Rreth orës 10:00 pritet të vijojë sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Punimet kanë ngelur tek pika e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Në dy tentimet e para, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të legjislativit.E në herën e tretë, propozimi nuk u hodh fare në votim, pasi që ish-kryetari Glauk Konjufca, kërkoi kohë për gjetjen e një zgjidhje për dalje nga kjo situatë, e me këtë rast kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja e ndërpreu seancën për të vazhduar sot.
Mbetet të shihet nëse partia e cila i ka fituar zgjedhjet do ta ketë numrin magjik “61”. Derisa, partitë e tjera, PDK, LDK e AAK, nuk pritet të ndryshojnë qëndrim lidhur me këtë temë. Subjektet që deri dje ishin në opozitë, deklaruan se nuk do të ketë votë për kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.