amerikanë do të duhet të raportojnë aktivitetin e tyre të fundit të punës ose të humbasin punën e tyre, ka njoftuar Elon Musk.
“Në përputhje me udhëzimet e Presidentit Trump, të gjithë punonjësit federalë së shpejti do të marrin një email për të raportuar atë që kanë bërë javën e kaluar,” shkroi miliarderi në një postim në platformën e tij X “Dështimi për t’u përgjigjur do të konsiderohet dorëheqje”.
Shefi i Tesla dhe SpaceX po zbaton masa për të pushuar nga puna një numër të madh të stafit federal, pasi u emërua nga Trump në krye të një komisioni qeveritar të efikasitetit (Doge), përgjegjës për reduktimin e shpenzimeve publike në Shtetet e Bashkuara.
Donald Trump, megjithatë, tha se do të donte që këshilltari i tij të shfaqej “më agresiv”.
“Elon po bën një punë të shkëlqyer, por unë do të doja ta shihja atë të bëhet më agresiv”, shkroi ai në platformën e tij “Truth Social”, duke shtuar: “Mos harroni se kemi një vend për të shpëtuar”.
Administrata Trump filloi të pushonte nga puna punonjësit federalë në provë javën e kaluar. Ajo kishte nisur më parë një plan largimi vullnetar për të inkurajuar punonjësit federalë të jepnin dorëheqjen në këmbim të stimujve.
Më shumë se 75,000 punonjës federalë kanë pranuar ofertën e dorëheqjes, sipas Washington Post.