Zërat për kryetar në PD, Ilir Alimehmeti pasardhës i Sali Berishës?

0

Kandidati i PD që ngeli jashtë Kuvendit në zgjedhjet e 11 Majit pavarësisht numrit të lartë të votave, Ilir Alimehmeti është pyetur nëse do të përfshihej në një garë të mundshme për kryetarin e Partisë Demokratike.

Ai nuk e mohoi këtë, duke shtuar se fillimisht duhet të ketë garë brenda PD.

“Fillimisht, duhet të ketë garë. Duhet të ketë dëshirë dhe vullnet politik për garë, për ndryshim. Por, kur shikoj 2027, them se kandidatët për kryetarë bashkie duhet të jenë të mirë. E pamë në vitin 2023: u performua më mirë atje ku u përfaqësuam më mirë”, tha Alimehmeti.

Ai ka kërkuar që në Shqipëri të zbatohet modeli perëndimor për situatën brenda selisë blu.

“Ka dy lloj modelesh se si zgjidhen këto punë: në Lindje dhe në Perëndim. Në Shqipëri pritet me thikë, dikush del dhe dikush hyn. Duhen parë kontributet që janë dhënë në parti dhe për këtë duhet të kesh garantor të këtyre kontributeve. Shtetet perëndimore bëjnë këtë: përgjatë kohës që dihet që dikush do të ikë nga puna se po i afrohet mosha e pensionit, vendoset një i ri që një vit para. Janë të dy bashkë dhe kompetencat kalohen gradualisht. Në këtë mënyrë, në fund nuk ka krisje të fortë, por situata ecën para në mënyrë të butë. Në Shqipëri nuk e kemi parë këtë variantin perëndimor”, shtoi Alimehmeti.

Emri i Ilir Alimehmetit lakohet sa herë ka zgjedhje në parti apo jashtë saj. Ai është i mendimit se demokratët nuk janë gati për një garë elektorale të parakohshme, ndërsa këmbëngul se ka ardhur koha për ndryshim të sistemit zgjedhor, i cili la jashtë Parlamentit më të votuarit nga populli – njëri prej tyre ishte dhe vetë ai, të cilin sistemi e penalizoi.

Mjeku i njohur rezultoi ndër kandidatët më të votuar të PD në Qarkun e Tiranës, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, teksa u votua nga 18 125 qytetarë.

Por pavarësisht nga ky rezultat, ndër demokratët më të votuar krahas Jorida Tabakut (20 565 vota), Ilir Alimehmeti mbeti jashtë Parlamentit të ardhshëm, pasi nga lista e hapur PD siguroi vetëm 1 mandat në Tiranë. Ishte pikërisht Tabaku ajo që fitoi garën kokë më kokë me Alimehmetin.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu