Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura sot në Vlorë, ku ka ndërmarrë një seri “reformash” në strukturat lokale të Partisë Socialiste dhe në administratën bashkiake.
Takimi është shoqëruar me tensione dhe tone të larta, ku Rama ka shprehur hapur pakënaqësitë për mënyrën e menaxhimit të qarkut, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Në fokus të kritikave ka qenë kryebashkiaku Ermal Dredha, për të cilin Rama ka pasur vërejtje të forta lidhur me performancën dhe shërbimet publike, si mungesa e ujit të pijshëm dhe ankesat e qytetarëve për shërbimet e ofruara.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e një pjese të konsiderueshme të administratës së bashkisë, përfshirë edhe nënkryetarët.
Në vend të bashkëkryetarëve aktualë Admir Malaj dhe Vilma Bello, Rama ka emëruar Klevis Kason dhe Erjona Ismailin si drejtues të rinj të Partisë Socialiste në Vlorë.
Gjithashtu, Rama ka urdhëruar shkarkimin e disa drejtorëve të bashkisë dhe drejtuesve të institucioneve vendore, duke theksuar mungesën e efikasitetit dhe përkushtimit në përmbushjen e detyrave të tyre.