Erion Veliaj del sot para Gjykatës Kushtetuese; seanca është publike

0

Kryetari i shkarkuar i Tiranës, Erion Veliaj do të lërë ditën e sotme për pak orë qelinë e paraburgimit në Durrës.

Ai do të marrë pjesë në seancën publike në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimimi i tij kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës dhe seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00 me relatore Sonila Bejtjan.

Gjykata Kushtetuese njoftoi më herët praninë e Veliajt në seancë, pasi kishte shprehur vullnetin e tij. Për këtë arsye, gjykata kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve marrjen e masave për shoqërimin e tij nga paraburgimi i Durrësit, ku ndodhet prej muajit shkurt, si edhe SPAK-un.

Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn me 50 vota pro pas propozimit të Këshillit Bashkiak duke u mbështetur në nenin 62, pika c, të ligjit për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por edhe këtë e ankimoi në Kushtetuese.

Dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.

Në argumentet e tij, Veliaj pretendon se qeveria ka vepruar jashtë kompetencave, pasi, sipas Kushtetutës, një kryebashkiak mund të shkarkohet vetëm në rast të shkeljeve të rënda të ligjit ose të Kushtetutës, dhe vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ai thekson se mungesa e tij në zyrë është pasojë e pamundësisë objektive, pasi ndodhet në paraburgim.

Në krahun tjetër, qeveria mbron qëndrimin se vendimi për shkarkim është marrë në bazë të ligjit për qeverisjen vendore, duke e bërë Gjykatën Administrative dhe jo atë Kushtetuese, organin kompetent për këtë çështje.

Në seancë pritet që Veliaj të mbështetet edhe në një opinion të Komisionit të Venecias, ku theksohet se largimi i një të zgjedhuri vendor nga detyra duhet të konsiderohet një masë ekstreme, pasi prek autonominë vendore dhe të drejtat themelore politike.

Komisioni paralajmëron gjithashtu se paraburgimi i gjatë i një zyrtari të zgjedhur mund të kufizojë të drejtat e tij për pjesëmarrje në jetën publike, të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Erion Veliaj ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit, nën hetim për pesë akuza të ndryshme, mes tyre korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është përfshirë në të njëjtën dosje hetimore, ku dyshohen për korrupsion në nëntë raste të ndryshme.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu