Në episodin e radhës të rubrikës Sy m’Sy me veten Rama ka deklaruar se PS dhe ai i dhanë shpatën në dorë drejtësisë.
Pasi rrahu gjoksin për reformën në drejtësi, Rama i bëri elozhe ushtarit të tij, Altin Dumanit, duke thënë se është burrë i zoti dhe me integritet, i cili gëzon respektin dhe solidaritetin e të gjithëve.
“Kjo nuk është një ditë që erdhi nga qielli por e solli PS me mua në krye. Është shprehje e vullnetit tonë absolut për të sjellë barazinë para ligjit, se kanë pasur kurrë shqiptarët barazinë para ligjit.
Të gjithë ta dinë se nuk ka rëndësi nëse ke apo jo pushtet, nëse vjen dhe të troket në derë drejtësia ti je i barabartë me të gjithë. Altin Dumai është një burrë i zoti, me integritet”, tha Rama.
Afërmendsh lavdërime të tilla nuk janë gjë e re për një kryeministër që është amnistuar nga Dumani për aferën korruptive të inceneratorëve, për McGonigal dhe në rastin e fashëm të deklaratës skandaloze të SPAK për vëllain e tij, Olsin, për dosjen e kokainës në Xibrakë.