Procesi i rinumërimit të votave të numëruara në qarkun e Tiranës, i cili përfshinte votat për subjektet politike dhe kandidatët individualë, nuk ka sjellë asnjë ndryshim në shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Lajmi është konfirmuar nga anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Anëtari i Kolegjit Administrativ të Shqyrtimeve (KAS), Ledio Braho, deklaroi për mediat se procesi i rinumërimit ka përfunduar pa asnjë modifikim të rezultatit fillestar. Ai e cilësoi procesin si transparent për të gjitha partitë politike të interesuara, si dhe për publikun e gjerë. Lidhur me disa raste të keqnumërimit të votave të konstatuara gjatë procesit, Braho sugjeroi se ato mund të kenë qenë rezultat i gabimeve njerëzore të kryera gjatë numërimit fillestar.
Sipas Brahos, rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës i ka shërbyer në tërësi procesit zgjedhor për të rritur transparencën, veçanërisht pas akuzave të ngritura për manipulim apo tjetërsim të votave. “Unë mendoj se për aq kohë sa jemi në demokraci, transparenca gjithmonë i shërben demokracisë. Qëllimi i kërkesës sonë ky ka qenë, pra, të bëhet transparencë. Pavarësisht se, siç kam thënë e herë të tjera, nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash, që të bëjnë pis procesin, është e rëndësishme që po të shohim qëndrimet e disa prej kandidatëve, që kanë ndryshuar tashmë që pas hapjes së kutive, tregon që kjo i ka shërbyer procesit,” tha Braho. Ai shtoi se rinumërimi ka eliminuar akuzat për trafikim votash, si brenda subjekteve politike ashtu edhe mes tyre, duke i konsideruar lëvizjet e vogla të votave si çështje gabimi njerëzor gjatë numërimit në Qendrat e Numërimit të Votave (QNV) ose si çështje të fletëve të votimit me vlefshmëri të diskutueshme.
Një tjetër anëtar i KAS-it, Koli Bele, gjithashtu theksoi rëndësinë e kujdesit para se të hidhen akuza për trafikim votash ndaj komisionerëve. Ai vuri në dukje se presioni dhe lodhja kanë qenë të konsiderueshme gjatë procesit të numërimit dhe se gabimet e mundshme mund të jenë rezultat i faktorëve njerëzorë. “Duhet të kuptoni që këtu ky proces ka dy filtra të tjerë. Në qendrën e numërimit është thjesht grupi që numëron që e hedh edhe në sistem. Ndërkohë këtu ka një kontroll, pra është tjetër operatori nga grupi i numërimit dhe ka një person i cili e konfirmon dhe përsëri në mungesë presioni edhe këtu kemi pasur gabime. Mendoni në qendrën e numërimit në orën 2 të natës kur hidhen procesverbalet. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm para se të deklarojmë se komisionerët kanë trafikuar apo kanë vjedhur vota sepse këto kanë qenë gabime të cilat kur ndodhin në këtë situatë pa presion me dy turne, mendoni në situatën e një qendre numërimi,” u shpreh Bele.
Në përfundim, rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës nuk ka sjellë ndryshime në mandate, por sipas anëtarëve të KAS-it, ka shërbyer për të rritur transparencën e procesit zgjedhor pas akuzave të ndryshme.