Koalicioni i Berishës me 25 parti, kush janë deputetët që “përvëlohen” nga marrëveshja e minutës së fundit

0

Kreu demokrat Sali Berisha arriti të përmbyllë një aleancë me 25 parti, duke depozituar në KQZ edhe kërkesën në limitet e afateve për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në koalicionin e demokratëve të pagëzuar me emrin “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (PD-ASHM) u përfshi edhe PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, megjithëse në ditët e fundit ishte paralajmëruar se kjo parti ishte shumë e pakënaqur me ofertën për të pasur vetëm 1 deputetët në atë që konsiderohet si lista e sigurtë e kandidatëve.

Më e favorizuara nga koalicioni me Berishën mbetet Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta, e cila ka siguruar të paktën 4 vende në listën e sigurtë, ndërsa PAA e Agron Dukës, PR e Fatmir Mediut, PBDNJ e Vangjel Dules dhe PDIU e Shpëtim Idrizit do të kenë vetëm 1 vend në atë që konsiderohet lista e mbyllur.

Megjithëse detajet se ku do të kandidojnë emrat e propozuar nga partitë aleate të Berishës nuk janë zyrtarizuar ende paraprakisht mësohet se Dule do të jetë në listën e Vlorës, Idrizi dhe Mediu në Tiranë, Agron Duka në Durrës, ndërsa PL do të ketë në Tiranë, Korçë, Fier dhe Elbasan. Por nuk përjashtohet mundësia që PL të ketë dy kandidatë në Tiranë, Ilir Metën dhe Tedi Blushin, duke hequr dorë nga qarku i Korçës, atje ku është dakordësuar paraprakisht kandidimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PL-së.

Gjithashtu Nard Ndoka i PDK-së duket se ka mbetur pa një marrëveshje për të pasur emrin në listën e sigurtë dhe rrezikon të humbasë sërish mundësinë për të hyrë në Parlament. Edhe në 2021, Ndoka nuk arriti të merrte mandatin edhe pse kandidonte në Shkodër.

Nëse i referohemi listës së deputetëve aktualë, bazuar në zgjedhjet e 2021, të paktën 6 nga deputetët që i përkasin partive aleate humbasin mandatet e deputetëve, ose më saktë nuk rikandidohen në lista të sigurta.

Nga rradhët e PL-së janë Petrit Vasili dhe Monika Kryemadhi. Kjo e fundit kishte paralajmëruar tërheqjen nga politika nga momenti kur SPAK e vendosi nën hetim, ndërsa Vasili duket se është spostuar. Kryemadhi dhe Vasili janë zëvendësuar nga Edmond Haxhinasto dhe Tedi Blushi.

Gjithashtu Mesila Doda, e cila ka qenë deputete e PD dhe më pas iu bashkua PDIU, si rezultat i përplasjeve të krijuara mes demokratëve pas 2013-ës, mund të mos jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Më herët ishte njoftuar se Doda ishte tërhequr nga një rikandidim si deputete, ndoshta për ti hapur rrugën një marrëveshje mes PD dhe PDIU, e cila do të ketë në listën e sigurtë vetëm 1 emër, atë të kryetarit Shpëtim Idrizi.

Koalicioni i Berishës me 25 parti, kush janë deputetët që

Gjithashtu mandatet e deputetëve ose rikandidimin në listat e sigurta e humbasin edhe Nusret Avdulla, Selaudin Jakupllari, Gëzim Ademaj, edhe këta pjesë e grupimeve parlamentare në parlamentin aktual të propozuar nga partitë aleate në marrëveshje me PD në 2021.

Gjithashtu Dashamir Shehi, kreu i LZHK, i cili në 2021 kandidonte në Tiranë në listën e koalicionit të drejtuar nga PD, në zgjedhjet e 11 majit do të kandidojë me një tjetër koalicion, atë të krijuar mes partisë së tij dhe Djathtas1912 të Enkelejd Alibeaj.

Por ka edhe një mundësi, që këta emra, ose të tjerë të propozuar nga aleatët, të përfshihen në listën e kandidatëve në atë që konsiderohet si lista e hapur.

Në këtë rast ato duhet të mbledhin sa më shumë vota preferenciale për të zhvendosur listën, por në anën tjetër koalicioni duhet të fitojë sa më shumë vota, që të përkthehen në mandate dhe të sigurohet një numër i lartë deputetësh, sipas qarqeve.

Kush është qëllimi i koalicionit?

Në marrëveshjen e depozituar në KQZ jepen qëllimet mbi të cilat është krijuar ky koalicion partish.

Në dokument thuhet se:

a – Koalicioni ka për qëllim fitoren e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe formimin e një maxhorance të re qeverisëse, e cila do të udhëheqë vendin në periudhën 2025-2029 dhe do të realizojë objektivat kryesore të programit të përbashkët.

b -Koalicioni ka për qëllim të punojë së bashku për realizimin e qëllimeve të përbashkëta, duke u angazhuar për zbatimin e programit te perbashket, për sa më poshtë:

i. Zbatimin e ligjit dhe parimeve demokratike në institucionet e vendit duke zbatuar Kushtetutën dhe gjithë korpusin e ligjeve.

ii. Integrimin e vendit në Bashkimin Evropian si prioritet madhor kombëtar.

Iii Ndalimin e shpopullimit të vendit dhe mbështetje për familjen shqiptare dhe vlerat e saj.

iv- Luften pa kompromis me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit.

v- Rritjen e pagave dhe pensioneve.

vi. Uljen e kostos së jetesës së qytetarëve dhe rritjen e mirëqënies së tyre.

vii. Çlirimin e ekonomisë dhe pronës publike nga uzurpimi i klaneve dhe oligarkisë, si dhe ndërtimi i një ekonomie prodhuese e eksportuese me produktivitet të lartë.

viii. Forcimin e rolit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, si faktor i rëndësishëm i paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajon.

c) Koalicioni do të zbatojë një program të përbashkët, që është në përputhje me parimet e demokracisë, lirisë, shtetit të së drejtës dhe tregut të lirë.

d) Çdo parti angazhohet që të respektojë dhe zbatojë marrëveshjen e koalicionit dhe të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

ç) Angazhimet dhe detyrat e palëve përcaktohen qartë në këtë marrëveshje si dhe ato dypalëshe. Çdo Parti do të ketë një përfaqësim proporcional në përgjegjësitë për zbatimin e Programit të Përbashkët.

Kush janë të mandatuarit e Koaliconit PD -ASHM?

Mandatohet Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha që, në emër të Koalicionit, të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion të nevojshëm për regjistrimin e Koalicionit dhe të kandidatëve, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Autorizohet z. Franci Nuri dhe/ose z. Marash Logu, që veç e veç apo së bashku, të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për regjistrimin e këtij koalicioni pranë KQZ, por pa u kufizuar në:

a) Paraqitjen e kërkesës për regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së;
b) Përfaqësimin e Koalicionit gjatë procedurës së shortit në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit;
c) Caktimin e vëzhguesve të Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin;
d) Paraqitjen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e listave shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu