Priten debate/ Mblidhet sot Kuvendi, raportojnë krerët e institucioneve të drejtësisë

0

Parlamenti sot do të dëgjojë raportimin e institucioneve të pavarura, seancë që shënon përballjen e parë mes kryetarit të PD, Sali Berisha dhe drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, prej momentit që SPAK-u ngriti akuzën për korrupsion ndaj liderit të opozitës.

Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani do t’u përgjigjet në parlament pyetjeve të deputetëve për veprimtarinë e këtij institucioni dhe mbetet për t’u parë se çfarë pyetjesh do t’i drejtojë atij kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili në dy vitet e fundit ka artikuluar akuza të forta ndaj Dumanit.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet seanca, pasi herën e kaluar kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi që deputetët të mos lexojnë pyetjet për drejtuesit e institucioneve, pasi i kanë nisur më herët me shkrim, vendim ky që tensionoi situatën dhe si rezultat PS vendosi të votojë e të mbyllë seancën.

PD i ka dërguar një letër kryeparlamentarit Peleshi, ku shpjegon se në bazë të rregullores deputetët demokratë do të shpjegojnë vetë pyetjet për drejtuesit e institucioneve.

Përveç SPAK-ut, sot në parlament do të raportojnë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe për secilin raportim deputetët kanë 150 minuta kohë në dispozicion për diskutime.

Por në parlament do të votohet ngritja e komisionit të reformës territoriale dhe reformës zgjedhore. Ky pritet të jetë i vetmi moment konsensual i parlamentit, pasi PS ka pranuar kërkesën e opozitës për barazi anëtarësh në të dy komisionet dhe deputetët demokratë do të votojnë pro.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu