Shkruan Alba Kepi
Shteti që shemb një shtëpi prej guri në Alpe nuk guxon të prekë një kullë prej çeliku në Tiranë!
Në një nga perlat e Alpeve shqiptare, Thethin, këtë të mërkurë u regjistrua një tjetër përplasje mes banorëve dhe shtetit. Policia u përplas me qytetarët për të zbatuar urdhrin e shembjes së disa ndërtimeve pa leje në një zonë me potencial të lartë turistik. Banorët, në të shumtën e rasteve vendas që prej brezash jetojnë e mbijetojnë në këtë territor të vështirë, po akuzohen për “cenim të territorit”, ndërkohë që kërkojnë të mbajnë frymën gjallë të turizmit malor dhe ekonomisë familjare.
Ndërsa në Theth ndërhyrjet ndodhin me brutalitet dhe pa një strategji sociale apo mbështetje alternative, në Tiranë ndodh e kundërta: jo vetëm që nuk shembet asgjë, por ndërtohet pa kriter, shpesh në shkelje flagrante të ligjit, mbi prona publike, zona historike e trashëgimi kulturore, me një shpejtësi dhe arrogancë që flet qartë për kapjen e qytetit nga interesat e klientelës dhe oligarkisë urbane.
Ky kontrast midis ashpërsisë në Theth dhe heshtjes në Tiranë është më shumë se një padrejtësi: është një model pushteti që e përdor ligjin si mjet kontrolli mbi të dobëtit, ndërsa i lejon të fortët të bëjnë ç’të duan.
Shteti që shemb një shtëpi prej guri në Alpe nuk guxon të prekë një kullë prej çeliku në Tiranë, ndonëse e ndërtuar mbi abuzim pronësie apo me burime të dyshimta financiare. Në një vend ku shteti ngrihet me gjithë fuqinë kundër banorëve të një fshati, por hesht përballë ndërtuesve të lidhur me politikën, nuk kemi më as shtet ligjor, as drejtësi sociale, as zhvillim të drejtë.
Ky është realiteti i sotëm: shteti shqiptar ndëshkon atë që ndërtues nuk ka tjetër përveç tokës dhe shpresës, ndërsa shpërblen me heshtje ata që ndërtojnë me para, pushtet dhe ndikim politik. Shkatërrimi i Thethit është brutal; shkatërrimi i Tiranës është genovid urban: i heshtur, por sistematik.
Në fund, të dyja janë forma të së njëjtës padrejtësi. Dhe historia do të kujtojë se kur Shqipëria kishte mundësi të zgjedhë midis mbrojtjes së trashëgimisë dhe pasurimit të pushtetit, ajo zgjodhi këtë të fundit.
Sipas të dhënave nga organizatat për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe urbanistike, mbi 60% e godinave me vlerë arkitektonike në Tiranë janë shembur ose zëvendësuar që nga viti 2015, ndërkohë që çdo vit miratohen dhjetëra leje ndërtimi në zona që më parë ishin të mbrojtura. Komiteti Shqiptar i ICOMOS ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur për rrezikun e shkatërrimit të ADN-së urbane të kryeqytetit, por askush nuk dëgjon. Kur zëri i qytetarëve heshtet nga betoni, historia shuhet pa gjurmë.